Dhimbje e dhimbshme

Kultura

Dhimbje e dhimbshme

Nga: Ilir Hajdari Më: 10 maj 2018 Në ora: 23:59
Ilir Hajdari

“Këto vargje të poetit Ilir Hajdari i kapërcejnë kufizimet e ngushta të një letërsie me mendim provincial dhe hynë në letërsinë e mendimit filozofik, në mendimin filozofik botëror. Ky qëndrim mendor e moral i pjekur dhe aktiv e bënë këtë poezi edukatore të vërtetë morale-estetike të kombit”, ka thwnw kritiku Bajram Xh. Dukaj.

Kritikë për vargjet e poetit

Shumë nga shkrimet e Ilir Hajdarit, qofshin analiza, intervista dhe poezi, i kam lexuar me shumë vëmendje, në të cilat, ky autor, vërtetë ka një stil të vetin, krejt origjinal, stil me të cilin i shtjellon temat e përditshmërisë sonë me humor, sarkazëm, satirë dhe shpoti (jo e pazakontë për ata që i njohin mirë gjakovarët), rrethanat dhe realitetin në të cilin është kredhur kombi, anembanë. Diçka të ngjashme, për nga stilit i të shkruarit të Ilir Hajdarit, më kujtojnë shkrimet e Nonda Bulkës "Thumba pa helm", ato të Agim Ibranit në "Quo vadis djalosh" dhe "Shtatë persona ndjekin autorin", të Ramiz Kelmendit.

Këto vargje të poetit Ilir Hajdari i kapërcejnë kufizimet e ngushta të një letërsie me mendim provincial dhe hynë në letërsinë e mendimit filozofik, në mendimin filozofik botëror. Ky qëndrim mendor e moral i pjekur dhe aktiv e bënë këtë poezi edukatore të vërtetë morale-estetike të kombit.

Gjatë leximit, rrëqethemi nga ndjenja e veneracionit para sekretit të artit të madh dhe misterit të fjalës poetike, pra asaj që është e njëhertë dhe e papërseritshme. Bajram Xh. Dukaj, kritik letrar

Shënime për autorin

Ilir Hajdari u lind në fshatin Bec (Gjakovë) në vitin 1977. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Gjakovë, ndërsa studimet për letërsi i ka nisur në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë, të cilat për shkak të rrethanave të luftës u detyrua t’i ndërpres, për t’i kryer pas lufte në Fakultetin e Edukimit në Gjakovë.

Qysh në rininë e hershme është marr me poezi, ku edhe është shpërblyer disa herë.

Në vitin 1997, nga ORSH (Organizata e Rinisë Shkollore) është zgjedhur kryeredaktor i revistës së rinisë “Bota jonë”, në krye të së cilës qëndroi deri në vitin 1998.

Gjatë luftës ka qëndruar në Tiranë ku ka bashkëpunuar me gazetën “Zëri i Kosovës”.

Pas luftës, në Teatrin Amator “Emin Duraku” të Gjakovës ka bërë disa regji, ndërsa në Teatrin Profesionist ka interpretuar herë pas here.

Ka bashkëpunuar me Agjencinë e Lajmeve “Kosovapress”, me të përditshmen “Epoka e re”, “Gazeta e re”, “Nacional”, “Fokusi” dhe “Infopress”. Për një kohë ishte kryeredaktor i revistës për të rinj “Ideja”.

Në Vitin 2008 Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës ia boton përmbledhjen me poezi “Elegji për lotin” nën përkujdesjen redaktoriale të Kadrush Radogoshit.

Ilir Hajdari jeton dhe vepron në Gjakovë.

DHIMBJE E DHIMBSHME

Po ikin

Në këtë ikje

Dhimbja bëhet

Më e dhimbshme

 

Pritjes po i vdes

Edhe shpresa e fundit

Për diçka njerëzore

Që s'u tha asnjëherë

E vërteta Po mbulohet

Me dheun e atdheut

E dhimbja po bëhet tragjedi

Kur gojën s'e hapën

Para s'e t'i mbyllnin sytë.

 

PO GËZOHEN VARRET

(Ali Podrimjes)

 

Mbi urën e Fshejt

Ka rënë terri në mes të ditës

Majën e Talianit

Po e ngushëllon qyqja

Krena ndali rrjedhën

Për t’i lënë udhë lotëve

Në gjysëm shtizë

Kanë zbritë Hëna dhe Dielli

Deri matanë Erenikut

Po dënesë elegjia

Sot vetëm varret

Po i gëzohen pikëllimit.

DHEMBJE E MIRË

Nëse ti do të largohesh
Edhe urat do të rrënohen

Themelet 
Nuk do ta mbajnë pikëllimin
E guri ku e kam varrosur zemrën
Do të thyhet

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat