Muzeun e Kosovës e kanë vizituar mbi 7 mijë persona

Kultura

Muzeun e Kosovës e kanë vizituar mbi 7 mijë persona

Më: 20 maj 2018 Në ora: 13:10
Muzeu i Kosovës

Që nga 17 shkurti i këtij viti kur edhe Kosova shënoi ditëlindjen e saj të dhjetë, Muzeun e Kosovës e kanë vizituar mbi 7 mijë vizitorë, ku një numër i konsiderueshëm prej tyre janë turistë të huaj.

Kështu ka bërë të ditur drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj. Sipas tij, përveç vizitave të shumta, Muzeu po bëhet edhe nikoqir i shumë ngjarjeve socio-kulturore në vend.

Boshtrakaj: Muzeun e kanë vizituar 7 mijë turist

“Ne në përvjetorin e 10 të pavarësisë së Republikës i kemi hapur ekspozitat bazë dhe nga dita e pavarësisë deri sot kemi më shumë se 7 mijë vizitorë. Pjesa më e madhe është gjeneratë e re dhe kemi vlerësime të mira dhe e kemi me rëndësi që përpos vizitave që bëhen në muze, muzeu po bëhet edhe nikoqir i shumë ngjarjeve kulturore dhe të debatit socio-kulturor në vend”, u shpreh Boshtrakaj.

Numër i madh i atyre që e vizitojnë këtë institucion të trashëgimisë kulturore në vend janë edhe turistët ndërkombëtar.

Boshtrakaj:1/3 e turistëve janë ndërkombëtar

“Është një kategori tjetër e turistëve rajonal të cilët vijnë në rajon ose në pjesë të ndryshme të Evropës dhe Prishtina dhe në këtë rast Muzeu i Kosovës ka filluar me i bërë një pikë e rëndësishme e vizitimit. Nga kjo shifra e 7 mijë që e përmenda që nga hapja e ekspozitave më shumë se një e treta janë ndërkombëtar dhe pjesë më e madhe e tyre janë njerëz që i kanë vizituar për arsye komunikimi institucionet tona më të larta të shtetit dhe janë pjesë e turizmit politik”, ka deklaruar ai.

Boshtrakaj gjatë kësaj interviste ka kërkuar nga institucionet vendore që punëtorët muzeor të kenë një trajtim më të dinjëtetshëm.

Ndonëse tha se përkrahja institucionale është në rritje por nuk është e mjaftueshme.

Boshtrakaj: Punëtorët muzeor kanë nevojë për trajtim më të mirë

“Është një përkrahje në rritje por jo e mjaftueshme. Muzeut të Kosovës i nevojitet më shumë pavarësi veprimi, i nevojitet një trajtim ndryshe stafit të muzeut, i punonjësve në muzeor sepse ende të gjithë punonjësit muzeor trajtohen brenda kategorisë së shërbyesve civil, ndërsa, orari i shumicës të këtyre punëtorëve është më së paku 10 deri në 16 orësh e më shumë....Kjo duhet me u njohur dhe me u shpërblyer jo vetëm financiarisht përmes pagës dhe trajtimit por edhe përmes një konsiderate që duhet me e shkuar në adresë të secilit punonjës të Muzeut të Kosovës dhe pse jo edhe trashëgimisë kulturore”, ka bërë të ditur Boshtrakaj.

Sipas tij, çdo investim në trashëgiminë kulturore do i kthehet vendit përmes përmirësimit të imazhit dhe investimeve që bëhen në gjeneratat e reja.

Për të gjithë dashamirësit e artit, Boshtrakaj i ka shpalosur disa nga aktivitetet që janë duke u zhvilluar dhe që do të zhvillohen përgjatë këtij viti në Muzeun e Kosovës.

Boshtrakaj: Më 24 maj hapim ekspozitë për ditën e Presidentit

“Në Muze të Kosovës e kemi të hapur “Muzeun e Zemrave të Thyera” është një projekt i bukur nga pak i dhimbshëm por shumë i veçantë ku qiftet e ndara i ekspozojnë rrëfimet e tyre dhe të përbashkëta të cilat nuk janë të gatshëm t’i hedhin apo t’i harrojmë por i ndajnë me të tjerët si rrëfime njerëzore. E kemi projektin qytetet e Paqes që është projekt dy mujor, rezidencë arti, e cila është zhvilluar në 10 vende të botës, ne jemi qyteti i 11-të dhe më datën 24 maj do të hapim një ekspozitë për ditën e Presidentit, e cila do të prezanton përmes eksponateve dhe materialeve që i posedon Muzeu i Kosovës një pjesë të rëndësishme të periudhës të viteve 90’ta dhe figurës së Presidentit Rugova. Kemi aktivitet të shumta me persona me aktivitete të veçanta”, u shpreh drejtori i Muzeut të Kosovës.

Ndryshe, më 18 maj është shënuar Dita Ndërkombëtare e Muzeve, ku në kuadër të kësaj dite janë organizuar disa aktivitete me fëmijë që synim kishin edukimin për paqen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat