Albanologut Milan Shuflaj emrin dhe gjakun ia ruajnë trojet shqiptare

Kultura

Albanologut Milan Shuflaj emrin dhe gjakun ia ruajnë trojet shqiptare

Më: 21 prill 2018 Në ora: 22:44
Pjesemarres te takimit per Milan Shuflaj

Viti i Gjergj Kastriot Skënderbeut, siç është quajtur viti 2018, në kuadër të 550 vjetorit të vdekjes së tij, është një vit i shenjtë për shqiptarët kudo që ata ndodhen. Në këtë kuadër, Forumi i mbrojtjes së Trashëgimisë Historike Kulturore Kombëtare organizoi këto ditë një veprimtari shkencore përkujtimore për nder të albanologut kroat Milan Shuflaj me temë: “Milan Shuflai-dëshmori i Albanologjisë dhe mik i përjetshëm i shqiptarëve”. Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Forumit të mbrojtjes së Trashëgimisë Historike Kulturore Kombëtare akademik Pal Trashaj, i cili me punën e tij të pandalur është bërë gardiani i kësaj pasurie mbarëkombëtare. Pasi foli për rëndësinë e kësaj figure të shquar të Albanologjisë, për kontributin e tij të çmuar, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit e shumtë të këtij takimi. Ishin të pranishëm nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Shkencave Shqiptaro-Amerikane, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Kosovës, shkrimtarë, studiues dhe historianë, njerëz të artit dhe kulturës, si dhe grupe folklorike nga jugu në veri. Përmendim disa prej tyre si: akademik Gudar Beqiraj, akademik Skënder Kodra,  akademik Agron Fico, akademik Flori Bruqi,  znj. Xhevahire Xhelaj, shkrimtari Arben Kondi, historianët: Nuri Dragoj, Eleni Kocaqi dhe Agustin Maka , studiuesi Anastas Shuke, av. Agron Gjedia, dhe shumë të tjerë që kishin mbushur mjedisin ku u zhvillua ky takim.

Presidenti i kompanisë  “Stefani &CO”,  prodhuesi i birrës së famshme Stela, dr. Stefan Pinguli për mbarëvajtjen e kësaj veprimtarie kishte vënë në dispozicion mjediset kulturore të kompanisë së tij. Takimi mori një gjallëri të veçantë, kur në skenë u ngjit grupi i Bënçës, një nga grupet më të spikatur jo vetëm të rrethit të Tepelenës, por dhe të krejt Labërisë. Mjeshtrat e mëdhenj të këngës, Parua dhe Goliku që aq bukur e shprehin këngën e trevave Jugore, sollën për të pranishmit emocione të forta. Ajo sallë e vogël u kthye në një skenë festivali. Këngë të moçme që sollën pranë pjesëmarrësve historinë tonë të lavdishme, në përpjekje me armiq të egër dhe barbar, por dhe me fuqi evropiane që nuk e mbështetën Shqipërinë në ato çaste historike të formimit të kombit shqiptar. Gabriel Raposhi, këngëtari nga Shkodra, i solli sallës të tjera emocione. Zëri i tij melodioz u shoqërua me duartrokitje të vazhdueshme duke shoqëruar ritmin e këngës.  

Dr. Stefan Pinguli mbajti kumtesën për jetën dhe veprën e albanologut të shquar Milan Shuflaj, i cili u lind në vitin 1879, në Lepoglavë të Kroacisë. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, ndërsa gjimnazin klasik në Zagreb, ku laureohet si nxënësi më i mirë i gjeneratës së tij. Studion shkencat shoqërore në Universitetin e Zagrebit. Doktoron në vitin 1901. Menjëherë pas doktoratës, Shuflaj i futet punës për sistematizimin, mbledhjen dhe përshkrimin e dokumenteve mesjetare nga arkivat e qyteteve bregdetare dalmatinase për “Codex Diplomaticus”. Këtu ishin kontaktet e para të studiuesit të ri me lëndën e vëllimshme dhe të pahulumtuar fare, që i takonte Shqipërisë. Në vitin 1902, Shuflaj mbron me sukses provimin për profesor në shkencat ndihmëse të historisë, në Universitetin e Zagrebit. Punoi shumë për të thelluar njohuritë e tij në fushë të Albanologjisë duke i dhënë lexuesit të kohës së tij, por dhe brezave të sotëm disa vepra të mrekullueshme. Për veprimtarinë shkencore të Milan Shuflajt në fushë të Albanologjisë u interesua dhe qeveria e Mbretërisë Shqiptare, e cila shprehu gatishmërinë e saj që të hiqte shpenzimet për një ndërmarrje të tillë kaq serioze dhe të vlefshme. Dr. Milan Shuflaj ftohet të vizitojë Shqipërinë. Pas shumë peripecish, rreth pajisjes me pasaportë, ai arrin në Shqipëri më 12 janar të vitit 1931. Vritet nga dora e kriminelëve serbë më 18 shkurt të vitit 1931, një ditë pas kthimit nga Shqipëria, duke lënë pas shumë studime të papërfunduara në dorëshkrim, një pjesë e mirë e të cilave ruhet në Arkivin Shtetëror të Kroacisë, në Zagreb. Për vrasjen e dr. Shuflajt kanë reaguar shumica e intelektualëve të kohës, në mesin e të cilëve edhe shkencëtari i njohur Ainshtain.

Këtë takim shkencor përkujtimor të organizuar nga Forumi i mbrojtjes së Trashëgimisë Historike Kulturore Kombëtare e përshëndeti dhe akademik Gudar Beqiraj, i cili ka kryer detyrën e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë,  i falënderoi të pranishmit dhe organizatorët e këtij takimi dhe nënvizoi kontributin e madh që Milan Shuflaj i ka dhënë Albanologjisë, kontribut të cilin e vulosi me jetën e tij.

Zëvendës kryetari i Akademisë së Shkencave Shqiptaro-Amerikane, prof. dr. Agron Fico, solli përshëndetjet e diasporës dhe të institucionit shkencor që ai përfaqëson duke lartësuar kontributin e akademik Pal Trashaj në veprimtaritë që organizon për të sjellë sa më pranë njerëzve figurat e ndritura që kanë dhënë kontribute të çmuara për kombin tonë. Vlerësoi figurën madhore të albanologut Milan Shuflaj dhe kontributin e tij të pazëvendësueshëm.

Të pranishmit i përshëndeti nënkryetari i Bashkisë Lezhë, z. Ardian Laçi, i cili vuri në dukje kontributin e lezhianëve në mbështje të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, dhe qytetin e Lezhës si vendin ku Skënderbeu kishte kontakte të vazhdueshme me përfaqësuesit e botës evropiane dhe vendprehja e eshtrave të tij. Konfirmoi gjithashtu dhe angazhimin e tij për të bërë më shumë në të ardhmen dhe nga Bashkia e Lezhës.

Shkrimtari dhe akademiku Flori Bruqi, foli për jetën dhe veprën e akademik Skënder Kodrës, i pranishëm në atë takim, cili u lind më 13.05.1946 në Istog të Kosovës, ku kreu shkollën fillore. Shkollën e mesme e vazhdoi në Gjakovë dhe Pejë. Autoritetet qeveritare serbe e burgosën për motive patriotike. Në shumë raste kaloi nëpër burgjet e Prishtinës, Gjakovës, Ferizajt, Suharekës në Ce Zene të Beogradit dhe veçanërisht në burgun e Pejës. 

Një nga pikat kulmore të tij është dhe pjesëmarrja në Luftën e Kosovës të vitit 1999, në ndihmë të të dëbuarve kosovarë, në kampet e shumta në Shqipëri, si dhe në spitalin Ushtarak në Tiranë. Djali i tij Isai, ushtarak dhe i lindur në SHBA, u radhit në radhët e UÇK-së në Kosovë, ashtu si dhe shumë të tjerë nga të afërmit e familjes Kodra. Është kryetar i Akademisë së Shkencave Shqiptaro-Amerikane.

Historiania Eleni Kocaqi, tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve me ligjëratën e saj. Ajo theksoi rolin e madh të albanologut Milan Shuflaj, në përballje me qarqet antishqiptare që kërkonin zhdukjen e Shqipërisë nga harta e Evropës dhe tjetërsimin e trojeve shqiptare nga fqinjët tanë.

Prof. Ago Nezha, kryetar i shoqatës “Labëria” i përshëndeti të pranishmit duke theksuar rolin e madh dhe kontributin e figurave të shquara të kombit tonë.
Vëmendjen e pjesëmarrësve e tërhoqën këngëtarët Llesh dhe Gjin Prenga, instrumentisti Gjovalin Ndreca dhe recituesi i talentuar Kolë Kunora.

Mbylljen e punimeve e bëri organizatori i këtij takimi, akademik Pal Trashaj. Në emër të forumit që ai përfaqëson vlerësoi kumtesat dhe fjalën përshëndetëse të pjesëmarrësve si një vlerë të çmuar në mendimin shkencor në fushë të Albanologjisë duke rreshtuar dhe disa figura të tjera historike dhe shkencore që kërkojnë të marrin vëmendjen e duhur në të ardhmen.

Në mbyllje të këtij shkrimi nuk mund të lihet pa përmendur moderatori i këtij takimi, z. Marce Llacaj, i cili me fjalën e tij artistike, i dha vlerë dhe risi këtij takimi.

Në kuadër të Vitit Gjergj Kastriot Skenderbeu, takime të shumta kanë planifikuar shoqata dhe organizata që veprojnë në trojet shqiptare dhe në diasporë. Sjellja sa më pranë njerëzve, e figurave të shquara që janë bërë pjesë e lavdishme e historisë së popullit tonë, do të bëjë që shqiptarët ta duan më shumë atdheun e tyre dhe të kontribojnë për të, akoma më tepër në të ardhmen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat