Një libër si një bibliotekë e tërë - Bota Sot
Një libër si një bibliotekë e tërë

Kultura

E martë, 22 maj 2018

Një libër si një bibliotekë e tërë

Më: 14 maj 2018 Në ora: 18:21

Ibrahim Kadriu

Mbi autoritetin e shkrimtarit të madh Ismail Kadare janë shkruar aq shumë libra dhe vazhdojnë shkrimet e autorëve të ndryshëm. Portreti i këtij shkrimtari me reputacion aq të madh botëror, varësisht nga autorët dhe qasjet e tyre, na del shumëdimensional, shpesh edhe enigmatik, misterioz kur vështrohet jeta e tij nëpër dekada. Portreti i tij na del pro et contra, sidomos pas nominimit për çmimin Nobel, tash e para njëzet vjetësh. Jemi dëshmitarë të shumë vlerësimeve, të kritikave dhe të mehamendjeve të autorëve të ndryshëm, një pjesë e të cilëve Kadarenë e shikojnë me një dioptri tjetër, e jo me atë konkreten e cila i ka dimensionet e veta me të arriturat kulmore në fushën e letërsisë, e që në botë ia ka dhënë vulën e afirmimit jo vetëm autorit, por edhe përgjithësisht kulturës shqiptare.

Një vistër librash e shpërfaqin figurën e autorit dhe e bëjnë biografinë e tij të qëndrueshme, jetëgjatë; biografi e cila do t’i qëndrojë kohës denjësisht . Por ka edhe të tillë autorë që dëshirojnë të bëhen të mëdhenj, duke duke gjurmuar në pluhurin e kohës për të gjetur mangësitë e këtij shkrimtari. Në shumësinë e këtyre librave gjen hapësirën e vet edhe libri më i ri “Kadareja, Nobeli dhe letërsia e braktisur” e Rifat Hoxhës (nga Kavaja) i cili deri tash ka botuar disa libra monografikë, eseistikë, botime historike dhe romane.

Libri i fundit për Kadarenë, dhe jo veç për Kadarenë, merret në shqyrtim sepse është i veçantë, sepse kur i shkon në fund, ke përshtypjen se ke lexuar një bibliotekë të tërë, sepse, pra, pavarësisht se personazhi kryesor është Kadareja dhe aferat rreth çmimit Nobel, ofrohen shumë të dhëna që përbëjnë mozaikun e portretit të shkrimtarit. Muaji i tetorit gjatë këtyre dy dekadave të fundit, sdiç e dimë, gjithherë ka qenë një lloj arene ku janë thyer shpatat pro e contra për Kadarenë, të atyre q kanë sulmuar dhe kundërshtuar ndarjen e këtij çmimi pretencioz dhe të atyre që kanë lobuar vazhdimisht, por, siç dihet çmimi Nobel nuk iu nda. Autori i librit, Rifat Hoxha, tërë librin me afro 230 faqe e bën në formë kolazhi, duke i ofruar lexuesit të gjitha aspektet të cilat e bëjnë emrin Kadare të diskutueshëm.

Me fjalë të tjera, ky autor është përpjekur, dhe ka arritur të heq mjegullën që i mëveshët shkrimtarit , atë mjegull të të mjegulluarve që i fusin duart në bërllokun komunist për ta nxjerr shkrimtarin hiq më pak se diktator, sepse, siç shkruajnë ata “ishte i përkëdheluri i Enver Hoxhës”. Rifat Hoxha i nxjerr në pah të gjitha të palarat, kjo domethënë se nuk i jep krah shkrimtarit, por e nxjerr të vërtetën, duke u mbështetur edhe në postulatin se “Shqiptari çdo gjë ta fal, vetëm suksesin jo!” Në këtë frymë merret me të gjitha reagimet, shkrimet, letrat dhe intervenimet në adresë të Komitetit të Akademisë kundër ndarjes së çmimit Nobel shkrimtarit tonë. Në libër u jepet hapësirë edhe shumë shkrimeve që vijnë nga të huajt, shkrime që i ndihmojnë propozimit, por edhe të tjerat që ia mohojnë. Në faqet e librit radhiten edhe shembujt konkretë të autoriteteve letrare botërore, që kishin të njëjtin fat si Kadare, kur refuzoheshin ose etiketoheshin.Ky libër, lirisht mund të thuhet i rrallë, i ka dhënë shkas autorit të hulumtojë për t’i shtruar në një vend (siç është ky libër) aq shumë të dhëna jo veç për Kadarenë, por edhe për shumë shkrimtarë të tjerë duke i përfaqësuar me mendimet e tyre mbi letërsinë dhe mbi raportet në shoqërinë që i takonin.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test