Jorgo Bulo - Naimologu me Penë të Argjendtë - Bota Sot
Jorgo Bulo - Naimologu me Penë të Argjendtë

Kultura

E enjte, 24 maj 2018

Jorgo Bulo - Naimologu me Penë të Argjendtë

Nga: MSc. Albert Habazaj Më: 14 maj 2018 Në ora: 11:22
MSc. Albert Habazaj në panel

Jorgo Bulo (27.04.1939-26.11.2015). Zagoriti i madh nga Sheperi, akademik Jorgo Bulo ka ikur por ai është me ne, me emrin e tij gjithëpërmasor, me veprën e tij, që shkëlqen si shembëlltyrë e Penës së Argjendtë. Lindur në atë vend të trëndelintë e bujar për dijetarë e atdhetarë, atje ku lindi Çajupi, ndër më të ndriturit rilindas pas Naimit, prof. Bulo, si një vijues i denjë i Andon Zakos, e vlerësoi, e nderoi, u krenua me emrin e rilindasit të shquar dhe, i ndikuar edhe nga edukimi i tij gjenetik e qytetar, mori më shumë përgjegjësi si kërkues shkencor dhe atdhetar. Profesori i njohur ishte i thjeshtë në madhështinë e tij, në se më lejoni të përdor e përshtat një shprehje të Kadaresë për këtë rast. Fusha e veprimtarisë së tij ishte Letërsia. Ai ishte një filolog i spikatur, ndërkohë, që ndihmesë të dukshme ka dhënë si historian i letërsisë, ku kërkimet më të thelluara i përkasin Letërsisë së Rilindjes Kombëtare. Fusha e veprimtarisë së tij ishte Letërsia.

Personalisht kam patur fatin ta kem mik dhe i ruaj të çmuara në kujtesë takimet me të, bisedat, idetë, vizionin, dinjitetin e profesorit, këtij fisniku me dritë të dijes. Edhe në Kuç të Kurveleshit kemi qenë në ekspeditë me vëzhgim me pjesëmarrje në terren me prof. Bulon, prof. Bardhosh Gaçen, prof. Bilal Shkurtaj, etj. për gjurmimin, vjeljen, grumbullimin, seleksionimin, regjistrimin e poezisë dhe prozës popullore, kësaj shufre floriri të thesarit të paçmuar folkorik të kësaj krahine etnografike të Labërisë e Toskërisë shqiptare. ai qe një misionar dhe edukator.

Nga specialistët e fushës, gjykohet se Jorgo Bulo ka realizuar punimin më të plotë për Naimin, monografinë: “Tipologjia e lirikës së Naim Frashërit”, Tiranë, Shkenca, 1999 në 199 faqe, ku spikat kritika e mirëfilltë shkencore dhe interpretimi i poezisë lirike të Naimit [1]. Ai e quan Naimin poet i ringjalljes kombëtare dhe kulturore të shqiptarëve dhe veprat e tij formuese të ndërgjegjes gjuhësore të kombit. Ndërkohë ai quan “dy paralele poetike: Rumiu dhe Naim Frashëri” [2], duke shprehur praninë e frymës dhe të motive të poezisë persiane, veçanërisht të poetit të madh mistik Xhelaledin Rumiut (1207-1273). Ndikimi i Rumiut ndihet në shumë prej lirikave të filozofike të Naimit. Është vënë gishti mbi lirikën “Fyelli” të Naimit, që vjen si frymëzim e dikujt mund t’i duket edhe si një sozì e poezisë së njohur antologjike “Kënga e kallamit”, e përkthyer në shumë gjuhë të botës, në disa syresh me titullin “Kënga e fyellit”. Studiuesit, nëpërmjet regjistrit të instrumentit të vargut, e njohin që Rumiu e ka ndërtuar në formë distiku “Këngën e kallamit”, me rimën e puthur aa, bb, cc etj. “Fyelli” i Naimit është poezi strofike katërshe, me vargun tetërroksh, me rimën e alternuar ab, ab. Pra kemi një ndryshim në formë, por nuk është vetëm aspketi formal që e bën “Fyellin” e Naimit një rikrijim të vërtetë, është shpirti meditativ i poetit që i bën një riinterpretim filozofiko-poetik motivit të mallit në “Këngën e kallamit”.  Edhe një vjershë tjetër “Pesha”, përfshirë në përmbledhjen “Parajsa dhe fjalë fluturuese”, 1894 të shpie tek një përshtaje nga mjeshtri i “Masnavisë” Rumiu. Nuk është rasti të bëjmë ballafaqime tekstore e zbërthime, se i kanë bërë të tjerët më parë, por vlen të ravijëzojmë parashtresën në formë hipoteze të prof. Bulos për këto probleme që hasen. Sipas tij, janë një tip i caktuar krijimesh të Naimit, që ne do t’i quajmë “vjersha me subjekt anekdotik”, (të dyshueshme për karakterin e tyre origjinal) e që duhet t’i përkasin të njëjtit burim, Rumiut. Në këtë kontekst, ne e lexojmë profesor Bulon kështu: Sot, si duket dhe në plotësim të merakut të profesor Cipos, qysh më 1936, i kemi mjetet të dallojmë ç’ka marrë hua Naimi dhe ç’është bijë e frymëzit të tij. Këto vërejtje nuk e ulin aspak emrin e madh të poetit tonë kombëtar, përkundrazi e pastrojnë atë nga mjegullnajat dhe profili i tij quhet më i kthjellët, pmë poetk, më kombëtar, më univeral. Në dy veprat e tij “Magjia dhe magjistarët e fjalës”, Tiranë, “Dituria”, 1998, me 324 faqe dhe “Tipologjia e lirikës së Naim Frashërit” (e mëparëcituar), akademiku shqiptar e shikon Naimin si poet romantik, që u dha flatra në poezi përsiatjeve për lirinë e shpirtit njerëzor dhe meditimeve ekzistencialiste për jetën dhe vdekjen, për qenien edhe mos qenien dhe për dhembjen njerëzore. Lirizmi filozofik dhe lirizmi poetik i Naimit, sipas Bulos, përfshijnë tërësinë e krajatës njerëzore; ai synonte të rindërtonte njeriun dhe të shprehte kompleksitetin e shpirtit njerëzor, luftën e përjetshme që zhvillon brenda tij midis engjëjve të mirës dhe demonëve të së keqes, duke poetizuar anën fisnike të natyrës njerëzore tek e cila shihte forcën dhe madhështinë e Krijuesit. Gëzimi dhe dhimbja, dashuria dhe urrejtja, besimi dhe ankthi përpara tronditjeve dhe përmbysjeve dramatike që sillte koha, forcat e dritës dhe të errësirës që flenë në shpirtin njerëzor, të gjitha këto të përthyera në prizmin e meditacioneve panteiste, metafizike, i dhanë romantizmit të Naimit një përmasë të re. Gjithë ky vizion poetik e ka bazën te ideja e shkrirjes së Zotit me njerinë dhe universin. Kjo doktrinë e njeriut të ngritur shpirtërisht në qiejt e përsosmërisë hyjnore, i jep një tingëllim kozmogonik, universal idesë poetike të veprës naimjane me bukurzanim jo vetëm në gjuhën e nënës. Poeti, mendimtari dhe edukatori i kombit, Naimi ynë, tashmë nuk është vetëm më kombëtari por dhe më universali poet i letërsisë shqipe edhe në një vështrim tjetër. Në radhë të parë ai është një fenomen interkulturor. “I ndodhur në kryqëzimin e kulturave dhe të traditave poetike lindore dhe perëndimore, ai i treti në poezinë e tij këto tradita dhe nuk mbeti skllav i tyre, as vetëm poet i shprehjes gjuhësore shqipe, por edhe persishte, turqishte e greqishte” [3] - kumton prof. Bulo në Konferencën Shkencore “Naim Frashëri-160 vjetori i lindjes”, që i zhvilloi punimet më 25 maj 2006 në Universitetin “Ismail Qemali” në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Institutin e Gjuhësisë dhe i Letërsisë. Nga ky këndvështrim, mund të themi, se shembulli i Naimit është edhe një dorë e ngrohtë dhe e besueshme miqësie midis popujve fqinjë të rajonit ku na ka rënë fati jetik të jemi pranë e pranë. Disa prej krijimeve që Naimi shkroi  në gjuhët e fqinjëve përcjellin kumtin  e paqes, të miqësisë e të mirëkuptimit midis popujve që jetojnë të shtërnguar në këtë gadishull të ngushtë, vatër konfilktesh, por edhe djep i një kulture të lashtë e të larmishme. Të tjerët gadishullin e quajnë dhe e duan “fuçi baroti”. E quajmë të dobishme që ne Ballkanin ta duam e ta bëjmë fuçi vere për njëri-tjetrin dhe për miqtë. Dhe poetë si Naimi apo ne, që mbartim e përçojmë mesazhet me dritë të Naimit nëpër breza, mund të jemi marathonomatë të kësaj ngjarje të madhe gëzimtare e harejeqë nga Shqipëria, në Greqi, në Turqi, në Serbi, Rumani e deri në Iran e ku kemi marrëdhënie jetësore. Duke trajtuar universalitetin e poezisë së  Naimit, Bulo thekson se poezia e ikonës së kombit dhe patriotizmit shqiptar, as sot nuk e ndjen veten të huaj në universin e poezisë botërore, as në universin të marrë në kuptimin gjeografik e kulturor të fjalës; ajo është e çliruar nga kompleksiteti i përkohësisë, i provincializmit dhe i izolimit. Ne duhet ta kujtojmë me nderim Naim Frashërin, këtë magjistar të fjalës shqipe e novator të madh të saj, që bëri punë të mëdha, sepse frymëzohej nga dashuri të mëdha. Prof. Bulo tërheq vëmendjen, se në këtë botën tonë shqiptare është tronditur prestigji i shqipes dhe ka rënë kujdesi i saj në të gjitha rrafshet e përdorimit. Ne duket t’i hedhim sytë nga drita jonë kombëtare, nga Naimi ynë i pavdekshëm. krijimtaria gjuhësore e N. Frashërit dhe përgjërimi i tij për fjalën e perëndijtë shqipe, na kujton detyrën që kemi ndaj kësaj pasurie, më të shtrenjtës shënjë të kombit e të identitetit tonë.

Bibliografi e shkurtër:

1. Bulo, Jorgo: “Tipologjia e lirikës së Naim Frashërit”, Tiranë, Shkenca, 1999.

2. “Seminari XVIII Ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqipe, përmbledhje e ligjëratave, referimeve, kumtesave dhe diskutimeve”, Akademia e Shkencave, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Filologjisë, Tiranë 19-31.08.1996, Tiranë, Toena, 1996 f. 375.

3. Bulo, Jorgo: “Poet i ringjalljes kombëtare dhe kulturore të shqiptare”, “Perla”, 2006/2 (41), f. 27.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test