Ta morën të drejtën e jetës, por ti ua hodhe me pavdekësinë

Kultura

Ta morën të drejtën e jetës, por ti ua hodhe me pavdekësinë

Ilir Hajdari Nga Ilir Hajdari Më 5 gusht 2018 Në ora: 19:38
Sulejman Lokaj

Të prita që, gati pas dhjetë vitesh, të vije përsëri në promovimin e librit tim. Por ti, si për inat të kësaj vonese, i paske mbyll sytë. E di, u vonova shumë. Po, s’kishte motiv për shkrime keto vite. Edhe ti, vet, më pate thënë atëherë kur pushteti e mbylli Teatrin Popullor të Gjakovës, se: “Na e morën të drejtën e jetës”. Pushtetarët na i rropën të gjitha të drejtat.

E, megjithatë, këto të “drejta” unë i pata renditë në këtë librin tim të radhës dhe prisja ditën kur ti do të lexoje diçka prej saj. Por ti paske vdekë. E paske mbyllë edhe kapitullin fundit të recitimit. Aty, në librin tim, nuk kam shkruar më vargje për luftën kundër Serbisë fashiste, siç, rëndom jemi mësuar të lexojmë e shkruajmë për tërë këto vite; as vargje për dashurinë, për heronjtë, për revolucionet, lavdinë dhe robërinë. Jo!

Kësaj radhe prita që ti të vije në promovim, e të ma recitoje protestën e madhe të Lirisë që kërkon Lirinë, edhe pas njëzet vitesh nga Lufta Çlirimtare e Kosovës. Por ti ia paske marrë të drejtën vdekjes! Ma paske lënë librin pa shpërthim jehone, që vetëm zëri yt do të mund ta dërgonte deri matanë kodrës së pushtetit. Unë u vonova, baca Sulë, por ta dish se ma ke lënë “Lirinë” në vaj.

Lamtumirë burrë i artë i Dukagjinit, Sulejman Lokaj! Pusho i qetë. Të drejtën e pavdekësisë, s’ka pushtet në botë që mundet të ta marr!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat