Në fund të vitit fillon faturimi për shfrytëzimin e veprave artistike

Kultura

Në fund të vitit fillon faturimi për shfrytëzimin e veprave artistike

Më: 24 prill 2018 Në ora: 16:02
Pamje nga konferenca

Në fund të këtij viti do të fillojë faturimi i parë për shfrytëzim të veprave artistike, ndërsa viti 2019 do të jetë viti i parë ku gradualisht do të fillojë të rimbursohen njerëzit që përfitojnë prej të drejtës së autorit, po ashtu edhe prej të drejtës së përafërt për producentët dhe interpretët.

Kështu ka bërë të ditur Florent Boshnjaku, kryetar i Shoqatës për Menaxhimin Kolektiv të të Drejtave APIK, gjatë një diskutimit në vazhdën e aktiviteteve për Ditën Ndërkombëtare të Librit të organizuar nga Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së.

Boshnjaku ka folur lidhur me negociatat për nënshkrimin e marrëveshjes mes shoqatës dhe mediave lidhur me tarifat e përgjithshme për përdorimin e krijimtarisë muzikore si subjekt i mbrojtur me të drejtat e autorit.

Për të cilin ato negociata nuk kanë qenë fare të lehta, ku tha se ka pasur raste edhe të kërcënimit

Boshnjaku: humbje e madhe edhe morale kur e sheh që puna jote askush nuk të pyet

“Është humbje tepër e madhe, jo vetëm financiare. Financiare pa diskutim që është tepër e madhe, por në anën tjetër është humbje e madhe edhe morale kur e sheh që puna jote askush nuk të pyet ose nuk të pyet, së paku një telefon, një marrëveshje me thënë ajo është për ty, është keqpërdor, është marrë, merret edhe sot përdoret. Plus të kërcënojnë çka t’i je duke kërkuar, për çka je tu fol. Do të thotë, sepse unë ty jam duke të bërë të famshëm. Do të thotë ide është që dikush ty të bënë të famshëm, nuk funksionon është interes i përbashkët i secilit edhe i mediumit edhe i artistit, i shfrytëzuesit edhe i publikut në fund të fundit”, tha Boshnjaku.

Po ashtu, Boshnjaku u shpreh se e drejta e autorit është si një lloj pensioni për autorin e një vepre.

Ndërsa, Valon Kashtanjeva, drejtori i Zyrës për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, tha se përcaktimi i tarifës është një proces shumë i vështirë.

Ndërsa, potencoi se mediat nuk kanë qenë të gatshme të bëhen pjesë e marrëveshjes për përdorimin e krijimtarisë muzikore si subjekt i mbrojtur me të drejtat e autorit

Kashtanjeva: Në fushën e mediave nuk kanë dashur që të ketë marrëveshje

“Në fushën e mediave nuk kanë dashur që të ketë marrëveshje për arsye të caktuara. Por, edhe ne ju kemi bërë me dije që e drejta e autorit, kompensimi për të drejtën e autorit është një e drejt ligjore e njohur edhe me kushtetutën e vendit tonë. Do të thotë është një e drejt e pakontestueshme, një e drejt ekskluzive që ju takon autorëve edhe mbajtësve të tjerë të të drejtave të përafërta. Është një marrëveshje historike pasi që për herë të parë në Kosovën e pavarur është nënshkruar një marrëveshje për menaxhimin kolektiv të të drejtave të autorit dhe në bazë të kësaj marrëveshje duhet të dalin apo duhet që Shoqata për Menaxhim Kolektiv natyrisht i mbetet ta zbatoj këtë marrëveshje me shfrytëzuesit e muzikës në këtë rast me mediat”, tha Kashtanjeva.

Ai tha se arsyeja kryesore pse duhet të mbrohen të drejtat e autorit është për shkak se mbrohet kultura, krijimtaria dhe përmes të drejtave pronësore intelektuale mund të zhvillohet vendi.

Në anën tjetër edhe drejtori i zyrës ligjore në KPM, Nimon Racaj ka deklaruar se për institucionin pjesë e të cilit është një prej sfidave kryesore është e drejta e autorit.

Racaj: E drejta e autorit që nga themelimi jonë ka qenë prej sfidave kryesore

“E drejta e autorit që nga themelimi jonë si institucion ka qenë prej sfidave kryesore në rregullim. Ne e dimë që duke e ditur sanksionimin e kësaj të drejte me norma kushtetuese dhe ligjore i bie që është një prej të drejtave elementare të njeriut, nuk ka mundësi kjo të trajtohet, mos të themi ndryshe ndoshta kjo mund të hyj tek të drejtat që janë themelore, e drejta e jetës, e drejta e organizimit, të gjitha të drejtat tjera. Për arsye se njerëzit punojnë për të krijuar, për tu mbrojtur dhe nëse kjo nuk ofrohet kjo mbrojtje me ligj i bie që nuk ka motiv, nuk ka vullnet për tu marrë me krijimtari”, tha ai.

Kujtojmë se pas një periudhe pesëvjeçare të negociatave, muaj më parë është nënshkruar  marrëveshja mes Shoqatës për Menaxhimin Kolektiv të të Drejtave APIK dhe Mediave lidhur me tarifat e përgjithshme që do zbatohen për mediat, gjegjësisht televizionet dhe radiot, për përdorimin e krijimtarisë muzikore si subjekt i mbrojtur me të drejta të autorit.

I tërë procesi është menaxhuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm sa i përket mbrojtjes së kreativitetit dhe kompensimit të autorëve në industrinë muzikore për krijimtarinë e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat