Pas tri dekadave, Kino Armata ndezi ekranin dhe mbushi karriget

Kultura

Pas tri dekadave, Kino Armata ndezi ekranin dhe mbushi karriget

Më: 26 prill 2018 Në ora: 15:19

Ka shumë njerëz që kujtojnë filmat të tillë si filmat me Bruce Lee, Bud Spencer, Terence Hill dhe aktorë të tjerë të tillë, të cilët janë shfaqur në kinemanë e cila gjendet në Shtëpinë e Armatës, afër Hotel Grandit, në Prishtinë. Mirëpo kjo kinema e cila është mbyllur 30 vite më parë ka hapur përsëri dyert e saj për publikun.

E ndërtua pas Luftës së Dytë Botërore, ndërtesa ku qëndron Kino Armata ishte caktua për Ushtrinë Popullore Jugosllave, e cila më vonë themeloi kinemanë brenda kompleksit dhe e hapi për publikun për shfaqje dhe ngjarje.

Mirëpo kinemaja u mbyll mes viteve 1988 dhe 1999 për shkak të situatës politike dhe sociale në vend, e cila u përkeqësua shpejt pas revokimit të autonomisë së Kosovës në vitin 1989 dhe veçanërisht kur filluan luftërat jugosllave të viteve 1990. E historia që e përcolli këtë kinema është mjaftë interesantë.

Ndërtesa ka të gdhendur në historinë e saj edhe historinë e Kosovës. Kështu vlen të theksohet se interieri brenda saj është i kohës së socializmit, ndërsa në anën tjetër karriget, të cilat janë vendosur pas luftës janë prej kohës së UNMIK-ut.

Për menaxhuesin e Kino ARMATA, Alush Gashi, ruajtje e këtyre elementeve ka një rëndësi të veçantë.

“Ruajtja e trashëgimisë çfarëdo që ka qenë mundëson që na të rikujtojmë ato që na kanë ndodhur përpara por edhe ruajtjen e memories kolektive të cilën e kemi pasur e që sipas meje na ka bërë kjo që jemi. Prandaj të gjithë ato që kemi kaluar është mirë që të ruhen, të studiohen dhe të diskutohet për to”, theksoi ai për KultPlus, duke treguar se gjendja e kinemasë tani është në rregull mirëpo janë edhe disa aspekte teknike të cilat duhet të realizohen duke përfshirë edhe blerjen e një projektori të ri.

“Ajo që po mundohemi të bëjmë është tërheqja e publikut pasi që pas 30-të viteve kjo kinema po hapet përsëri. Kemi si synim që të sjellim program artistik sa më kualitativ, filmik, muzikorë por është edhe një skenë në kinema e cila mund të shfrytëzohet edhe për teatër dhe balet. Jemi duke e krijuar një këshill iniciues me njerëz të profesioneve të ndryshme në mënyrë që të sjellim ide dhe mundësi të ndryshme për shfrytëzimin e kësaj hapësire”, tha ai duke shtuar se në kuadër të kësaj kinemaje do të punohet shumë edhe me fëmijë.

Pas luftës në Kosovë në vitin 1999, kjo ndërtesë u mor nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, deri në shpalljen e pavarësisë së vendit në vitin 2008, kur u bë selia e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX.

Në momenti që EULEX ua dorëzoi këtë ndërtesë institucioneve të Kosovës kjo kinema është liruar që të shfrytëzohet. Mirëpo për shkak se dorëzimi i është bërë ministrisë së Administratës Publike e cila nuk ka pasur institucione kulturore, komuna ka shpreh interesimin për rifunksionalizimin e saj. Drejtori i Kulturës në Prishtinë, Yll Rugova tha për KultPlus se tashmë kinemaja ju është rikthyer qytetarëve.

“Ideja është që ta ruajmë historinë, por edhe ndërtesën ta ndryshojmë sa më pak. Të njëjtën gjë e kemi bërë edhe më emrin. Për shkak se armata është e Jugosllavisë dhe kjo armatë nuk ngjallë kujtime të mira, ne kemi menduar që ta ruajmë emrin mirëpo të tregojmë që tani nuk po flasim për një armatë ushtarake por për një armatë kulturore”, tregoi ai duke theksuar se komuna e Prishtinës është duke shikuar edhe projekte të tjera për rifunksionalizim edhe të disa ndërtesave të tjera brenda Prishtinës të cilat do të shërbejnë në fushën e kulturës.

Hapja e kinemasë është shënuar me shfaqjen e filmit Kabineti i Dr. Caligari (gjermanisht: DasCabinetdes Dr. Caligari) nga regjisori Robert Wiene, dhe me performancen e kolektivit artistik TETRIS, të cilët ekzekutuan livesoundtrack mbi imazhet filmike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat