Turqia e censuroi filmin ku luan Nik Xhelilaj, Prishtina e sheh të plotë

Kultura

Turqia e censuroi filmin ku luan Nik Xhelilaj, Prishtina e sheh të plotë

Më: 19 korrik 2018 Në ora: 15:55

“Oh Zer oh Zer, i dashuri i kujt është Zer, dashnori im me flokë të gjatë” është pjesa e këngës që do të ju pushtojë nëse shihni filmin “Zer”, të regjisorit Kaz?m Öz. Në këtë film, premiera e të cilit u dha mbrëmë në Prishtinë në kuadër të PriFilm Fest, luan edhe aktori shqiptar Nik Xhelilaj.

Duke realizuar dokumentarin “Dûr” në Dersim, regjisori Kaz?m Öz dëgjoi këngën “Zer” e cila e pushtoi atë. Regjisori i dashuruar pas kësaj kënge filloi kërkimet për të gjetur versionin e plotë të kësaj kënge. Kështu kjo histori kërkimi 5 vjeçar shërbeu si një histori intriguese për të realizuar edhe një film.

Zer shpalos tregimin e Jan dhe të gjyshes së tij Zarife. Zarife e sëmurë dërgohet për shërim në New York ku fillon që të njihet më mirë me nipin e saj. Nipi, pas vdekjes së gjyshes së tij hidhet në kërkim për të gjetur burimin e këngës “Zer” të cilën ia këndoi gjyshja e tij. Ndërsa, ai gjurmon për këngën “Zer”, e gjen vetën në Dersim, në mes të gërmadhave të masakrës, duke zbuluar edhe sekretin e gjyshes së tij, Zarifes. fëmija që i shpëtoi masakrës në Dersim në vitin 1938. Kështu Jan gjersa kërkon këngën kërkon edhe vetën e tij.

Pikërisht historia e filmit e cila është realizuar në një mënyrë shumë poetike, është financuar nga Ministria për Kulturë dhe Turizëm në Turqi, mirëpo është censuruar pastaj nga e njëjta qeveri. Censurimi i filmit bëri që njerëzit të udhëtonin nëpër qytetet ku filmi nuk ishte i censuruar për ta parë atë, tregoi regjisori Kaz?m Öz.

“Në Turqi mbi shtatë skena të këtij filmi janë censuruar”, thekson regjisori.

Filmi ishte përzgjedhur për të qenë pjesë e festivalit të filmit në Stamboll, ku do të jepej premiera e pacensuruar, mirëpo më vonë u kërkua largimi i këtyre shtatë skenave.

“Ajo që bëra ishte se largova skenat mirëpo ato pjesë i lash me të zeza. Kështu kur filmi u kthye në komision kishte minutazhin e plotë, mirëpo me pjesë të zeza dhe në titra kishim shënuar: “Këto skena ti publik i dashur, nuk i shikon dot pasi që Ministria e Kulturës i ka censuruar”, tregoi regjisori Kaz?m Öz i cili tregoi se pas kësaj premierën shumica e kinemave u tërhoqën për të shfaqur filmin.

Mirëpo gjithë kjo nuk e ndaloi suksesin e filmit i cili tejkaloi parashikimet dhe mori shumë kritika pozitive. Për aktorin shqiptar Nik Xhelilaj, i cili luan Jan, censurimi ishte shumë i padrejtë mirëpo beson në thënien se “Filmi e gjen rrugën e tij vet”, diçka që ai beson që do ndodh edhe më këtë film.

“Nuk është e lehtë që të marrësh pjesë në një film ku gjuha që flitet nuk është gjuhë e nenës tënde. Mirëpo unë u lidha me skenarin që në lexim të parë. Madje mendoj që në film ka ndikuar shumë edhe fakti që unë nuk kam ndonjë lidhshmëri me ngjarjet që kanë ndodhur çfarë ka shërbyer në të mirë të filmit. Pastaj, ajo që më ka intriguar që në fillim kanë qenë edhe lokacionet ku do të xhirohej filmi, u shpreh ai.

Film “Zer” e riktheu aktorin në Prishtinë por edhe në PriFilm Fest, një festival i cili është shumë i veçantë për aktorin.

“Në Prishtinë vij gjithmonë me shumë dëshirë, sidomos kur vijë edhe me film, i cili është edhe në garë të festivalit. Për mua , po nuk pati Nik nuk ka as PriFilm Fest, pasi që isha këtu që në edicionin e dytë të festivalit dhe për mua ai mbetet momenti më i rëndësishëm. Ishte hera e parë dhe mora kritika shumë pozitive pastaj edhe çmimin” ka thënë Nik Xheilaj, i cili më pas ka thënë se komentet që ka marë në këtë festival janë edhe ato të krahasimit me Bekim Fehmiun, duke e quajtur si Bekimi i ri, dhe për vetë Xhelilajn, këto komente kanë një rëndësi shumë të madhe, prekëse dhe të paharrueshme.

Edicioni i 10-të i Pri Film Fest vazhdon deri më 22 korrik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat