Kujtesa për Skënderbeun dhe ruajtja e identitetit Arbëresh

Kultura

Kujtesa për Skënderbeun dhe ruajtja e identitetit Arbëresh

Më: 22 qershor 2018 Në ora: 16:51

Edicioni i nëntë i “Javës së Albanologjisë” po vazhdon ditën e dytë me kumtesa shkencore lidhur me jetën dhe veprën heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.Leontina Gega-Musa dhe Lumnije Kadriu sot në Institutin Albanologjik prezantuan kumtesën e tyre me titull “Kujtesa për Skënderbeun dhe ruajtja e identitetit Arbëresh”.

“Skënderbeu është figurë kryesore në kujtesën kolektive të Arbëreshëve në veçanti dhe e shqiptarëve në përgjithësi. Si e tillë, ajo gjithashtu është figurë kryesore në historinë e shqiptarëve, e cila frymëzoi shumë punime artistike e shkencore në disiplina të ndryshme përfshirë traditën gojore, historinë, letërsinë, etnologjinë…”, thuhet në fillim të kumtesës.

Autoret në këtë punim, duke marrë si objekt dy këngë popullore të lidhura me dy ngjarje kryesore në jetën e Skënderbeut, martesën dhe vdekjen, arritën të elaborojnë mënyrat se si është konstruktuar, bartur dhe interpretuar kujtesa kolektive. Përmes saj elaboruan rolin e Jeronim de Radës në mbledhjen e këngëve popullore arbëreshe, përfshirë këto të dyja, si dhe në ngritjen e vetëdijes kulturore dhe të identitetit ndër Arbëreshë. Këto dy këngë vihen përballë fakteve historike, siç janë përshkruar në librin historik për Skënderbeun të autorit Harry Hodgkinson, duke bërë përpjekje për të dalluar dhe krahasuar kreativitetin në krijimet gojore dhe mënyrat e ndryshme të interpretimit të fakteve të njëjta historike.

Krejt në fund ky punim arriti në teorizimin e asaj se si faktet historike të transformuara, si në traditën gojore ashtu edhe në interpretimet shkencore, përdoren për të formësuar kujtesën kolektive, e cila kultivon identitetet e grupeve në nivele të ndryshme kohore e hapësinore, si p.sh. lokale, regjionale, etnike e kombëtare. Duke marrë parasysh faktin se ato akoma vazhdojnë të interpretohen, këto këngë gjithashtu paraqesin mënyrat e shprehjes së mallit dhe përkatësisë së tyre të një “epoke të artë” të përbashkët. Gjithashtu përgjatë punimit u diskutua se sa e imagjinuar dhe/ose reale është kjo “epokë” dhe deri në ç’masë e bën të tillë figura e Skënderbeut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat