Albanica e Anton Balotës, një vepër e rrallë e studimeve albanologjike

Kultura

Albanica e Anton Balotës, një vepër e rrallë e studimeve albanologjike

Nga: Baki Ymeri Më: 22 prill 2018 Në ora: 06:52
Kopertina e librit

 Çdo shikim në retrospektivë na ndihmon ta njohim më mirë të shkuarën për t’i trasuar shtigjet e ardhmërisë. Sa u përket vlerave kombëtare të të parëve tanë, sidomos kur vjen fjala për fletoret, gazetat, revistat, abetaret dhe veprat e rilindësve tanë, Bukureshti e mban flamurin e atdhetarzizmit shqiptar. Të panumërta dhe me vlera të larta shkencore janë veprat e dijetarëve të huaj mbi shqiptarët dhe Shqipërinë. Në këtë kontekst, të afirmimit të vlerave albanologjike tejmatanë kufinjve të truallit shqiptar, shquhen gjermanët dhe rumunët, me një varg veprash të botuara përgjatë shek. XIX-të dhe XX. Nga dijetarët rumunë dallohen me studime mbi gjuhën shqipe dhe historinë e shqiptarëve, Bogdan P. Hasdeu, Nicolae Iorga, Theodor Capidan, Nicolae M. A. Popp, Dimitrie Abeleanu, Nicolae Ciachir, Grigore Brancus, Xhelku Maksuti, Catalian Vatasescu, Adrian Majuru etj.

Njëri ndër ta është edhe Anton B. I. Balota, me librin Albanica, një vepër voluminoze, ende e panjohur për albanologjinë. Ekzemplarin e parë të këtij libri e solli Ajvaz Voka i Shipkovicës (1941), por u degdis si pasojë e bastisjeve politike të ish/policisë jugosllave (1971). Një ekzemplar tjetër të cilin e gjetëm në Bukuresht, tashmë është bërë pronë e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës në Prishtinë. Mbiemri i autorit (Balota), shëmbëllen me disa mbrimra shqiptarësh, prezentë në dokumentet rumune si familje fisnike, qysh përgjatë Mesjetës. I pajisur me një kopertinë të bukur, Albanica e pa dritën e botimit në Bukuresht, në vitin 1936.

De facto, kjo është teza e tij të doktoratës, të cilën ia përkushton Nikolla Jorgës, një sintezë shkencore mbi filologjinë shqiptare dhe atdheun e shqiptarëve. Këtë studim albanologjik, Balota e botoi në formë libri me titullin Albanica, dhe me nëntitullin “Albania si Albanezii / Shqipëria dhe Shqiptarët”, me një hartë, me 142 fotografi dhe 434 faqe. Që nga parafjala, autori arsyeton motivin e hartimit të kësaj vepre: “Fillimisht ky punim është paraparë si një prezentim teoretik i gjendjes aktuale të problemeve të filologjisë shqiptare, sidomos nga ai pikëshikim që i intereson në rradhë të parë rumunët: origjina dhe zhvillimi i popullit dhe gjuhës.” Anton Balotën e ka njohur edhe albanologu Grigore Brënkush. Për rëndësinë e  veprës së tij bëjnë fjalë Dr. Xhelku Maksuti, veteran i komunitetit shqiptar të Rumanisë, si dhe shkrimtari Petre Flora, bibliotekar dhe kuadër ushtarak i pensionuar.

Përmbajtja e librit

Duke kundruar përmbajtjen, konstatojmë faktin se autori e strukturon librin në katër pjesë. Në kaptinën e parë bën fjalë për Shqipërinë dhe shqiptarët, për etimologjinë e emrit “shqiptar”, për gjeografinë fizike, ekonomike dhe humane. Në kuadrin e gjeografisë fizike, autori përshkruan kufinjtë, reliefin, fushat, malet, hidrografinë, klimën florën dhe faunën. Gjeografinë ekonomike e paraqet përmes subjekteve që kanë të bëjnë me kushtet natyrore dhe ekonomike shqiptare, bujqësinë, pyjet, bagëtinë, nëntokën, industrinë, kuajt dhe komunikacionin. Autori shkruan për popullatën e Shqipërisë, karakterin e shqiptarëve, fetë, provincat, fiset shqiptare, dhe vendbanimet humane. Pason kaptina e dytë me këto subjekte: A. Jeta familjare (Familja dhe gruaja, Fejesa, Dasma, Lindja, Vdekja). B. Jeta sociale (Fiset dhe organizimi i tyre, Kanuni i lekë Dukagjinit, Hakmarrja, Besa shqiptare, Vëllazërimi i gjaqeve dhe mikpritja, Betimi, Prona private. C. Jeta fizike (Ushqimi, Banesat, Kostumet).

Në kaptinën e tretë Anton Balota përshkruan origjinën dhe karakteret gjenerale të historisë shqiptare, territorin shqiptar në lashtësi, shqiptarët në mesjetë, trojet shqiptare në atë kohë, pushtimin osman, Gjergj Kastrioti, Shqipëria në shërbim të perandorisë osmane dhe përpjekjet e shqiptarëve për përfitimin e pavarësisë, rënia dhe rilindja shqiptare përgjatë shek. XIX-të, shqiptarët pro dhe kundër Turqve të Rinj, independenca e Shqipërisë, Princ Widi, rishqyrtimi i pavarësisë së Shqipërisë, Zogu që nga ministri i brendshëm e deri te president i republikës dhe Mbret. Kaptinën e katërt autori ia përkushton jetës shpirtërore shqiptare, gjendjes kulturore dhe evolucionit letrar, folklorit shqiptar, teksteve më të vjetra shqipe, letërsisë shqiptare, arteve, arsimit, etj. Në pjesën e dytë të kësaj vepre (Bota shkencore dhe problemet shqiptare), autori hedh dritë mbi problemet shqiptare, origjinën e shqiptarëve, çështjet historiko-gjeografike, problemet letrare. I rikthehet shkencërisht letërsisë popullore, studimeve të historisë dhe estetikës letrare, hulumtimeve bibliografike, dhe jep një tabelë të lëndës, një indeks alfabetik dhe përmbajtjen.

Hidhërimet e Mitrush Kutelit

Jo çdokush e din faktin se ekziston një rivalitet i çuditshëm ndërmjet shoqatave, shkrimtarëve, redaktorëve, gazetarëve, mjekëve, politikanëve, avoketërve etj. Çdonjëri mendon se është më i mençur se tjetri, edhepse shkencëtar, gazetar, redaktor apo klerik, është ai që s’e mban veten për të tillë. Aq shumë merrej me vetëveten një funsksionar i lartë kosovar, saqë harroi ta nominalizojë një korrespondent në Bukuresht, Berlin apo kudoqoftë ku Kosova kishte nevojë për afirmim dhe bashkëveprim. Hidhërimet tona kanë mbështetje logjike, ndërsa hidhërimet e Mitrush Kutelit ndaj veprës së Balotës, kanë mbështetje shkencore, edhepse Mitrushi harron t’i nxjerrë në pah edhe meritat e veprës, si dhe kontributin e autorit, për afirmimin e shpirtit shqiptar në veri të Danubit. Përse është fjala?

Fjala qëndron te broshura e Dhimitër Paskos (alias Mitrush Kuteli) “Disa vërejtje lidhur me shkrimin Albanika të Zt. Dr. Anton B. I. Balota”, botuar në gjuhën rumune në Bukuresht (1937). Po shtojmë me këtë rast faktin se libri i Balotës e pa dritën e botimit në gjuhën rumune. Në kuadrin e 40 faqeve të këtij studimi kritik, Dhimitër Pasko e demanton veprën e Balotës, duke ia përmendur dhjetra gabime të natyrës teknike, shkencore dhe logjike, të kësaj “teatrologjie shqiptare, të cilën intencionon të na e japë.” Pasko pajtohet me faktin se “rëndësia e çështjes dhe plani janë tejet interesante, por jo të trajtuara në mënyrë të përsosur, për kultivimin e kësaj fushe.” Pikësëpari ia hedh fajin autorit, gjoja se “nuk do të arrijë kurrë të na japë një përkthim të mirë e të saktë”, duke ia rradhitur një serë gabimesh e mangësishë, të cilat e sheh të nevojshme t’i nënvizojë, që të mos i përsërisë në tri vëllimet e ardhshme, të cilat Balota i kishte ndërmend t’i botojë.

Kështu, autori shqiptar nxjerr në pah një serë vërejtjesh të veprës së një autori rumun mbi Shqipërinë, duke ia zënë për të madhe faktin se në vend të sipërfaqes prej 27.538 km.k., autori jep shifrën prej 32.000 km.k., duke vazhduar me rradhitjen e do gabimeve përgjatë emërtimit të lokaliteteve, gabime të natyrës filologjike, të karakterizimit të këngëve popullore shqiptare, rasti i Lasgush Poradecit, etj. Në përmbyllje, Dhimitër Pasko, në broshurën e tij që e pa dritën e botimit në Shtypshkronjën “Albania” të Konstancës, thekson faktin se “autori i shkrimit Albanica, nuk e njeh veçse në mënyrë të mjegullt, atë që dëshiron t’ua bëjë të njohur të tjerëve, për t’u ngjitur pastaj, në shkallët e një katedre universitare të albanologjisë, apo ballkanologjisë.” Hartimi i kësaj vepre, sipas Paskos, “është bërë pa themel dhe pa shpirt shkencor.” Fjala është pra, sipas tij, “për një shkrim, që nuk ka kurrfarë vlerash shkencore.”

Ata që e mbajnë mend Dhimitër Paskon, thonë se pas botimit të broshurës së Kutelit lidhur me këtë vepër voluminoze, autori  ka shprehur keqardhje pse e pat fshikulluar aq keq, autorin e një studimi interesant mbi shqiptarët dhe Shqipërinë, Dr. Anton Balotën, i cili e konsideron katolicizmin si “forca për mbrojtjen kombëtare të shqiptarëve” (230), i cili e konsideron Besën, si “institucionin më të lartë dhe më fisnik të popullit shqiptar, që e ngrit në shkallë morale, aq shumë sa që e qet poshtë edhe ahmarrjen e egër. Në Shqipëri, fyerja më e madhe është të të thonë i pabesë, domth. pa fe.”(170). Çfarë shqiptarësh, dhe çfarë bese e çfarë feje kanë ata që e kultivojnë pseudopatriotizmin përmes përçarjes fetare, të interesave grupore, klaneve politike apo ambicjeve personale, jo vetëm në diasporë?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat