Dy kreacione të shkëlqyeshme koreografike

Kultura

Dy kreacione të shkëlqyeshme koreografike

Nga: Skender Zogaj Më: 22 prill 2018 Në ora: 09:42
Skender Zogaj

Ansambli “Shota” për publikun e Prishtinës, shfaqi programin artistik “Ti këndojmë pranverës”, me të cilin pasqyroi punën e përkushtuar dhe synimet e forta artistike që ka për të qenë vatër e mirëfilltë e ruajtjes së trashëgimisë popullore dhe afirmimit e pasurimit të saj në frymën e traditës burimore kulturore e artistike. Këtë e dëshmoi me programin artistik  që përbëhej me këngë të zgjedhura popullore dhe krijime të bukura folklorike, plot me kolorit muzikor dhe dramacitet kore dramatik. Ne pjesën muzikore këngëtarët e mirënjohur: Riza Bytyçi, Violetë Kukaj, Mirvete Haziri, Liridon Sadriu, Saranda Alija, Majlinda Cikaqi, dhe instrumentistët Anton Kaftalli dhe Gent Hoxha, krijuan çaste të këndshme me interpretime këngësh të zgjedhura popullore nga repertori i tyre. Mirëpo, shumë më mbresëlënëse ishte pjesa e valleve folklorike, që publikun e emocionoi me dy vallet premierë:  “Lulet e Marsit” dhe “Valle lirike me motive të Anamoravës”, që u shpërblyen me duartrokitje të ngrohta të publikut.   

Image

Programi artistik u hap me  “Vallja me motive të Anamoravës” e punuar nga valltari Feim Leka, që është një kreacion i shkëlqyeshëm koreografik, i përbërë nga një varg variacionesh lirike që autori i gërsheton me një thurje “filigranike” të nuancave tipike dhe karakteristike të folklorit shqiptar. Autori i frymëzuar nga gurra popullore e folklorit të  Anamoravës i ka rikrijuar me gjerdan theksash  artistike dhe ka formësuar një valle madhe, me gërshetim linjash të shumta vallëzimesh solistike, që sintetizohen brenda lojës kolektive, dhe e fuqizojnë potencën koreodramatike duke ofruar një  vepër të mirëfilltë për repertorin e ansambleve profesionale. Në “Vallen me motive të Anamoravës” grupi i valltarëve të “Shotës” demonstroi lojë elokuente të ndjeshme lirike, që ndërmjetësohet më ritme epiko-lirike që përmbyllen me një kreacionin të  rrallë koreografik, shumë simbolik që improvizon “fluturimin e shqiponjës”. Krye personazhi shkëputet dhe kërcen ece mbi supet e vargut të valltarëve.  Këtë interpretim e luan jashtëzakonisht bukur valltari Feim Leka, që, pa fije dyshimi realizoi një figuracion koreografik nga më të mirët që kemi pasur rastin në shohim ndonjëherë në skenë.

Image

Publiku i Prishtinës në këtë koncert shijoi edhe premierën e koreodramës “Lulet e Marsit” të realizuar nga koreografi i mirënjohur dhe mjeshtri  Xhemali Berisha dhe me muzikën e Ylber Allanajt, e cila emocionoi publikun deri në masën e përlotjes. Ishte përmbajtja që kishte të bënte me 20 vjetorin rënies heroike të Adem Jasharit dhe Familjes së tij, që Berisha e kishte transponuar jashtëzakonisht bukur në një vallë të fuqishme koreodramatike, që vë në spikamë përpjekjen atdhetare dhe idealizmin e sakrificës sublime të tre brezave të Jasharëve. Vallja nis me Shaban dhe Zahide Jasharin, që i japin bekimin Ademit për ecje drejt lirisë. Pastaj vallja zgjerohet dhe shpalos dramën e rezistencës së armatosur të familjes Jashari kundër pushtuesit dhe, në fund kemi homazhin koreografik për 13 fëmijët e familjes Jashari, që mu në muajin mars këputen sikur lulet e freskëta duke u flijuar për çlirimin e atdheut. Kjo përmbajtje vizuelizohet me koreografi komplekse të ndërthurjeve të një galerie të gjerë solistësh, që  Xhemali Berisha i ka kompozuar me plasticitet, duke krijuar pamje tablosh dramatike me krye personazhet mitike në qendrën e lojës (Besnik Graicevci, Feim Leka dhe Nazmi Demaj e Suzana Drenica) dhe anash dy linjat koreografike: grupi i femrave dhe i meshkujve, që manifestojnë heroizmin e  dhembjes krenare, që në mbrojtjen e pragut të shtëpisë, sakrificën e bëjnë legjendare. Me koreodramën “Lulet e Marsit”  Xhemali Berishës përloti publikun, duke dëshmuar se ka realizuar një krijim të suksesshëm artistik që shënon arritje cilësore në repertorin e Ansamblit “Shota” dhe me interes për këtë lloj të lloj të krijimtarisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat