Gjatë luftës shfarosëse serbe 1998-1999 në Kosovë, Podujeva pësoi shumë në njerëz dhe në ekonomi

Kultura

Gjatë luftës shfarosëse serbe 1998-1999 në Kosovë, Podujeva pësoi shumë në njerëz dhe në ekonomi

Më: 15 prill 2018 Në ora: 14:17
Nagjije Doçi, autore e shkrimit, MIRËNJOHJE për mua ndarë nga shqiptarët e Rumanisës

Podujeva është qendër administrative e krahinës së Llapit dhe gjendet në pjesën veri-lindore të Kosovës. Gjatë viteve 1998-1999 Podujeva ka përjetuar ofensiva të vazhdueshme serbe dhe ka pësuar shumë në njerëz dhe në ekonomi. Ofensiva e parë serbe në Podujevë është bërë më 15 shtator 1998, në fshatin Dobratin. Gjatë gjithë ofensivave, ushtria e policia serbe ka bërë sulme të tmerrshme në Podujevë dhe në fshatrat e saj, si pasojë e të cilave janë vranë shumë shqiptarë dhe janë djegur e shkatërruan gati krejt shtëpitë e tyre. Njerëzit janë vrarë nëpër shtëpia, në rrugë e gjithkah, si edhe janë përzënë me barbari të paparë për Maqedoni, Mal të Zi dhe kah jo tjetër.

Sipas librit të autores, Sanije Aliaj, “Pasojat e luftës në Kosovë 28 shkurt 1998, 10 qershor 1999”: “Në Komunën e Podujevës janë të vrarë 446 civilë shqiptarë. Dëshmorë nga kjo komunë janë 61, të zhdukur 46 shqiptarë, ndërsa të plagosur 307. Prej 78 fshatrave sa ka kjo komunë, 77 janë të djegura, me 7418 shtëpi të djegura dhe të granatuara dhe më 1632 objekte përcjellëse”.

Image
Saranda në spitalin e Prishtinës

Podujeva me fshatra ka përjetuar shqetësime të vazhdueshme, me rrahje, maltretime, burgosje, si edhe me vrasje të banorëve të saj shqiptarë gjatë dhjetëvjetëshit të aparteidit serb në Kosovë (Dhjetëvjetëshi i fundshekullit njëzet). Helmimi i nxënësve shqiptarë nëpër shkollat e Kosovës më 1990 më së pari kishte filluar në Podujevë, për të vazhduar pastaj edhe në shkollat e Prishtinës e edhe në tërë Kosovën. Pushtuesi serb me aparatin e vet policor e ushtarak për fillim i ka atakuar familjet dhe individët e përzgjedhur shqiptarë të kësaj komuneje, të cilët merreshin me aktivitete atdhetarie në të mirë të Kosovës. Më kalimin e viteve ishte atakuar çdo shqiptarë pa dallim moshe e gjinie, kudo që ishte gjendur.

Personazh i rrëfimit për Podujevën është Saranda Bogujevci, vajzë 14 vjeçe, që më 28 mars 1999 ka parë me sytë e saj, kur forcat serbe ia kanë vrarë me pushkë dhe ia kanë masakruar me thika nënën dhe dy vëllëzërit, si edhe gjyshën. Ka parë kur e kanë vrarë dhe masakruar edhe familjen e xhaxhait të saj, Selatin Bogujevci, bashkë edhe me familjen e Enver Duriqit nga fshati Obrançë e Podujevës, më të cilët kishin qenë bashkë të strehuar në shtëpinë e Halim Gashit, në Podujevë. Saranda, edhe pse gjatë plojës serbe mbi ta kishte qenë edhe vetë e plagosur me 16 plumba në trup, kishte qenë me vetëdije të plotë dhe i kishte parë kur kriminelët uniformistë serbë ishin kthyer për të dytën herë në vendmasakrën e tmerrit të pakrahasuar, që t’i verifikonin të vrarët se mos kishte mbetur ndonjëri prej tyre i gjallë. Të plagosurit që kanë dhënë shënja jete i kanë vrarë për të dytën herë. Saranda më gjithë dhembjet e tmerrshme të plagëve të shumta në trup, kishte arritur të paraqitej si e vdekur dhe kishte shpëtuar. Për aftësitë dhe mundësitë e vrojtimit të masakrës se pakrahasuar serbe dhe për mbijetimin fizik e psiqik të tmerreve mbi vete dhe mbi të tjerët, Saranda mund të radhitët ndër fëmijët më të veçantë të kohës.

SHTJELLIMI I NGJARJES:

Saranda Bogujevci nga Podujeva e mbijetuara e plojës serbe të 28 marsit 1999 në Podujevë me 16 plumba në trup

Saranda Bogujevci është e lindur në vitin 1985 në Podujevë (Besianë). Në ditën e 28 marsit 1999, në Podujevë forcat serbe të njësitit special “Shkorpionët” e kishin qëlluar me 16 plumba në trup krejtësisht gjakëftoftë dhe me pamëshirësi të padëgjuar e të paparë edhe ndokund tjetër si aty. Dhe Saranda atëherë ishte vetëm një e re 14 vjeçe, që nuk i kishte bërë kurrë një të keqe dikujt. Faji i vetëm i saj se ishte vajzë shqiptare dhe se ishte nga Kosova, që më vite e dekada kërkonte të lirohej nga robëria e gjatë dhe e egër serbe. Disa plumba Sarandës i kishin dëpërtuar tejpërtej nëpër trup, e disa i kishin mbetur brenda në organizmin. Plumbat nga trupi ia kishin nxjerrë në spitalin e Prishtinës dhe për këtë ajo nuk kishte pasur fare dijeni se si kishin shkuar procedurat e operimit. Një plumb ia kishin nxjerrë nga trupi forcat e NATO-s, rrugës për në spitalin e uzurpuar të Prishtinës, që thuhet që ishte dalluar dukshëm nën lëkurë. Ky plumb i nxjerrë nga trupi i saj edhe është përdorë si dëshmi bindëse në gjyqin e Hagës për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi.

Që të mblidhja shënime të sigurta për masakrën serbe të vitit 1999 në Familjen Bogujevci (Në familjen e Safet dhe Selatin Bogujevcit) në Podujevë, më duhej gjithësesi që të kontaktoja me përjetuesen dhe njëherit edhe mbijetuesen e masakrës, vajzen e re, Saranda Bogujevci. Arsyeja që të kontaktoja pikërisht vetëm me Sarandën ishte se vetëm ajo kishte arritur, përkundër plagëve të shumta në trup, që ta shihte rrjedhën e kriminalitetit të pakrahasuar të forcave serbe, ngjarjen tragjike të luftës totalisht të pabarabartë. Vizitën në Familjen Bogujeci të Podujevës e realizova në vitin 2004 me ndihmesën e mikes time, bashkëaktivisten e kohëve të vështira për Kosovën, si edhe bashkëdeputeten në Kosovën e lirë, Znj. Lumnije Kajtazi, nga Podujeva.

Shtëpitë e Familjes Bogujevci ishin në qendër të Podujevës dhe mua gjithësesi që më duhej të thellohesha në rrëfimin rrënqethës të Saranda Bogujevcit kur thoshte: Shtëpitë tona ishin gjithnjë në shënjestër të forcave serbe. Ne ishin në qendër të qytetit dhe se përballë nesh, pak si në kodër, diku nja 200 metra në vijë ajrore, ishte stacioni i policisë serbe dhe pak më tutje dhe Sillosi, ku ishin të përqëndruara forca të shumta militare e paramilitare serbe, që na shihnin si në pëllëmbë të dorës. Ata i përcillnin lëvizjet tona, por edhe lëvizjet e krejt popullatës, se nga Sillosi shihej edhe krejt Podujeva. Edhe ne i shihnim lëvizjet e forcave serbe dhe se si më dukeshin si fantazma të përrallave trishtuese, që m’i tregonte gjyshja Shehide, kur isha e vogël, ende pa shkuar në shkollë – Ishin fjalët e Sarandës!

Kur sulmoi NATO mbi caqet serbe në Podujevë ishte heshtje

Gjithnjë sipas Saranda Bogujevcit, në mbrëmjën e 24 marsit 1999, para sulmit të forcave të NATO-s mbi caqet ushtarake serbe, në Podujevë (në dukje) kishte mbretëruar një heshtje e madhe dhe e çuditshme. Në familjen Bogujevci, por edhe në të gjitha familjet shqiptare të Kosovës thellësisht kishte gëzim. Mendohej që Kosova do të lirohej brenda një kohe shumë të shkurtër dhe se nuk do të ketë më forca serbe dhe as krisma armësh vrastare serbe. Atë natë të sulmit të forcave të NATO-s mbi caqet ushtarake serbe, ndër të gëzuarit më të potencuar kishin qenë edhe fëmijët, që kishin thënë se tani do të shkojmë lirisht në shkollë dhe se do të luajmë e lodrojmë pa i parë forcat serbe te kodra rrëzë Podujevës. Atë natë të sulmeve të NATO-s, në Familjen Bogujevci, ashtu si edhe në tërë Kosovën, të gjithë i kishin përcjellë lajmet e Televizionit Shqiptar, se çka flitej për shqiptarët dhe për Kosovën në spektrin ndërkombëtar. Televizioni i Prishtinës, që ishte në duart e pushtuesit serb, që nga suspendimi i autonomisë së Kosovës më 1989, nuk kishte folur as edhe një fjalë të vetme për realitetin e rëndë në Kosovë. Nuk kishte folur asnjëherë dhe asgjë për shqiptarët, të cilët maltretoheshim e keqtrajtoheshin kudo që gjendeshin, në shtëpi e në rrugë, e edhe që vriteshin. Në atë televizion të pushtuar, për shqiptarët flitej vetëm si prishës të qetësisë së pushtuesit serb në Kosovë.

Në ditët në vijim por edhe që nga 20 marsi 1999 popullata shqiptare e Podujevës, por edhe e krejt Llapit të shumtën e kohës kishin ndejtur në shtëpi. Kishin lëvizur vetëm për raste tepër urgjente, siç ishin sëmundjet dhe rastet e mortit që ndodhnin tek të afërmit. Nuk kishin qarkulluar as autobusët dhe ata shqiptarë që kishin qenë të detyruar të udhëtonin për Prishtinë apo nëpër fshatra, kishin përjetuar tmerre të ndryshme prej forcave serbe. Pika të kontrollit serb kishte në udhëkryqe dhe në shumë vende të tjera përskaj rrugës së asfaltuar, si te Kulinat, te Qershijat e Llapashticës, në Lluzhan, te udhëkryqi i Orllanit, te Bardhoshi dhe në çdo vend në hyrje të Prishtinës. Në secilin vendkontrollim kishte pasur nga katër e më shumë tanke, si edhe deri në 10 e 20 ushtarë e policë të armatosur serbë. Postblloqet e forcave serbe dhe dhuna në to ishin shtuar më të madhe ato ditë në Llap si edhe gjithkah nëpër Kosovë, se ishte larguar OSBE-ja nga Kosova. Sa kishte qenë OSBE-ja në Kosovë, gjendja kishte qenë pak më e qetë në dukje dhe vrasjet e masakrimet e shqiptarëve nuk ishin bërë krejtësisht hapats dhe para familjarëve. Në të vërtetë, burgosje e vrasje të shqiptarëve në Kosovë kishte pasur vazhdimisht gjatë gjithë dhjetëvjetëshit të fundshekullit njëzet, edhe sa kishte qenë OSBE-ja, por veprimet e tilla kriminale ishin bërë pak si më fshehtas prej vrojtimeve të jashtme.

MË 28 MARS 1999 SULMI BARBAR I FORCAVE USHTARAKE SERBE MBI POPULLATËN CIVILE SHQIPTARE NË PODUJEVË

Ishte paramëngjes i 28 marsit 1999 kur dëgjuam një ushtimë të madhe në lagjen tonë, që vinte secilën herë duke u shtuar dhe duke u bërë e padurueshme – Thotë Saranda. I mbyllnim veshët nga ushtima e madhe shurdhuese, por edhe gati u tmerruam kur pamë dy tanke dhe tri autoblinda të forcave serbe, që u ndalën edhe para shtëpisë tonë. Tani e merrnim me mend se ata kishin ardhur enkas që të na përzënin me tmerre edhe neve ose edhe që të na mbysnin të gjithëve një nga një. Shumë ushtarë serbë i thyen edhe dyert e dy shitoreve tona dhe hynë në to sigurisht që t’i plaçkisnin gjërat. Ne e dinim që tani do të hynë edhe te ne në shtëpi dhe që t’i shpëtonim më të keqes u bëmë gati shpejt e shpejt dhe shkuam në shtëpi të axhës së babait tim, Qazim Bogujevci. Shtëpia e axhës Qazim ishte dy-tri shtëpi larg nesh dhe nuk ishte në rrugën kryesore si shtëpia jonë. Ishte edhe e pabanuar, se axha Qazim kishte shkuar prej kohësh në Prishtinë me familjen e vet dhe vinte në Podujevë vetëm në raste festash dhe për pushime. Duke jetuar nën krismën e armëve vrastare serbe dhe të dëbimit masovik gjithkah nëpër lagje, tek vonë kemi parë se në shtëpinë e axhës Qazim ishin strehuar edhe familja e Enver Duriqit nga fshati i afërm Obrançë. Ata edhe herave të tjera ishin larguar nga fshati i tyre, që të shpëtonin nga ofensivat e ndërmarra serbe atje në vitin 1998 dhe më 1999. Gjatë zhvendosjes ishin strehuar nëpër shtëpi të ndryshme, herë te të afërmit dhe herë kah kishin mundur nëpër Podujevë dhe gjithherë kishin përjetuar tmerre të shumta. Në shtëpinë e axhës Qazim kishin ardhur kur kishin parë se në atë pjesë të vendstrehimit të tyre forcat serbe iu kishin hyrë shqiptarëve nëpër shtëpi, duke i rrahur e vrarë që t’i përzënin sa më shpejtë nga vendi i tyre – Është rrëfimi i Sarandës.

Familja Bogujevci ishin gëzuar shumë kur e kishin gjetur familjen Duriqi në shtëpinë e axhës së tyre, Qazim Bogujevci, se ato ditë të tmerreve serbe kur e kishin takuar një shqiptar ishin gëzuar shumë, se sikur iu ishte forcuar bindja se do ta mbijetonin më lehtë të keqen dhe se edhe do të fitojnë. Nuk kishte zgjatur shumë gëzimi i tyre dhe as koha për t’u shoqëruar e biseduar me Duriqët e strehuar, se edhe aty kishin erdhur si furi e zezë forca të shumta serbe. Në shtëpinë e Qazim Bogujevcit, në Podujevë kishin qenë të strehuar gjithsej 21 vetë, 7 gra me 12 fëmijë të vegjël dhe dy burra të moshuar. Këta kishin mbetur pa u larguar dikah, ashtu si kishin bërë të tjerët, ndoshta nga dashuria e madhe që e kishin pasur për Podujevën e për Kosovën, e ndoshta edhe nga vetë fati dhe pakuptueshmëritë e padukshme. Si duket ata edhe kishin qenë banorët e fundit të asaj hapësire të Podujevës, që kishin mbetur pa u larguar.

Image

 

Serbët që kishin hyrë t’i dëbonin nga vendstrehimi në shtëpi të Qazim Bogujevcit kishin qenë të gjithë të uniformuar dhe ndaj tyre kishin ushtruar egërsi kriminale të papërshkrueshme. Ata kishin qenë ushtarë të rregulltë, që kishin ardhur tinëzisht përmes oborrit të fqinjve dhe jo kah rruga kryesore. Uniformat e tyre, thotë Saranda, kishin qenë të ngjyrës së gjelbërt si bari. dhe disa prej tyre kishin qenë edhe të ngjyrosur në fytyrë dhe me koka të rruara. Kishte pasur edhe të atillë që kishin qenë me mjekrra të gjata dhe me shirita të verdhë në krah, si edhe me shamia të lidhura rreth kokës. Që të gjithë kishin qenë të trishtueshëm edhe vetëm për t’i parë. Ata me shirita në krah dhe me shamia të lidhura rreth kokës kishin qenë paramilitarët e njësitit serb “Shkorpionët”. Kishte pasur edhe shumë serbë vendorë të komunës Podujevës, të veshur si ushtarë, që të strehuarit edhe i kishin njohur, ndër të cilët edhe Sasha Cvjetan dhe Dejan Demiroviq, rezervistë të MUP-it të Serbisë. Ata kishin bërë bastisje e maltretime edhe herave të tjera në Podujevë, prandaj edhe shqiptarët e Podujevës i njihnim mirë. Të dytë këta ishin kriminelë ordinerë, që në Podujevë përflitej se kishin bërë vrasje e masakrime të shumta edhe në popullatën boshnjake gjatë luftës së tmerrshme në Bosnje, më 1992.

Të gjithë këta kriminelë uniformistë serbë kur kishin hyrë në shtëpinë e Qazim Bogujevcit, në Podujevë, të strehuarit e pambrojtur shqiptarë i kishin nxjerrë nga shtëpia me sharje të shfrenuara dhe me krisma armësh te këmbët dhe në ajër, pse nuk ishim larguar më herët nga shtëpitë e tyre, si të tjerët. I kishin shtyrë dhe rrahur pamëshirshëm me kundakë të pushkëve e me shufra gome gjithkah nëpër trup, që të dilnim sa më shpejt. Në vrapim e sipër dhe pa kontroll nga tmerri, shumë prej tyre ishin rrëzuar dhe i kishin lënduar keqas gjymtyrët. Çantat me rrobe dhe me ushqime, që i kishim përgatitur t’i merrnim më vete, nëse do t’i përzënin edhe ata si të tjerët, ua kishin shkyer me thika dhe fërfëlluar nëpër oborr, duke i detyruar ata që të shkelnim nëpër to. Në atë katrahur të tmerrit të pakrahasuar, të parën qe e kishin vrarë kishte qenë Shefkati, gruaja e axhës Sarandës, Selatin Bogujevcit. Atë e kishin vrarë duke e shkëputur me barbari kriminale nga duart e fëmijëve të saj.

Të përzënit i kishin detyruar me krisma armësh që të hynin nëpër therra dhe tela më gjemba, që të torturoheshin e të përgjakeshin sa më shumë. I kishin drejtuar jo në rrugë, por nëpër oborre drejt shtëpisë së fqinjit dy-tri shtëpi më larg, në atë të Halim Gashit. Ende pa mbërrirë mirë rendi i të përzënëve te oborri i shtëpisë së Halim Gashit ishin dëgjuar krisma të shumta armësh, që t’i bënin batare të gjithë. Më së 30 uniformistë kriminelë serbë kishin shkrepur rafale plumbash pa ia ndarë mbi familjen Bogujevci të Podujevës dhe mbi familjen Duriqi të fshatit të afërm Obrançë. Dy herë kishin shkrepur rafale pushkësh të shumta dhe krahas kësaj edhe kishin kënduar këngë për zhdukjen e shqiptarëve nga Kosova.

Mbi 30 uniformistë serbë bënë plojë në gra e në fëmijë shqiptarë në Podujevë

Sipas Saranda Bogujevci, në oborrin e shtëpisë së Halim Gashit në Podujevë më shumë se 30 ushtarë serbë kishin gjuajtur rafale pushkësh të pandalura në gra e fëmijë të mbështetur për muri. Dhe të ekzekutuarit kishim qenë vetëm civilë shqiptarë të paarmatosur, që ishin në vendin tyre dhe që nuk kishim bërë kurrnjë të keqe që t’i vrisnin. Kishin jetuar në ankthe e trishtime të vazhdueshme prej disa muajsh, se prej qërshorit të vitit 1998 kishte pasur vazhdimisht krisma e bubullima të përditshme armësh serbe në lagjën e tyre dhe në Podujevë.

-Isha afër nënës sime, kur e vranë gruan e axhës tim, Shefkatin-Thotë Saranda! Dridhësha e tëra nga dhëmbja dhe trishtimi për të dhe mbaj mend kur nëna mundohej të më qetësonte. Ma vuri kryet në krahëror të saj dhe me njërën dorë mundohej të mi mbulonte sytë që të mos i shihja skenat trishtuese që bëheshin mbi ne. Ishte e pamundur të vazhdohej edhe mëtutje përkujdesja e nënës sime ndaj meje, se ngjarjet kriminale ndaj nesh zhvilloheshin me shpejtësi rrufeje dhe askush më nuk mundte ta qetësonte tjetrin në atë katrahurë lemerie. Dy vëllezërit e mij Shpendi (12) e Shpëtimi (9) i ishin afruar, si edhe unë, nënës dhe as zëri nuk iu dëgjohej. Fytyrat e tyre dukeshin të verdha si limoni nga frika, se ishin fëmijë. Kur i kam parë vëllezërit në gjendje të tillë, kam ndier dhëmbje të madhe për ta dhe një si lëkundje e tmerrshme ma përfshiu organizmin tim. Në ato momente kam dashur të bërtas deri në kup të qiellit, që t’i tregoj botës së kuptueshme, se serbët janë popull pa ndjenja njerëzore dhe se ndoshta, nuk përngjajnë edhe fare në njerëz – Thotë Saranda Bogujevci!

 Edhe po të bërtiste Saranda Bogujevci, siq thuhet edhe deri në kup të qiellit, nuk kishte pasur kush ta dëgjonte, se nuk kishte mbetur më kund shqiptarë në lagjen e tyre. Të gjithë i kishin përzënë nga shtëpitë e tyre e shumë prej tyre edhe i kishin vrarë. Ushtarët kriminelë serbë iu kishin urdhëruar që të uleshim përskaj murit të oborrit të Halim Gashit dhe fëmijët ishin bërë truq secili te nënat e veta, duke shpresuar se ato do të mund t’i shpëtonin. Nora 16 vjeçe dhe fëmijët të tjerë të Selatin Bogujevcit (Xhaxhait së Sarandës) ishin ulur afër gjyshës së tyre, Shehides, se nënën, Shefkatin, e kishin vrarë kriminelet serbë para syve të tyre vetëm pak minuta më parë. Në të vërtetë anëtarët e familjes Bogujevci ishin tubuar krejt afër njëri-tjetrit dhe gjyshja e tyre, Shehide Bogujevci, ishte munduar me tërë forcën e saj shpirtërore që t’i qetësonte. Fëmijët sikur ishin munduar që të qetësoheshin nga fjalët e gjyshes së tyre, por përnjëherë kishin kërcitur pushkë të tjera të shumta dhe krejt plumbat kishin rënë te këmbët e tyre. Të tmerruar nga ushtima shurdhuese e pushkëve dhe nga plumbat e shumtë që e kishin nxirë tokën para tyre, instiktivisht ishin ngritur në këmbë, duke mos ditur se ku ishin dhe se kah duhet të shkonin. Zatën ata as që kishim pasur se kah të shkonim, se përpara i kishim pasur shkorpionistët krimielë serbë me tyta pushkësh të drejtuara në ta, ndërsa një hap pas e kishim pasur murin e oborrit të lartë dy metra. Thjeshtë kishin qenë të rrethuar me inkriminimin hermetik në të gjitha anët dhe kishin mbetur vetëm në mëshirë të fatit. Dhe fati i tyre në atë ditë të tmerrit të pakrahasuar kishte qenë tepër i rëndë dhe krejt tragjik.

Nëna e Sarandës, Sala 38 vjeçe, e vetëdijshme për vazhdimin e të shtënave të tjera, i kishte fshehur fëmijët pas veti, kah skaji i murit, sigurisht me mendimin që t’i mbronte me trupin e vet nga plumbat. Duart i kishte zgjatur prapa që t’i përthekonte disi fëmijët e vet që të mos i largoheshim, se kishte dashur të qëndronte sypatrembur para tytave. Kishte dashur t’u tregonte kriminelëve sygjakosur serbë se ata edhe duarthatë ishin më e fortë. Kur kishin krisur rafalet e  dyta të automatikëve mbi të mbështeturit për muri, nënë Sala e Sarandës kishtë rënë e para përtokë. Krejt gjoksi i ishte qëndisur me plumba. Buzëqeshjen në injorim të uniformistëve vrastarë serbë ia kishte mbuluar vrushkulli i gjakut, që i kishte dalur gurgullimë nga goja dhe që e kishte bër krejt tokën kuq përreth saj. Rafalet e plumbave e kishin goditur edhe Sarandën, dy plumba në këmbë, që nuk e kishin lënë të lëvizte fare nga vendi.

-Në ditën e krimit të bërë mbi ne, forcat serbe pasi më gjuajtën mua me plumba për vdekje, e pushkatuan të renditur për muri edhe nënën time, Salën 38 vjeçe, pastaj vëllezërit e mij, Shpendin 12 vjeç e Shpëtimin 9 vjeç, si edhe gjyshën time, Shehidën 65 vjeçe. E vranë edhe gruan e axhës Selatin, Shefkatin (43), që ishte motër medecinale, si edhe vajzën e tyre, Norën 15 vjeçe. Fat i njejtë e përcolli edhe hallën time, Nefisen (60), që e vranë  bashkë me rejen e saj, Fexhrijen 20 vjeçe (nusën e djalit të madh, Bekimit), që veç sa ishin martuar në shtëpinë tonë. Halla Nefise kishte ardhur te ne në Podujevë nga fshati Surkish, me shpresën që të shpëtonin nga bombardimet e shumta që i bënin forcat serbe andejpari. I vranë edhe 7 anëtarë të familjes së Enver Duriqit nga fshati Obrançë i Podujevës, më të cilët na bashkoi lufta e pabarabartë dhe e tmerrshme serbe. Me këtë familje qemë takuar në mëngjesin e 28 marsit 1999 dhe fati i zi na përcolli njëjtë të dyja palëve. Të vrarët e familjes Duriqi janë dy prindërit e Enverit, Hamdiu e Esmaja (70) dhe bashkëshortja e tij Fitnetja me katër fëmijët, Dafinën (9), Arbërin (7), Mimozën (6) dhe Albionin e vogël dy vjeç. Bashkë me ne e vranë edhe axhën e nënës sime, Selman Gashin dhe gjithsej të vrarë në atë kasaphane të tmerrit ishim 16 vetë. Të plagosur ishim, unë Saranda Bogujevci dhe katër fëmijët e axhës Selatin, Fatosi, Jehona, Liria dhe Genci.

-Kur më kanë goditur dy plumbat e parë në këmbë jam mbështetur për muri që të lëshohem ngadal në tokë, se ndija një lloj plogështie të çuditshme në organizëm. Ndija edhe se më ishin mbyllur veshët nga krismat e shumta me ushtimë, por megjithatë mund të them se isha ende e ktjellët që t’i shihja disa prej skenave tragjike, që bëheshin në atë vend krimi mbi ne. Kam parë, kur binin në tokë gra e fëmijë, si kallinjtë e grurit dhe nuk e di edhe nga më vinte një forcë e tillë që t’i shikoja tmerret e tilla. Vëllai im i vogël, Shpëtimi kishte mbetur i shtrirë krejt afër meje dhe jam tmerruar deri në shkallë paskajshmërie, kur e kam parë se i ishte ndarë përgjysmë koka nga plumbat. Mbaj mend edhe kur mundohesha t’i bashkoja dy pjesët e ndara të kokës së Shpëtimit dhe nuk di edhe si më ishte dhënë të mendoja, që ndoshta mund të kthehet prapë në jetë, shpirti i vogël i motrës - Janë fjalët e Saranda Bogujevcit.

Me t’u ndalë për disa sekonda breshëria e plumbave serbë, sigurisht për ndërrim të karikatorëve të pushkëve, Saranda me shpejtësi rrufeje kishte tentuar të shikoj se çfarë kishte ngjarë edhe me të shtrirët të tjerë përtokë. Nuk kishte mbërritur që t’i përceptojë të gjithë, se kishin krisur batare të tjera mbi ta me ushtimë e me zjarr edhe më të madh se të mëparshmet. Në momente të tilla Sarandën e kishte goditur një plumb në shpinë, pasi ajo kishte qenë në pozitën përmbys, duke e mbajtur këmbën e plagosur. Dhëmbja në shpinë kishte ndikuar që ta ngriste kokën lartë, duke e mbajtur me të dyja duart që të mos alivanosej. Në ato momente e kishin  goditur edhe 13 plumba të tjerë. Të 13 plumbat e kishin goditur në dorën e majt, rend prej majës së gishtërinjëve e deri në rrëzë të krahut. Çuditerisht si nuk e kishte qëlluar ndonjëri plumb në kokë. Ky edhe kishte qenë fati i saj i vetëm në atë fatkeqësi të madhe e tragjike.

Image
Autorja e shkrimit me Saranda Bogujevcin

 

Kishte mbetur e shtrirë në tokë Saranda dhe se si i ishte ngulitur në mendje se ndoshta do të ishte më mirë që të bëhej si e vdekur. I kishte parë vrimat e plumbave në krah, por nuk kishte bërë zë, se kishte vërejtur që kriminelët serbë i kishin hyrë sërish kontrollimit të kasaphanës së bërë, se mos kishte mbetur ndonjë i gjallë. I kishin rrotulluar me këmbë të vrarët, por edhe i kishin shkelur dhe ai që kishte gjëmuar nga dhembjet, apo që kishte dhënë shenja jete, kishin shkrepur sërish batare plumbash në të, ose e kishin therrur me thika. Kur ishin afruar afër Sarandës, ajo nuk kishte merrë frymë dhe sytë i kishte mbajtur të mbyllur, që për të kishte qenë roli më i vështirë dhe më i pazakontë për jetë të jetëve. Fat i madh për të kishte qenë edhe se nuk e kishin shkelur si edhe shumë të tjerë dhe për këtë edhe nuk kishin mundur që ta dallonin që kisha qenë e gjallë.

 Të bindur për kryerjen me sukses të misionit kriminal, njësiti special “Shkorpion” ishte larguar nga oborri i shtëpisë së Hilm Gashit dhe në ato momente kishte rënë një heshtje varri në atë nënqiell të vrarë të Podujevës dhe të Kosovës. Atmosfera e tillë kishte qenë tepër e rëndë për Sarandën, se kishin filluar me të madhe t’i errësoheshin edhe sytë. Për një moment se si i kishte ardhur një forcë e çuditshme që të këthjellej nga përfshirja e agonisë dhe atëherë ishte përpjekur që të shikonte se mos ishte i gjallë edhe ndokush tjetër si ajo. Ishte përpjekur edhe që të ngritej në këmbë, por kishte qenë e pamundur nga plumbat në këmbë dhe nga goditja e një plumbi tjetër në shpinë. Në momente të tilla të trishtimit kulmor e kishte parë duke lëvizur djalin e axhës, Gencin 6 vjeç dhe se si i ishte dukur sikur kishte ndrit një yll në qiell. Kishte kërkuar me sy se mos do ta shihte duke lëvizur edhe ndokënd tjetër, apo se mos do ta dëgjojë edhe ndonjë zë duke gjëmuar, por nuk kishte parë dhe as dëgjuar më asgje! Kishte parë vetëm njerëz të vdekur, me vrima plumbash të shumtë të renditur në trup dhe të larë krejt në gjak. Të gjithë të vrarët dukeshin të verdhë si limoni në fytyrë dhe vende-vende edhe me shenja nxirjeje. Pamjet e tilla i kishin shkaktuar dhembje deri në rrënqethje trishtuese dhe kishte thënë më vete, se a është e mundur vallë që të ndryshojnë njerëzit deri në atë gjendje, kur vetëm 10-15 minuta më parë kishin qenë të gjallë dhe kishin lëvizur e shpresuar për jetën.

Norën e axhës Selatin të saj e kishin bërë shoshë me plumba, se ia kishte dalluar montin (pallton) krejt vrima-vrima. Norës i kishin mbetur sytë të çelur dhe në ato momente se si i ishte dhënë Sarandës të mendonte, se ndoshta Nora ishte vetëm e plagosur. I ishte dukur edhe sikur Nora e kishte shikuar, që t’i thoshte asaj: “A po e sheh Sarandë, që nuk më dolën fjalët e tuaja, kur më thoje se ditëlindjen do ta festosh një herë tjetër, atëherë kur do të ndalen krismat dhe bombardimet serbe mbi Kosovë! Shikimi i ngrirë i Norës sikur ia kishte bërë me dije, se për të ishte ndalur për jetë të jetëve festimi i ditëlindjes.

-O Zot i Madh, pse e vranë Norën?! Pse ia ndalën rritën dhe vullnetin për jetë, kur ishte aq e re dhe kur aq e pafajshme ishte?! –Kishte thënë më vete dhe zemërplasur Saranda!

Në insistimin që t’i afrohej Norës së vrarë, e kishte parë gjyshën e vet, Shehiden krejtësisht të zverdhur në fytyrë dhe që nuk lëvizte fare. Në krahun tjetër e kishte parë Arbërin 7 vjeç të Enver Duriqit, që në vend të syve i ishin formuar dy gropa të mëdha, si shpella, prej nga i kishte rrjedhur gjak me vrushkuj. Edhe motrat e Arbërit, Dafinën (9) dhe Mimozën (6), si edhe vëllanë e tij të vogël, Albionin (2) bashkë edhe me nënën dhe gjyshën e tyre i kishin bërë blozë me plumba kriminelët serbë. Të shtatit kishin mbetur të vrarë dhe afër njëri tjetrit. Kishte shpresuar Saranda se ndoshta ndonjëri prej të shtrirëve përtokë do të ipte shenja jete, që të ishin numër i shtuar i të mbijetuarëve të masakrës së paparë. I ishte krijuar edhe një trishtim tjetër tepër i papërballuar, trishtimi që mund të ishte e gjalla e vetme në mesin e të vrarëve të shumtë dhe me plumba shumë.

Shkuan “Skorpionistët”, ndërsa ushtarët serbë  i larguan të vrarët

Pas plojës tmerruese serbe të 28 marsit 1999, oborrin e shtëpisë së Halim Gashit në Pëdujevë e kishte përfshirë heshtja prej varri. Kishte qenë beteja më e pabarabartë mbi 21 anëtarët e familjes Bogujevci e Duriqi. Kishin shpëtuar të gjallë, por të plagosur rëndë: Saranda Bogujevci dhe katër fëmijët e axhës së saj, Genci, Fatosi (12), Jehona (10) dhe Liria (8),. dhe në 15 minutat e parë trishtues, nuk kishte vërejtur që kishte edhe të gjallë të tjerë. Shpëtimi i tyre kishte qenë vetëm çështje e fatit.

E shtrirë në tokë nga plogështia prej dhëmbjeve të plagëve dhe prej gjakut që i ishte derdhur pa ndalur nga dora dhe këmba, ia kishte bërë me dije Gencit, që e kishte pasur afër, që si të vinin ushtarët serbë afër tij, të bëhej si i vdekur. Pas largimin të njësitit “Shkorpion”, ushtarët serbë kishin ardhur mënjëherë në vendmasakrën e tmerrit. Kishin ardhur sikur t’i kishin bërë marrëveshjet me kriminelët paraprakë serbë dhe Saranda i kishte vërejtur se veshja e tyre kishte qenë pak më ndryshe prej të parëve. Uniforma e ushtarëve të rregulltë serbë kishte qenë e gjelbërt dhe me lara si në të kaftë dhe qëllimi i tyre kishte qenë që të shtireshin si shpëtues dhe sanues të gjendjes para syrit të botës. Ushtarët i kishin verifikuar sërish të pushkatuarit dhe kur i kishin vërtetuar se ishin pa jetë i kishin mbuluar me disa çarçafa të bardhë,

Kur ushtarët serbë e kishin tërhiqur zvarrë  Sarandën, që ta rendisnin më të vrarët, ajo kishte ndier se i kishte kërsitur dora e majtë e plagosur me 13 plumba dhe nga dhëmbjet e mëdha si duket edhe kishte lëvizur dhe gjëmuar. Më të kuptuar ushtarët serbë se ishte e gjallë, e kishin tërhequr sërish rrëshqanas për ta shtrirë, tani sigurisht, në anën e kundërt, në atë të të plagosurve. Gjatë tërheqjes së dytë zvarrë i ishte dukur sikur i ishte këputur krahu. Në momente të tilla kishte rënë një shi i vrullshëm dhe kishte bërë edhe shumë të ftohtë dhe ajo nuk kishte mundur kurrqysh që ta ngriste asnjërën dorë që ta mbronte fytyrën nga rrapticat e shiut përzier me borë. Kishte dëgjuar pastaj rreth vetës zëra ushtarësh serbë, që kishin folur më zë shumë të lartë dhe që i kishin sharë shqiptarët pa ia ndarë. Kishte dëgjuar edhe zhurmë shurdhuese të makinave, që i kishin sjellë aty për bartjen e të plagosurve të masakrës, që e kishin kryer vetë. Automobili ku e kishin vendosur Sarandën kishte qenë i madh dhe si duket kishte qenë automobil i ndihmës së shpejtë, se kishte ndier aty Saranda erë barërash. Kishte ardhurher herë-herë edhe një erë e rëndë e gjakut, që gati ia kishte zënë frymëmarrjen, se si duket nuk ishte pastruar kurrë nga bartja e vazhdueshme e civilëve të vrarë e të plagosur shqiptarë, që i kishin plagosur e vrarë pamëshirshëm vetë. Të vrarët i kishin bartur me automobila të tjerë, për t’i dërguar në morgun e spitalit të Prishtinës, kinse për obduksion dhe më vonë i kishin kthyer sërish në Podujevë, sigurisht që t’i varrosnin përskaj hekurudhës.

-Gjatë bartjes sime me veturën-ambulantë për në spitalin e Prishtinës, kur më kalonte herë pas herë agonia, dëgjoja copëza bisedash të atyre që më bartnin, që sigurisht ishin magjup, se flisnin në një shqipe të ngatërruar. Në një moment se si dëgjova prej tyre, se në plojën e kryer në Podujevë, pos meje Sarandës dhe Gencit, kishin shpëtuar edhe tre fëmijë të tjerë. Shumë qesh gëzuar për atë që dëgjova, por doja që të dija edhe se cilët ishin ata që kishin shpëtuar – Thotë Saranda Bogujevci.

Mjekimi i Saranda Bogujevcit në spitalin e Prishtinës  me mjekë e personelë serbë

Vendosja në spitalin e Prishtinës nuk i kujtohet krejt mirë Saranda Bogujevcit se si ishte bërë, se të shumtën e kohës kishte qenë në kllapi tepër të rënda, që nuk e kishin lënë as sytë t’i çilte. Dhëmbjet e plagëve i kishte ndier të papërballueshme sidomos kur motrat serbe dhe personeli tjetër mjekësorë serbë e kishin pezulluar pa kurrfarë kujdesi dhe mëshire. Sa herë e kishin luajtur nga pozita e të qëndruarit shtrirë, shtroja nën trupin e saj ishte ulur e tëra në gjak. Pas endjeve të shumta nëpër reparte të ndryshme të spitalit, më në fund e kishin vendosur në shok-dhomë të repartit kirurgjik të fëmijëve dhe pjesën më të madhe të kohës kishte qenë në agoni. Kur i kishte dalë kllapia i kishte vërejtur rrobet e veta që i kishte pasur krejt të prera dhe të përlyera me gjak. Nuk e kishte ditur fare nëse e kishin operuar që të ia nxirrnin plumbat e shumtë nga trupi, apo se çfarë kishte ngjarë me të. Në të vërtetë Saranda e kishte pasur dyshimin se mjekët serbë nuk e kishin kontrolluar fare se në çfarë gjendje ishte dhe as nuk ia kishin nxjerrë plumbat trupi, se nuk kishte parë kund ndonjë fashë të lidhur, apo ndonjë interevenim tjetër mjeksor.

Mjekët serbë ia kishin ndërruar dhomat e spitalit vazhdimisht, por nuk ia kishin shëruar plagët, që i ishin keqësuar e pezmatuar secilën ditë e më shumë. Një herë bile edhe kishin vendosur që të ia prenin krejt krahun, se i kishin thënë që të është kalbur mishi në krah dhe se nuk mund të ketë më shërim për të. I kishin thënë edhe se nga krahu mund t’i infektohej edhe gjaku dhe pastaj t’i paralizohet edhe krejt trupi. Këtë ia kishin thënë në një shqipe të ngatërruar përmes një njeriu të tyre, kinse mjekësor, që ishte deklaruar se dinte të fliste shqip. Në të vërtetë ai nuk kishte ditur të fliste mirë shqip dhe përmes tij gjithçka ishte bërë edhe më e ngatërruar. 

 -Më thonin për gjendjen time shëndetësore, se unë kisha mbetur e palëvizshme nga plagosja në shpinë e në këmbë dhe se nuk kam për t’u shëruar kurrë. Krahas të gjitha të këqijave, më e rëndësishmja ishte se krahun nuk ma këputën dhe ky ishte fati im më i madh në tërë atë fatkeqësi të madhe dhe tragjike për mua. Pas një kohe fillova që ’i mësoj disa fjalë në gjuhën serbe dhe kështu edhe të kuptoja nga pak se çfarë thoshte personeli mjeksorë për mua – Thotë Saranda

Në spitalin e Prishtinës, mjekët serbë nuk ia kishin shëruar plagët dhe as nuk i kishin dhënë ushqim të mjaftueshëm për të ngrënë. Me kalimin e ditëve edhe zorrët kishin nisur t’i tkurreshin prej pangrënies së vazhdueshme, sa dikur i ishte dukur sikur edhe nuk kishte fare dëshirë dhe as shije që të hante asgjë. Kishte pasur pastaj momente kur kishte pasur uri të tmerrshme dhe atëherë se si e kishte shtyrë diçka e brendshme që të kërkonte nga infermieret serbe që t’i sillnin diçka për të ngrënë. Kur kishte rastisur që t’i sillnin ushqim, zakonisht një rriskë bukë, ose dy këksa, qëllimshëm ia kishin lënë larg shtratit që të mos i mbërrinte, se ato e kishin ditur që ajo nuk kishte mundësi lëvizjeje nga plagët dhe nga infektimi marramendës i tyre. Ishte përpjekur Saranda me tërë forcën që ta mbërrinte rriskën e bukës, por nuk kishte mundur ta merrte dhe nga lëvizja e shtratit rriska e bukës kishte rënë në tokë. Në momente të tilla ishte shqetësuar jashtë mase dhe se si i ishte bërë që t’i ndukte edhe flokët e kresë. Kishte pasur raste kur infermieret serbe edhe nuk e kishin përfillur fare kërkesën e saj që t’i sillnin bukë, e ndonjëherë edhe i kishin bërtitur më të madhe pse kishte pasur guxim  që të kërkonte ushqim prej tyre. Kishte pasur raste edhe kur i kishin thënë se ajo ishte armikja e tyre, prandaj edhe më qëllim e linin të uritur. 

Sipas Sarandës, në spitalin e robëruar të Prishtinës, në atë pranverë 1999 kishin ndodhur skena të lloj-llojshme trishtuese dhe të turpshme, se mjekët dhe infermieret serbe kishin pirë tërë natën raki dhe kishin bërtitur e sharë me shfrenime të pakontrolluara. Kah mesi i natës në spital kishin ardhur edhe ushtarë e paramilitarë të shumtë serbë që kishin pirë raki bashkë me personelin mjekësorë dhe që kishin këndonin edhe këngë shoviniste për heqjen e kokave shqiptare dhe për shfarosjen e tërësishme të tyre nga Kosova. Kishin shkrepur edhe me armë të shumta. Ushtarët dhe mjekët serbë edhe nëpër dhomat e të sëmurëve kishin shkrepur, duke i sharë shqiptarët, që e kishin kërkuar NATO-n të vinte në Kosovë dhe që e kërkonin edhe ndarjen e Kosovës nga Serbia. Ushtimë i kishte shkuar spitalit nga krismat e shumta të armëve serbe dhe pacientët shqiptarë ishin trishtuar deri në skajshmëri, pos nga dhembjet prej sëmundjes dhe nga plagët në trup, edhe nga tmerret që i kishin parë prej krismave të armëve. Nuk kishim pasur çfarë të bënin, se nuk kishim pasur ku të shkonin. Kishin mbetur në duart e mjekëve kriminelë serbë pa dëshirën e tyre dhe si preventivë vetëm e kishin mbuluar kokën me plafa, që të kurseheshim sado pak nga shurdhimi i veshëve.  

Saranda Bogujevci dhe pesë fëmijët e plagosur të xhaxhait Selatinë të saj, Fatosi, Jehona, Liria dhe Genci, në Plojën e e 28 marsit 1999, në Podujevë, nuk ishte shëruar në spitalin e Prishtinës. Gjendja e tyre ishte keqësuar përtej çdo mase në atë spital të robërua. Trupi i tyre ishte mavijosur në shumë vende nga plumbat dhe ishin bërë si thotë populli asht e lëkurë edhe nga mungesa e ushqimit.

Para gazetarëve të shumtë ndërkombëtarë, në spitalin serb të Prishtinës kishin kërkuar nga Saranda që të thoshte se e kishin plagosur aeroplanët e NATO-s dhe jo forcat serbe. Nga se Saranda nuk kishte pranuar që ta bënte një dezinformatë të tillë shpifëse dhe plotësisht të pavërtetë, personeli serb e kishte dënuar në mënyra të ndryshme, herë me mosdhënie të ushqimit, e herë me mospastrim të plagëve edhe me nga dy-tri ditë. Herë-herë edhe me brima e me sharje tepër vështirë të përballueshme.

Forcat ushtarake të NATO-s e kishin shpëtuar dhe shëruar  Saranda Bogujevcin dhe pesë fëmijët të tjerë Bogujevci

Në ditët e para të pasluftës së rëndë të vitit 1999 në Kosovë forcat ushtarake të NATO-s ishin gjendur në çdo pëllëmbë të Kosovës. Si vëzhgues që ishin kishin hyrë edhe në spitalin e Prishtinës. Me të kuptuar për gjendjen shëndetësore dhe për tragjedinë e Sarandës dhe të pesë fëmijët të tjerë të plagosur të Familjes Bogujevci të Podujevës, ushtarët britanikë nuk e kishin lënë babain dhe xhaxhain e Sarandës, që t’i dërgonin fëmijët në Podujevë, por menjëherë i kishin marrë dhe i kishin dërguar në bazën ushtarake të tyre, që kishte qenë e përqëndruar në Fushë Kosovë, dhe konkretisht në Qendrën e tyre mjekësore, që aty. Pas kontrollimit dhe trajtimit të duhur, që ua kishin bërë në atë Qendër mjekësore, pas dy-tri ditësh do t’i dërgojnë edhe në Lipjan, ku e kishin formuar një Qendër më të madhe njekësore të tyre.

Mjekët britanikë kishin bërë edhe shumë mrekullira të tjera për ta. Përmes internetit kishin konkurruar në Angli për dërgimin atje për shërim. Përkushtimi i sinqertë i mjekëve britanikë kishte bërë që të hapeshin dyert e shërimit dhe të qetësimit për Saranda Bogujevcin dhe për pesë fëmijët e plagosur të xhaxhait Selatin të saj, në plojën e 28 marsit 1999, në Podujevë.

-Përzgjedhje fragmenti nga rrëfimi “Saranda Bogujevci nga Podujeva i sfidoi vdekjes me 16 plumba në trup”, marrë nga libri “Krimi dhe përdhunim serb kundër femrës shqiptare në Kosovë 1997-1999” – Botim –2010  (465f.)– Autore - Naxhije Doçi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat