Revista “Univers” e dashur dhe e mirëpritur nga lexuesi

Kultura

Revista “Univers” e dashur dhe e mirëpritur nga lexuesi

Nga: Ibrahim Hajdarmataj Më: 16 maj 2018 Në ora: 17:13
Kopertina

Trokita në zyrat e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam në Tiranë, ku më priti me respekt   koordinatorja e këtij instituti znj. Anisa Hykaj, e cila në bisedë e sipër më dhuroi nr. e fundit të revistës “Univers”.

Më bëri përshtypje që në këtë  revistë shkencore dhe kulturore, në 305 faqet e saj  në gjuhën shqipe dhe angleze,  gjen të pasqyruar  jo vetëm artikuj për mendimin Islam, por dhe për shkencat e tjera në mënyrë globale. Duke shfletuar revistën më lindi ideja të shkruaja një artikull modest, nëpërmjet të cilit i vura vetes detyrë të pasqyroj përmbajtjen dhe disa artikuj të veçantë të saj.

Revista hapet me EDITORIALIN Shkenca dhe zhvillimet sociale në shoqëri.  Në kapitullin e parë “Studime” janë pasqyruar 6 studime shkencore. Gjatë leximit të tyre më lindi ideja të ndalem tek autorja  Msc. Lumturije Nuredini,  e cila paraqet punimin: "Mbi raportet gjuhë shqipe standarde - dialekt në institucione të arsimit të mesëm dhe universitar në Kosovë”.

Punimin e saj autorja e ka ndarë në:

A. Metodologjia  e hulumtimit.

B. Aspekte të përvetësimit të standardit të shqipes nga disa nxënës  dhe studentë në Kosovë.

C. Roli i mësimdhënësve në përvetësimin e shqipes standard të nxënësit dhe të studentit.

D. Nxënësit dhe studentët me vështirësi përvetësojnë shqipen standarde. Pse?

Dhe, në përfundim autorja shprehet se gjuha standarde, që të zotërohet, duhet  të mësohet me përkushtim e vullnet, së pari, në shkollë (në mbarë procesin mësimor dhe në të gjitha vendet e  shkollimit), si lëndë e veçantë e gjuhës shqipe, por ajo duhet  të zbatohet edhe në të gjitha lëndët e tjera mësimore, prandaj kërkohet që të gjithë mësimdhënësit ta zotërojnë mirë gjuhën standarde dhe ta përdorin në të gjitha orët e tyre mësimore.

Kapitulli “Horizonte shoqërore” ka edhe ky 6 punime. Po ndalem tek punimi i mësuesit të historisë Tolin Kona, i cili paraqet artikullin e tij me karakter studimor: "Përballja e dy mbretërve të fuqishëm, Bardhylit të Ilirisë dhe  Filipit të dytë të  Maqedonisë”. Ky artikull ka në qendër të tij situatën politike dhe diplomatike midis Mbretërisë Ilire dhe asaj të Maqedonisë antike në shek IV p. e. sonë. Kjo situatë paraqitet në sfondin e lindjes dhe zhvillimit të shtetit Ilir  nga ana politike dhe  ekonomike-shoqërore, por edhe të përpjekjeve të mbretërisë maqedonase  për   t`u fuqizuar. Në këtë pikë, interesat e këtyre dy  shteteve u përplasën në krahinën ilire të Lynkestias, e cila prej kohësh i bënte qëndresë pushtimit maqedon. Këto përplasje u shoqëruan me konflikte ushtarake në të cilat u evidentuan edhe dy figurat kryesore: Mbreti i Ilirëve Bardhyli dhe Filipi II I Maqedonisë.

Nga artikulli mësojmë se Bardhyli, nga qymyrxhi  thjeshtë, ishte bërë mbret i Ilirëve. Ai kishte fituar respektin e luftëtarëve për shkak të personalitetit të tij si njeri i drejtë dhe i paanshëm. Brenda një kohe të shkurtër ai  e fuqizoi shtetin Ilir, duke e ndërtuar atë me shumë komponentë përbërës si: aparatin shtetëror, ushtrinë profesioniste etj.

Në vazhdim të artikullit informohemi se Mbretëria Ilire shfaqet si një fuqi në rajonin e Ballkanit, dhe, gjatë konflikteve ushtarake me Maqedoninë për çështjen e Lynkestias, ushtria Ilire thyen disa herë ushtrinë maqedonase...

I veçantë dhe i përshkruar bukur dhe me kompetencë shkencore është dhe ndeshja e Filipt të dytë të Maqedonisë me mbretin Bardhyl të Ilirisë, në një betejë, e cila ka ardhur deri në ditët tona nga autori antik Diodori. Beteja  mes dy mbretërve përshkohet nga trimëria e të dy ushtrive dhe nga taktikat ushtarake që përdorën Bardhyli dhe Filipi si dy strategë të talentuar. Ajo është dinamike dhe anon herë nga Ilirët herë nga maqedonasit. Megjithatë në fund fiton falanga maqedonase dhe strategjia e Filipit II, i cili edhe pse fitues nguron ta ndjekë nga pas ushtrinë ilire, e cila tërhiqet me disiplinë pa e prishur formacionin e saj kuadrativ mbrojtës.... Për ilirët këto kohëra dhe situata patën një ndikim të madh në evidentimin e tyre si komb dhe qytetërim më vete në mes popujve të tjerë të Mesdheut.

Në kapitullin “Art, Kulturë dhe Traditë” janë botuar 4 punime, ku në punimin e paraqitur nga Anton Nik Berisha: "Novelë e përfituar mbi modelin e përrallës gojore”, autori shkruan për novelën "Gjahtarët  e Nuselalës "  e shkrimtarit Hysen Kobellari, e ku nënvizohet veçanërisht për mënyrën e ndërtimit, të shqiptimit të dukurive të botës, si dhe të përfitimit të rrëfimit poetik të veçantë e të pasur afrohet për shumëçka me botën e përrallës gojore, e cila shekuj me radhe  u përcoll prej një individi tek tjetri prej një brezi në tjetrin. Njohësit e përrallës gojore thonë se ajo si krijimtari letrare, i përket kohës se gurit. Mirëpo nëse themi se  rrëfimet me përbërës mitik janë edhe me të hershme, nuk them diçka të re. Si formë e të shprehurit të dukurive e të ngjarjeve që kanë ndodhur ose që kanë mundur të ndodhen  ose të shqiptimit të botës së brendshme të subjekteve, që i krijonin dhe i përcillnin ato gojarisht, rrëfimi qe pjesë e pandashme e njeriut  qysh në periudhën kur ai u bë i vetëdijshëm  për jetën - fatin e tij. "Gjahtarët e Nuselalës " na plotëson sadopak atë që, ndoshta, shumë prej lexuesve të sotëm nuk e kanë përjetuar më parë, siç thotë me të drejtë Herderi: “Në karakterin e fëmijës, që nuk ka dëgjuar përralla, mbetet një zbrazëti që më vonë nuk mund të kompensohet ".

Kapitulli “Opinion” është i pasqyruar me 5 punime shkencore,  ku ne po vegojmë punimin e Mr. Besa Ismail Ahmeti: “Problematika të përfshirjes gjinore në përkthimet shqip të teksteve hyjnore". Punimin e saj shkencor autorja e ka ndarë me: “Hyrje”, “Ekuivalenca gramatikore e gjinisë”, “Gjinia sociale”, “Disa fjalë për përkthime shqip në tekste hyjnore”. Ndër të tjera autorja shkruan:“ Shoqëria në evoluim e sipër, kërkon, e imponon evoluim dhe të gjuhës, në këtë rast është gjuha shqipe. Gjuha kuranore  nuk është e njëanshme, e padrejtë dhe  aspak cenuese ndaj grave, ndaj dhe përkthimi nuk guxon të jetë e kundërta. Sidomos, jo sot, kur zhvillimet e ndryshme globale kanë zgjuar interesimin e leximit të fjalës se Allahut- Kuranit dhe shumica e  shqiptarëve nuk e lexojnë apo kuptojnë gjuhën arabe. Për me tepër, shqipfolësit kanë nevojë për ta përjetuar tekstin hyjnor, prandaj nevojitet përpjekje e shtuar  e transferimit artistik, stilistik, juridik e politik të mesazheve kuranore dhe imazheve përkatëse”.

Në pjesën e fundit “Botime në fokus”  janë 4 punime shkencore e me nivel. Po veçoj ndër to punimin e akademikut prof. Dr. Emil Lafe:" Vexhi Demiraj-monografi për mësuesin dhe studiuesin e teologjisë”.

Akademiku Emil Lafe, ndër të tjera shkruan  se libri “Vexhi Demiraj,  mësues dhe studiues i teologjisë dhe i filozofisë” me autor studiuesin  Xhemal  Balla, i kushtohet një figure të shquar të arsimit të Teologjisë Islame e të Filozofisë, siç ishte prof. Vexhi Demiraj.

Autori meriton përgëzime të çiltra për këtë monografi me vlera njohëse të veçanta për jetën kulturore - arsimore dhe fetare të vendit tonë në periudhën ku ka zhvilluar veprimtarinë e vet  figura qendrore e librit, prof Vexhi Demiraj. Libra të tillë plotësojnë një zbrazëti të ndjeshëm të biografisë sonë dhe kanë një rol të veçantë për të plotësuar dijen tonë  dhe për të ndërtuar  përfytyrimin tonë të mangët për lëvizjen  mendore dhe historinë fetare të vendit tonë.

Ndërsa, akademiku Prof Dr. Gjovalin Shkurtaj,  paraqitet me punimin shkencor: “Udha  e njësimit  të alfabetit të shqipes në një libër të shkruar me dije e dashuri”.

Libri "Katër Kongrese Kombëtare për Alfabetin e Shqipes" është shkruar me dashuri të madhe për vendlindjen dhe autori, Arian Kadiu, si bir i denjë i Dibrës edhe në shumë prej librave të tij të botuar, e ka dëshmuar se sa i përkushtuar edhe i dhënë me mish e shpirt është pas traditave, vlerave dhe virtyteve e ndihmesave  historike, linguistike, atdhetare dhe arsimore e kulturore të Dibrës e të dibranëve, por ai ka dhe mbështetje në dije dhe njohuritë e gjëra të fituara, por ka shfletuar e rishqyrtuar gati shterushëm  dokumente, botime monografike dhe studime  kushtuar udhës së shkronjave shqipe,  duke ndriçuar më mirë përkatësisht e duke rishikuar e rivlerësuar aspekte dhe pohime të caktuara, të cilat i japin librit dhe një frymë polemizuese ndonjëherë dhe shumë të zjarrtë,  por gjithsesi të atillë që  do të meritojë jo vetëm leximin e kujdesshëm nga historianët e studiuesit e interesuar, por edhe për të sjellë mbi atë bazë  të përtërirë të trajtimit përmirësimet e nevojshme në vlerësimin që meritojnë  disa  prej veprimtarive të mëdha të historisë së kombit shqiptar sikundër janë dhe 4 Kongreset e Alfabetit për të cilat shkruhet në këtë libër të ri të Prof Dr. Arian Kadiut - " Mjeshtër i madh".

Në përfundim të artikullit dëshiroj të nënvizoj se Drejtori i Institutit Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam  Prof . As . Dr. Ramiz Zekaj, së bashku me stafin e tij,   bënë një punë të lavdërueshme dhe serioze, duke na paraqitur vazhdimisht punime që mbeten thellë në kujtesën e lexuesit e që kanë karakter studimorë dhe shkencorë. I tillë është edhe ky numër i ri i revistës “Universi”, nëpërmjet të cilit, lexuesit marrim një informacion të pasur shkencor e global, por edhe kanë rastin të shtojnë më tej dijet dhe horizontin tyre kulturor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat