Rrëfime tronditëse të Musli Mulosmanajt në librin "Binak Alia dhe brezat pas tij"

Kultura

Rrëfime tronditëse të Musli Mulosmanajt në librin "Binak Alia dhe brezat pas tij"

Nga: Muhamet Mjeku Më: 6 maj 2018 Në ora: 15:57
Libri "Binak Alia dhe brezat pas tij"

Musli Mulosmanajn për herë të parë e takova në lokalet e redaksisë së gazetës "Illyria" në Bronx, NY në vitin 1991. Ai vinte tek ne me botuesin e gazetës Harry Bajraktari të merrte ndonjë numër të saj dhe kur lagohej na thoshte" Ju lumtë mendja". E takoja edhe në ndeja dhe tubime të ndryshme të komunitetit shqiptar.

Një përshëndetje, e jo më shumë. Një ditë po sa hyri në lokalet e redaksisë, kolegu im Sulejman Gashi më tha: "A e di kush është ky burrë"?. Jo i thashë, vetëm e di se është nga një fshat i Malësisë së Gjakovës. "Ky është i familjes së Binak Alisë", ma kthei ai. Aty, m' u kujtuan fjalët e babait tim "Kështu, këtë drejtësi, mund ta ndante vetëm Binak Alia". 

Në takimet e rralla me të, në një rast ai më pyeti: "Pse disa njerëz e fyejnë aq shumë Mbretin e Shqiptarëve, Ahmet Zogun"?, ndërsa iu përgjigja, "Musli mos merr mërzi për këtë çështje se ndër ne s' mbeti kush pa u njollosur". 
Në vitin 2007 Harry Bajraktari më thirri në zyrën e tij. Shfaqi dy projekte për t' u realizuar: një monografi për familjen e tij dhe një tjetër për familjen Mulosmanaj të Binak Alisë. Më sygjeroi të bisedoja me Musliun.

Pas pak ditësh e thirra për një kafe në "Arthur Avenue", në Bronx. Ia hapa çështjen e Harry-t, por nga ai mora një përgjigje interesante: " Ata që është dashur të bëjnë diçka për Binak Alinë dhe familjen tonë, Hyseni dhe Abedini, s' kanë bërë asgjë. E, çka mund të bëj unë përballë mundësive që kanë pasur ata, se të dytë ishin të shkolluar dhe merreshin me shkrime". Nuk insistova ta bindja për të kundërtën. Kaluan vite dhe një ditë po e takoja në "Arthur Avenue", siç i themi ne "Albania e Vogël". Ai kishte një përshëndetje të ngrohtë dhe shumë të afërt. Më tha se ke shkruar një libër të mirë për familjen Bajraktari, e unë atëherë pata gabur që nuk ia filluam asaj për Binak Alinë dhe familjen tonë. Ia përkujtova se nuk ishte vonë as sot. "Jo nuk mund t' i them më Bajraktarit, pasi më pat ofruar para disa vitësh". Këto fjalë në mënyrë të terthort i ranë në vesh, z. Harry dhe kështu në pjesën e fundit të muajt shtator të vitit 2015 më njohtoj se duhet t' ia plotësonim dëshirën Musli Mulosmanajt për shkrimin e një monografie për Binak Ailinë dhe familjen e tij.

Rashë në kontakt me Musliun dhe ishte shumë i lumtur që po fillonim projektin të cilin ai e kishte ëndërr. 
Gjatë punës njëvjeçare me të, pata rast ta njohë mirë këtë burrë të Malësisë së Gjakovës. Ai ishte një fisnik i rralë, intelegjent nga natyra, shumë parimor dhe një njëri që të vërtetën e vlerësonte mbi të gjitha, bashkë me atdhedashurinë dhe Mbretërinë Shqiptare. Musli Mulosmanaj ishte në gjendje t' i përkujtonte detajet e ngjarjeve që kishin ndodhur para tetë dekadash. Gjatë rrëfimit toronditës për ekzekutimet dhe torturat që ia kishte bërë familjes së tij, diktatori Enver Hoxha, shpeshherë i dilnin lotë dhe një çehre e zbetë ia mbulonte fytyrën.  

 Me Musliun tash u bëmë shokë të mirë. Kishte një buzëqeshje të ëmbël dhe një përshëndetje të veçantë. Ai ishte rrëfimtar i jashtëzakonshëm për ato ngjarje tronditëse që vetë i kishte përjetuar dhe për ato të tjerat që i kishte dëgjuar nga të parët e tij. 

 Në pranverën e vitit 2016, kur na kishte mbetur edhe pak punë për ta përfunduar librin,  si në shka, i thashë: "Musli tash edhe nëse të dytë do të vdesim, libri do të dalë në dritë". "Jo, ishalla kjo nuk ndodh", më tha buzëgaz. 

Kishte dëshirë që libri, "Binak Alia dhe brezat pas tij" të promovohej në Bajram Curr, afër vendlindjes së tij. Bashkë me Harry Bajraktarin, nga New Yorku, patën udhëtuar në këtë pjesë të Shqipërisë. Pas promovimit, nën përkujdesin e kryetarit të Bashkisë së Tropojës, Besnik Dushajt, ishte ndierë tepër i lumtur.

Në këtë kohë ndodhesha në Prishtinë dhe për shkak të një ftohje të thellë me ethe e temperaturë, nuk munda të mirrja pjesë. Më thirri në telefon dhe shprehu keqardhje për gjendjen time shëndetësore. Ia përsërita frazën që ia kisha thënë krejt në përfundim të monografisë, se" nëse dytë, ose njëri prej nesh, nuk do të jemi në këtë botë, libri tash do të dalë në dritë".

"Jo, mos bën shaka", më tha.

Pas shërimit tim, e takova në dhjetor, 2016 në Bronx. Ishte shumë i kënaqur me vlerësimin e monografisë rreth 400 faqesh " Binak Alia dhe brezat pas tij" dhe më përkujtoj se kjo kishte qenë e fundmja dëshirë e tij, edhe nëse do të vdiste. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat