“Pena e Re” ndan çmimet për vitin 2017: Fituesit dhe emocionet e një mbrëmjeje të paharruar

Kultura

“Pena e Re” ndan çmimet për vitin 2017: Fituesit dhe emocionet e një mbrëmjeje të paharruar

Më: 25 prill 2018 Në ora: 11:28

“Erdh’ koha të dehemi me letërsi!” Ndoshta, kështu do të kishte thënë Bodler, nëse do të ishte i ftuar nderi në mbrëmjen e organizuar nga klubi letrar “Pena e Re”, më 23 prill 2018, në Ditën Botërore të Librit. Ngjarja më e rëndësishme letrare e Penës finalizoi një vit të frytshëm krijimtarie, pune dhe përkushtimi të klubit letrar. Për rreth dy orë rresht, te “Reja” pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, në Tiranë, u zhvillua Mbrëmja e Çmimeve “Pena e Re 2017”, e cila kulminoi me ndarjen e çmimeve në tre kategori konkurimi: poezi, prozë dhe ese, si dhe me shpalljen e çmimit të madh “Pena e Re 2017”.

Përpara çeljes së mbrëmjes, u shpërnda dhe u promovua antologjia “Frymë në vargje”, me 67 krijime nga 60 autorë të rinj shqiptarë, nga mosha 16 deri në 26 vjeç. Nga këto, 35 ishin krijime fituese në konkurset e përmuajshme të Penës, nga janari në dhjetor 2017 dhe 35 të tjerat, të përzgjedhura si krijimet më të mira nga juria.

Marjana Breçani, drejtore e klubit dhe koordinatorët: Besart Tafaj, Lediona Braho, Liridon Mulaj dhe Ivana Hoxha ishin “të zotët e shtëpisë” së kësaj mbrëmjeje të rëndësishme për historinë e Penës, që nga themelimi i saj, në dhjetor 2014. Ata mikpritën të ftuarit, personalitetet e artit dhe letërsisë shqipe, që nderuan me praninë dhe fjalën e tyre përshëndetëse: Agim Baçi, kritik letrar; poetja dhe autorja Dr. Erenestina Gjergji Halili; poetja Mimoza Ahmeti; poetja dhe redaktorja, Rudina Çupi; aktori dhe regjisori Naun Shundi; gazetarja Raimonda Dervishi, si dhe përfaqësues të shtëpive botuese më në zë në tregun shqiptar.

I ftuar special ishte edhe stafi i emisionit radiofonik “Scriptum n Sonus”, që ka promovuar disa nga krijuesit e Penës: Altin Sulaj, autor emisioni, Xhoana Sulaj, regjisore dhe Elsa Hajdari, interpretuese.Sipari i mbrëmjes u hap me poezinë “Berlin” të autores Flogerta Krypi, themeluese e klubit letrar “Pena e Re”, e cila prej muajsh mijëra kilometra larg, në Gjermani, ishte e pranishme shpirtërisht gjatë gjithë mbrëmjes, përmes energjisë së saj të pashterur. Nën moderimin e këndshëm të Ivana Hoxhës, pjesë e stafit të Penës prej disa muajsh, mbrëmja vijoi me fjalën përshëndetëse të Marjana Breçanit, drejtore e klubit, e cila paraqiti shkurt historikun e Penës dhe falënderoi bashkëpunëtorët: Qendrën Rinore të Tiranës, qendrën “Reja” dhe shtëpitë botuese që mbështetën aktivitetin me libra dhuratë.

Lediona Braho, autore dhe koordinatore e Penës paraqiti rrugëtimin e saj brenda klubit, që kulminoi me vlerësimin me çmimin “Pena e Re 2016” dhe korrektimin letrar të antologjisë “Frymë n’ vargje”. Koordinatori më “i vjetër” i Penës, Besart Tafaj e vuri theksin tek zbulimi dhe mbështetja e talenteve të reja, nga themelimi i Penës deri më sot. Liridon Mulaj, autor dhe koordinatori më i ri i Penës, e cilësoi klubin si “strehë shpirtrash të trazuar” dhe “një portë të vogël” që hapet për të gjithë të rinjtë që mundohen e përpiqen të depërtojnë në botën e vështirë, por gjithmonë të bukur të letërsisë”. Programi ishte një ndërthurje mes videopoezive të autorëve të rinj (Lediona Braho, Lirion Mulaj dhe Adrian Zalla) dhe të afirmuar (Mimoza Ahmeti dhe Erenestina Gjergji Halili), me fjalët përshëndetëse dhe komunikimin e çmimeve.

Çasti më emocionues i Mbrëmjes ishte ndarja e çmimeve. Çmimi i parë në Ese u dha nga kritiku Agim Baçi dhe shkoi për Adrian Zallën, për krijimin “A mund të jesh Lysien në këtë vend?” Ndërsa çmimi i parë në Poezi u dha nga poetja Mimoza Ahmeti për Edona Haklaj, për krijimin e saj “Zotni, m’thuej”.

Çmimi i parë në Prozë u dha nga stafi i emisionit “Scriptum n Sonus” dhe shkoi për Eraldo Breshanin, fitues me dy proza “Treni” dhe “Llustra e këpucëve të grisura” gjatë vitit 2017.

Emocioni i Mbrëmjes u bë edhe më i fortë kur Ivana shpalli të nominuarit për Çmimin “Pena e Re 2017”: Franc Bregu dhe Renaldo Salianji. Mes tingujve të muzikës së lehtë në sfond dhe pas fjalës përshëndetëse të Dr. Erenestina Gjergji Halilit, të ftuarit duartrokitën “Penën e Re” për vitin 2017, Renaldo Salianjin, fitues katër herë gjatë vitit paraardhës, me dy poezi “Të mjerët na për vedin” dhe “Pa titull”, si dhe dy proza “Militanti” dhe “O çuna, o çuna! Erdhi akullorja!”.

Fituesve iu dha nga një certifikatë dhe disa libra dhuratë: 10 libra për Çmimin “Pena e Re 2017” dhe nga 5 libra për tre fituesit e kategorive. Këtë vit, Penës iu dhuruan enkas për këtë aktivitet, rreth 40 libra nga disa shtëpi botuese të njohura në tregun shqiptar. Titujt e zgjedhur u përkisnin shtëpive botuese: “Pegi”, “Dudaj”, “Argeta”, “Botart”, “Dituria” dhe “Princi”, për të cilët Pena është thellësisht falënderuese dhe për të cilat përgatiti certifikata mirënjohjeje. Kandidatit për çmimin e madh, Franc Bregu, iu dhuruan katër libra dhuratë, ndërsa të nominuarve të tjerë, nga dy libra. Të nominuarit për Prozën ishin: Ergi Bregasi, Helga Sulillari dhe Bjorn Kamberi; për Poezinë: Xhesika Gjeçi dhe Angjela Marku dhe për Esenë, Erti Poka. Për të shprehur falenderimin për promovimin e autorëve të rinj në emisionin e tyre, Pena i dha një certifikatë mirënjohjeje edhe emisionit “Scriptum n Sonus”.

Pas dhënies së çmimeve, mbajti fjalën e tij përshëndetëse aktori dhe regjisori Naun Shundi, i cili e vlerësoi lart punën e klubit, duke veçuar risinë e këtij organizimi, talentin e autorëve të rinj shqiptarë dhe nevojën për ta promovuar punën e klubit në media. Manjola Markola, autore dhe fituese e çmimit “Pena e Re 2015” përshëndeti të ftuarit, duke uruar fituesit dhe stafin e Penës, ku ajo ka punuar vullnetarisht për disa muaj. “Qershia mbi tortë” e mbrëmjes ishte përshëndetja e Flogertës, e cila përcolli një mesazh të fuqishëm për stafin, konkurrentët, mbështetësit dhe dashamirësit e Penës, përgjatë gjithë rrugëtimit të saj.

Këto ishin momentet kryesore të programit të Mbrëmjes “Pena e Re 2017”, ngjarja më e rëndësishme e klubit letrar “Pena e Re”, e cila do të vazhdojë rrugëtimin e saj pa u ndaluar pavarësisht sfidave, për të mbështetur dhe promovuar pa kushte autorët e rinj shqiptarë dhe dashurinë për letërsinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat