Me zërin e zemrës dhe zjarrin e shpirtit - Bota Sot
Me zërin e zemrës dhe zjarrin e shpirtit

Kultura

E mërkurë, 20 qershor 2018

Me zërin e zemrës dhe zjarrin e shpirtit

Nga: Baki Ymeri Më: 10 qershor 2018 Në ora: 23:17
Kopertina

Pasi parakalon nëpër bulevardin e ëndrrave, poeti ngjitet lart dhe i afrohet dritares së hapur. Deri te pragu i saj, bota e përjetimeve dhe ëndrrave duket e vogël. Përtej dritares shtrihet e panjohura, me të cilën ballafaqohet çdo ditë, dhe në çdo ditë e panjohura duket tjetërsoj, njësoj siç duket tjetërsoj vetë njeriu gjatë çdo dite. Përtej mureve prej qelqi të pallateve të larta të mërgimit, fjalët zbresin nga qielli si do pjata fluturuese. Ato notojnë nëpër do re të praruara nga dielli shkëlqimtar. Në njërin nga bulevardet e gjera të një qyteti nordik, banon Lulzim Gashi me familjen e tij, me frymëzimet e tij dhe me anijen e fjalëve të tij. Fjalët nxitojnë për t’u takuar në orët e muzgut me një fragment nga jeta e një kalimtari që parakalon nëpër bulevardin e ëndrrave, duke shpresuar se do ta gjejë lumturinë dhe përmbushjen e ëndrrave.

Fjalët duken si do nuse të bukura, që i veshin fustanat e mëndafshta fëshfëritëse. Bota e fjalëve është bota e ëndrrave. Ato e analizojnë me kujdes pasqyrën dhe çdo kujtim që i sjell freskia ëndërrimtarit shqiptar që ka vajtur në brigjet e botës për të siguruar egzistencën. Ato duken krenare, elegante dhe të rëndësishme. Fjalët janë si do goca të bukura që e kërkojnë fatin magjik dhe të zgjedhurin e vet. Poeti ballafaqohet herëpashere me to, ua shkund pluhurin e heshtjes dhe krijon një atmosferë pikturale, duke i mveshur fjalët me fustanin e ngjyrave multikolore, që depërtojnë në zemrën e lexuesit dhe atyre që i japin prioritet artit, dashurisë dhe atdhedashurisë. Poezia e Lulzim Gashit krijon një efekt të dukshëm, ngase praktikisht i kap të gjitha ngjarjet dhe çdo segment të jetës së ditëpërditshme dhe ëndrrave të natëpërnatshme.

Koha është përmasa e përjetësisë sonë mbi tokë. Nga qielli i mërgimit, fjalët zbresin si do hije të larta duke u ballafaquar me asfaltin e bulevardit dhe me rrezet e diellit që ua nxehin lëkurën. Janë takime të zakonshme të orëve të pasditës që e përjetojnë lumturinë. Muzgu i fjalëve dehet me parfumin e femrave të veshura me fustana të tejdukshëm. Bulevardi i ëndrrave është vendi ku tubohen gëzimet dhe pikllimet, ëndrrat dhe kujtimet, i përjetojnë dashuritë, thuajse kjo është e vetmja gjë e bukur që ka mbetur në botë. Në lirikën e Lulzim Gashit lumenjtë shungullojnë, gjethet fërfëllojnë, fjalët fluturojnë, por ato s’i merr era dhe as shiu nuk i lagë. Fjalët e poetit janë si tingujt e orës së murit: „Në gjumë të thellë isha/ E ora më e bukur e botës/ Kësaj here më zgjoi/.../ Dhoma e gjumit/ U mbush me gumëzhimë”.

Autori shkruan me zërin e zemrës dhe zjarrin e shpirtit. Ai e din se duke qenë i pasionuar pas letërsisë, duke lexuar vazhdimisht, truri shndërrohet në një laborator ideshë dhe përfytyrimesh. Kështusoj të jepet mundësia të krijosh kuptimin dhe filozofinë e jetës. Atdheu, Detyra dhe Nderi do të mbeten pasaporta e vetme deri në fund të jetës sime! Kështu shprehet një kolonel shqiptar, dhe kjo vlen edhe për poetët tanë që i japin prioritet nderit, besës shqiptare, vlerave të kombit, familjes dhe atdheut. Poeti krijon portrete reale dhe imagjinare të burrave të kombit, të kullave shqiptare, të moralit ideal, të nënave tona, të baballarëve tanë: „Ata ishin etërit tanë/ Perëndive ju ranë në gjunjë/ Për t’shenjtë nderuan pushtetin/ Mbi lumenjtë e historisë/ Gjakun e tyre dikurë e zbarkuan/ Në anijet e ardhmërisë!” (Etërit tanë).

Duke e lexuar këtë vëllim, kuptova vetëm një gjë: se artisti mbetet artist deri në thellësi të shpirtit. Poeti është një anije fluturuese që vërtitet përrreth botës së fjalëve. Ai është qengjengjëlli i kohës dhe tymonier i karrocës me flutra. Në atelienë e vjershave të tij që shëmbëllejnë me do piktura të bukura, Lulzimi thot: “Kur jam i dehur/ Unë dhe qenja ime bëhemi një/ Vallëzojmë me yjet/ I thejmë të gjitha kufijtë/ Dhe i zgjojmë krejt dashuritë.” (Gjysmë i dehur jam). Ajo që është thënë për Suzana Zisin, vlen edhe për Lulzim Gashin: Erotizmi i tij është i gërshetuar dhe i ngjeshur me elementin lirik dhe atë filozofik në mënyrë organike duke u shkrirë natyralisht.

Lirikat e autorit janë të inspiruara nga natyra shqiptare, nga brigjet e bekuara e vendlindjes, nga veprat e pavdekshme të dëshmorëve të kombit, nga paaftësia e personuliteteve politike për ta shpartalluar varfërinë, për ta gjermanizuar standardin e jetës dhe ambientin shqiptar. Në këtë kontekst, poeti shkëlqen me një gamë poemash interesante satirike: Kompozim për kullosat, Imagjinatë e fjetur, Leku i rrugës sate, Zëri i guximit, Mos u kthe te flama e vjetër, Sarkazmë e çveshur, Kur grazhdi është bosh etj. Nuk mungojnë as vargjet me tematikën e gurbetit. Gjatë rrugëve të mërgimit, së bashku me të i përshkojmë krojet, lumenjtë, liqejtë, detrat dhe oqeanet e fjalëve, duke parakaluar nëpër bulevardin e ëndrrave.

Poezitë e përmallimit i shkruan gjatë natës, kur natyra dremit dhe fjalët zgjohen nga gjumi, atëherë kur nga yjet mund të huazosh pluhur drite dhe përshpëritje magjike, duke i dhënë jetës kuptim dhe kuptimit jetë. Atëherë kur i dëgjon vetëtimat që i çajnë mjegullat e heshtjes dhe i then akujt e dëshprimit. Qylimi i natës duket i qëndisur me yje. Atje poeti e kërkon fatin e vet, duke krijuar poezi me një muzikalitet të veçantë që mund të shndërrohen në këngë. Atëherë poemat depërtojnë në kotarin e yjeve që notojnë si do fjolla dëbore duke zbritur mbi tepelekun e memorjes sonë. Autori shkruan me një mjeshtëri të rrallë metaforike dhe kosmike për hijeshitë e jetës dhe të botës. Përfundimisht mund të themi se ëndërrimtari i Llapushinkut të Drenisës dëshiron ta shohë gjithë botën në shtratin e dashurisë. Lulzim Gashi ëndërron për të krijuar shtylla drite dhe kështjella dashurie. (Bukuresht, 10 Qershor 2018)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test