Fillon Festivali tradicional i Folklorit “Anadrinia jehon 2018”

Kultura

Fillon Festivali tradicional i Folklorit “Anadrinia jehon 2018”

Më: 12 maj 2018 Në ora: 11:08
“Anadrinia jehon 2018”

Për 17-të vjet me radhë, në javën e dytë të muajit maj, në kuadër të “Javës së dëshmorëve dhe heronjve të Komunës së Rahovecit”, në fshatin Dejnë ka filluar festivali tradicional “Anadrinia jehon”.

Hapjen e festivalit e ka bërë kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

”Të respektuar familjarë të dëshmorëve, artdashës nga të gjitha trevat shqiptare, miq e bashkëpunëtorë, mirë se erdhët në edicionin e shtatëmbëdhjetë të festivalit të folklorit “Anadrinia jehon”. Ashtu si edhe shumë vite më parë, po mblidhemi në këtë lëndinë për të shpalosur vlerat më të mira popullore të kombit tonë. Me këtë rast duhet përgëzuar entuziastët e kulturës e traditës tonë popullore për mundin dhe përkushtimin e tyre, si dhe grupet pjesëmarrëse nga të gjitha viset shqiptare”, ka thënë Latifi.

Ai ka thënë po ashtu se duke parë entuziazmin për këtë festival qeveria komunale e Rahovecit ka ndarë mjete materiale e financiare për krijimin e kushteve sa më të mira për mbarëvajtjen e kësaj feste kombëtare.

“Mbështetja institucionale është e domosdoshme, ngase festivali ‘Anadrinia jehon’ është bërë tashmë institucion më vete. Banorët e kësaj zone duhet të ndjehen krenar që faktin se me punën e tyre po arrijnë të mbledhin në këtë skenë emra të njohur të kulturës e traditës popullore, vlera të shquara artistike nga krahina e ndryshme shqiptare, duke u bërë një shesh ku shqiptarët marrin e japin dhe ku çmojnë e vlerësojnë njëri-tjetrin”, ka thënë ndër të tjera në fjalimin e tij kryetari Latifi.

Festivali tani më tradicional, organizohet në përkujdesje të kryetarit të Komunës, Smaj Latifi në bashkëpunim me OVL e UÇK-së në Rahovec dhe këshillit organizativ të festivalit udhëhequr nga Ervin Hoxha, drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport në Rahovec.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat