Aktorët paralajmërojnë rifillim të grevës e bllokim total të TKK-së

Kultura

Aktorët paralajmërojnë rifillim të grevës e bllokim total të TKK-së

Më: 30 prill 2018 Në ora: 12:22

Aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës kanë paralajmëruar se prej ditës së parë të majit do t’i rikthehen grevës dhe do të bëjnë bllokim total të këtij institucioni. Kërkesa e tyre vazhdon të jetë e njëjtë: rritja e pagave.

Në tetor të vitit të kaluar u kishin dhënë dhjetë ditë afat ministrit të Kulturës e Qeverisë së Kosovës që t’i plotësonin kërkesat e tyre. Pas një marrëveshjeje me Kujtim Gashin, ministrin e Kulturës, ata e kishin pezulluar grevën.

Marrëveshja verbale midis MKRS-së dhe aktorëve është shkelur, pasi që u ishte premtuar qysh në shkurt se do t’i merrnin pagat me rritje. Krejt kjo çështje është bllokuar për shkak të Rregullores për gradimin dhe pagat e krijuesve e të performuesve të kulturës dhe punonjësve të trashëgimisë kulturore, e cila ende nuk është finalizuar.

Aktori Shkelzen Veseli, pjesëtar i Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka thënë se nga takimi i fundit që kanë pasur me zyrtarë të MKRS-së e kanë kuptuar se nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim.

Prandaj të martën, më datën 1 të muajit maj, pritet që aktorët të bllokojnë totalisht punën në TKK. Rifillimi i grevës së tyre përkon edhe me Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, kur edhe është organizuar një protestë nga shoqëria civile.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat