8 gënjeshtrat e nënës

Kultura

8 gënjeshtrat e nënës

Më: 11 korrik 2018 Në ora: 21:37

Tregimi fillon me lindjen time. Isha fëmija i vetëm në një familje shumë të varfër, nuk kishim ushqim që do të na mjaftonte. Nëse ndonjë ditë gjenim pak oriz ashtu që ta largonim urinë. Pasi e mbaroja pjesën time, nëna edhe pjesën e saj ma dhuronte mua, dhe thoshte: “O biri im! Haje këtë oriz, sepse nuk jam e uritur. Kjo ishte gënjeshtra e parë e saj.

Kur u rrita pak, nëna pasi mbaronte punët e shtëpisë dilte për të gjuajtur peshq në lumin e vogël që ishte afër shtëpisë. Shpresonte që nëse haja peshk, do të më ndihmojë në zhvillimin tim. Një herë kishte nxënë dy peshq.
Shpejtoi për në shtëpi në mënyrë që t’i përgatisë; i vendosi para meje dhe unë fillova ta ha peshkun e parë dalë-ngadalë, ndërsa nëna ime hante atë që mbetej në mes të eshtrave/halave. M’u rrëqeth zemra dhe peshkun tjetër ia dhurova asaj. Ma ktheu mbrapsht dhe më tha: “O biri im! Ha edhe këtë peshkun, a nuk e di se unë nuk i dua peshqit?!” Kjo ishte gënjeshtra e dytë e saj.

U rrita dhe duhej që unë patjetër të shkoja në shkollë, por nuk kishim pasuri që t’i mbulonim shpenzimet e shkollës. Nëna shkoi në treg dhe bëri marrëveshje me një tregtar të rrobave, që ajo të shkonte shtëpi për shtëpi, për të prezantuar mallin. Një natë dimri u vonua nëna ime, ndërsa unë po e prisja në shtëpi, dola ta kërkoj në rrugë afër lagjes, e gjeta duke mbajtur rrobat dhe duke trokitur shtëpi për shtëpi, e unë e thirra: “Oj nënë, eja të kthehemi në shtëpi, sepse është bërë vonë dhe moti është i ftohtë, ti nesër mund ta vazhdosh punën që nga mëngjesi. Buzëqeshi nëna dhe më tha: “O biri im! Unë nuk jam e lodhur.” Kjo ishte gënjeshtra e tretë e saj.

Në shkollë kishim provim përfundimtar dhe nëna këmbënguli të vinte me mua. Hyra në provim e ajo qëndronte jashtë duke më pritur mua, në nxehtin e madh. Kur cingëroi zilja dhe përfunduam, dola, ndërsa ajo më përqafoi fort dhe me ngrohtësi. Më pas, më përgëzoi për suksese të mëtejshme. Me vete, kishte një lëng, të cilin e ruante për mua kur të dal nga provimi, e piva dhe shova etjen, por nënës time i dilnin djersët në fytyrën e saj nga vapa e madhe, ia ofrova lëngun menjëherë dhe i thashë: “Pi, oj nëna ime!” Ndërsa ajo ma ktheu: “O biri im! Pije ti, se unë nuk jam e etur.” Kjo ishte gënjeshtra e katërt.

Pas vdekjes së babait tim, nëna ime jetoi si vejushë dhe përgjegjësitë e shtëpisë ranë mbi atë, kështu që ajo duhej të sillte të gjitha gjërat e nevojshme në shtëpi. Jeta u bë e vështirë dhe filluam të ndiejmë urinë. Xhaxhai im ishte njeri i mirë dhe jetonte afër nesh, na sillte ushqime me të cilat largonim urinë, e kur fqinjët tanë panë gjendjen tonë të vështirë që dita-ditës po keqësohej, e këshilluan nënën time që të martohej me ndonjë burrë që do të shpenzonte për atë, por ajo u përgjigj: “Nuk kam nevojë për dashuri.” Kjo ishte gënjeshtra e pestë.

Kur mbarova studimet universitare, gjeta një punë të mirë deri diku, mendova se tani është koha që nëna ime të pushojë, e unë të marr mbi supe detyrimet e familjes. Në atë kohë ajo nuk kishte shëndet të mirë që t’ia mundësonte asaj shitjen shtëpi për shtëpi, kështu filloi të shiste perime. I caktova një pjesë të rrogës sime vetëm e vetëm ta linte punën, refuzoi t’i marrë dhe tha: “O biri im! Ruaji paratë e tua, unë kam aq pasuri sa të më mjaftojë!” Kjo ishte gënjeshtra e gjashtë e saj.

Punoja dhe në të njëjtën kohë regjistrova magjistraturën, vërtet korra suksese dhe në të njëjtën kohë, m’u rrit paga e punës. Firma në të cilën punoja ishte gjermane, kështu që, më transferuan në degën kryesore të saj në Gjermani, u ndjeva shumë i lumtur. Fillova të ëndërroj për fillim të mbarë dhe jetë të lumtur, pasi udhëtova dhe u vendova, i telefonova nënës time që të vinte të jetonte me mua, por ajo nuk donte të më ngushtojë, dhe më tha:
“O biri im! Unë nuk jam e mësuar të jetoj jetë me standard të lartë.” Kjo ishte gënjeshtra e shtatë e saj.

U plak nëna ime dhe atë e goditi sëmundja e kancerit në sy, dikush duhej të ishte afër saj që ta mjekojë, por ne na ndanin shtete larg. Lashë çdo gjë dhe shkova ta vizitoj, ishte e shtrirë në shtrat, pas kryerjes së operacionit.
Kur më pa, u mundua të buzëqeshë, por zemra ime digjej, pasi ajo ishte e dobësuar.Nuk ishte nëna ime që e njihja më parë, filluan të më rridhnin lotët ndërsa ajo mundohej të më qetësonte. Më tha: “Mos qaj o biri im, unë nuk po ndiej dhimbje.” Kjo ishte gënjeshtra e tetë e saj dhe e fundit…

Pasi ma tha këtë, ia mbylla sytë, që më kurrë nuk i hapi.

Për çdo kënd që ka një nënë gjallë: Ruaje këtë dhunti të madhe, para së të pikëllohesh për humbjen e saj…

Për çdo kënd që ka humbur nënën e tij: Kujtoje çdo herë, se sa shumë është lodhur ajo për ty. Mos e harro kurrë në lutjet e tua.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat