Të kapëm o poet e kemi ditën

Kultura

Të kapëm o poet e kemi ditën

Nga: Kalosh Çeliku Më: 28 maj 2018 Në ora: 09:09
Kalosh Çeliku

Dorëzohu! Të kemi shtrirë përtokë

Me librin tënd të nemur ende në duar.

Vëllimet të kanë rënë përsipri mbi kokë

Fletët mos ua ha tinëz librave, o Poet!

 

Unë jam Ujk i uritur. Bishë mali

Ushqimin e mirë ma bluan truri.

E ju jeni qenë që e ndiqni egërsirën

Librin se jap, është gjahu im. Ushqimi.

Të kapëm, o Poet! E kemi Ditën

E di. Ehu, po Unë e kam Natën...

 

(Shpejt shuaje atë zjarr)

Poet, shuaje atë zjarr të ndezur në libër

Po digjen të gjitha: Fushat e malet.

Liqeni u ndez flakë. Deti. Dhe, oqeani

Qielli ka rrezik të ndizet. Dielli e Hëna.

 

Ndizuni! Digjuni, piquni lakuriqë nate!

Unë jam Poet. Jo një, do ndezi tre zjarre...

 

(Unë po shkoj për ujë e ti dil jep kushtrimin)

 

Dhoma është e djegur. Shkrum e hi

E ku të gjej ujë lumi në këtë Ferr.

Ujë sillni, ujë! Po digjet Shtëpia

Zjarr. Çatisë i del një tym i zi.

 

Mallkim hyjnor. Bimë të egra te pragu

Unë po shkoj për ujë. E ti jep kushtrimin...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat