Tetovarë, korçarë dhe kërçovarë që e njihnin Asdrenin

Kultura

Tetovarë, korçarë dhe kërçovarë që e njihnin Asdrenin

Nga: Baki Ymeri Më: 18 prill 2018 Në ora: 07:21
Kopertina e revistes "Albanezul"

Po qe se s’ke pleq, thonë këta të veriut, është mirë që t’i blesh! Reshit Ahmeti ishte plaku i fundit kërçovar që erdhi në fëmijëri, para se të krisë Lufta e dytë botërore, dhe mbet në Bukuresht. Jetonte në zonën e Lulishtes Mbretërore (Parcul Carol). Është i ati i Fatimes nga Bukureshti dhe i Adiles nga Xhurxhiu. Anëtarë të familjes së tij, janë edhe Zendeli (Nelu), që jeton në Xhurxhiu dhe Kumrija në Bukuresht, kjo e fundit e martuar për një tatar. Derisa ishin gjallë Refet Kadriu i Lisecit, takoheshin në zonën e Bukureshtit të Ri dhe e vizitonin një shqiptar të Porojit, edhe ai, porsi Reshiti dhe Refeti, i martuar me rumune. Edhe ai ka ndërruar jetë, duke lënë gruan pas, Marianën me një përmallim të hatashëm ndaj farefisit të tyre që kanë në Poroj dhe Zvicër. Për fat të keq, është fatmjerim yni se e harrojmë farefisin. Nuk them për të gjithë, por për një serë “shqiptarësh” që më afër shpirtit e kanë fitimin, interesin, se sa farefisin. Ndaj edhe jo më kot, shqiptarët e këtillë dikush i quan laramanë

Në trojet e depersonalizuara nga sundimi osman dhe ai pansllavist, të rrallë i kemi ata që e përkrahin me ndërgjegje dhe përkushtim çështjen kombëtare. Kur do ta përvetësojmë atë maksimë të shenjtë të Biblës së Shenjtë: Duaje Zotin dhe të afërmit porsi vetveten! Për atë e potencojmë vazhdimisht faktin, se në këtë pikpamje, hebrenjtë dalin më patriotë se ne. Zoti është ai që sheh, gjykon dhe zbaton. Pa marrë parasysh faktin se paralelisht me ndjenjën kombëtare e kanë të kultivuar edhe edukatën fetare, ata që i njohim për së afërmi, shqiptarëve të këtillë, që e përkrahin vazhdimisht çështjen kulturore e kombëtare, Zoti ua përforcon shëndetin dhe ua shton bereqetin.

Është karakteristik fakti se pjesa dërmuese e korçarëve të këtushëm, në pikëpamje të martesës, ua shkonin tetovarëve dhe kërçovarëve. Kur u vjente koha për martesë, martoheshin me shqiptare, qoftë të lindura këtu, qoftë të prura nga Shqipëria, siç është rasti i Thanas Kristo-Rëmbecit, i cili u martua në moshën 53 vjeçare, me një mjeke nga Tirana. Nuk kishin fëmijë por kishin një jetë pa brenga, kujtime të bukura dhe krenarinë kombëtare se kanë bërë diç për të mirën e shqiptarëve dhe Shqipërisë: përkrahja konkrete e dëshmorëve të Kosovës, prezantimi i Shqipërisë në revista amerikane me renome botërore, përhapja intenzive e librit shqip, kultivimi dokumentacionit të Shoqërisë “Drita” Shqiptare e Bukureshtit. Ja përse na e tërhiqte vërejtjen xha Nasi: Kur të shkruash për një temë, mos kalo në tema tjera! E dini si veprojnë kinezët, e pyesim. Kur ulen në tryezë, nuk shijojnë vetëm njërin, por një serë ushqimesh, nga të gjitha nga pak. Kështu e kemi edhe ne. Që mos ta mërzisim lexuesin vetëm me bigorafinë e një bozaxhiu, detyrohemi të kalojmë nga Kërçova në Korçë, dhe kështu, duke kaluar nga tema në temë, nga therrat e Kërçovës te lulet e Korçës, na duket se kalojmë nga shqiptarizmi në shqiptarizëm, duke i afruar dhe duke i bashkuar vlerat e diasporës në një tërësi unike.

 Asdrenin e kanë njohur edhe Jusuf Hamzai dhe Amet Bajrami i Siniçanit, si dhe  Rizvan Memeti, nga Topojani i Shqipërisë, i ardhur në Pirok të Tetovës. Jetoi mes viteve 1905-1977. Ka dy djem: Rexhepin, që gjendet në Hamburg dhe Maliqin, që punon në Teteks. Porsi Daut Ismaili i të njëjtit fshat. Një kohë të gjatë (1930-1941), ushtroi profesionin e ëmbëltorisë në Bukuresht. Bukureshtin e kanë frekuentuar edhe do ëmbëltorë të tjerë nga Çajleja: Abazi, Maksuti, Abdullau. Sinan Kadriu, me prejardhje nga fshati i Murat Isakut (Gajre), ish-arsimtar i gjuhës shqipe në Sh. F. Liria të Tetovës.  Si pasojë e do lëvizjeve ideologjike, së bashku me Xhemajli Vejselin që iku në Bullgari në vitin 1950, dhe u vendos në Konstancë të Rumanisë. Edhe pse ishte komunist, ka patur fatin të bëjë do sevape, të marrë pjesë në varrimin e Asdrenit në varrezat e Shën Premtes (Sfënta Vineri) të Bukureshtit (1947). “Asdreni vjente te ne. Ai ka fjetur te ne, në komunën Koshareni, rrethi i Jalomicës. Atje njihej me xhaxhain tim, Raif Kadriun, edhe ky nga fshati Gajre. Asdrenit i shkonte muhabeti edhe me Sabit Kadriun. Vjente te ne përgjatë vikendit, ndërsa ne, sa herë që shkonim në Bukuresht, i dërgonim vezë. Shqiptarët nuk ishin vetëm ëmbëltorë por edhe tregtarë të mëdhenj, siç ishin korçarët dhe tregtarë të imtë: tetovarët, kërçovarët etj. Mes tjerave i tregtonin edhe vetë: e shisnin mallin me ve. Gajranët e Koshares, ndër të cilët edhe Idriz Islami, i ati i Abdylazis Islamit të pavdekshëm, ky i fundit babai i Drita Islamit.

 E furnizonin Asdrenin përgjatë pranverës, me rastin e Pashkëve, edhe me mish qengji. Pokështu vepronin edhe me doktor Topën. Asdrenin e përkrahte edhe Haqif Selmani i Reçanit dhe Sefedin Maksuti i Kërçovës. Nga ana e zotit Kadriu kuptojmë se njëfarë Seadini njihej shumë mirë me Asdrenin dhe doktor Topën, ishin shokë të ngushtë. Ishte pastaj Nuhiu, ëmbëltor në Karakal. Kishte dy vajza të bukura që jetojnë sot e kësaj dite, njëra në Karakal e tjetra në Turqi. Kishte edhe një djalë, Sevdiun,  që jeton në Amerikë. Derisa kalonte nëpër këtë qytezë, ata deshi t’i vizitojë edhe një shqiptar i Porojit (Bekim Halili), por koha ishte e tillë: duhetshte ta kalojë sa më parë Danubin, pa e kapluar terri, për të shpëtuar kamionin e mbushur me xham.

 Asllan Rexhepi - kosovari që pati fat ta njohë Bajram Currin

Asllani (1900-1979) ishte me prejardhje nga Kotlina e  Kaçanikut. Ka patur fatin ta njohë dhe të luftojë së bashku me Plakun e Maleve, atdhetarin dhe revolucionarin e shquar demokrat, Bajram Currin (1862-1925), udhëheqës i lëvizjes shqiptare për bashkimin kombëtar të trojeve tona etnike. Nga B. Curri mbante si kujtim orën e xhepit me qustek, që ia kishte dhënë në vitin 1921. Ishte kujtimi më i bukur i jetës së tij. Kishte të drejtë të krenohet me të. Sa herë që vjente në vendlindje, ua tregonte këtë suvenir historik, dashamirëve të shqiptarizmit. Ishte mik i ngushtë me Fadil Hoxhën. Kishte prirje për diplomaci. Qysh para 50 vitesh, ka pajtuar nam gjaqesh në Drenicë. Viteve të fundit jetonte në Rrugën Mashina de Pëine (Makina e Bukës), nr. 12, Bloku OD 39, kati 2, apartamenti 10, në kantierin Kolentina.
Për hartuesit e historisë nacionale, janë të nevojshme edhe elementet e adresës, ngase ja, kalojnë vite e dekada, e ende shqiptarët nuk e dinë ku ka banuar Nikolla Naço, apostull i shqiptarizmit, apo ku gjendet varri i tij në Bukuresht. Fajet për këtë, pikësëpari i ka diplomacia e trembur shqiptare, e edukatës bolshevike. E ambasadorëve që interesoheshin për lekët e ministrisë, por jo edhe për vlerat e shqiptarisë. Ku ishte varri i Asdrenit në Bukuresht, zotërinj të pensionuar? Asllani ka marrë pjesë në lëvizjen antifashiste shqiptare, që nga viti 1941. Në vitin 1945 e ka përjetuar Tragjedinë e Tivarit, por shpëton duke mbetur me dy plagë në këmbën e djathtë. Vëllau i tij, Selami, mbetet pa krahun e mëngjër. Selami vjen në Rumani përmes Shkodrës, ku jeton një vjet, dhe prej këtu shkon në Stamboll, ku merret me tregti, duke i përkrahur fuqimisht shqiptarët (1950-56), në kohën e e kobshme të Rankoviqit, kur si pasojë e marrëveshjeve të fshehta serbo-turke, pasoi një ekzod masiv i shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë në shkretëtirat e Anadollit.
Gjatë qëndrimit në Rumani, ku ishte martuar me zonjën Florika, Asllan Rexhepi dha kontribut për ngritjen e një xhamie në Lulishten e Mbretit Karol, ndihmoi Asdrenin, ua rregullonte “teskeret” (pasaportat) bashkëvendasve të tij, etj. Pasi të ballafaqohen me këtë portret të shkurtër, bashkëfshatarët e tij, zonjat dhe zotërinjtë e Kotlinës, ata që e kanë njohur, apo ata që duan t’i reken gazetarisë, si një mision që të fisnikëron, ia kanë për borxh, jo vetëm një medalion të zgjeruar, por edhe një monument.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat