PriFest në bashkëpunim me Sarajevo Film Academy ndan edhe sivjet bursë për studentët kosovarë - Bota Sot
PriFest në bashkëpunim me Sarajevo Film Academy ndan edhe sivjet bursë për studentët kosovarë

Kultura

E mërkurë, 20 qershor 2018

PriFest në bashkëpunim me Sarajevo Film Academy ndan edhe sivjet bursë për studentët kosovarë

Më: 13 qershor 2018 Në ora: 15:41

PriFest dhe Sarajevo Film Academy vazhdojnë bashkëpunimin e tyre edhe këtë vit. Institucioni prestigjioz filmik ndërkombëtar Sarajevo Film Academy, përmes PriFest edhe këtë vit ofron një bursë studimi për nivelin bachelor në degën Regji filmi.

 

Vitin e kaluar ishte studenti Sovran Nrecaj i cili fitoi bursën e plotë për studime Bachelor (BFA).

Përfituesi i kësaj burse do të ketë mundësi të ndjekë ligjërata nga profesorë me renome nga mbarë bota, të prodhojë filma gjatë studimeve, si dhe të ndjekë shumë punëtori speciale të organizuara nga Akademia me mysafirë profesionistë, emra shumë të njohur të kinematografisë botërore. Në vitet e kaluara ligjërues në seminare kanë qenë: Juliette Binoche, Tilda Swinton, Bella Tarr, Gael Garcia Bernal, Agnieszka Holland, Gus Van Sant, Abel Ferrara, e shumë të tjerë.

Sikurse edhe me aktivitetet tjera përcjellëse, PriFest përveç në zhvillimin e industrisë filmike, kontribuon drejtpërdrejtë edhe në procesin e arsimimit të profesionistëve filmik. Përmes partnerëve të festivalit, edhe këtë vit vjen një mundësi e mrekullueshme për ngritjen e nivelit profesional dhe akademik për të gjithë të rinjtë dhe profesionistët e filmit nga Kosova.

“Jemi të lumtur dhe krenar dhe njëkohësisht të përkushtuar në misionin tonë të mbështetjes, zhvillimit dhe ngritjes së industrisë filmike vendore. Bashkëpunimi me Sarajevo Film Academy është një nga aktivitetet e PriFest që përveç hapjes së mundësive të reja, do të sjell ndryshime pozitive afatgjate në sferën profesionale dhe akademike në lëminë e kinematografisë” u shpreh Vjosa Berisha, drejtoresha e PriFest.

Sarajevo Film Academy është pjesë e Universitetit Sarajevo School of Science and Technology (SSST), që është një institucion privat jo-fitimprurës i shkollimit superior, i krijuar në vitin 2004. Universiteti është i përbërë nga tetë departamente akademike, shtatë institucione kërkimore dhe një Qendër të Medias Digjitale. Sot, Universiteti SSST njihet si një ndër platformat kryesore akademike të Europës Jug-Lindore. Universiteti është themeluar nga MET Foundation, një organizatë gjithashtu jo-fitimprurëse, e krijuar në vitin 1998 për të ndihmuar në përparimin dhe financimin e projekteve akademike, kërkimore dhe zhvilluese në rajonin e Ballkanit.

Studimet e nivelit bachelor të cilat zgjasin tri vite (6 semestra), janë të dizajnuara në atë formë që studentët në vitin e parë do të mësojnë aspektet elementare të filmbërjes si koha dhe hapësira filmike, teknikat e audios dhe montazhës, dhe produksioni. Të gjitha këto do të mësohen nëpërmjet punës praktike pasi që studentëve u kërkohet të prodhojnë 4 filma përgjatë vitit me kohëzgjatje maksimumi 5 minuta secili, që trajtojnë temën e hapësirës, kohës, tregut dhe udhëkryqit.

Derisa në vitin e dytë studentëve përveç prezantimit me formatin e filmit fiction (artistik – të luajtur) atyre do t’u kërkohet të prodhojnë një film dokumentar 10-30 minuta, ndërsa kurset do të fokusohen më shumë në ndërlidhjen e literaturës me film, adaptimi i saj në film, mësimi i strukturave të ndryshme dramaturgjike dhe perfeksionimi i elementeve kyçe i narrativit kinematografik, si përgatitja e skenarit, shesh-xhirimit, montazhi dhe postproduksioni, ndërtimi dhe paraqitja e karaktereve, puna me aktorë etj. Prodhimi i një filmi artistik deri në 10 minuta, nënkupton edhe përfundimin e studimeve të vitit të dytë.

Viti i tretë dhe i fundit për nivelin e studimeve bachelor, vazhdon të investojë drejt zhvillimit personal artistik të studentëve dhe rritja e aftësisë së shprehjes së tyre në gjuhën dhe stilin e filmit. Varësisht nga nevojat e studentëve, këtyre do t’u ofrohet mentorim individual i cili do t’iu ndihmojë të përgatiten tutje në prodhimin e filmit të tyre të diplomimit. Mentorimi i cili do të bëhet nga profesionistë ndërkombëtarë, do të udhëheq studentët drejt pavarësimit të tyre profesional, pasi që filmin e diplomimit do ta përgatisin sipas zhanrit dhe zgjedhjes së tyre, me mbështetje edhe të mentorëve, derisa buxheti dhe stafi profesional për realizim të filmit janë të siguruara nga akademia.

Bukuritë dhe kulturën e Bosnjës dhe Hercegovinës, studentët kosovarë do të kenë mundësinë t’i përjetojnë bashkë me studentë të më shumë se 30 vendeve të botës, pasi që Akademia e Filmit në Sarajevë çdo vit pranon studentë nga Australia, Brazili, Kolumbia, Kroacia, Franca, India, Japonia, Meksiko, Portugalia, Emiratet e BashkuaraArabe, Britania e Madhe, SHBA, Itali etj.

Shumë shpejt do publikojmë edhe fituesin/en e bursës bachelor për studime në këtë universitet prestigjioz.PriFest, që sivjet mban edicionin e 10-të jubilar, është ngjarja më e madhe kinematografike në Kosovë. Datat e PriFestjanë 17-22 korrik 2018.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test