Historiku 72 - vjeçar i një vatre diturie

Kultura

Historiku 72 - vjeçar i një vatre diturie

Nga: Milazim F. KADRIU Më: 19 korrik 2018 Në ora: 09:22
Shani Hoti “Historiku i shkollës 4 Dëshmorë” – Ratkoc, 1945/46 – 2017/18 (72 vjetori i themelimit), SHB”Lena” - Prishtinë, 2018

Botimi i monografive për fillimin e arsimit shqip në Kosovë dhe për shkollat e para shqipe në vende të ndryshme tashmë janë shpeshtuar. Një punë e tillë është mjaft e vlefshme për gjeneratat e reja në mënyrë që të njihen me fillimin e arsimit shqip në Kosovë dhe me pishtarët e arsimit, ata që përhapën rrezet e dritës dhe diturisë për gjeneratat e reja.

Një punë të tillë e bëri edhe autori Shani Hoti që botoi librin monografik “Historiku i shkollës 4 Dëshmorë” – Ratkoc, 1945/46 – 2017/18 (72 vjetori i themelimit).

Kështu ai ia arriti kësaj pune me një angazhim disa vjeçar por që ia vlen dhe e arsyeton mundin ngase tashmë ratkocasit  e sidomos gjeneratat e reja e njohin historikun e arsimit shqip në Ratkoc, që si edhe në shumë mese tjera të Kosovës  edhe këtu nisi pas përfundimit të  Luftës së Dytë Botërore.

Libri i Hotit është botuar pikërisht në 72 vjetorin  e themelimit të kësaj shkolle pra aty nisi mësimi i shkronjave shqipe në vitin shkollor 1945/46.

Hapja e parë e shkollë shqipe në fshatin Ratkoc të Rahovecit si edhe në mese tjera në atë kohë  shënon një ngjarje të rëndësishme për popullatën e këtij fshati dhe më gjerë. Në atë kohë në Kosovë rrethanat dhe kushtet ishin të vështira sidomos për popullin shqiptar, pothuajse në të gjitha lëmenjtë e jetës, e veçmas në arsim.

Libri monografik  për SHFMU "4 Dëshmorët", të fshatit Ratkoc të Rahovecit  pas një fjale të autorit dhe një parathënie të shkurtë, vazhdon me një letërnjoftim për fshatin Ratkoc ( Drinas) ku lexuesi ka mundësinë që të njihet sa më afër me këtë fshat duke përmend familjet që kanë jetuar dhe jetojnë aktualisht aty, toponimet e ndryshme  të fshatit si dhe numrin e banorëve në periudha të ndryshme kohore, e po ashtu autori sjell të dhëna për  vendosjen e 21 familjeve kolone malazeze, serbe nga Serbia, Mali i Zi, Bosna e Hercegovina si dhe 114 familje optantë sllave nga Shqipëria.

Më pas autori materialin e kësaj monografie e ka ndarë në nëntë kapituj ku nis me shkollën dhe mësimin në mes të dy luftërave botërore, pastaj shkollën shqipe gjatë Luftës së Dytë Botërore në fshatin Ratkoc. Në kapitullin e tretë ku trajtohet fillimi i shkollës shqipe në Ratkocë menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore pra në vitin shkollor 1945/46. Këtu ai përmend disa nga mësuesit e parë të kësaj shkolle ( Behgjet Sadiku - Gjakovë, Isuf Sadiku- Carrabreg, Binak Alia- Carrabreg, Ibrahim Remë Thaçi-Xërxë, Avni Lama, Mazllum Cana- Gjakovë, Prenk Malushi-Bërdosan, Salih Haxhi Krasniqi –Terpezë, Mehmet Sahatçiu-Gjakovë ,mësuesi Isaj i Llapit, Adem Berisha, Faik Allani, Tahir Gashi-Sferkë e Gashit, Ibush Cena –Kievë, Avni Mula –Gjakovë, Prenk Gjini, Xhevdet Hamza etj), për të vazhduar më tej në kapitullin vijues me intervista  dhe dëshmi  të ish nxënësve të gjeneratës së parë dhe të disa gjeneratave vijuese  të kësaj shkolle ( Sadri Dulë Kastarti, Muhamet Zefir Ukaj, Zenun Ahmet Hoti, Sokol Liman Krasniqi, Halim Smejl Hoti, Rexhep Syl Hoti, Malush Latif Latifi, Muharrem Cen Hoti, Sadik Haxhi Hoti, Asllan Selim Rama, Shaban Deli Morina, Manush Hajdar Hoti, Xhemë Haxhi Hoti, Ilaz Haxhi Hoti, Bajrush Beqir Hoti, Bajrush Alush Krasniqi, Shaip Alush Morina, Beqir Kapllan Hoti, Sali Avdyl Hoti, Ver Sadik Hoti) . Më pas vijnë disa intervista dhe biografi të disa mësimdhënësve të parë të kësaj shkolle (Ibrahim Muharrem Thaçi, Salih Haxh Krasniqi, Bilall Haxhi Hoti, Selim Kastrati, Sinan Homdi Morina). Pastaj intervista me drejtor, zëvendës drejtor dhe mësimdhënës tjerë të kësaj shkolle ( Ibrahim Hoti, Jahir Hoti, Veli Hoti, Bedri Morina, Mustafë Hoti, Zenel Berisha, Xhemë Krasniqi, Nezir Qerim Hoti). Po ashtu në njërin nga kapitujt e librit autori trajton biografitë e tetë ish nxënësve të gjeneratës së parë që e kanë përfunduar shkollën fillore katër vjeçare në këtë vatër diturie (Jusuf Bajrush Hoti, Jusuf Hasan Çadraku, Shaip Smajl Hoti, Sadri Dulë Kastrati, Nezir Ukë Ukaj, Muhamet Zefir Ukaj, Ali Shaban Hoti, Qamil Sefer Hoti).

Po ashtu ai sjell edhe të dhëna për ish nxënësit e kësaj shkolle që tashmë janë kuadro të dëshmuara në lëmi të ndryshme shkencore dhe kanë grada shkencore (Prof. dr. Emin Kabashi, Prof. dr. Sali Bytyçi, Dr. Isuf Lushi, Dr. Sadik Krasniqi, Prof. dr. Afrim Hoti, Prof. dr. Avdullah Hoti).

Në kapitullin e fundit autori sjell biografitë e katër dëshmorëve të fshatit Ratkoc , ish nxënës të kësaj shkollë që me heroizmin e tyre kishin shkruar historinë e luftës së lavdishme të UÇK-së të kësaj ane (Naser Veli Krasniqi, Sahit Abdyrrahmon Krasniqi,Visar Mustafë Hoti, Safet Latif Latifi), emrin e të cilëve e mban me krenari kjo shkollë

Libri monografik “Historiku i shkollës 4 Dëshmorë” – Ratkoc, 1945/46 – 2017/18 (72 vjetori i themelimit) është i dokumentuar me shumë dokumente, faksimile që e pasqyrojnë bindshëm historikun e kësaj shkolle dhe janë dëshmi të kohës të cilat autori i sjell në libër e që tregojnë për një angazhim të tij  mjaft të madh dhe me një profesionalizëm dhe përkushtim të madh, sepse gjetja e dokumentacioneve të tilla pas luftës së fundit është paksa e vështirë pasi flakët e luftës kanë shkatërruar shumë dëshmi të kohës. Autori në libër sjell edhe shumë foto të nxënësve dhe mësimdhënësve të gjeneratave të ndryshme të kësaj shkolle që nga vitet e më hershem e deri në kohën e tanishme.

Andaj mund të përfundojmë se  ky libër ka një vlerë të madhe për historinë e shkollës shqipe në Kosovë dhe do të jetë një model edhe për meset tjera që mendojnë të hartojnë monografi për shkollat e tyre, e po ashtu ky libër është bazë e mirë për hartimin eventual të ndonjë monografie më të gjerë të kësaj shkolle më vonë në ndonjë përvjetor jubilar të shkollës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat