“Bugja” nga kjo botë iku vertikalisht

Kultura

“Bugja” nga kjo botë iku vertikalisht

Nga: KALOSH ÇELIKU Më: 19 korrik 2018 Në ora: 12:21
Qani Mehmedi

“Bugja” siç e thirrnim ne miqtë e tij, në Kërçovë, Shkup, Prishtinë dhe Tiranë erdhi vertikalisht në jetë. Padyshim, ai vertikalisht hyri me penë edhe në Betejat e përgjakshme publicistike dhe politike. Moszgjidhja e Çështjes Shqiptare edhe sot e kësaj dite, herët nuk do ta lënë rehat në jetë, edhe përtej varri. Kohë qorre, kur intelektualët shqiptar ndiqeshin hap pas hapi për t’i rrasur në burg si “nacionalistë, “irredentistë” dhe “armiq” të shteti “përbashkët” jugosllav. Kurthe këto policore të asaj kohe, që na ndiqnin në vendlindje, Shkup dhe Prishtinë: rrugë, shtëpi, Universite, Menzen e studentëve dhe konviktet me dritaret e stolisura me turshi: kastraveca, domate e speca me gjizë.

Botë tjetër më vete është ajo, se: Sot pas ikjes tij në amshim marrin “guximin” të derdhin lotë krokodili i hurit dhe kallirit përpara historisë ta lajnë veten nga mëkatet e sisetmit ish komunist, sesa vetë veprat patriotike të “Buxhës”. Edhe, nateditë lexojnë pizi “erotike”, këndojnë këngë patriotike me çifteli dhe heqin valle me lodra e dajre mbi varr. Pavetëdije, se: Historia Shqiptare është e pamëshirshme: të gjithëve do të na e gjej vendin e merituar sipas veprave dhe meritave në histori.

Edhe atë, me lloj-lloj kurthash policore dhe provokimeve “kulturore” duke na afruar përmes spiunëve dhe agjentëve të fshehtë: vende pune dhe poste politike. Romanin grep për kapjen shqiptarëve “irredentistë”: “Tradhtia” të Kapllan Resulit (sot, Resulbego-viçit), dhe herët në mëngjes ende pa zbradhur drita, papritur na arrestonin si “irredentistë”, armiq të shtetit të “përbashkët” jugosllav. Studimet e nisura plot vështirësi ekonomike dhe politike, t’i vazhdojmë në “Universitetin” e shqiptarëve: Idrizovë dhe Goli Otok. Burgje të famshme përmisimi dhe edukimi të sistemit komunist për shqiptarët, nga ku pak veta dilnin të gjallë me tru në kokë në “liri”. Ndonjëri duke i varrosur edhe ashtrat mes atyre shkëmbinjve në mes të detit. Shumica duke mos i përballuar maltertimet fizike, presionet e gardianëve të burgut dhe “vëllezërve” të Njerkës, e gëzonin “lirinë” si spiunë dhe homoseksualë. Ose, të çmendur rrugëve.

Romanin “Tradhtia” unë asaj kohe dhjetëvjeçare, përsa qëndrova në Prishtinë gjatë studimeve me gjithë vitet e punës, nuk pata “guxim” ta lexoj në Kosovë. Edhe, kisha pasur të drejtë dhe arsye. Rastësisht, pas dy-tri viteve, ikjes time nga Prishtina e takova tek Ura e Gurit poetin Qerim Arifi, i cili asaj kohe ishte me dializë mjeksore në Strugë. “Cimerin”, e dhomës përbashkët njëvjeçare, në Prishtinë kur mbeta edhe pa çati mbi kokë I vetmi që ma hapi derën e dhomës krah më krah. Autorin e asaj thënjes tij historike në prani të miqëve dhe gazetarëve të “Zërit Rinisë” si përgjigje të këngës popullore të asaj kohe: “Gjithë shqiptarët janë Mic Sokola”, kur na e përplasi në sy mbi tavolinë: Edhe, kryeredaktori im Mustafa Rushiti nëse është Mic Sokol, unë nuk jam shqiptar.

E pabesushme, çka më tha edhe pas një takim rasti në mes të Shkupit: E di, bre burrë se ti kur erdhe në një dhomë me mua si “cimer”, unë një vit kam jetuar me frikë se je i dërguar si spiun nga policia. Pas ikjes tënde në Shkup, mua më thirrën në Polici në një bisedë informative në lidhje me ty, veprimet e tua artistike si shkrimtar. Tek atëherë u binda se, unë nuk e kisha ndarë dhomën me një spiun jugosllav.

Vite më vonë (1980), pas kthimit tim në Shkup, romanin e “rrezikshëm”:  “Tradhtia” do ta lexoj në Bibliotekën popullore dhe universitare “Sv. Kliment Ohridski”, në Shkup. Po, në këtë kohë do t’i lexoj edhe librat tjerë të “ndaluar” të autorit: “Gjarpëri” dhe “Ushtima e Korabit”. Edhe pse, e dija se edhe këtu në bibliotekë mbaninin evidencë të fshehtë policore për zbulimin e “irredentistëve” shqiptar, “armiqtë” e shtetit jugosllav se, kush i lexon këto libra, por tashti nuk kisha frikë. Shkaku, se: ajo literaturë e “rrezikshme” për shtetin jugosllav, më afroheshte përmes një institucioni shtetëror. U habita me ato veprime policore aq të thella pas portave shqiptare, se: deri ku kishte arrirë UDBA jugosllave. Përsëri duke ma kujtuar atë thenjen historike të popullit shqiptar, se: Dardha e ka bishtin prapa.

Kohë e gjuajtjes të “shtriganëve” antishtetëror: intelektualëve të “rrezikshëm” për shtetin e “përbashkët” jugosllav, dhe studentëve shqiptar të “helmuar” me ideologji “marksite-leniniste”, profesorë dhe libra të rrezikshëm nga Shqipëria. Qëllim kryesor policor, me pretendime për t’ua prerë rrënjët nacionalistëve shqiptar që në fillim, ende pa lulëzuar në Kopështin Shqiptar të rrethuar me gardh policor nga të gjitha anët, në Shtetin e “përbshkët” jugosllav të shokut Tito. Shteg, ku Qani Mehmedi (Bugja) me siguri si student i gazetarisë u iku me mjeshtri atyre provokimeve dhe pritave policore duke i përveshur mëngët në studime dhe krijuar emër madhor si publicist me perspektivë dhe nderë në revistat letrare të asaj kohe dhe gazetën e përditshme “Rilindja” për t’i shërbyer deri në vdekje Çështjes ende të pazgjidhur shqiptare.

Vite më vonë, pas studimeve, kur Qani Mehmedi (“Bugja”) u rritë si publicist, tinëz hyri edhe në fushën e rrëshqitshme politike. Akull, ku nëse nuk di të rrëshqasësh, e then kokën. U angazhua në përhapjen e fjalës së lirë në Radio Zagreb (Kroaci) dhe Radio Televizionin Shqiptar në Tiranë (Shqipëri), pas pushtimit të institucioneve politike dhe kulturore të Kosovës nga forcat policore serbe. E më vonë bashkë me Qemal Muratin në një Televizion privat “Uskana”, në Kërçovë. Poaq i guximshëm si në fushën publicistike, ishte edhe në atë politike. U miqsua me shumë intelektualë dhe politikanë shqiptar. Nuk besoj ndonjë tjetër gazetar shqiptar të ketë hyrë aq thellë me analiza në politikën e tyre “madhore” shqiptare. Përçudi, as vetë nuk e di sesi i hapte ato dyer të blinduara të partive politike shqiptare, krah për krahu me ato të “vëllezërve” të Njerkës për të ardhur edhe deri tek informacionet e tyre sekrete të mbyllura nëpër sirtare dhe trurin e Kryesisë të Partisë politike. Pamëshirë, i zhveshte lakuriq para syve të popullit shqiptar, edhe pa brekë në mes të Lëmës. Vërtetë, ishte edhe vizionar për politikën e dhiareve shqiptare. I guximshëm në deklarata dhe kolumna politike. Gazetar, që publiksht ua thoshte në sy politikanëve të arratisur dhe partive politike duke i shpallur edhe si kuislingë: Ne shqiptarëve, na udhëheqin rrugaçët, Për “Besën” se, duan t’i paraqesin shqiptarët si mbeturinë osmane, “Bombat” politike të Zaevit (“shpëtimtarit” të shqiptarëve”), janë “dardha turke” për të ardhur në pushtet, “Ky duket se është fundi i Gruevskit”  etj.

Herë pas here me këto “batuta” politike ma kujtonte edhe një thënie të Mahmut Bakallit: kur ndonjëri i shkonte në kabinet dhe ia kërkonte “Besën” e mbrëmshme të dhënë në “Bozhur”, që ia kishte hapur si mik mbi tavolinë për kryerjen e ndonjë pune familjare. Politikani i përgjigjej, se: Ai me të cilin kishte biseduar mbrëmë dhe përmbyllur pasmesnaten, kishte qenë Mahmuti i Natës, e ky i sotshmi është Mahmuti i Ditës. Edhe Qani Mehmedi (“Bugja”) bënte tjetër  jetë Nate, e tjetër Dite. Pak veta e dinë jetën e tij të Natës. E shumë veta, atë të Ditës në Redaksi.

Unë si vendas i “Bugjës”, moti kohë njihem me të si publicist, që nga koha e studimeve. Asaj kohe, për arsye të ndryshme edhe nuk kemi pasur takime të shpeshta, përveçse atyre të rastit rrugëve të Prishtinës. Njëra nga arsyet, se: unë asaj kohe kisha një rreth tjetër miqësh krijues në Kosovë, e “Bugja” një tjetër rreth gazetarësh e politikanësh. Pas kthimit tim nga Prishtina në Shkup, mua më merrte edhe malli për miqtë e studimeve të Prishtinës. Në Shkup, ende nuk e kisha krijuar rrethin e kaçakëve të malit për të hipur në Baba Tomor.  Malin e Perëndive: Tyrben, vera ku pihet me Dy shtamba. Pasmesnate, lindë Poezia. Dhe, bëhet dashuri me Hënën, që pak para Agimit, ulet mbi mal.

Tri-katër herë brenda një muaji, unë edhe merrja shpesh rrugën për në Prishtinë. Asaj kohe, edhe nuk kishim kufi me Kosovën. Gjatë një takimi rasti në Prishtinë, me “Bugjën” edhe i pimë Lotët e shën Mërisë Virgjër (Azreti Fatimes) dhe gjakun e Isu Krishtit (Azreti Isait) deri vonë pasmesnate. Unë, edhe pse e kisha rezervuar hotelin “Grand”, “Bugja” si vendas dhe mik nguli këmbë dhe nuk më la të shkoj atë natë në në hotel, më mori në banesën e tij si mik shtëpie.

Takimet e tij më të shpeshta do të jenë në Kërçovë, kur ai udhëhiqte bashkë me Qemal Muratin dhe shokë një televizion privat “Uskana”. Përveçse takimeve në zyrën e punës, ne takoheshim herë pas here edhe në organizimet kulturore që organizoheshin në Kërçovë. “Bugja”, pra, ishte edhe iniciator i madh i organizimeve kulturore-artistike. Aktiviteteve të ndryshme politike ilegale dhe legale. Herë pas here, ai më drejtohej edhe si dhëndërr, shkaku gruas sime si fis i afërt me fimljen e tij në vendlindje.

“Bugja”, vërtetë për mua ishte një gazetar i veçantë. Vendi i të cilit edhe gjatë kohë do të mbesë i zbrazët në publicistikën shqiptare. Nuk mund t’i bije në gjurmë se, ku e kishte këmbën e dorën, dhe ku kokën si publicist. Zemrën, asesi. Guximtar, që me të si shok lufte, mund të bije edhe në raste të papërshtatshme dhe të rrezikshme. Unë me të kam pasur shumë kujtime të mrekullueshme dhe të rrezikshme. Para syve e kam edhe sot e kësaj dite ngjarjen, kur me një mik më të hershëm të “Buxhës” Ramadan Sinanin shkuam ta vizitojmë profesorin dhe shkrimtarin tonë të studimeve Rexhep Qosjen, asaj kohe lufte të strehuar në rezidencat e Enver Hoxhës në Tiranë, pas përzënjes të shqiptarëve me dhunë nga Kosova. Përpak, desh na vranë rojet shqiptare, na shtrinë përtokë. Pasi na indentifikuan, na lejuan që të takohemi me profesorin.

 Pas Luftës Kosovës (1999), Qani Mehmedin (Bugjën) do ta hasim edhe si udhëheqës në ripërtrirjen e këtyre institucioneve informative. Tashti, me një vullnet edhe më të madh në publicistikën dhe politikës re të Kosovës dhe FYROM, duke sjellë para lexuesve shqiptar dhe atij botëror shkrime dhe intervista me parsonalitete intelektuale dhe politike duke e afirmuar Shtetin e Ri të Kosovës. Iniciator për hapjen e ekspozitave artistike të Omer Kaleshit në Kërçovë, Shkup dhe Prishtinë. Edhe të një Muzeu të Omer Kaleshit në Kërçovë dhe Shkup. Shkaktari kryesor, që gjithë pikturat e tij të mos mbeten në Paris.

Thashë: Edhe pse “Bugja” ishte publicist dhe hiqej si politikan duke u ndihmuar partive politike shqiptare për të dalur në rrugë, përsëgjalli nuk hipi në Baba Tomor. Ndoshta, në atë botë ia arrin qëllimit. Edhe pse, Ai nuk ishte politikan me rrogë për zgjidhjen e Çështjes Shqiptare, Ai ishte vetëm parashikues i Politikës shqiptare. E dinte se do të vijë Dita e Madhe, kur partitë politike edhe në “demokraci”, nuk do të vënë më kufinj të rinj mes shqiptarëve pas çdo Livadhi, po krah për krahu si liridashës do të hyjnë në Evropë.  Dhe, Botë si shqiptarë.

Dhe, askush nuk besonte se “Bugja”, një ditë do të bie dëshmor në fushën e publicistikës  dhe politikës shqiptare, përhapjen e fjalës lirë vërtikalisht edhe në Botën e përjetshme me penë në dorë. Ende pa lindë ajo Ditë e Madhe. Lajmit hershëm para Agimit: Sot në orët e para të mëngjesit, pas një sëmundje të rëndë, ka ndërruar jetë, publicisti dhe redaktori i vyer i Radio Televizionit të Kosovës, Qani Mehmedi.

Qani Mehmedi lindi me 12 mars 1953 në Dragomisht të Vogël të Kërçoves. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, gjimnazin në Tetovë, kurse studimet për gazetari dhe diplomaci në Universitetin e Prishtinës. Ndërsa, magjistroi në shkencat politike në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës. Punoi gazetar dhe redaktor në gazetat ”Bota e re “ dhe “Zëri i Rinisë”, redaktor në Radio Televizionin e Prishtinës, në Radio Zagreb dhe në Radio Televizionin Shqiptar (gjatë gjendjes të luftës Kosovës (1998-99). Ishte redaktor i revistës “Dituria”.

Pas luftës Kosovës (1999) punoi redaktor në Radio Televizionin e Kosovës, kryeredaktor në të përditshmen “Lajm”, kurse aktualisht ishte redaktor në Radio Kosovë.

Qani Mehmedi ishte laureat i Çmimit për gazetari “Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka” Çmimit ndërkombëtar “Ballkani – zemra e Evropës”, që ndahet në Prespë, gazetar i vitit në Revistën “ Zëri i Rinisë”, punëtor i dalluar i Gazetës “ Rilindja”. Laureat i një varg mirënjohjesh dhe shpërblimesh tjera.

“Bugja” ka botuar me dhjetëra kolumne editoriale, intervista në gazetat e Prishtinës Tiranës, Shkupit, Zagrebit dhe Sarajevës.

Vepra e tij e fundi, është studimi: “Shtetformimi i Kosovës 1968 -2008”.

Qani Mehmedi “Bugja” ishte dëshmi e gjallë e historisë së Kosovës në afro dyzet vitet e fundit. Ai kishte një arkiv të madh të trashëguar nga lidhjet, bashkëpunimet patriotike dhe miqësitë e shumta në Trojet Etnike Shqiptare.

Herën e fundit me të u takuam në Shkup, gjatë hapjes së ekspozitës të Omer Kaleshit. Ishte në shoqërim me ambasadorin e Republikës së Kosovës, Ylber Hysa. Natyra e tij prej gazetari, që nuk i shpëtone asgjë nga dora, ma përplasi në sy para ambasadorit Kosovës: A bre, çka shaheni ju në Shkup? Iu përgjigja në stilin tim të satiristit me një buzëqeshje ironike: Ne nuk shahemi, po duhemi marrëzisht. U kënaqëm me këngë dhe “tallava” dhe pizi duke kënduar me çifteli e dajre, herqur valle dhe lëvduar njëri - tjetrin si partizanë partiak, klanor dhe familjar. Historikisht, Kërçova nuk ka dhënë politikanë, po burra pushke. Personalitete, kaçak mali që të hyjnë pasmesnate  edhe për oxhaku.

Qeshi. E di, dhe e pranoj, se: ti je udhëheqës shpirtëror. Nuk më la hapsirë ta pyes për një rrëfim të koleges së tij gazetare dhe poete, që e dëgjova pas tridhjetë viteve në Prishtinë. Takim rasti në një manifestim poetik, e cila mu drejtua me besnikëri: A, e di ti se, shkaku yt, Qani Mehmedin (“Bugjën”) dhe mua përpak desh na përzunë nga puna. Edhe, atë: pse propozuam dhe ngulëm këmbë që në Antologjinë e “vëllazërim-bashkimit”: Lule në ballkon të prezentohesh edhe ti si poet shqiptar?! Redaktori i kulturës, përpilusi i Antogjisë u arsyetua se ti je djal ballisti. A, nuk ta ka treguar ngjarjen e asaj kohe deri më sot Qaniu (Bugja”)?! Jo, iu përgjigja. Për herë të parë pas gati tridhjetë viteve në “demokraci” e dëgjoj nga ti si mike e tij gazetare dhe poete, kolege pune. Ndoshta, edhe me arsye: ai gjithmonë, përpiqeshte të krijojë miq në jetë, e jo si unë armiq edhe përtej Ferrit. Ku ta di Unë?! Ndoshta.

Edhe iku, papritmas si “Bugjo”. Vertikalisht me një “borxh” ndaj meje në Botën e përjetshme! Ndoshta, edhe në Parajsë?!.

Xhehnemi, për mua si shkrimtar: Është Fitore?!...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat