Ëndërr e parë

Kultura

Ëndërr e parë

Nga: Safet Hyseni Më: 8 qershor 2018 Në ora: 20:47
Safet Hyseni

Ende pa hap mirë sytë të shohë me një gotë verë
Ndjej aromën e buzëve të palyera të etura dhe një lot
Në ato sy që shkëlqenin nga gëzimi kur thoshe me merr
Si flokët tua të derdhura nga era kujtimet më dridhin sot

Të shoh me gishtat si i kreh flokët malli djeg e lodh
S’di ku të humbi buzëqeshja e ëmbël dhe drita në sy
Erërat kur fryjnë bartin aromë por dhe ndotje ndodh
Buzëqesh dhe freskoju me vesë mëngjesi drita do vijë

 

Dy gota zbraza duke shfletuar një për një kujtimet
Vije ti e dashuruar në ngjyrat e prillit me aromë shumë
Veshur me fustanin e majit përse t’u deshën lëndimet
Butësia e natës në pëllëmbën përkundej si gjethe në lum

 

Do të doja që në sytë e tu të bëja gjumë shtatë net
Me flokët tua të bëja tinguj melodie si gishtat në kitarë
Ëndrrën që e përkundëm me puthje nuk është tretë
Shpresa e bërë qull nga lodhja ushqen ëndrrën e parë

JETA ËSHTË NJË PIKË SHIU

Aty mbi zemër më prek me dorë
Do ndjesh valët si të përkundin
Herë të rrëmbyera e herë në qetësi
Janë dëshira jete që lehtë vallëzojnë

Me sy më prekë në sy
Për një çast do lumturohesh
Të gjitha ngjyrat do derdhen mbi ty
Janë lule me aromë si puthje ruaj në gji

 

Më prek me buzën mbi buzë
Nuk do ndjesh mish
Veç zjarr që digjet prush
Është jeta që jeton në shpuzë

 

Prekëm ku të duash dhe mbylli sytë
Do dëgjosh të shpirtit melodi
Retë e bardha të mbulojnë me dritë
Jeta është në një pikë shi

PREKE ËNDRRËN

Ti vjen nga çasti në çast
Me frymën bëheni një
Ma mbushë shpirtin me dritë
Unë mbetem pa gjumë në sy

 

Ëndrra më fle në netët pa Hënë
Malli më përvëlon në thellësi
Digjet si gacë e plasë veten
Dikur dita erret pa ty

 

Ti vjen si hije
Me gishta trupin ma përshkon
Më puthë e frymën nga buzët ta ndjej
Më shtrëngon me aromë gjiri më dehë

 

Unë duart i shtrij e lutem
Përkundma ëndrrën në sy
Të ndjej e bindem se fryma je ti
Më pushto e ëndrrës sime perri

 

Po të duash më bëj magji
Kur zhurma e dritës këngën të ketë zgjuar
Buzën e tharë ma lag me ujë vese
Dhe një pikë loti ma lësho në sy

 

E një tjetër pikë ma lësho në buzë
Të rrjedh ngadalë nëpër trupin tim
Bëhu valë e egër e më rrëmbe
Përqafomë ti bëhu shpëtim

 

E kur dielli të më djeg
Derdhe flokun e më bëj hije
Zgjoje ëndrrën dhe një herë
Diell i butë ngrohtësie

 

Jepi krah ëndrrës të vijë te ti
Është e bukur dhe pastër
Njësoj si e qiellit kaltërsi
Përkëdhele e puthe se është për ty

 

Jepi jetë lehtë me frymë
Merre pa frikë e shkrije në sy
Preke e puthe pastaj do t’mësosh
Se zemra e shpirti kanë një melodi

 

Barte atje në shtratin e butë
Lere të shkrihet në ty
Si brezi i ylberit ajo qëndisë qiellin
Mbi re ndër hyjni.

 

PUTHJA SEKRET

 

Mbylli sytë
Dua të jem rreze e mëngjesit
Ngadalë t’i zgjojë buzët e tua nga gjumi
Të shpërndahen nëpër hijen e trupit
Dhe të mbetem aty përgjithmonë
Zjarri me ujin u bashkuan
Puthjen time sekret ta dorëzova

 

NË UDHËN E SHPRESËS

 

Në udhën e shpresës ishte rrëzuar errësira
Ëndrra më ishte varë në muret e bardha
E kaluara më lidhej si hallka zinxhiri
Nata përkundej në mëkatin e saj
E dashura vonohej në kopshtin me lule
Një trishtim bridhte muzgut
Me ngulm desha të grisë perden e tij
Më vrisnin mijëra kujtime të lodhura
Gërvisha me thonj membranën e territ
Për të shijuar vijat e sajë të bukura
Vështrimin e zbrita përtej ëndrrës
Mblidhja kujtimet si lecka të lagura shprese
Të shkruara nëpër copa letre të braktisura
Vargje të mbështjella nga heshtja
Në netët shtatzëna nga fjalët e thëna
Të lëna shkret në orët e vona

 

RRUGË

 

Jam më i fort se guri
Copë-copë më deshën
Zërin të ma marrin humnerat
Çdo lis e mata me sy
U këshillova me hijen
I ngushëllova për rrugë...

 

NË BRENDËSINË TIME


Shtrijë dorën me të prek
Nga floku ndjenjën shpërndaj
S’të arrijë dot je larg, shumë larg
Në mjegullën e lotit të nxehtë të shoh
Të shoh e nuk qaj

Marr frymë thellë
Brenda meje më të fresku
Aty jeton ti, aty flenë
Qetësoj zemrën
Rrahjet mos me të zgju

Të gjitha gjethet i shkunda mbi ty
T’i bëra shtrat butësisht jeton
Fjalët t’i mora një nga një
Ti i ngjyrose
Unë iu dhashë aromë
Tash ha nga pak dashuri
Ti me shikimin në dritare thua
Flasim me vonë!

 

NUK DUA FJALË

 

Për udhë shpirti marr dritën në sy
S’dua shushurimë as tingull as fjalë
Flasin shikimet që prekin në brendësi
Shtrihen si krah dhe erës i falin mall

 

Shikimi yt nxjerr flakë diku digjet
Ka një vend kujtimet e kanë çerdhe
Ajo që le shenjë me urë lidh brigjet
Aty e gjen veten një ditë po erdhe

 

Nuk dua fjalë të shoh të futa në sy
Një dridhje buzësh e ushqej që moti
Ikë me erën bëhesh furtunë as ti se di

S’dua asnjë fjalë që mban një pik loti

 

Dua përkëdhelje që djeg me rreze sysh
Që bëhet lum dhe ëndrrën ma përkund
Falëm nëse zemrën ma ndan me dysh
Bëhem erë me aromë mali e të gjej diku

 

NUK KA ART PA ETJE

 

Janë heshtje mbushur etje,
ato që përkëdhelin fijen e barit.
Fijen e barit,
asaj që mban një lot vese.
E kur dëgjoj veten si hesht,
i përulem rrezes së mëngjesit.
Kur diçka vlon,
atëherë flet shpirti.
Veç me dritën flet,
veç me shiun e barin.
Veç me qiellin flet.
E vetja ime hesht.
Është fjala kur lidhet me ndjenjën,
ajo që takon tingullin tim.
Tingullin tim,
që më rrotullon nëpër çaste hijesh.
E pak a shumë kështu zhytem sot në vetvete.
Sot që kam etje,
e më duhet të hesht

 

E GJATË  DO JETË SHTËRNGATA

 

Futi duart në xhepa futi dhe fshehe robërinë
Shihe në cilën anë rëndon më shuma nata
Shtrëngoj derisa të rrjedh djersa e shite lirinë
Qielli u ngrysë e gjatë do jetë shtrëngata

 

Me lakminë tënde bëre etje të ketë lumi
Strajcat ua vare germave që kullonin gjak
I shtyre ujërat më andej ata si zë gjumi
Me eshtra lëvruar toka djerrë e thatë

 

Futi duart në xhepa fshehe më thellë robërinë
Skllav me strajcë ishe dielli kurrë s’të ngrohu ty
Me zgjedhën në qafë vare si medalje hajmalinë
Harrove se kur drita ikë pas diellit nata ka sy

 

Futi duart në xhepa futi përkëdhele robërinë
Nuk e ndjen grithjen ka thonj e zezë si nata
Pas grillave bënë piktura të kuqe me dashurinë
Rrebeshe do vijnë e gjatë do jetë shtrëngata

 

MË MERR

 

Hapi krahët

Më deh me aromë i imi mëngjes

Jam dëshira e paluar thellë

Ëndërr e shpaluar aq cekët

 

Më shtrëngo

Etje kam dhe malli me përpinë

Është koha më bëjë një vend

Aty ku pulsi rrah në gji

 

Më puthë

Të ndejë shijen më shih në sy

Në shpirt më le një shenjë

Që të jem çdo herë me ty

 

Më merr

Udhës së dritës eca kah ti

Më mbështjellë me tënden freski

Ngjyrat që i mblodha t’i ruaj vetëm ty.

 

E GRISA TERRIN

 

Në thellësi të natës futem symbyllur
Do e grisë terrin të hap një të vetme udhë
Do e marr natën do e shtrojë si pëlhurë
Të derdh ngjyrat e të bëjë dëshirat pikturë
Buzëqeshjen tënde do e bëjë rreze dielli
Njërin sy do e bëjë valë lumi të qetësoj detin
Tjetrin kaltërsi t’i fal qiellit 
Ballin tënd do e bëjë hënë të plot
Vetullat dy horizonte ëndrrash me krah 
Flokun erë të ledhatojnë tingujt e gjetheve
Njërin gji do e bëjë maj bjeshke si borë
Të më shuaj zjarrin që kam në buzë
Tjetrin do e marr në shtratin e bërë nga retë
Të më ruaj nga bubullima dhe rrufet 
Kur të zgjohesh do ma shohësh shkëlqimin në sy
E grisa terrin, e grisa vetëm të jem më ty.

 

KUR TË MOS JEM!


Mos më kërko nëpër libra
As këtu e as atje
Në asnjë dhee 
Se nuk bëra atdhe, 
S’do jem as ku kam le

Po të duash të më gjesh 
Jam në trupin tënd si flutur
Që lind çdo mëngjes


Në mëngjesin pranveror
Mos më kërko nëpër kopsht
As në këngën e vajin e bilbilit
Por më gjen në një fije bari
Madje edhe në një lule bliri
Që mban aromë gjiri.


E në verë 
Mos më kërko në hijen e shelgut
Po merre rrugën ka ecë lumi
Jam vala brenda tij
Që kurrë s’më zuri gjumi
E kur të mbërrish në det 
Do më takosh në valën e nxehtë
Që të përkëdhel
Të përkund trupin
E të ledhaton lehtë.


E në vjeshtë 
Mos më kërko në gjethet që bien
Po merre dhe mbaje afër një shegë
Puthe fort me buzët tua
Aty në atë ngjyrë
Do më gjesh mua


Në dimër kur acari të trokas
Mos më kërko në dritare apo në akull
Nuk ngri
E as nuk thahem si fije bari
S’më bën gjë acari
Më gjen në një thëngjill zjarri
Që të ngroh trupin perri
E frymën ta le në gji


Kur të mos jem
Mos më kërko nëpër libra
Dhe në asnjë dhee
Jam aty ku ti vë kokën
Jam fryma dhe me Ty fle.

 

MË FAL E DASHUR MË FAL

 

Ti je e mirë e këndshme e njomë e bukur
Si vetë natyra me tokë dritë qiell e re
Ti je një lule ku luan e mëngjesit flutur
Që petalet të dua s’të dua i numëronim ne

Ti je një varg që lind si drita çdo mëngjes
Je një këngë që buza pa zë e pëshpërit
Ti je një lot që e dua si bari atë pikë vesë
Je fryma me aromë malesh për sy je dritë

Edhe kësaj nate pa zhurmë të mora në sy
Kur ta pash shpinën zhvesha hijen time
Shpirt e zemër i bëra bashkë vetëm për ty
Më fal them kur ti lëndon e bënë gabime

Mëngjesin e prita siç pret lulja një flutur
I mblodha gjithë gjethet u mbulova me mall
Të duket shtrati si më parë i but i bukur 
Më fal e dashur më fal dhe kur me vret ngadalë

 

JAM ÇAME MË THA!

 

ajo erdhi pa pritur e bukur si Zanë
me buzëqeshje të ngrirë shikimin kah deti
flokët lëshuar e krehur nga era
buzëshpërthyer me etjen shtrënguar
shqetësohej nga tërbimi i dallgës
nga rëra që kthehej diku në thellësi
frymëmarrja i brofte në të bukurin gji

ajo erdhi, 
erdhi me erën dhe valën
mbi shkëmb hapte krahët me shikim kah qielli
shtatin përkulte tej Orakullit të Dodonës
më bëhej shqiponjë që sogjeton nga lartësi
i bukuri pejsazh shkrihej në timin sy

nuk folëm 
por s’isha vetëm
nuk e lash të ikte 
gjuha e syve vinte nga lashtësia
malli shtrihej si era mbi Jon
që është shpirt i valës
me njërën dorë numëronte gishtat e tjetrës
dukej si nuse në oborr të Teutës

ajo erdhi pa pritur e bukur si Zanë
buzëshpërthyer e etur me shenjë në ballë
më mori në sy dhe një fjalë me erën ma la
s’je vetëm i veshur me mall
jam çame më tha...

 

UDHËS PA ADRESË

 

E lash shtratin me hijen e trupit 
Eca rrugës pa numra pa emra 
Shtëpinë e gjeta mes lulesh kthyer nga dielli 
Pran burimit shelgjet me shtat të hedhur 
Ta hap derën... kam frikë nga malli 
Era e lehtë më ledhaton plagët e shpresës 
Mjegullat duan të zbrazin peshën e tyre 
Hija e luleve lozë me erën 
Trishtimi dridhet nën çatinë e qiellit 
Pika shiu vargëzon në faqe 
Dashuria laget bëhet vesë 
Dëshira puthë muzgun në agim 
Unë luaj me fytyrën tënde 
Të vizatuar në dritare 
Ah! 
Nuk po mundem me t’i mbyllë sytë 
Në kopsht paska mbirë një ankth prej resh 
Gjurmët paskan ndarë dy shekuj 
Sikur janë ndeshur qytetërimet 
Shpirti shtrihet lakuriq mbi barë e rrajë të moçme 
Çka na mungojë që u ndamë në kohë të humbur

Unë udhëtoj pa biletë 
Shoh thëngjinjë të ndezur në vatër 
Mbyllë sytë mendimi behët rreze 
Shtëpia me mure të tejdukshme 
Brenda vera e vjetër mbi tavolinë 
Librat shpërndarë me fjalët e derdhura qosheve 
Disa të zverdhura 
Nata i paska mbështjellë me tesha të ngrohta 
Milingonat lëvizin dhe ndalen në çdo faqe 
Kthej shikimin shoh lulen e Teutës kryelartë 
Nëna e pat mbjell në themel të shtëpisë në anën e djathtë 
Një bletë lazdrohet në petalet e hapura të saj 
Zë i ëmbël si melodi blete më futet në brendësi 
Merru erë o bir, se malli jeton në dashuri

 

JAM UNË

... valë e trazuar e një lumi 
Sonte i arratisur në thellësi të qiellit 
Më dërgo pak frymë buzësh 
Edhe një fije floku pas erës 
Të lidhi rrezet me valët

Jam unë... 
Një llavë që rrjedh nëpër deje 
Ku takohen puthjet e qiellit e detit 
Pasqyrë e syve ku ruhen buzëqeshjet 
Më nis vetëm pak rrahje zemre 
Çelësin e derës e bëjë nga gjethet

Jam unë... 
Shtrat lundrues prej resh 
Me pika shiu e vesë mëngjesi 
Më dërgo ngjyrat e shpirtit 
Ta varë pikturën në sy 
Gjithë jeta buzëqeshje aty të rri

Jam unë... pëlhurë e bardhë 
Pres të tretem në ngjyrën tënde.

 

TË KËRKOJË..!

 

.... mbrëmjeve në netët e gjata pa gjumë
Në puthjen e valëve të lumenjve të shkrumbëzuar
Melodinë e tyre ti hareshëm e dëgjoje shumë
Edhe kur shpirti ndihej i lodhur i trazuar

Të kërkoj në qiellin shpuzë nga yjet
Ti që mbete kujtim i një nate me shi
Të kërkojë në faqet e romaneve të hershme
Atje ku si zjarr u fute në gji e si drita në sy

E kërkoj pas mjegullës së bardhë trupin perri
Kur çdo ditë më shkrihej si pikë vese me rrezen e parë
Bashkë me erën më sjellje vargje u bëre poezi
Asgjë, asgjë me shumë se shpirtin s’arrita me të falë

 

NATËS IA PREVA KRAHËT

 

Është gjysmënatë e heshtur
Erërat janë strehuar maleve
Lumenjtë të qetë bëhen sikur flenë
Retë e bardha copa-copa janë ndarë
Nata ka kohë që më mbështjellë pa zërin tënd
I trembem buzës që më dridhet
Nuk di në të ka marr gjumi a je zgjuar
Nga thellësia e shpirtit si lëmsh diçka në fyt me lidhet
Mos je e sëmur apo hije e zezë të ka mbuluar
Mos thërmiatë e bukës me këmbë i shkele
Apo tryezën e fisnikërisë mbrapsht e rrotullove

Ka kohë që zërin s’ta kam dëgjuar
T’i fshihesh dritës të përqesh nata
Errësira me sy e puthë dritën
Dashuria flenë në një vend me AtMëmëdhen
Të shkund të dridh e të përkund
Të bënë gur mburojë për paq
Ka lot por e ruan si të bardhin plis
Në sy çiltërsi nderë për shtëpi e fis
E lashtë bujaria që kur kuvendohej fjala
Në Mbreterim të Teutës matej fuqia
Para Dodonës hapej zemra kur fliste shpirti

 

Është gysmënatë e trazuar
Erërat zëshëm fishkëllejnë
Lumenjtë rrëmbyeshëm hedhin ndotësira
Retë flakërojnë nga rrufetë
Veshi krah nate dhe marr sy hëne
Dhe një rreze dielli e mbaj në gji
Mos të dehem vetëm nga një dashuri
Nga lart rrufet udhën më ndriçojnë
AtMëmëdheu mezi lag këmbët në Jon
Shpirti i dhemb për pastërti
Digjet për fjalën me peshë edhe për ty
Zhveshur të pa, shpirtpërlyer
Dritës nuk i duhen sy
Unë ia preva krahët natës
Për të zbrit mbi Iliri
Aty ku mezi merr frymë një copë Shqipëri.

 

MË FAL ATDHE

 

Ty dhimbje e pambarim
Atdhe 
Njërin gji ta thithë jugu tjetrin veriu 
Mjegulla me furtunë të rrahën gjoksin 
Sa hile, mashtrime 
Gjak njeriu.
Ti më fal Atdhe 
Unë asnjë plagë s’ta arnova 
Sot 
Të kafshojnë zagargjinjtë bishtdredhur 
E unë… 
Shpirtin te ti e lashë edhe pse u largova

 

SHQIPËRI

 

1.Po plakem me një lumturi e brengë
Brenda meje asgjë s’ka vdekur,
Asgjë
Ende s’më ka përfshirë errësira
E shoh Shkupin copash thërrima
Me trup të lodhur pa kokë
Shohë shtëpiza të rrënuara në jug
Shpirtra që në errësirë ndezin kandil
Në veri vargan hijesh pa ngjyra,
Dhimbja varë nëpër lisa
Gjurmët të fshira tokë e kuqe
E kaluara me shenjë në ballë
Aty në mes ku belin e ke ngushtë
Fëmijë të përlotur që luten për dritë
I huaji të ka mbjellë errësirë
Në kokat pafytyra
Shkunde trupin Shqipëri
Laj plagët në Jon e shëroj në veri

 

2. Me frymën përzihesh
fjalë mbushur me mall
venave derdhesh
melankoli që ndez vullkan
shpirti noton nëpër valë
valët që m'i bëre lum
tërbohen në brendësi
çmenden brigjeve
ty të ndjej
dikur kthjellohen
paqtohen në prushin tënd!

 

BIOBIBLIOGRAFI E SHKURTË

Safet Hyseni është emër i njohur si gazetar, publicist dhe shkrimtar. U lind më 17 Mars 1958 në Zajaz të K?rçov?s (RM). Arsimin fillor e kreu në Zajaz. Arsimin e mesëm në Mitrovicë të Kosovës (1974-1977). Në Universitetin e Prishtinës kreu Fakultetin Teknik, Dega e Makinerisë, (1978-1984). Në ndërkohë ka ushtruar profesionin e gazetarisë në: “Zëri i Kosovës”, “Bota sot”, “Fakti”, “Koha”. Ka qenë reporter në Tv Gurra, Tv Uskana. Gjatë vitit 2002 boton nëntë numra të revistës letrare “Art plus”. Më 2013 boton disa numra të revistës “Ora shqiptare”. Gjatë vitit 2014 boton dymbëdhjetë numra të revistës “Zëri i Kërçovës”. Veprat letrare: “Histori moderne” poezi, Shkup, i996; “Rruga me një adresë” Poezi, Kërçovë, 1998; “Arsimi dhe shkolla shqipe në Kërçovë”- Kërçovë, monografi, 2007; “Varrezat masive në Kërçovë me rrethinë”, Kërçovë, monografi;  2007; “Fate të koduara”, Kërçovë, publicistikë, 2009; “Puthja publike”, Tetovë, roman, 2010; “Ëndërrimtarët e Atdheut”, Tetovë,  monografi për të burgosurit politikë në Maqedoni, 2011; “Vlerat e rrethit të Kërçovës”, Tetovë, monografi, 2011; “Nusja pa unazë”, Kërçovë, roman, 2011;  “Gjahtari i plazheve”, Tetovë, roman, 2012; “Mallkimi”, Shkup, roman, 2013; “Monstrum”, Tiranë, roman me pseudonimin Steven Harri, 2015. Më 2016, dy romanet e fundit i botohen në gjuhën angleze.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat