Komuna e Prishtinës për herë të parë ka bërë plan konkret për shpenzimin e 50 mijë eurove, që tash e sa vite i ndan për art në hapësira publike.
Memorandumi që ka nënshkruar me qendrën për zhvillimin e artit “Q’art” i ka hapur rrugët për këtë. Nëpërmjet tij synon që të pasurojë dhe zhvillojë aktivitetet që lidhen me artin në hapësira publike, por jo vetëm kaq.
Yll Rugova, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport në Komunën e Prishtinës, ka thënë se përveç planeve për të vazhduar me edicionin e dytë të festivalit “Meeting Of Styles” - i cili në edicionin e parë në maj të vitit të kaluar murin në Rrugën B e bëri hapësirë të grafiteve të artistëve botërorë e vendorë - e kanë fokus që të trajtojnë edhe lagjet e tjera.
“Kodra e Trimave”, “Medreseja” e “Dodona” janë disa prej tyre. E njëri prej synimeve kryesore përmes këtij memorandumi, sipas Rugovës, është shndërrimi i kryeqytetit në ambient më atraktiv edhe për turistët.