Veliaj për teatrin e ri: Duam të bëjmë një teatër klasi

Kultura

Veliaj për teatrin e ri: Duam të bëjmë një teatër klasi

Më: 12 qershor 2018 Në ora: 15:46

Teatri i ri Kombëtar do të realizohet sipas shembullit të stadiumit kombëtar.Në intervistën e tij në “Tonight”, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, diskutoi edhe për ndërtimin e teatrit të ri, i cili sipas tij do të jetë modern dhe jo një furrik me tallash të presuar shkrepësesh, siç është godina aktuale.

“Nuk mund të thuash që holli i famës janë copat e tallashit. Më bie për hise të jem edhe kryetari i zjarrfikëseve të qytetit dhe kemi në mënyrë konsekutive, ende pa lindur ky debat, raportet nga Instituti i Ndërtimit, nga zjarrfikëset, që thonë e vetmja mënyrë që mund të garantojmë që aty nuk shuhet çdo gjë dhe nuk na ndodhin katastrofa, është të rrimë me zorrën gati në skenë. Me zorrën gati në skenë nuk rrihet në asnjë vend të botës”, – shpjegoi Veliaj.

Për ndërtimin e teatrit të ri do të ndiqet shembulli që u zgjodh për ndërtimin e stadiumit kombëtar.

“Po të shikojmë rastin e stadiumit që sot konsiderohet një histori suksesi, qeveria në atë pronë hyri si çdo privat në Tiranë. Pra qeveria tha, kam një pronë, do ta zhvilloj, sa ma jep përqindjen? Të gjithë që kanë shtëpi qerpiçi në Tiranë flasin me këtë gjuhë. Sot është 30, 35, 40%. Ti që je zhvillues për këtë shtëpinë time, sa do ma japësh përqindjen? Tani, kur kjo funksionon rëndom në tregun privat dhe qeveria shqiptare tha këtë: unë kam këtë tokë, po të lë ty që të bësh një hotel me 5 yje. Sot ajo kullë në fakt është marrë nga një hotel me 5 yje, një nga brand-et më të mira, që Tirana ka nevojë për këto hotele”, – tha Veliaj.

Duke u ndalur te teatri aktual dhe te gjendja e tij, Veliaj bëri me dije se asnjë autoritet italian nuk ka thënë që kjo godinë ka vlerë, duke shtuar se pala italiane ka bërë studime të cilat tregojnë se kjo godinë ishte ndërtuar për 5-6 vite me qëllim argëtimin e oficerëve dhe ushtarëve të vendosur në Tiranë.

“Ende nuk ka dalë një autoritet italian të thotë që ajo godinë (teatri) ka vlerë. Të gjithë thonë s’ka asnjë vlerë. Madje, ata kanë bërë studimet që thonë kjo ishte një godinë që u bë për 5-6 vjet, t’i rezistonte luftës që të argëtoheshin oficerët dhe ushtarët e vendosur në Tiranë. Pra ishte një dopo-lavoro argëtim për ta. Tani, a ka ardhur koha ta modernizojmë? Propozimi që na ka ardhur, jo nga një arkitekt i mirë, na ka ardhur nga ai që quhet sot arkitekti më i mirë i gjallë në botë, sot.

Kryetarë bashkie të cilët kur dëgjojnë që Bjarke Ingels ka bërë një propozim për Tiranën thonë, si e bindët, sepse i fundit që e bindi ishte Blumberg që sapo bëri një super ndërtesë në Nju-Jork dhe fillon tani kullën e dytë binjake. Pra kullën e dytë binjake po e bën Bjarke Ingels.

Sepse ne nuk i kemi këto para dhe si mijëra familje tiranase i kanë thënë zhvilluesit, më jep përqindjen në këmbim të tokës, ne po bëjmë të njëjtën gjë, po i themi, në këmbim të tokës përqindjen e duam në formën e këtij teatri që kushton 30 milionë euro. Nëse bën këtë, atëherë jemi gati ta konsiderojmë dhe sot qeveria shqiptare është gati ta konsiderojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat