Turmat e njerëzve nga Kosova dërgohen në Shkup përmes artit

Kultura

Turmat e njerëzve nga Kosova dërgohen në Shkup përmes artit

Më: 19 prill 2018 Në ora: 16:48

Dy ditë më parë artisti nga Kosova, Faton Mazreku ka dërguar 14 punime të tij në Shkup, punime këto të cilat përmbajnë turma të njerëzve, nëpër lokacione të ndryshme në Kosovë e që piktori i ka ngërthyer në piktura e tij. Gjithë kjo është bërë për të hapur ekspozitën e dytë personale të artisti të titulluar “Piktura”.

Secila nga pikturat e ekspozuar ngërthen në vete nga një tematikë, prandaj pikërisht ky fakt e ka bërë të vështirë për artistin edhe titullimin e ekspozitë. Ekspozitë kjo, në të cilën pjesa dërrmuese e pikturave, shfaqë turma të njerëzve. Artisti Faton Mazreku në një intervistë për KultPlus, ka treguar se si pikënisje për pikturimin e turmave dhe ngërthimin e tyre në punën e tij, ka qenë tregu.

“Tregu është pikënisja e motivi kryesor në pikturën time e që vazhdon të jetë prezent edhe në këtë ekspozitë ku nëpërmjet figurave që qëndrojnë aty shpalos kohën moderne. Pjesa tjetër e turmave të këtyre figurave janë afër Xhamisë ku kam reflektuar që të përshkruaj në mënyrë vizuale ngjarjet në shoqërinë dhe aktualitetin tonë. Pra një derë e cila shërben që këto figura të dalin me kokulur ku shihet si një problem social- shoqëror”.

Kjo ekspozitë përfshinë 14 punime, prej të cilave 13 janë piktura dhe 1 vizatim. Teknika e tyre është vaj në pëlhurë. Këto punime janë realizuar për një periudhë 3 vjeçare nga viti 2016 e deri më sot.

“Materialet apo teknika shpresë për mua mbetet piktura dhe si e tillë ndjeje kënaqësi që të bëjë një pikturë bashkëkohore dhe ti qëndrojë besnik pikturës klasike përkrah medieve të reja të artit”, tregon artisti, i cili shprehet i lumtur që puna e tij ka arritur që të ekspozohet edhe në Shkup.

“Sigurisht që është kënaqësi me ekspozu në Shkup ku si artist mirëpres kritika të reja nga një shtet tjetër. Kjo ishte një mundësi e artë e imja që të rinisë artin për ekspozita të tjera dhe si e tillë të më shërbejë si motiv i vazhdueshëm për tregimet, e që më duket se nuk më mbarojnë asnjëherë”, tregon ai.

Të gjitha punimet e prezantuara në ekspozitë ishin të reja përveç dy punimeve të cilat tregonin se artisti tashmë ka një bagazh artistik prapa tij. Dy nga pikturat e ekspozuara kanë qenë pjesë e ekspozitës në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, në Prishtinë.

Faton Mazreku studimet i ka mbaru në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Së fundi ka qenë pjesëmarrës në ekspozitën “ Artistët e së Nesërmes”, Qendra për Art Bashkëkohor Stacion, “ Artistet e rinj“ në Galerinë e Arteve të Kosovës si dhe pjesë e Rezidencës në Firence dhe Venecia e cila ishte mbështetur nga Fondacioni “HAJDE “ dhe STACION.

Në Qendrën Informative Kulturore, KIC Qik, në Shkup artdashësit do të kenë mundësi që ta vizitojnë këtë ekspozitë deri më datën 28 prill.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat