“100 vjet nga lindja e Ibrahim Kodrës”, Kosova e Maqedonia me ekspozitë të përbashkët

Kultura

“100 vjet nga lindja e Ibrahim Kodrës”, Kosova e Maqedonia me ekspozitë të përbashkët

Më: 26 prill 2018 Në ora: 15:46
Ibrahim Kodra

Galeria Kombëtare e Maqedonisë prezanton ekspozitën “100 vjet nga lindja e Ibrahim Kodrës”, e cila do të realizohet në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Kosovës.Kjo ekspozitë vjen më 12 maj me fillim nga ora 20:00 në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë.

Ibrahim Kodra (22.04.1918, Ishëm, Shqipëri – 07.02.2006, Milano, Itali), artisti shqiptar i njohur botërisht shkon nga Shqipëria në Milano dhe në Romë, Itali, ku zhvillon krijimtarinë e tij në Akademinë botërore të artit figurativ Brera. Atje krijon, shoqërohet dhe ekspozon me emrat më të njohur të artit botëror të asaj kohe, si: Pablo Pikaso, Anri Matis, Amadeo Modiljani, Zhorzh Ruo, Zhorzh Brak, Huan Miro, Oskar Kokoshka dhe të tjerë, ndërsa në Milano ka përpunuar disa freska për muzetë dhe ndërtesat më të njohura.

Kodra vazhdoi të ekspozonte në shumë qendra nëpër botë (Nju Jork, Tokio, Palermo, Shtutgard, etj), duke arritur një sukses të madh. Veprat e tija artistike, të krijuara me ndikime post-kubiste, janë pasuruar me reminishenca të traditës së vendlindjes së tij, Lindjes së afërt, Bizantit, takimet me kulturat e detit Mesdhe. Veprat e tij artistike gjenden në shumë muze dhe përmbledhje private, siç është Muzeu i Vatikanit.

Kjo paraqitje e krijimtarisë të këtij artist shqiptar me renome, i cili ka ekspozuar dhe bashkëpunuar me më shumë emra botërorë që kanë shënuar rrjedhën e artit modern dhe bashkëkohor në Evropë dhe në botë, do të përfshijë vepra nga periudha të ndryshme të krijimtarisë së Ibrahim Kodrës. Në ekspozitë do të shfaqen vepra nga koleksioni i Galerisë kombëtare të Kosovës dhe Fondacionit “Ibrahim Kodra” nga Milano.

Ekspozita do të hapet më 12 maj 2018, në ora 20:00, në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë, në objektin Çifte Hamam dhe do të qëndrojë e hapur deri më 12 qershor 2018.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat