Dita Botërore e Librit, intelektualët: Shqiptarët nuk po lexojnë më!

Kultura

Dita Botërore e Librit, intelektualët: Shqiptarët nuk po lexojnë më!

Nga: Albert Zholi Më: 24 prill 2018 Në ora: 14:10
Albert Zholi

FORUM/ Njerëzit e letrave apelojnë për t’iu rikthyer librit dhe dëshirës për të lexuar. Flasin intelektualët: Përparim Kabo, Luan Rama, Vllasova Musta, Angjelina Xhara, Enrieta Sina, Përparim Hysi, Namik Selmani...

Dita Botërore e Librit, 23 Prilli, është përkujtuar dje edhe në Shqipëri. Tashmë nën “presionin” e fortë të një kohe kur zhvillimi i hovshëm i teknologjisë ka bërë që lexueshmëria e librit të bjerë dukshëm. Megjithëse ai ende mbetet si një mundësi e pazëvendësueshme për lirinë e shprehjes dhe për shpërndarjen e informacionit. Por është fakt se sot ka shumë njerëz që nuk lexojnë një libër, madje që nuk kanë as edhe një të tillë në shtëpi... Cili është komenti dhe apeli që bëjnë intelektualët shqiptarë, të cilët e kanë patur jetën e tyre të lidhur me librin, në një realitet të tillë? Flasin për “Albanian Free Press”, profesori Përparim Kabo, shkrimtari Luan Rama, skenaristja dhe poetja Vllasova Musta, skenaristja tjetër Angjelina Xhara, shkrimtarja dhe poetja Enrieta Sina, shkrimtari dhe kritiku i artit Përparim Hysi, si edhe poeti dhe kritiku tjetër i artit, Namik Selmani...

PËRPARIM KABO, profesor:

Libri, pushteti më bujar që nuk sundon, por dhuron liri

“Në 23 prill 1616 vdiq në Madrid Servantesi, themeluesi i romanit modern, por me vdekjen e tij, lindi ky lloj arti që udhëtoi dhe pa maja me Balzakun, Hugoin, Tolstoin, Dosdojevskin... Po në 23 prill 1616, vdiq Shekspiri, ai që ndërtoi teatrin modern. Dhe po ky art vijoi me maja të tjera si Hugoi, Hibseni, Brehti, Çehovi. Ja pra, që dija shndërrohet në një materie lëvizëse dhe lënda që e materializon atë, është libri. Pa librin, njerëzimi do qe i mangët, ulok në trupin e vet dhe i mangët në mendjen e tij. Libri shoqëroi edhe shkencën e besimin fetar, mitologjinë dhe ëndërrimet. Libri është pushteti më bujar që nuk sundon, por që udhëheq, që nuk burgos, por dhuron liri, që nuk mbyt, por çliron energji. Dje, tek ecja rrugës, pashë një nënë me një fëmijë të vogël që kishte një libër në dorë dhe i thoshte të ëmës: “Ta lexojmë që në rrugë!”. Sa mirë u ndjeva kur i ledhatova flokët, por ai as e ndjeu, pasi ishte përfshirë në dëshirën që të lexonte librin. Të fal kënaqësi se ta zgjeron lirinë, ndërsa brenga të krijohet kur kupton sesa e paanë është liria, sesa libra ka dhe se ti je i pafuqishëm t’i lexosh të gjithë. Leximi është investimi më i vlerë që mund të bëjë njeriu. Shpesh shoh dikë në televizion apo e dëgjoj në radio, e shoh në një aulë ligjvënëse apo ligjzbatuese nga mënyra si flet dhe se çfarë thotë dhe kuptoj nëse ka apo nuk ka ndonjë lidhje a raport me librin. Ngritja e paditurisë, viktimizimi vetëm nga informacioni online, moslejimi i librave të kohëve të antikitetit të Rilindjes europiane, klasicizmit, romantizmit apo modernizmit tregon se shoqëria ka vendosur të mbyllë sytë e arsyes, të ecë pa menduar thellë, të veprojë pa peshuar thellë, të humbasë amanetet që vijnë si detyrime nga e shkuara dhe si përgjegjësi për të ardhmen. Gjeneratat e reja në shkolla kanë dhe nuk kanë të gjithë përgjegjësinë. Duhet që mësimdhënësit të shkojnë në klasë me libra. T’u rekomandojnë libra, të diskutojnë mbi ide autorësh. Nëse s’e bëjnë një gjë të tillë, kjo tregon varfërinë e mësuesve dhe pedagogëve. Ndoshta prindërit nuk janë i vetmi pol magnetik. Duhet kërkuar që jeta të kalojë nga libri, investimi të kalojë nga libri, meritokracia të kalojë nga libri,  karriera të kalojë nga libri, gëzimi dhe lumturia të kaloj nga dija. Nëse nuk ndërton një shoqëri me parime të tilla, atëherë mund të ankohesh sa të duash, mund të drejtosh gishtin majtas e djathtas, por nuk zgjidh dot gjë. Një shoqëri pa libra është e verbër dhe kjo lloj verbërie të rrëzon. Ndaj përtej 23 prillit, në të gjitha ditët e vitit dhe në të gjitha vitet e jetës, duhet të ushqehesh me lexim. Një ëndërr e bukur mund të duket, por nëse bëhet realitet, atëherë edhe ëndrrat do t’i shohim më të begata, ndërsa jeta do jetë një pasuri që na gëzon te gjithëve”.

LUAN RAMA, shkrimtar, Paris:

Libri, çdo çast libri... Kjo dashuri e madhe!

“Ç’mund të themi këtë ditë të librit, veçse për dashurinë e madhe që kemi për të? Dhe kjo nuk është një dashuri e re. E kujtoj me nostalgji nënën time në vitet ‘60 kur lexonte me etje romanet e Mopasanit, Floberit, Stendalit, letërsinë e përkthyer franceze, por dhe atë amerikane me Drajzer, Tuein, Martin Iden, etj. Atëherë, 7-8 vjeçar, kjo botë e librit më dukej e largët, librat për fëmijë u shfaqën më vonë dhe unë, ashtu fshehurazi, i merrja romanet e lexuara të mamasë dhe shkoja t’i shisja tek një tregtar i vogël çikërrimash në një kthinë të rrugës së Dibrës, i cili shiste libra, pulla, fotografi artistësh kinemaje të mbetura që nga koha e Italisë, zare, komça, etj. Dhe kështu (ajo e shkreta i kërkonte sërish), me ato pará unë shkoja menjëherë të blija pulla tek Posta, pasi tek unë kishte lindur pasioni i koleksionistit. Vetëm në kohën e dashurisë së parë (kohë platonike), unë fillova të lexoja romanet e para të dashurisë, “Një jetë”, etj. Më vonë, në kohën e universitetit, bota ime letrare ishte Lorka, Ricos, Eluar, Prevert e Aragon. Ishte pushteti i madh i poezisë. Një etje e pazakontë që formoi tek unë një sensibilitet letrar, duke kaluar vite të tëra në Bibliotekën Kombëtare. Por dija s’ka fund, çka ky udhëtim në botën e librit vazhdon edhe këtu në bibliotekat pariziane. Libri, çdo çast libri. Ishte libri që formoi tek unë një lloj sensibiliteti për të parë thellë njeriun dhe botën përreth, për të gjykuar mbi transformimet sociale e politike. Dhe ky investim ndaj librit ishte frutdhënës. Kjo histori vazhdon edhe sot në kohën e zhvillimeve të jashtëzakonshme të komunikimit, të teknologjive të reja, por libri mbetet libër, kemi dëshirë ta kemi pranë, të lexojmë dhe t’i kthehemi faqes sërish, ta kemi në kokën e krevatit. Kur po shkruaja librin “Dorëshkrimet e purpurta”, mbi kodikët e parë të njerëzimit apo e të Shqipërisë (“Beratinus” të shek. VI-IX) imagjinoja atë udhë të vështirë e pasionante të murgjve he kopistëve të scriptoria-ve mesjetare, duke ardhur tek koha e Gutenbergut e më tej, ku fjala e shkruar u bë kryesore në lëmin e komunikimit, të poezisë, filozofisë, traktateve politike, etj. Një histori e madhe që vazhdon gjer në botën e sotme moderne, ku njerëzimi transmeton në morinë e popujve dhe gjuhëve atë poetikë për ta parë botën më humane dhe njeriun më njerëzor...”.

VLLASOVA MUSTA, skenariste, poete:

Libri të pasuron, të ushqen, të jep jetë!

“Libri, është mrekullia e parë, që vë në lëvizje dhe shëtit gjithë botën. Ndër datat, që përkujton mbarë njerëzimi, 23 prilli është datë elitare, datë me dritë, datë që do ndrijë në të gjitha kohërat. Libri, është mrekullia e parë që vë në lëvizje dhe shëtit gjithë botën fëminore, është shkëndija e parë, që na ndriçon dhe i tillë mbetet gjithë jetën. Librin e parë ma ka dhuruar im atë dhe befas atë çast, unë fëmija ndjeva se u rrita! Në shtëpi kishim bibliotekë të pasur, por jo çdo libër mund ta merrja për ta lexuar, fillimisht m'i rekomandonin e më pas, nëpër vite, libri m'u bë shoku dhe miku më i mirë. E dua, e çmoj dhe e kam gjënë më të çmuar të jetës, bibliotekën time. Libri të pasuron, të ushqen, të jep jetë. Libri ka zë, ka frymë, ka forcë, ka dije, ka kulturë, mes librash ndihesh si në një univers shëtitës”.

ANGJELINA XHARA, skenariste, folëse televizioni:

Ç’mund të bëjë njeriu pa librin?!

“Babai im më thoshte gjithmonë: "Të kesh një bllok me vete moj bijë, shkruaj aty çdo gjë dhe lexoji në darkë para se të flesh". Unë vrapoja gjithë ditën nga shtëpia në radio, në shkollë në televizion. Mamaja më thoshte, zgjidhi librat, lexo më të mirët, se ato të ndihmojnë në jetë. Libri është shoku më i mirë për ty, ta dish". Unë kam prejardhje nga një fshat shumë i veçantë, me njerëz të ditur shumë. Jam nga Boboshtica, nga e kanë rrënjën shkrimtari i madh,Viktor Eftimiu, personalitete te shquara të shquara në art, kulturë e shkencë, 150 arsimtarë, të shpërndarë në gjithë Shqipërinë. Ç’mund të bëjë njeriu pa librin?! Është një dhuratë e bukur për jetën dhe ëndrrat në jetë në çdo moshë. Koha e internetit nuk e zbeh nevojën e madhe për librin, përkundrazi tani janë të gjitha mundësitë, që çdo njeri të paktën të lërë në jetën e tij një libër. Dijet, eksperienca që shpërthen përmes librit është ai burim i pashtershëm, ku do pijen me etje gjithë brezat që vijnë. Njerëz të mirë, kudo që jeni, dhuroni sa më shumë libra të mirë, që të rinjtë të ecin atje ku duhet, pa rënë në grackat e modernizmit pa shpirt, pa ideal të pastër njerëzor! Gëzuar ditën e Librit!”.

ENRIETA SINA, shkrimtare, poete:

 Libri, një domosdoshmëri jetike për të gjitha moshat

“Libri mbetet nga më të rëndësishmit në jetën e njeriut. Dita Botërore e Librit mendoj se duhet të quhet një ditë apel për të gjithë jo vetëm në Shqipëri. Me rritjen tonë, në vatrën familjare është rritur ndër vite dhe dashuria për librin. Ime më ka qenë mësuese kundër analfabetizmit në vitet 1953-1957 dhe në familjen tonë dashuria për librin ishte diçka e shenjtë. Këtë ia kam edukuar dhe fëmijëve të mi, të cilët e duan librin. Si shkrimtare mendoj se sot shoqëria jonë ka mangësi të dukshme në këtë drejtim. Librin e ka zëvendësuar në njëfarë mënyre televizioni, interneti. Por mendoj se libri mbetet një domosdoshmëri jetike për të gjitha moshat”.

NAMIK SELMANI, poet, kritik arti:

Sa mirë do ishte të nxisnim nismën kombëtare për librin

“Për forcë të traditës publicistike, por edhe për ta futur sa më shpejt lexuesin në hullinë e këtij problemi madhor sa social e politik ,sa kulturor e aq pedagogjik, do ta nisja me një citim nga shkrimtari i madh francez Marsel Prust: “Libri është një mik, ndërsa leximi është miqësia më e sinqertë njerëzore. Librat janë miq, ndaj të cilëve nuk shfaqim asnjëherë mirësjellje të rreme. Kur kalojmë netë të tëra në libra, e bëjmë këtë e bëjmë duke u nisur vetëm nga dëshira e vërtetë”. Interesante ideja e tij, por jo e vetme. Mund të bësh libra të tërë për të treguar sesa i duhet libri individit e shoqërisë sot dhe në të gjitha kohërat. Jo më kot, fatkeqësitë më të mëdha të botës që kur njeriu nisi të hedhë mendimet e veta në një pllakë e më tej në letër janë konsideruar ato të bibliotekave. Ky peng mbetet jo pak trishtues edhe nga njerëz të veçantë kur atyre iu ndodh një fatkeqësi natyrore në shtëpinë e tyre. Në prishjen e ekuilibrave socialë të shoqërisë, libri shpesh është shkak, por dhe viktimë. Porta e hyrjes dhe e mbylljes. Mjeku e pacienti i një shoqërie. Dhe më naivi e kupton se për të prej kohësh duhet dhënë sinjali SOS. Një SOS në një det të madh indiferentizmi, ku të gjithë gënjejmë vetveten me heshtjen e mosveprimin. Më saktë, për leximin që ka rënie të jashtëzakonshme. Teknika bashkëkohore dhe iniciativa e lirë e mjaft botuesve i ka mbushur super-sirtarët e librarive, ende të pakta me aq libra sa nuk mund të reklamohen të tëra. Po duket se këtu ndodh divorci i paralajmëruar. Në shpërndarjen e librit nuk ka akoma një agjenci serioze kombëtare të Shpërndarjes së Librit, private apo shtetërore, që të qarkullojë vlerat kulturore që krijohen në Tiranë e në rrethe. Pa folur për botimet shqiptare që botohen në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi nga autorët shqiptarë që nuk njihen as nga lexuesit e metropolit pa le më për provincat e largëta Si do të njihen apo pak lexues që kanë mbetur me këto botime në një kohë që Panairet e Librit nuk bëhen në të gjithë qytetet e në çdo kohë? Debate pa fund. Pak zgjidhje. Nëse ka janë të ngadalta, si milingonat. Një strategji ende në letër pa objektiva konkretë. ribotimet, përkthimet, vetë shpërndarja, të cilën e prekëm më lart, janë probleme që mund të zgjidhen një ditë, por rritja e interesit për të lexuar kërkon pak kohë dhe lëvizjen e shumë mekanizmave socialë, pedagogjikë, financiarë, organizativë. Po shkollat? Në këtë ‘llogore” të parë të leximit të librit prej kohësh janë grumbulluar shumë probleme. Motivimi i nxënësve, pse jo dhe i mësuesve, është ende i vakët. Mungojnë takimet më shkrimtarë që mund të ishin informuese, debatuese, nxitëse për talentet e reja në shkolla të mesme. Librat e rinj që botohen në qytetet jashtë Tiranës kanë një auditor tepër të kufizuar . Është krijuar një “klimë provinciale” e detyruar në shkrimin e botimin e librave, pavarësisht vlerave që ka secili prej tyre. Shpesh në diskutimet, ose promovimet si quhen rëndom ka një natyrë ceremoniale, akademike . Mungon lexuesi-nxënës, edhe pse libri në fjalë mund të ketë tepër interes për formimin kulturor. Ky promovim a nuk do ishte mirë që të bëhej edhe në shkolla me një grup libërdashësish të afirmuar. Ende nxënësi i shkollës së mesme nuk ka krijuar masivisht traditën e shfrytëzimit të literaturës për lëndë të caktuara me botime të tjera alternative. Edhe për botimet në fushën e programit të letërsisë ai e ndjen veten të pafuqishëm. Biblioteka nuk i ka qoftë edhe për disa kopje me gishta dore. Bibliotekat e Rretheve këto i ka vetëm me pak kopje gjë që nuk i mjaftojnë me qindra nxënësve të një viti. Në librari nuk i gjen se librarët privatë kanë një tjetër kriter përzgjedhje për librat që blejnë për t’i shitur tek të tjerët. Mungojnë konkurset e ndryshme rreth leximit të librave midis shkollave, qoftë edhe brenda një shkolle. Vështirë që të shohësh, qoftë edhe në shkolla me traditë cilësore një vitrinë aktuale të informimit për librat e rinj që do t’u duhen dhe janë botuar të paktën para një muaji. Madje edhe ministria e Arsimit prej vitesh nuk e ka gjetur mekanizmin e duhur për ta përshirë lëndën e letërsisë në olimpiadën vjetore kombëtare, që zhvillohet mes shkollave të mesme. Në ndonjë rast, ajo e ka zëvendësuar vetëm me një Konkurs Krijuesish që janë të pakët në një shkollë në raport me lexuesin e gjerë. Në shumë shkolla prej vitesh mungojnë investimet për furnizimin me libra që ka programi mësimor. Kur dëshira për lexim e për përtëritjen e bibliotekave familjare e moshës së dytë e të tretë, për arsye të ndryshme, nuk njeh ngritje, por vetëm rënie, nuk mund ta kemi atë aleat, pale të mendojmë se me atë mund ta fitojmë të vetëm luftën. Më konkretisht, në mbledhjet e zakonshme të prindërve në shkollën e mesme as që futet si temë bisede se çfarë librash artistikë apo shkencorë ka lexuar ose duhet të lexojë fëmija e tyre. Edhe ata pak prindër që bëjnë pjesë te bordet e shkollave vështirë se mbajnë në supe diskutimin dhe zgjidhjen e këtij problemi. Dikush do të më kërkonte që t’i drejtohesha komunitetit për ta zbutur këtë dhimbje me kuptimin e plotë të fjalës. Edhe ky nuk është mendim i keq. Po kam droje se edhe këtu do të bëhem një lloj Diogjeni që edhe në mes të ditës me aq diell sërish mbaj në duar Qiririn e Kërkimit të Kolombit. Në fushatat e shumta elektorale do të ishte çudi dhe utopi që një kandidat i mundshëm të hidhte në tryezën e debatit elektoral (pa folur për ndihmën e tij konkrete) problemin e varfërimit të intelektit si pasojë e mungesës së librit e leximit. Sa mirë do të ishte që ata të nxisnin me idetë e tyre politike Nismën Kombëtare për Librin, që do të ishte pjesa më fisnike e misionit të tyre politik në shërbim të Shqipërisë, që ata e lakojnë në të gjitha rasat e numrat këtë emër me mijëra herë në ditë. Objekt i këtij ndërgjegjësimi mund të bëheshim edhe nga forumet rinore. Në shkollat e mesme ka njëfarë qeverisje të nxënësve nëpërmjet senateve. Asnjëherë në protokollet e tyre ata nuk e diskutojnë këtë problem. Natyrisht, edhe nuk japin alternativa për zbutjen e kësaj drame kombëtare. O, sa probleme ka libra aq sa ta bën kokën ujem, thotë populli. Ta bën tollovi. Megjithatë emocioni i miliona fletëve të diturisë që vijnë nga shekujt, ende mbetet i virgjër për brezat e rinj”.

PËRPARIM HYSI, shkrimtar, kritik arti:

Kompjuteri, interneti, iphone-t e vranë librin

“Në vizionin tim, dëshira për lexim ka rënë. Jo vetëm ka rënë, por sa vjen, por kurba sa vjen e tkurret. Nëse shtrohet pyetja, pse ndodh kështu? Përgjigja, sadopak evazive, është: Sepse koha ka ndryshuar, sepse ende, për lexuesit nuk serviret një letërsi e mirë, e shëndoshë dhe e tillë, që të lërë shije tek lexuesit.. Ka një tirazh bombardues botimesh, ku mungon kryesorja: Filtri i cilësisë! Secili që ka ca lekë në xhep, ashtu siç shtrohet në një bar, jep një pjesë të tyre dhe boton një libër duke blere iks a ypsilon shkrimtar. Ka nevojë për "lavdi" dhe e gjen këtë duke nxjerr një libër, fare pa vlerë. Hiq klasikët, rrallë gjen një libër që të lërë mbresa. Brezi i ri, siç kam vënë re, as i afrohet librit. Shteti as është kthyer nga kjo anë dhe ministria vetëm riciklon autorë, që ose nuk botojnë më, se kanë shterur, ose bëhet palë me autorë pa vlerë. Shoqëria ecën me galopin e kalit, leximi me hapat e breshkës. Është për të ardhur keq dhe as që shihet raporti: autor, botues, lexues. Shkurt, or mik, kur thotë Kadare: "...Jemi pasagjerë të mesjetës që kemi hipur mbi trena modernë". Kompjuteri, interneti, iphone-t e vranë leximin e librave, ashtu siç televizioni vrau kinemanë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat