Qasje vëllimit poetik "Në ëndrra digjet nata" të autorit Hasan Qyqalla

Kultura

Qasje vëllimit poetik "Në ëndrra digjet nata" të autorit Hasan Qyqalla

Më: 11 maj 2018 Në ora: 21:52
Kopertina e librit

Përtejkoha nuk ka emër. Kohësia ka motive dhe në  ushëtime të “trishta malli”, koha vyshket si një luledele ferrnaje. Kjo kujtesë, ndoshta e pandryshkur në “gozhdën e memorjes”, më tingëllon si (a)profetike në verën e Prishtinës së zhurmshme, kur u ritakova, (mbase, në ekzilin tim të parë në Gjermani, Hasan Qyqalla ishte “streha” e genit poetik) jo vetëm me  prushin e “shkrumtë” të librit “Në ëndërra digjet nata”, por edhe me kolanën e veprave të Jusuf Gërvallës. Me (një gur zura tri zogj) , por “nyjë e Orfeut” më tundoi si djalli...

Ndoshta nuk isha zgjuar akoma  “nga ikja e rikthyer”, në udhët e fatit ku të gjithë jemi hamej të  kujtimeve, me thasë malli ngarkuar, në kërkim të motivit poetik, të mallit të vyshkur, të kujtesës kolektive dhe personale, për të mundërën dhe të pamundërën, në librin e fatit që skaliten tre fjalë: NJERI, MALL, DASHURI!

Libri i ndarë në tre pjesë me kumte metaforike “të mallit të përjetshëm” të përtej Atdheut e bën poetin sa persiatës të hapsirave të njohura dhe të panjohura, por edhe bohem të elegjisë jetësore, në besimin dhe (mos)besimin në kultin “e vetvetes” apo në kumtin e poetikës, lidhet me renditjen e poezive ne tre sinore (sinore malli jodashurore por sinore malli shekullor), me metaforën e madhe MALL. Nuk është thjesht “mall mërgimtari” me kujtime ngarkuar si trenat e Europës, me dritare hapsirash të mugëta, me plojë kujtimesh nga vatra me prush dhe kërcu mali, por një lloj tjetër malli, të “derdhur” mes vargjeve, si polenë jetësore.

Në sinorin e parë: (“Mall motesh të përhumbur”) hapet me poezinë: “Sonte”, me

vargje të thyera ku fjala [sonte] përsëritet në çdo fillimvargu, me retiçencë në çthurje mendimesh  deri tek “Uverturë dhembjesh” sepse loti rrëzon burrin dhe çan edhe gurin...

Polisemia dhe simfonia, si parabolë e shpirtit rebel, nuk bëzan me kuje dhe ligje , por “ngërthen hapsirat e shpirtit”  që bie në greminë dhe ringrihet si vullkan në oktavën e fundit si erë dhjetori fryn dhe të ngrin vetmia... ajo vetmi që “thërrmohet” në kultin e vuajtjeve, që tingëllon në modernitetin e poezisë duke u rrokullis si “lot i artë” i vetmisë, jo të një emigranti “mejhanesh” por të poetit, që ka ngritur “kultin e kulturës së dheut të tij” deri në brigjet e Rinit Gjerman. Dhjetori dhe vetmia, janë atribute të mallit të moteve të largëta,  ku “Mes mureve të shpirtit” fjalët fillojnë të pakësohen ose të rigojnë shi apo yllësi.

Bota le të shuhet sonte

Të përgjërohem...

kandil të digjem unë për ty,

mes mureve të shpirtit tënd

mbase, më gjen diku aty!

...Amen!.

Në dukje poezia është një etyd malli, për dashurinë por ajo dashuri “drithëron” si një lutje, si një psalm, të kërkimit të shpirtit tek Hyji. Amin! Fillimi dhe fundi i lutjeve përshpirtëruese, deri në përgjërim le të ndezë një qiri!.

Qiriu është në përshpirtje të një të “vdekuri” nga dashuria sepse metafora dyshe kandil-qiri tregojnë udhërrëfimin e udhëtarit, që ka mbërritur në udhëkryq dhe kërkon “udhëheqjen” e shpirtit, me dritërimin e fatit të tij të (pa)mëkatë, por edhe të përmalluar nga vetmia.

Kandil-qiriu, shenjon jo dritën në fundin e tunelit, por planetin e Universit njerzor, që do të ushqehet me dashurinë, dhimbjen, mallin, shpresën dhe pritjen në litarin e gjatë të durimit, lidhur si nyje gordiane. Udhëtimi vazhdon (në hone poezie që lartohen si mjegullat larushe) si në poezinë “Jetëbesë” se nuk ka kohë në (pa)kohën e kotësive...!

Nuk kam kohë të prehem tutje në ëndërra,

perëndoi rrezja e predikimeve!

Sa bajate...poeti rreket të prekë jo vetëm ëndërrën, por vetë realitetin (e shumë bashkombasve që mburren dhe “çfryhen si kaposhat”) në emër të idealit “delirant”, sepse koha e predikimeve  është vetëm humbje kohë, me “ëndërra boshe” në poezinë “Njdenjëvrarë” , ca pika shiu si kokrra misri vijnë... se vargjet  përthyhen nga triptika deri në strofa dyvargore, me rimë klasike derdhet  meteori i dritës së ftoftë gjermnike.

me rrezet e diellit nuk flas si më parë,

as me ditën nuk shihem buzëqeshur si dikur, poeti nuk është fatkeq, sepse nën “ritmin dembel” të Rinit, stinët ndërrohen bashkë me fatin e poetit, që në shpirt mbledh vargje, për ti kruspullosur në letrat pak harrakate me “Psherëtima malli” në kërkim të skenarit të jetës.

Mos thuaj se shëtit bulevardit të kohës

mes parkut të kujtimeve shkrehur në vaj,

dëgjoje lirikën time mbi tel të kitarës

dhe shplaje ti dhembjen në shpirtin pa faj!

Ne jemi si retë, një dramë pa skenar...si kutia e Pandorës “shkrehet” lirika e mallit të shpirtit të pafaj në poezinë : “Pa skenar”.

Në sinorin e dytë: (“Më shumë se mall”) për të përçuar tek lexuesi pamjen reale dhe

“surreale” të realitetit jetësor brenda dhe jashtë poezisë , duke qarkuar dhe nyjëtuar edhe zërin e kritikut, sepse  jashtë “poezisë bajate” të atdhetarizmit demode (këtij atdhetarizmi nuk i shpëton as Qyqalla), por në “Mote të humbura” mërgimtari i munguar, apo mungesa e mërgimtarit është nëna, shoku, udha, ditëlindja, mbesa, familja, poeti/poetët, miku/miqtë, heroi, Prishtina dhe Tirana.

Mërgimtari është kalendari

i moteve të humbura,

pa Atdhe.

Apo jo, loti im

që nuk bie përdhe.

Tramensimit figurativ i “mallit” bashkë më linjën e vetëbesimit i  kthen mirazhet e largëta, në kuarte muzikore, të  sendërtuara tashmë “imazhin” e udhëtarit të përjetshëm, të poetit mërgimtar, që endet botëve, duke  dhënë  elemente biografike, me “skenarin e mërgimtarit”, moteve të humbura, me ëndërra të prishura (fati i shqiptarit kokëulur në kërkim të fatit, apo rebel sipas mendësisë dhe psikologjisë së tij), përplasja e dritës dhe errësirës, fatit dhe parasë, personales dhe kolektives, ndërveprimi i të kundërtave, duke  paguar “taksën e mërgimtarit të pafat” në (pa)atdheun e tij  të varfër, endet torba boshe e një emigranti të paadresë, se  poezia“Nesër”  tjerr një narrativë që kërkon të nesërmen tek shpresat e “reja”.

Nën muzgun e blertë më yje

mbledh dhembjen e leckosur

metropolit shumëngjyrësh,

vjeshtës së sakatosur afirmon UNIN poetik, forcën narrative  përshkruese, thellësinë meditive dhe fuiditetin artistik.

Në këtë pjesë, poeti risjell “çaste” autobiografike si në poezitë: “1001 e një net me nënën”, “Dosja pa kurorë”, “Mbesë, moj Lorana”, “Prej viti në vit” poeti identifikohet si: prind, burrë, bashëshort, baba, gjysh i përkushtuar njerzve që do, duke thurur jo vetëm ëndërra, por edhe “përthyer” në mall dhe mugesë herë-herë nga distancat dhe koha.

Unë dhe ti qëndrojmë ballë për ballë

unë vargje shkruaj e ti këndon me kitarë.

Në kujtesën  apo mungesën për miqtë dhe shokët (në arkivin poetik të poetëve, heronjve dhe veprës së tyre si rekuiem) tek poezia: “Dialog i kthimit” ...(me Jusuf Gërvallën) si porosi jetike, por edhe si kujtesë për poetët e kombit Poradeci, Ali Podrimja,  miqtë e tij poeti, F. Tanushi, piktori Gjelosh Gjoka, pse jo dhe testamenti  ogurmirë në portën e madhe të dashurisë, ku hapen kanat më kanat për të pritur miqtë që  bujnë në konakun e “dashurisë” së poetit. Poezitë përshkruese, reflektive, dedikime deri në bjerramallin e vendlindjes “që ther” zemrën me “Mbrëmë” ku fatet tëhollohen në mungesën e pa(shmangshme) të atdheut.

Mbrëmë ngritëm dolli çasti

mallkuam motet e thata

Mbrëmë...

u takuam në udhëkryq metropolesh

pas njëmijë vjet kalërimi fati tragjik i shqiptarit ecën...ecën si apologjia e pasosur e Sokratit.

Në “Testamentin” poeti shkon deri në thellësi të Genit Shqiptar. Nyja Ilirike që e  lidh me LISIN e GJAKUT (Shqipërinë) dhe LISIN  e TAMBLIT  (Kosvën) shënjon PEMËN e JETËS ILIRIKE.

Dhe gurët shtrydhëm për gjuhën amnore

dhe gurrë e Drinit të Bardhë qajmë Drinin e Zi

I ra  kryq e tërthor Shqipërisë së përvuajtur

t’i mblidhte në një besë e në një frymë

vdekja pergamnenë shkronjëgjaku i lirisë

një gjuhë, një flamur i lagur me lot poeti stampon identitetin...

Në sinorin e tretë: (“Mall...përtej shekujsh”), poeti nuk i shpëton dot “klithmës ulëritëse”të atdheut të tij. Në udhëtimin mes tre ciklesh, tani është ura mes UNIT poetik dhe UNIT kombëtar.  Klithma poetike shkon përtej revoltës, jo ndaj fatit  apo ndaj Perëndisë së keqe antishqiptare, por në sinkroni me kohën poeti nuk mund të shmangë atdhetarizmin dhe laramaninë që shfaqin bashkombasit e tij me (kartën e madhe të atdhetarizmit apo nacionalizmit të sëmurë) duke menduar se vetëm me fjalë, sharje, duke drejtuar gishtin tek TJETRI dhe kundër tjetrit, apo  kokëulur dhe shërbëtorë të përvuajtur, jo të kauzës amë, shumë atdhemohues në emër “dinjitetit kombëtar” janë bashkuar me qoftëlargun të vetëquajturit “baballarë të kombit”,  herë- herë  shfaqen viktima të vetëpërjashtimit. Këtë hipokrizi, poeti e shpalos hapur edhe ndaj të ashtquajturve pseudopoetë atdhetarë, tek “Gjarprinjtë” që digjen nga  forca rrënuese e dashurisë për kombin, nëpërmjet metaforës tonike të gjarptit që të “kafshon fshehurazi”.

Gjarpërinjtë e gjakut

me (pa)thimthë zvarriten rërës

“e mira more” qëndisë yjet e verdha

Në tymnajë mjegulle ka prerës,

...ka edhe piratë shpirtnxirë,

për kobin e Lirisë së lirë.

Në këtë cikël poetik parakalojnë në autostradën  poetike  koha, njerëzit, rrethanat, momentet, historia që ngrihen në fluturim me horizonte të hapura sërisht kthehen në folenë e vjetër, për të mëkuar jetën me qumështin e pemës së frymëzimit.

Ngërthehen imazhe individuale dhe kolektive, ndjesi fluide dhe inkandeshenca poetike kthehet ne procedime të ngrohta të fytyrës të Atdheut, të dyzuar përtej dhimbjes intektuale dhe qyetare të poetit kur pyet: “Kush ma prek Shqipërinë”  se është plaga shekullore e “vetmisë së madhe” të kombit të gjymtë që lëpin gjakun e valë nga shpata e pabesisë historike, ka prekur identitentin shqiptar.

 Kush më prek shqipërinë.

më vret djepin,

dhe Flamurin,

më fyen Besën dhe betimin,

më shemb burrin,

 vetë kjo poezi si një himn kombëtar, e ndërtuar me stofa katërshe pa një metrikë të rregullt, e bën poetin jo vetëm persiatës por mesazher të kombit, një Poet-Ante, për Komb-Atdhe. Ajo  risjell  ironinë dhe sarkazmën, ndaj pseudove (ka aq shumë puthadorë dhe pseudo që “qajnë hallin e atdheut” që dalin me flamurin e mashtrimit se u dhemb shumë Adheu, Kosova dhe Shqipëria, saqë duan ta çlirojnë nga VETJA e TYRE, por jo me kontribute të drejtpërdrejtë por me analogji), në poezitë “Pleshti”, “Utopi”, “Loja e vdekjes”. Në përjetimin emocional dhe shpirtëzimin e shpirtit të shqiptarit në  vargjet:

Atmëmë...

po vdes në kepin e shpresën anonim,

veç me tatuazhin “kuq e zi”,-shpend i lirë ...

medet, o medet

i huaj (thanë) linda

i huaj (thonë) do vdes!...

Atmëmë,

tek pragu zt do rri unë,

vdekja le të presë nga poezia “Kënga e (mos)kthimit”.

Por kokëdhembja, zemërndezura, plagëshpirti për kryetarin e Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, organizatorin e shumë  mbrëmjeve poetiko-letrare-artistiske, mbajnë vulën e tij në Koblezin Gjerman, që e ka kthyer në një kryeqytet metropol të artit e kulturës shqiptare, në mes të europës. Aty e gjejmë Shqipërinë natyrale. Në poezinë “Kosova ime”, poeti Qyqalla, qetëson “shpirtin” e trazuar nga dhimbja shekullore për gjysmëkombin fatkeq KOSOVËN.

Tunden rrathët e purgatorit

mekur

ti gjysmëgjallë e unë gjysmëvdekur!

Kosova ime

...apo

durimi ynë – një shekull

Jo vetëm vargëzimi nga dyvargor, trevargor në rimën klasike AB-AB deri në zbritje dhe ngjitje, thyerje në vargje të lira horizontalisht dhe vertikalisht me prerje diakronike dhe sinkronike në shtirje dhe thurje të rimës së mbyllur AA-BB. Jo vetëm metafora e mallit, atdheut, vetmia, por edhe epitete si loti, kroi, deti, Shqipëria, apo motivet e lirikës popullore sendërtojnë stilististikën gjithëpërfshirëse jo “vajtimtare” por një lirikë të ëmbël me shenjues gjuhësorë kuptimplotë, që të joshin dhe janë udhëtarë të këndshëm të lexuesit të poezisë së poetit Hasan Qyqalla.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat