Romani “Edhe kjo është pjesë e jetës” i shkrimtarit Dibran Fylli -me tematikë të luftës

Kultura

Romani “Edhe kjo është pjesë e jetës” i shkrimtarit Dibran Fylli -me tematikë të luftës

Nga: Zymer Mehani Më: 17 prill 2018 Në ora: 20:09
Kopertina e librit

[4]  Në romanin “Edhe kjo është pjesë e jetës“ të autorit Dibran Fylli kemi zhvillim të vazhdueshëm drejt rrugëtimit për të kërkuar forma të reja të shprehjes, kënde të reja vrojtimi dhe aspekte të reja të përgjithësimit të fenomeneve të veçanta dhe të përgjithshme të jetës së njeriut.

Romani në fjalë ia ka dalë me shumë sukses të përplotësojë kërshërinë e lexuesve, ngase u ka sjellë ushqimin e dëshiruar: lexuesit me kurreshtje historike i ka sjellë tablo nga historia e luftës së lavdishme të UÇK-së kundër okupatorit serbo-sllav, lexuesit të ndjeshëm i ka dhuruar mbresa të pashlyeshme të jetës dashurore në flakët e luftës, siç është rasti i kryeprotagonistëve, Ilirit dhe Ridës; lexuesit që i intereson fati i njeriut gjatë kohës së shpërthimit të vatrave të krizës, siç është edhe lufta, i ka sjellë shembuj të shumtë të fatit dhe të fatkeqësisë njerëzore në këto situata.

Shkrimtari Dibran Fylli i ka vënë vetes për detyrë që ta bëjë një transponim artistik të aspekteve të shumta të botës njerëzore në kushte të jashtëzakonshme, siç janë situatat në gjendje lufte, duke sjellë shumë elemente me përfshirje të gjithanshme dhe shumëdimenzionalitetit të karaktereve të personazheve. Kështu autori ka bërë një hap përpara në trajtim të temës së luftës, që përshkohet nga elementë të shumtë realistë dhe fiktivë, duke gjetur rrugë për zgjidhje vetëm përmes aksionit (gueril).

Në periudhën e lavdishme të UÇK-së populli ynë realizoi fitoren më të madhe në historinë e vet, duke shpëtuar njëherit edhe nga rreziku i shfarosjes (gjenocidit) dhe dëbimit nga trojet e veta të shqiptarëve të Kosovës, ngase okupatori synonte dhe dëshironte spastrim etnik në këto hapësira. Prandaj, në trajtim të temës së luftës, shkrimtari Dibran Fylli dëshmon se ka një përvojë shumë të pasur letrare dhe jetësore dhe lirisht mund të themi se në faqet e romanit “ Edhe kjo është pjesë e jetës“, hasim në shumë elemente autobiografike të vetë autorit, ngase faktikisht ai edhe vetë ishte i mobilizuar në radhët e Ushtrisë sonë Çlirimtare, por për një kohë  e përjetoi edhe jetën brenda grilave (burgun).

Duke qenë si i tillë, romani në fjalë shquhet për elemente ideoartistike, e autori është duke hecur sigurt në rrugën e formimit letrar, dhe kësisoji vetes i ka siguruar bazë të fortë dhe të fuqishme të shprehjes letrare.

Nuk duhet të harrojmë se shkrimtarët tanë ende nuk e kanë shterur së trajtuari temën e luftës së UÇK-së, sepse në kontekstin historik periudha e kësaj lufte është relativisht e shkurtër, dhe për pasojë letërsia jonë deri sot nuk i ka dhënë shumë romane me këtë tematikë lexuesit shqiptar. Duke u nisur nga ky fakt, mund të themi se krijimet e derisotme janë vetëm dëshmi se ka filluar të shkruhet për epokën e UÇK-së edhe romani i mirëfilltë me këtë tematikë. Vlen këtu, që përveç shkrimtarit Dibran Fylli me romanin “Edhe kjo është pjesë e jetës“, të përmenden edhe shkrimtari Fatmir Halimi me ronanin “Dy vdekjet e një jete” (romani më i mirë për vitin 2017) dhe shkrimtari mërgimtar, Sahit Shala, i cili këtyre ditëve botoi romanin “Dashuri në kohë lufte”, po ashtu me tematikë nga lufta e UÇK-së kundër okupatorit serb.

Jemi dëshmitarë se madhështia e kësaj lufte pati jehonë të madhe edhe në letërsi, qoftë duke u përfshirë në tërësi me ngjarjet, dukuritë, pasojat e vetë luftës, qoftë duke e marrë atë si një sfond më të gjerë për t’i paraqitur fatet e njerëzve, rrethanat shoqërore, psiqike, ngritjet dhe rëniet e vlerave etike gjatë zhvillimit të ngjarjeve të luftës, duke e demaskuar propagandën e okupatorit dhe qëllimet agresive të tij.

Shkrimtari Dibran Fylli ka nisur ta shkruajë romanin duke u bazuar në përvojat e veta të njohjes së drejtpërdrejtë të realitetit, por nuk i ka munguar as njohja racionale. Duke qenë i tillë, ka sjellë radhitjen e fakteve, që përmbajnë në vetvete fenomenin estetik, ngase shkrimtari, situatat e përshkruara të luftës i ka njohur dhe përjetuar vetë, ngase, siç u tha dhe njëherë, ishte ushtar i denjë i popullit të tij.

Romani “Edhe kjo është pjesë e jetës“ i Dibran Fyllit është paraqitur me formë, kompozicion, mënyrë të të rrëfyerit dhe përgjithësim të fenomeneve jetësore, duke paraqitur elemente risimtare që dergojnë drejt modernizimit të shprehjes letrare. Kështu, autori Fylli ia ka dalë me sukses që t’i shndërrojë fenomenet jetësore në fenomene estetike, duke i kapur në formë tabloje momentet kyçe me një intenzitet të fuqishëm epik, që nëpërmjet personazheve të flasë me një gjuhë  shumë të pasur figurative dhe kësisoji ka formësuar poetikën e vet, që është në nivel të lartë estetiko-letrar.

Dihet mirëfilli se për realizimin e suksesshëm artistik  të romanit, një nga elementet kryesore është personazhi, ngase në fokus të krijimtarisë prozaike gjendet vetë njeriu. Prandaj zotëri Fylli në romanin e tij ka bërë realizim të suksesshëm të personazheve, e që është një nga kërkesat thelbësore të letërsisë.

Siç ndodh në shumë romane, ashtu edhe te Fylli personazhi është nyjë kryesore, për të cilin lidhen pastaj të gjitha elementet tjera të shprehjes artistike, siç janë fabula, kompozicioni, gjuha, idetë, figuracioni letrar dhe personazhi është bartës i të gjitha këtyre elementeve.

Në faqet e romanit “Edhe kjo është pjesë e jetës“ të shkrimtarit Dibran Fylli mësojmë se lufta kërkuaka vetmohim të madh, sakrifikim të pjesërishëm ose të plotë të unit personal të njeriut. Po ashtu, ndër të tjerash mësojmë se gjatë kësaj lufte u manifestuan virtytet më të larta morale dhe njerëzore në radhët e pjesëtarëve të UÇK-së, siç janë guximi, trimëria, heroizmi, dashuria ndaj njeriut, vetëdija e lartë për sakrifica supreme në dobi të popullit dhe atdheut. Edhe personazhet (protagonistët) e romanit të fyllit shquhen me këto virtyte të arta.

Gjithnjë sipas Fyllit, kryeprotagonistët e romanit Iliri dhe flokëverdha-Rida, edhe pse të dy ishin të dashuruar marrëzisht me njëri-tjetrin, ata nuk e kishin pasur rastin që atë dashuri ta shprehnin haptazi. Në njërën anë as që u kishte premtuar koha e në anën tjetër s’e kishin marrë guximin t’ia thoshin njëri-tjetrit as në kohën kur e kishin kryer detyrën me nder gjatë aksionit të fundit në qytet, por as atëherë kur ishin ndarë në një rrugë mali afër një fshati të Drenicës. As atëherë kur Rida e kishte vazhduar rrugën e vet për t’u takuar me shokë, sipas udhëzimeve të Nënës së Bunkerit, kurse Iliri në anën tjetër kishte pranuar detyrë mjaft me përgjegjësi për ta zgjeruar rrethin e çlirimtarëve e për t’i dhënë fund errësirës mbi lirinë e Atdheut. Rida tani kishte shumë shokë për t’iu kundërvënë një ushtrie të tërë armike, kishin bërë armatim të duhur, ushtrimet i kishin kryer me sukses, çdo gjë asaj kohe ishte gati për rezistencë. Iliri, në anën tjetër, kishte punuar aq sa as vetë në fillim nuk e kishte besuar.  E kishte zgjeruar rrethin e çlirimtarëve duke e përfituar besimin e tyre dhe të popullit liridashës, pothuajse në çdo cep të Atdheut. Ishin të gatshëm që t’ia fillonin rezistencës së armatosur.  Këtë rast e prisnin me plot dëshirë e padurim, që një ditë të fillonte lufta për çlirimin e Atdheut, daljen e tij nga errësira që e kishte sjellë moti i ligë me egërsira e shpirtzinj. Kjo errësirë, ditë e me tepër po e mbulonte Atdheun. Iliri po kalonte ditë të gjata e të mundimshme, kurse për Ridën ditët ishin bërë më të gjata se viti që  numëronte dymbëdhjetë muaj. Të dy mezi po prisnin që të takoheshin prapë, qoftë edhe për kohë të shkurtë, sa për t’ia përsëritur njëri-tjetrit fjalën liri, Atdhe, dashuri...Këta kishin dy qëllime, njëri për çlirimin e Atdheut e tjetri për dashuri që u kishte lindur në ditët e vështira të prag luftës. Kjo u kishte kaluar në qëllim jetësor të dyve.

Shkrimtari Dibran Fylli nuk pushon së treguari se një ditë vjeshte, deri sa flokëverdha po mendonte për Ilirin, ishte lëshuar një “Urdhëresë e përgjithshme” ku urdhërohej që edhe më tej Rida duhet vazhduar detyrën në të njëjtin Njësit, sikurse edhe udhëheqësit tjerë në të gjithë vendin. Kjo vlente edhe për flokëkaçurrelin, i cili me padurim priste të takohej me Ridën që aq shumë e dashuronte. Mërzia, brenga dhe ditët e pafundme ishin prezentë në të dyja zemrat, por kur ata mendonin dhe fare mirë e dinin së ishin në shërbim të Atdheut, atëherë mërzia u hiqej, brenga u largohej e ditët shkurtoheshin aq sa ata mendonin se nuk ekzistonin fare, kur dihej së rruga e lirisë ishte e mundimshme me plot sakrifica dhe mjaft e gjatë. Për Ilirin dhe çlirimtaret mendohej aq e shkurtër sa që njeriu mund të takohej me lirinë aty kur më së paku e pret, sepse po mos të ishte bota e rrumbullakët, zor se do t’i dihej fundi i jetës…-do të thotë Fylli. Nga të gjitha që kishin ndodhur deri atëherë, tani mund të thuhej së lufta kishte filluar dhe luftimet po zhvilloheshin pothuajse në çdo cep të vendit. Iliri shkëlqente me shokët e tij duke rezistuar kundër armikut. Kishte përfituar përvojë luftarake, njihej si organizator e strateg i pashoq për luftën çlirimtare në Atdheun e quajtur Arbëri. Rida në anën tjetër, hiq më me pak përvojë krahas detyrës që iu kishte besuar për trajtimin e të plagosurve, s’e lëshonte armën nga dora duke u treguar trimëreshë e maleve, e urtë, fisnike me zemër çeliku, e pa thyeshme dhe e vendosur deri në vdekje për lirinë e Atdheut. Koha po kalonte në dobi të ardhjes së lirisë. Betejat e rrepta që zhvilloheshin pothuajse çdo ditë në mes forcave armike dhe Ushtrisë Çlirimtare, fitimtar ishin çlirimtarët edhe pse jo të barabartë në krahasim me armatimin e armikut. Armiku në njërën anë po tmerrohej e në anën tjetër çuditeshin me organizimin e çlirimtarëve. Me kalimin e kohës nëpër male plot me sakrifica dhe takimet e rralla të Ilirit me Ridën, atyre çdo ditë e më tepër iu shtohej dashuria. Kjo në asnjë mënyrë nuk ndikonte në mos kryerjen e ndonjë detyre që u ishte dhënë nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare. Ata të dy e gëzonin besimin e plot të Shtabit dhe të shokëve….-njofton zotëri Fylli.

Forcat armike, edhe pse me armë më të përsosura, teknikë luftarake të rëndë, ata po tmerroheshin nga frika, gati ishin thyer. Pushka e luftëtarëve të lirisë s’kishte të ndalur,  fitorja ishte dukshëm në anën e çlirimtarëve. Kjo është, me pak fjalë fabula e romanit “Edhe kjo është pjesë e jetës” e shkrimtarit Dibran Fylli.

Në anën tjetër, Çupi me të shoqen janë zhveshur nga çdo cilësi njerëzore, duke u shndërruar në përbindësha, që veprojnë si vegla qorre në shërbim të okupatorit. Çupi i nxitur nga motivet egoiste të tepruara dhe nga pretendimi i shfrenuar për pasuri, pozita dhe pushtet kalon në rraqfshin e atdhemohuesit dhe kësisoji bëhet faktikisht tradhtar i kombit të vet. Ai madje, pranon të jetë edhe dhëndër i serbëve na verbëria lakmitare për përfitime nga më të ndryshmet. Duke qenë i tillë ai, si shumë të tjerë, ishte bashkëpunëtor i armikut, i përbetuar të punojë kundër kombit të vet, por mjerisht ishte daja i flokëverdhës. Këtë Iliri e kishte mësuar pasi që kishte hyrë në shtëpinë e tij, kur në korridorin e asaj shtëpie ishin takuar me gruan e Çupit që quhej Mili. Mili ishte një shkurtesë e emrit pagëzuar sipas kishës sllave “Milijana“.-Na tregon shkrimtari Fylli, diku në faqe të romanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat