Saqipi: Komuna e Prishtinës duhet të bëjë një zgjidhje si për shkollën e muzikës si për baletin

Kultura

Saqipi: Komuna e Prishtinës duhet të bëjë një zgjidhje si për shkollën e muzikës si për baletin

Nga: Kemajl Goca Më: 13 korrik 2018 Në ora: 18:55
Driton Saqipi

Kosova është pasuruar me një koreograf të ri. Driton Saqipi është koreograf i ri dhe ka plane të mëdha.  Saqipi ka deklaruar se Kosova ka talent të shumtë të baletit, por i duhen edhe kushte të mirëfillta që të zhvillohet dhe të rritet sa më shumë. Ai në intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot” tregon për synimet e tija, çfarë i duhet baletit, si dhe a ka mungesë të koreografeve të baletit klasik dhe kontemporan.

Bota sot”: Kosova me një koreograf te ri, a është emocion për ju?

Driton Saqipi: Kam filluar karrierën si balerin qysh në shkollën e mesme, ku fillova të studioj balet në shkollën ‘Prenk Jakova’. Pastaj kam vazhduar punën në trupën e Baletit të Kosovës pranë Teatrit Kombëtar, duke vazhduar me projekte private si artist i pavarur dhe në të njëjtën kohë, së bashku me bashkëshorten time Behie Murtezi kemi studion e baletit për fëmijë "Behia'dance", ku i mësojmë balet një numër të madh fëmijësh. Duke marr për bazë vullnetin tim për të punuar me pasion në fushën e baletit qysh nga fëmijëria, sigurisht që edhe në këtë moment kur unë titullohem ndër koreografet e parë të Kosovës është emocion i veçantë dhe shumë i fuqishëm për mua. Ndihem i plotësuar profesionalisht dhe tash vetëm duhet që të vazhdojmë të punoje që ta pasurojmë skenën e baletit të Kosovës.

“Bota sot”: Te martën mbrëma u dha Premiera e shfaqjes “Me too”, na trego më shumë?

Driton Saqipi: Shfaqja “ Metoo”  u dha si Premierë në Teatrin Dodona, ishte  shfaqja e parë nga unë si koreograf i ri. Salla e teatrit atë natë ishte e stërmbushur, gjë që me bëri të ndihem shumë i privilegjuar me besimin e shikuesve në punën time. “Me too” vjen si rezultat i padrejtësive që i bëhet gjinisë femërore anembanë botës, mirëpo ne jemi fokusuar në padrejtësitë dhe shtypjen që i bëhet grave në vendin tonë, ku fokus të veçantë i kemi dhënë grave të dhunuara gjatë luftës të cilave nuk ju ofrohet përkrahje institucionale, shoqërore dhe në shumë raste as përkrahje familjare. 

“Bota sot”: Kosovës i mungojnë koreografet e baletit klasik dhe kontemporan, çfarë duhet të bëhet në këtë drejtim?

Driton Saqipi: E vërtet! Kosovës i mungojnë koreograf të baletit klasik dhe kontemporan dhe kjo është arsyeja që me shtyu që të vazhdojë studimet në fushën e koreografisë, për arsye se shfaqjet e baletit që realizohen në Kosovë gjithmonë janë të realizuara nga koreograf të jashtëm, gjë që duhet të ndryshojë në të ardhmen, sepse Kosova ka potencial për koreograf vendorë të cilëve duhet të ju krijohen hapësirat për punë.

“Bota sot”: Driton, ju jeni para një misioni të ri si koreograf i ri i baletit. A ndjeni presion kur e dini që para jush ju pret një punë më shumë angazhim dhe profesionalizëm e cila kërkon angazhim të madh?

Driton Saqipi: Kur njeriu e punon punën të cilën e don, nuk e ndjen lodhjen edhe unë i kam parasysh sfidat të cilat me presin por ato të gjitha kalohen me punë të mirëfilltë. Ndërsa sa i përket profesionalizmit, ai nuk me mungon për arsye se unë jam aktiv në realizimin e shfaqjeve qysh në fillim te karrierës time si balerin, mirëpo tash me titullin tim koreograf patjetër që barra e punës është më e rëndë por ajo lehtësohet kur bashkëpunimi kolegial dhe  rezultatet e punës janë pozitive.

“Bota sot”: Me çfarë syri e shihni baletin në vendin tonë?

Driton Saqipi: Gjithmonë me sy kritik, sepse një artist, kurrë nuk mundet të pohojë që një shfaqje apo përformancë është perfekt dhe gjithmonë ka vend për përmirësime dhe kritika pozitive. Mirëpo unë mendoj që një ambient më i përshtatshëm për provat dhe një skenë më e përshtatshme për balerinët, do të na shpie në një sukses më të madh, sepse Kosova ka balerinë me potencial shumë të madh.

Image

Bota sot”: A ka Kosova talent te Baletit?

Driton Saqipi: Edhe më lart e ceka që Kosova ka balerinë që kanë potencial shumë të madh në këtë fushë dhe këtë e them me plot përgjegjësi duke u nisur nga fakti që në mesin e nxënësve tanë të cilët ndjekin mësim në studion të cilën e drejtojmë unë dhe bashkëshortja ime “Behia’s Dance” ka balerinë të cilët premtojnë dhe do t’i shërbejnë shumë fushës së baletit të Kosovës.

“Bota sot”: Sa investohet në fushën e baletit, ka kushte të mirëfillta dhe a ndihmon shteti?

Driton Saqipi: Është një lajm i mirë sepse ka tre vite që është hapur edhe shkolla e ulët e baletit dhe normal kjo është një përparësi për gjeneratat e reja që të shkollohen në këtë fushë edhe pse i duhet hapësirë më e madhe sepse ka vetëm një sallë baleti. Mendoj që komuna Prishtinës duhet të bëjë një zgjidhje si për shkollën e muzikës ashtu edhe për baletin, sepse këta artist të rinj do të na përfaqësojnë edhe jashtë shtetit në mënyrë dinjitoze. Ndërsa sa i përket trupës së baletit të Kosovës kushtet më të cilat punojnë janë minimale, duhet që sa më shpejt ministria e kulturës të bëj zgjidhje për objektin e Filharmonisë Operës dhe Baletit.

Image

“Bota sot”: Planet tuaja dhe çfarë presim si koreograf i ri?

Driton Saqipi: Jam shumë i lumtur që shfaqja "Me too" mori shumë duartrokitje nga publiku, komentet kanë qenë shumë pozitive, kjo më jep motiv që mos të ndalemi dhe i falënderoj të gjithë që kanë qenë prezent në Premierë dhe me kanë mbështetur. Shumë sms me kanë ardhur se kur do të jetë repriza, besoj dhe shpresoj që në shtator do ta shfaqim prapë sepse kemi disa oferta edhe jashtë Kosovës vetëm se na duhet mbështetje e institucioneve. Falënderoj edhe bashkëpunëtorët e shfaqjes “Me too”. Udhëheqës artistik: Gjergj Prevazi; përformues: Behie Murtezi, Vjosa Mala, Mirgeta Lushtaku; kostumografe: Valdete Mustafa; dizajni Dritave: Skënder Latifi. Gjithashtu faleminderit edhe juve “Bota sot” për përkrahjen jam shumë mirënjohës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat