Një kujtim për parkun “tim”, në Gjenevë!

Kultura

Një kujtim për parkun “tim”, në Gjenevë!

Nga: Bajram Sefaj Më: 15 qershor 2018 Në ora: 21:00
Foto ilustrim

mëngjeseve

ëndrrat m’i shqyejnë qentë

në mesditë

kolla e vetmisë

zogjtë m’i tremb

mbrëmjeve 

kotësia e ditës

më mbetet në fyt

Agim Gashi

...këtu, po në këtë vend, mbase pa ndonjë logjikë as arsye madhore e të caktuar, pikërisht në këtë pjesë tregimi, gjithnjë me lejen e Madhërisë sate, ngjis, ngul e mbjell, këtë copë rrëfimi që, mbase nuk ka lidhje më asgjë në këtë udhë, pos që vjen si dekor, faturë, si piktori kur ngre një vijë mavi hije mbi vetullën e portretit të një bukurosheje rioshe, gjithnjë duke lozur lojën dritëhije.

 Sa lëshoj parkun “tim”, e dal në rrugën, rue de Genève, që është ndër më të frekuentuarat, një mesoburrë ...           

*

... parku “im”, gjendet në pjesën periferike, por, po aq ekskluzive të Gjenevës, Zonjë e Nderuar.

Qilim i shkruar është!

Një copë parajse mbi (këtë) dhe të shkretë!

Aftësitë, edhe të një shkrimtari shumë të mirë, me fond shumëfish me të pasur dijesh e njohurish, nuk a fuqi ta qes në letër, qoftë edhe një pjesë të imtë të bukurisë së tij.

Përpiqem të nxjerr në dritë disa të dhëna: Emrin e ka “Parc Floraire”. Hapur për publik është nga ora 8 deri në 22. Qenve u ndalohet hyrja.

Në vitin1902, e ngriti Henry Correvon (1851-1959), baba i kopshteve alpine...

Kështu shkruan poshtë bustit tij, derdhur në bronc qe zë vend diskret në këtë hapësirë jo aq të madhe, por të mrekullueshme. Parqet publike, Ti e di mirë Madhëri, thonë se janë mushkëritë e qyteteve të mëdha e të vogla. Rrëfimi për të le të jetë edhe një pushim, një intermexo, një frymëmarrje në këtë rrugë të gjatë tonë të përbashkët.

Ky park, si sumbull, ka edhe “bibliotekën” miniaturale me mbishkrimin “3 ChêneCulturel”. Ka formën e një kolibe pëllumbash. Raftet janë të mbushur me nja dyqind tituj librash. Si pëllumba të llojllojshëm.

Gjersa pushon nën hijen e lisit mijëvjeçar, mjafton të zgjasësh dorën e të marrësh cilindo libër. Në mos ta lexosh të tërin, atëherë ta shfletosh ngeshëm, derisa të kënaqësh. Sot gjeta kënaqësi në leximin e romanit të shkurtër por tejet të rëndësishëm, best-seller,  “Le vieux qui lisait des romans d’amour” (I moshuari që lexonte romane të dashurisë)  të shkrimtarit të shkrimtarit të mirënjohur çilean, Luis Sepûlveda (1949). Shfletova  edhe dy romane: “Ni vue ni conue” (As pa as dëgjuar” dhe “Dousce nuit” (Natë e vakët)  të shkrimtares se njohur amerikane, Mary Higgis Clark.

Parku Floraire është si një kopsht mbuluar me lule. Secila rrajë ka emrin e vet. Echinacea purpurea, Linum perenne, Huachera micrantha, Arbis caucasica, Danthus gratianopolitanus, (sa për ilustrim!). Porosia humane vizitorëve: ”Jepuni një shans bimëve!”

Në park ka lisa të gjatë, (..e ju o lisat e gjatë (të Shqipërisë) që ju kam ndërmend ditë natë!).

Ka gjelbërim e mugullim boll.

Ka dy livadhe, ku shtrohen dreka e darka si në filmin artistik amerikan “Kafjalli në lendinë”, apo kështu disi, s’ka rendësi. “Kafjall të Tifanija” e tablosë së E. Manet, piktor francez që inspiroi impresionizmin.

Ka boll ujë që solemnisht rreshket, sikur rrëzohet nga një objekt lapidar miniatural.

Formë kështjelle.

Pastaj ndahet e rrjedh nëpër kanale të hijshme.

Përfundon, papritmas, si ta përpin toka, në gjirin e një objekti tjetër ndërtimor, të hijshëm, po ashtu miniatural. Si një  amfiteatër i vocërr dhe tejet i përshtatshëm për orë letrare “xhepi” apo ndonjë tjetër manifestim të vogël kulturor. E të tjera, te tjera.

Mbi pastërtinë, higjienë le të quhet, që mbretëron në këtë kuti, as që duhet ngarkuar e vra mendjen!

Pse futët këtu e në ketë vend rrëfimi mbi parkun, në mos për asgjë tjetër, atëherë për të dëshmuar së letërsia e mirë ka edhe park të mirë. Në “defterët” e saj, ka mjedise dhe ambiente tjera të mrekulluara: për ski e plazhe të përshtatshme. Për sporte dimërore e verore, gjithëvjetore...

*

... po sa dal nga parku,  (lidh vjegën me fillimin e këputur të kallëzimit), ... në rrugën më të gjallë, më të zhurmshme dhe më frekuentuese të Gjenevës, papritmas ndodhë kjo skenë: një mesoburrë i veshur e mbathur cicë, si ia thonë fjalës të rinjtë e kohës, i pshëm, me floë të shprishur e të derdhur për ballë, kthehet me fytyrë nga një stacion tramvaji, kur si zogj, zbresin udhëtarët e shumtë. Merr pozë të mprehtë dhe ekstravagante, burri i botës si një tribun i thekur të ishte, dhe ia krisë një fjalimi të zjarrtë. Mjerisht zhurma e madhe, mbyt fjalët e fjalimit. Eh, sikur të kisha një diktafon a mjet tjetër të ndjeshëm teknik dhe sa herë t’i vijnë “llutkat”, siç thonë pejanët, zotërisë të hallakatur e të luajtur mëndësh, (bien evidament), t’i regjistrohen fjalët që i shqipton, do të dilte një rrëfim a roman, nëse jo edhe aq i mirë , atëherë i veçantë dhe origjinal gjithsesi!

Më njëzet e katër maj, asaj buzëmbrëmje kthej  përsëri në “parkun tim”,  jo për kendellje e pushim, por, për lamtumirë njëherë e përgjithmonë!

Mos të qitet pas mëndësh, parqet e bukura e kanë edhe një të keqe: kur bën mot i keq, boshatisen dhe marrin pamje pikëlluese.

Si ditën kur ia lash lamtumirën për këtë vit. Ndoshta përjetë.                                              

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat