Poezi ku mbizotëron dashuria e vrullshme e cila rrezaton dëlirësi dhe mirësi

Kultura

Poezi ku mbizotëron dashuria e vrullshme e cila rrezaton dëlirësi dhe mirësi

Nga: Milazim F. Kadriu Më: 8 korrik 2018 Në ora: 09:23
Poetja Dava Gjoka (Lleshaj)

Nisur nga vetë titulli i vëllimit poetik “Dallgët e jetës” të autores Dava Gjoka (Lleshaj), shohim se kemi të bëjmë me vargje që kanë burimin nga shpirti i autores  dhe janë një realitet i jetës  së përditshme që po kalojmë.

Ndonëse  është libri i parë i kësaj autoreje ajo në vargjet e saj na bind se kemi të bëjmë me një  krijuese me vlerë ngase  poezitë e saj janë mjaft tërheqëse për lexuesin, po edhe kanë vlerë të mirë poetike, sepse çdoherë përkon me ndjenjat me vlerë të duhur e shumë të veçantë letrare.

Jeta është e bukur

Këtë kushdo e thotë

Pa të mirat dhe të këqijat

Unë them se është kotë

 

Pasioni për artin e letërsisë  e shtyu që ndjenjat e saja që burojnë thellë nga shpirti  ti sjell para lexuesve  nëpërmjet vargjeve .

Temat e shtjelluara në këto vargje janë me një larushi ngjyrash që lexuesi do të gjej një kënaqësi shpirtërore dhe artistike. Ato janë të thjeshta dhe të kuptueshme për lexuesin.

Kush i buzëqesh jetës

Është njeri i lumtur

Por edhe buzëqeshjen

Bëje sa më të bukur

Poezitë janë të ndërtuara mirë nganjëherë edhe me rimë e me një përkufizim të  bukur. Këtu gjejmë vargje të bukura, të lehta dhe shumë të kuptueshme. Autorja në vargjet e saja favorizon dhe fuqizon mendimin e arsyeshëm të sajë për dashurinë .

Mbushe zemrën me dashuri

Mos mbush veç me mërzi

Se një ditë më nuk do t’ jemi

As unë dhe as ti

Poetja nga këndvështrimi i realizimit të të krijuarit të kulturës së vargjeve shkëlqen. Poezia e autores ka një përkufizim dhe lidhmëni edhe me vetë titullin e veprës.

Sa dallgë venë e sa dallgë vijnë,

Dhe unë mbeta këtu në breg.

Dhe pulëbardhat pranë më rrinë,

Bashkë me mua në bregdet

Dashurinë për vendlindjen autorja nuk e fsheh edhe pse thotë se ka parë shumë vende të bukura por askund nuk ndjehet më mirë se në vendlindje.

I rashë botës  anembanë

Shumë kam parë me këta sy

S’ka askund si vendlindja nënë

Veç lot derdha aty tek ti

Poetja Dava Gjoka (Lleshaj) në përmbledhjen e saj na sjell poezi që  janë të ndërtuara në dy rrafshe me filozofi qoftë të hidhur apo edhe me momente të lumtura të dashurisë njerëzore për vargun. Ato janë të mrekullueshme dhe gjatë leximit lexuesi ndjehet mirë dhe sikur e kaplon një puhizë e lehtë që e freskon si vesa e mëngjesit.

Ti je ylli më i bukur

Që shoh herët në mëngjes

N’ zemrën time të kam future

E do t’ mbaj deri sa t’ vdes

Në këto poezi autorja lexuesit ia përkujton  kohët e bukura të rinisë  ku gjithmonë në ato kohë mbizotëron dashuria e vrullshme  e cila rrezaton dëlirësi dhe mirësi dhe dashuria e parë nuk harrohet asnjëherë.

Për ty mund t’ jem dashuri e shkuar

Ndoshta edhe histori e rrallë

Por unë kurrë skam për t’ harruar

Dashuria ime e parë

Dashuria për Shqipërinë dhe Flamurin kombëtar  vërehet edhe tek kjo autore që dëshiron atë ta shoh sa më bukur. Në njërën nga poezitë e këtij vëllimi autorja shpreh dashurinë që ndjen ku ndër tjera thotë :

Sot m’ je veshur kuq e zi

Moj e bukura Shqipëri

Kështu si sot s’të kam parë kurrë

Se m’ je veshur me flamur

……………………..

……………………..

Shumë u lodhën të ta prishin

Bukurinë që ti më ke

Por jo kurrë s’do t’ ja arrijnë

O, i bukuri Mëmëdhe

Përmbledhja qëllimisht ka 60 poezi që korrespondojnë me  vitet e lindjes së autores nga e cila presim edhe libra tjerë qoftë në poezi apo prozë.

Sa e shkurtër qenka jeta

E kupton kur vjen gjashtëdhjeta

Ndaj o miq e shoqëri

Merreni jetën si tu vijë

Shkrimtarja Tatjanka Çuko në një shkrim të shkurtër të saj për librin e autores Dava Gjoka (Lleshaj) ndër tjera thotë : ”Poezitë janë njëra më e bukur se tjetra  të cilat rrjedhin si mushti i mjaltit me aromat e këndshme të trëndafilit ku vajzat e brishta  numërojnë  petalet e luleve  duke thënë  nën zë “Më do apo s’ më do” për dikë që ia ka coptuar zemrën. Është një libër që do të ju zbukuroj bibliotekën tuaj personale  si dhe do të freskoj ndonjë udhëtarë rrugës për të lexuar, në Bibliotekën Kombëtare.”

 Andaj mund të konstatojmë se ky vëllim poetik edhe pse i pari i kësaj autoreje është një thesar letrar me vlerë shumë të çmuar e cila është pritur mjaft mirë edhe nga lexuesit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat