Poeti është mbret në atdheun e vet

Kultura

Poeti është mbret në atdheun e vet

Nga: Baki Ymeri Më: 13 korrik 2018 Në ora: 06:10
Kopertina

Poezia është boshti kurrizor që e ndërlidh qiellin me tokën. Ajo është një Zonjë e lartë që bashkon zemra dhe përjetime. Poeti dhe poeteshat kultivojnë dhe mbëltojnë harmoni në botë. Poezia është nëna e dashurive të shtrenjta. Poezia dhe muzika janë dhurata hyjnore të qetësisë së shpirtit, jehona e një ndjeshmërie të brishtë, prodhimi më i zgjedhur i meditimit ku lartësohen ndjenjat. Poeti është një anije fluturuese që vërtitet përrreth botës së fjalëve. Ai është kryeengjëlli i kohës dhe tymonier i karrocës së mbushur me fjalë, lule dhe flutra.

Poeti dhe poezia shëmbëllejnë me një kandil shkëlqimtar të cilin nuk e tremb asnjë errësirë. Poeti është një verigë që e ndërlidh botën e sotme me botën e ardhmërisë. Një pemë e mbëltuar në bregun e Lumit të Bukurisë. Poeti është një bilbil që kërcen nga njëra në degën tjetër të fjalëve, duke krijuar melodi që e mbushin trupin me butësi dhe delikatesë. Numri i poetëve të botës që shkruajnë për ëndërrime është i panumërt. Poezia është jeta e shpirtit tonë. Ajo është një gurrë e ëmbël që ua shuan etjen shpirtërave të etshëm për dashuri dhe kulturë. Poezia është një pemë me fryte të ëmbla për shijen e shpirtërave të uritur.

Novalis konsideron se „poezia përbën një pjesë të teknikës filozofike”. Ajo është forma më e lartë e manifestimit shpirtëror. Poezia është e bija e mahnitjes, ndërsa poeti shqiponjë që flatron mbi Luginën e Lumturisë. Ai është valë e trazuar e lumenjve të dashurisë. Në vargjet e tij shprehen mendimet, idetë dhe ndjenjat e autorit në mënyrë të drejtëpërdrejtë nëpërmjet unit poetik. Në kuadrin e kësaj gjinie letrare zotëron vizioni dhe transfigurimi artistik, autori duke apeluar te teknikat e aluzionit, duke krijuar një univers me forcë të madhe të sugjestionit që i drejtohet lexuesit. Kështusoj, nga ky pikëshikim, poeti shpreh sentimentet nëpërmjet figurave të stilit dhe të simboleve.

Lasgush Poradeci, Murat Isaku dhe Azem Shkreli kanë shprehur mendimet më të bukura për poetin dhe poezinë. Eqrem Çabej thekson se „Lasgush Poradeci hapi portën e një jetë të re në poezinë shqiptare.” Asdreni sipas Çabejt, „e pasuron thesarin e gjuhës me xhevahire të çmueshme, me fjalë e mënyra shprehjesh të reja, delikate e stërmagjike.” Azem Shkreli ishte mjeshtër i vargut dhe fjalës: „Mos u bëj poet nëse s'mund të lindësh/ me secilin varg, të lindësh me secilën fjalë.// Mos u bëj poet nëse s'mund të vdesësh/ për secilën varg, të vdesësh për secilën fjalë. Sipas Bujar Tafës, „poeti është i zgjedhuri i Zotit.” Poezia sipas Emineskut është „trëndafili që rritet në saksinë e artë të shpirtit të bukur.” Sipas Jeton Kelmendit, „poezia si kategori e së bukurës ka dimensionet e veta të cilat paraqiten tek lexuesi, prandaj poetët që nga kohët e lashta janë konsideruar si elita, apo njerëz të rangut të lartë.” Sejdi Berisha thekson se „Poetët, të cilët pjesë të jetës, të gjakut dhe të dashurisë e të etjes e kanë luftën për liri, ata vargun e kanë këngë madhështie, me të cilën, sado mirë që e këndojnë, ata prapëseprapë mbeten të etur për të thënë e për të rrëfyer edhe diçka, dhe atë, duke filluar nga vetvetja e deri tek rrugëtimi nëpër zjarr që ka lënë gjurmë për të thënë shumë, për t’u mburrur e për t’u kritikuar. Kjo ngase, toka e lagur me gjak ka shumë këngë, rrëfime e ngjarje të pathëna, mbase pra edhe të pa kënduara.”

Duke i deshifruar vargjet e mia, Isak Ahmeti, ish kolegu im i studimeve, thekson: „Poezi e bukur që të deh dhe atashon në një botë ndjenjash dhe mendimesh të vrullshme.” Poeti shëmbëllen me zogun që flatron mbi valët e detit duke kaluar tejmatanë përjetësisë së kohës. Poeti nuk ka jetë personale, thekson Nikita Stënesku dhe vazhdon: „Jeta e tij personale është hi e pluhur.” Sipas Ion Iancu Vale: „Kush e ndjen dhe kupton poezinë e vërtetë, as që ka nevojë t’i lexojë Librat e Shenjtë të botës dhe librat e poetit. Ngase, në murosjen e tij demiurgjike, poeti në mënyrë të pavetëdijshme i interpreton si askush tjetër Mësimet e Shenjta... Poeti është sakrifikuesi i destinit personal, duke jetuar dhe vdekur i vetmuar, vepra e tij duke mbetur pamjaftueshmërisht e kuptuar dhe vlerësuar. Ai është njëri nga bijtë e Zotit që lind, vetëtin dhe degdiset si një kometë, jeta e tij, zakonisht duke qenë për të një rrugë e mundimshme dhe kalvar i gjatë. Jo pse s’i pëlqen ta ketë një jetë normale, të qetë e të pabrenga, por, ngase është një shpirt i zgjedhur, ai duhet të vuajë, duke patur për të paguar një tribut të rëndë për rolin e tij të paracaktuar.”

Poeti dhe piktori shëmbëllejnë me një kandil shkëlqimtar të cilin nuk e tremb asnjë errësirë. Fjalët e poetit duken si do nuse të bukura, që i veshin fustanat e mëndafshta fëshfëritëse. Poezia është kurorëzimi i realitetit me imagjinatën dhe idealin në shpirtin e poetit. Kjo vlen vetëm për ato momente kur poeti është poet. Fjalët zgjohen nga gjumi kur poetët ëndërrojnë. Bota e fjalëve është bota e ëndrrave. Ëndërrimet janë një manifestim i dëshirave tona të fshehura në shpirtin tonë. Disa nga to janë aq reale, saqë kur zgjohesh, duket se një pjesë e shpirtit tënd ka mbetur edhe më tej në ëndërr.

Përfundimisht mund të themi se poeti është misionar i Perëndisë, që lind e nuk vdes kurrë, që me zërin e zemrës, na pajis me ndjenja e kulturë. Ai është i dërguari i Zotit, që i përpush përforcon dhe i përmbush fjalët, me pluhurin e barotit. Poeti është porsi ushtari, që i fiton betejat me fjalë, maraton i meditimit. duke rendur dalngadalë. Poeti është si kambana e faltores me jehonë, që natën e bën ditë, duke i dremitur fjalët, të cilat bien herët e zgjohen vonë. Poeti është qiriu i pashuar, që e gris terrin, dhe e ndriçon botën, me një dritë të bekuar. (Bukuresht, 14 Korrik 2018)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat