Qen bir qeni

Kultura

Qen bir qeni

Nga: Fatmir Lohja Më: 16 qershor 2018 Në ora: 21:25
Fatmir Lohja

Pa u errësuar,po shetisja për telha në rrugët e lagjes.Nga një lokal,me thërret dikush me emër.Kthej kokën djathtas.Me këmbë dhe duar më  ftonte  farmacisti Selim.Qendronte i vetmuar në një tavolinë,në lulishten e lokalit,buzë trotuarit.U ktheva sa për të tokur duar. Përfundimisht, nuk më la të vazhdoj shetitjen në hesapin  tim.

Familja e Selimit është ngulitur në lagjen tonë,pas luftës së dytë botërore. Një familje e madhe ,që flisnin dialektin e një province në jug.Në fillim na duhej  përkthyes për t’u marrë vesh.Babai i Selimit, Agoja, thuhej se ka qënë partizan dhe njëkohësisht edhe baba me pesë fëmijë. Nga dita që filloi punë,e deri sa doli në pension, ka qënë polici i lagjes sonë.Për burrë të ndershëm nuk e ka pasur shokun.Për i sertë,”si polic Agoja”,që grindej edhe në gjumë, duke prishur edhe naten  rendin edhe  qetësinë në lagjen tonë periferike.Selimi është fëmija i madh.I ati,e ka diferencuar  nga  të tjerët ,se e konsideronte si ndihmësin e parë.

Me moshë  është mbi pesë vite më i madh se unë .Puna nuk na ka lidhur ndonjëherë.Ai farmacist, e unë ekonomist . Në fakultete farmacistët, emertoheshin:” shitës me shkollë të lartë”, ndërsa ne ekonomistët :”njëqind vetë, njëqind këmbë”. Ai punon privat te farmacia vet,ndërsa unë vazhdoj   punë në shtet.

I bëmë pyetjet e rastit,meqë kishim kohë pa u parë. Raportuam  flesh  për shëndetin, punën, fëmijët, ….. Nuk kaloi shumë kur pyetjet e përgjigjet mbaruan,sepse farmacisti filloi të flasë në ligjeratë të drejtë. Nuk pat burrë nëne ta ndalonte në galopimin zanor.

E nisi me autolavderime  për vete ,e për robt e shtëpisë.Vazhdoi me rreshtimin  pasurive të tundshme dhe të patundshme ,të akumuluara pas daljes privat.Ndërsa ai nuk pushonte,m’u kujtua një përrallë e vjetër,që ma  ka rrëfyer gjyshi.

Kur  Pashai erdhi për herë të parë në Shkodër, iu drejtua parisë vendase: ”Deri nesër në mëngjez, do të më tregoni se cila kanjelë (çezme) nuk nxjerr ujë, por ar e serm,se ndryshe, ju ikën kryet !” Shumë  arsyetuan, por nuk e zgjidhën dot. Për të marrë mend,shkuan te një plak .Ai  iu rekomandoi këtë përgjigje:”Vetëm në farmaci kanjelat gurgullojnë  ar e serm.”Me këtë përgjigje,thonë se  paria shkodrane shpëtoi pa i ikur koka,ndërsa  Pashai bëri miq farmacistët si në qytet, edhe në katund. Thuhet,se pas  shpalljes së mëvetësisë kombëtare , farmacistët kanë qënë më të lumturit në Shqipëri.

Kur  dialoguesit vetëlavderohen nuk më japin shqetësim.Edhe nëse i shtojnë bëmat e tyre ,më shumë gënjejnë veten se mua.Nuk i jap urdhër kujtesës për të regjistruar se çfarë më degjojnë veshët.

Kur u fut   në sharje pasionante , duke filluar nga qeveria e deri të pastruesit e lagjes,në çdo sekond e denoja veten , pse u ula në atë tavolinë .Meqë  nuk kishte porositur,edhe unë e përzura kamarierin,pa më parë ai. Doja të largohesha sa më parë, por më kapte për dorë dhe nuk më linte .E dija që bënte shumë për  nipin pesëvjeçar.

 Si është nipçja?-  e pyes ,me qëllimin  për t’i ulur yxhymin e sharjeve   mbarë, e mbrasht.

Qen bir qeni,- më përgjigjet.

E pashë në sy,për ta marrë vesh,nëse   e kishte me seriozitet ,apo humor,që edhe unë të reagoja me mimikë.Tkurrja e muskujve të fytyrës,ma bëri  të qartë ,se po fliste me  seriozitet.I bukur nuk ka qënë, as kur u fejua.Fytyra e tij më dukej e shpëlarë.Edhe mosha bën të veten,ndërsa më dukej se zemra nuk ia furnizonte mirë me gjak trupin.”Çfarë mund të ketë bërë fëmija,që gjyshi e shante me  mllef?”- mendja nuk me hapte asnjë shteg ,për të justifikuar llafazanin.

Nga informacioni i gjyshit ,nuk mund ta përcaktoja nëse fëmija është i shkathët apo “qofte”,i talentuar,apo tekanjoz,….Në përshkrimet e gjyshit, për çdo veprim feminor,nipçja  përcaktohej  në ektremitetet e të mirës, dhe të keqes. Ec e merr vesh këtë arsyetim!?

Ishte nipçja më i mirë në botë,se nuk donte të shkonte në kopsht,por donte të qendronte me gjyshin? Bëhej fëmijë i keq, se çfarë i shihte syri,kërkonte të ia blente gjyshi? E emertonte :”qen bir qeni”,sepse me të hyrë në shtëpi,merrte  telekomanden e televizoret dhe e çonte të kanali “Big-Beng” dhe linte babarisht gjyshin pa parë lajmet e ditës ?Ky konflikt mund të quhet modern,se për  tradicional nuk ka asnjë shkak të emërtohet.

Nuk na porosite gjë, - më drejtohet  papritur.

Nuk dua.

Nuk doni ju,por dua unë diçka,- më shpreh dëshirën e tij.

Si natyrë nuk jam i mefshët. Kërkesa e tij më turbulloi në arsyetim.A njeh ky njëri ndonjë zakon të popullit të tij? Babëzitja për të rrëmbyer  gjithçka e ka zhveshur nga njerzillëku.

Bej si të duash!- i them ,pasi e mblodha veten.

Të porosis gjë të  shtrejtë apo të lirë?

Si ta dojë zemra,sepse vetë do ta paguash,- i them me siguri të plotë.

Unë jam mjek.Dihet se ne  nuk paguajmë asnjëherë në tavolina

E di që jeni farmacist.

Farmacia është degë e mjekësisë,- më sqaron me seriozitet.

Po ato para që fiton,për të cilat sa më tregove pa të pyetur,ku i çon?

I grumbulloj në bankë.Ti nuk je ekonomist i aftë ,sepse  nuk ke asgjë në banka, e në hipoteka.

Nuk e kam për natyrë,të bëj tellallin për pasuritë ,- i përgjigjem me indiferentizëm.

I kam të patolerueshme sharjet dhe fyerjet, pavarësisht se nga vijnë, e shkojne shigjetat helmuese. Nuk reagove me nervozizëm,si shkak i njohjes së vjetër.

 Pra, ju vetëm akumuloni,- nisa të tjerr pëlhuren e merimangës .

Me ke kuptuar drejtë.

Po detyrimet tatimore ai i paguan?

Disa po,e disa jo.Kam miq lart në qeveri,- më tregoi me shumë kënaqësi.

Më qafsh! Më thuaj të drejtën! Kur të vijnë tatimorët për kontroll,a paguan në tavolinë?

Kur më vinë për kontroll paguaj unë,ndërsa kur më vinë si kliente, paguajnë ata qindarkë për qindarkë.

Je burrë trim.

Krahina e jonë njihet për trimëri, - dhe farmacisti fryu gjoksin e vogël.

Krahina e juaj është në kufi me Gjirokastrën.

Nuk jemi si ata.Ata njihen për koprracë.

Me çfarë kam dëgjuar deri tani nga ju,duhet ta kesh ndonjë gen nga komshinjtë.

Unë jo. Nusen e kam me soj e sorollop  nga Gjirokastra.

Pse jeton?- i rashë “dërrasë ballit”.-Vetëkoprracija është sëmundja që e gjymton shpirtin e robit.Simptomat e saj po i shoh qartë.I zë vendin lokalit, për të pritur ndonjë klient rrezikzi ,që  kalon këtu pari,për të plotësuar deshirat e tua,me kuletën plot në xhep!?Për të kuruar ndërgjegjen tënde nuk ke ilaçe të tillë  në farmaci,për këtë më ke bindur deri tani.Me çfarë po degjoj prej jush, edhe nga nusja nuk ke asnjë   indikacion  për sherim.

Pse je xheloz, se më qerasin klientët?Bëj shumë ndere në një ditë.

Cilat janë nderet që afroni?

Në ndere rreshtonte,si gjithë tregtarët,edhe matrapazet,se malli i tij është i cilësisë më të lartë, dhe brenda afatit të skadencës.I ka të freskët,se i fut pa doganë, ngaqë ka një mik lart në qeveri.Në shitje nuk e përdorte listen,si dyqanet e bukës.Ky veprim, sipas rradakes së tij, është   në të mirë të klientëve,për të mos hyrë në borxhe përpara se të shkojnë te……

Nuk ia kisha ngenë,por truri me qukte ,të duroja edhe pak për ta parë se deri në çfarë derexheje,ka shkuar morali i komshisë.

Nuk jam klienti yt- i them me siguri.- T’u ula në tavolinë ,se më thërrite vete me këmbëngulje.

Për këtë kam vërejtje.Po ta them në sy.

Cila është vërejtja?

Si komshi , nuk bëni mirë që nuk jeni klient i imi.

Jam mirë më shëndet.Edhe geni ,edhe Perëndia ,më kanë lënë larg mjekëve.Në paç vëretje kritiko këto dy arsye.

Me Perëndinë mos më ngatërro! Jam besimtar me shumë se ti.Për genin, që ta njoh mirë,ta jap me siguri matematikore, se shpejt do të vijë një ditë,që   do të trokasësh në portën e  dyqanit tim.

Urim të mbarë po më jep,- dhe mora të ngrihem në këmbë,se nuk po duroja më.

Gjyshi!Gjyshi!-  u dëgjua një zë fëmije.

Selimi hapi krahët ,sepse ishte nipçja  tij.I dua shumë fëmijët.Të tërë më duken të bukur, kur Perëndia i fal mirë me shëndet. Donja ta   përkedhelja,me ëmbëlsinë që mund të ofroja në ato çaste.E tërhoqa dorën,se m’u duk se e vura mbi zjarr, kur dëgjova nipçen:

Po ti ku po shkon?- me drejtohet. -Gjyshi!- kthehet në krahun tjetër,-Ky është me para shumë, apo më pak? Më thuaj se çfarë të porosis?

Nuk e kam klient,- i dha kodin gjyshi.

Edhe ky qen bir qeni është?-e pyet nipçja gjyshin me neveri,për mua rrezikzinë që peshoja kot mbi karrige.

U çova i mërzitur. Rrugës m’u kujtua,kur i jati nipçes , ka qënë në moshën e të birit sot. Ndërsa  po e ledhatoja,Selimi e urdhëroi të më fuste një të sharë vendçe, krahinore. Nuk e kam marrë vesh se çfarë tha fjalë për fjalë,por kuptova, se sharja i drejtohej prapanicës sime, a për defekte,apo për përdorim nga fëmija. Ka gjyshër që gabojnë shumë në edukimin e nipërve dhe mbesave,duke u mburrur se po ju edukojnë traditën,ndërsa vetë  i kane harruar zakonet   e bukura kombëtare .Gjuha shqipe:”Sa e ëmbël,sa e dlirë”, ka fjalë të bukura, dhe të shumta,për të përkëdhelur fëmijët, që janë si dritë.

Fatmir Lohja

Tiranë,më 31.05.2018

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat