Vargje për fëmijët, shkollën, natyrën, lashtësinë ...

Kultura

Vargje për fëmijët, shkollën, natyrën, lashtësinë ...

Nga: Milazim F. Kadriu Më: 15 prill 2018 Në ora: 09:21
Kopertina e librit

Rexhep Halimi kësaj  radhe para lexuesve vjen me librin  e tij me vjersha për fëmijë të titulluar “Buzëqeshje në mesditë” që 44 vjersha të bukura ku dominon tema nga jeta e përditshme e fëmijëve . Halimi ndonëse  krijimtarinë e vet poetike e ka filluar qysh në bankat e shkollës fillore, dhe ka botuar në revistat dhe gazetat e kohës  para lexuesve ka ardhur me librin e parë në fund të vitit 2017 dhe tash vjen me librin e dytë. Vjershat e këtij libri kanë për temë shkollën, natyrën, atdhedashurinë, gjyshen, nënën, nipat. mbesat, lulet, shtazët etj. Këto vjersha autori i ka shkruar me shumë dashuri pasi ua dedikon fëmijëve, nxënësve me të cilët ka kaluar tash e rreth 40 vite si mësimdhënës. Andaj ai e njeh mirë botën e fëmijëve dhe vargjet e tij të krijuara janë vargje me burim nga shpirti.

Vargjet e Halimit në këtë libër janë vargje të lehta, të kuptueshme nga fëmijët për të cilët shkruan më së shumti sepse ata janë pjesë e punës dhe aktivitetit të tij të përditshëm në procesin edukativ e arsimor. Ai gjen mjete të bollshme krijimi, sepse është përherë i lidhur me fjalët e shprehjet fëmijërore, ndaj frazat rrjedhin lirshëm dhe pa ngarkesa, që do ta lodhnin lexuesin pa nevojë. Në këto vargje ai bënë edhe lidhshmërinë e natyrës, shkollës dhe lashtësisë sonë të cilën duhet ta dinë fëmijët por pa i ngarkuar shumë me histori të rëndë.

Ja si shprehet në vargjet e vjershës  “Fshati im”

Fshatin tim e ndanë

një lum

aty është një shkollë

ka edhe fëmijë shumë

ose në vargjet e vjershës “Dy lisat”

Në oborrin e shkollës

janë dy lisa

janë të vjetër sa vetë plisat

janë të gjerë e të gjatë

hijen e bëjnë që me natë

Halimi inspirimin për krijimin e vjershës për fëmijë e merr përgjithësisht nga jeta, nga e kaluara dhe e tashmja për një rrugëtim të sigurt në të ardhmen. Ai nëpërmes vargjeve i këshillon fëmijët që çdo herë të ecin rrugës së drejtë dhe ashtu si i ka edukuar çdo herë edhe përmes vargjeve i këshillon të ecin drejtë rrugës së dritës e diturisë.

Në vargjet e tij Halimi shpreh dashurinë që ndjen për jetën, natyrën për nënën, nipërit dhe mbesat ku edhe i përmend me emër në poezitë e tij  si në poezinë  : “Vajzat lozonjare”

Ardi e Lola

Nita Elma e Ikena

Reina e Donjeta

Nipër e mbesa i kena

Autori në disa vjersha të këtij libri sjell edhe  aso kushtuar figurave të ndryshme kombëtare, si Skënderbeut, Shaban Shalës, Fazli Grejçevcit, Ismet Jasharit - Kumanovës, po edhe dëshmorëve tjerë dhe vjersha tjera të ngjashme përkushtuese etj.

Në poezinë “Zogu i shqiptarit” kushtuar Skënderbeut ndër tjera autori thotë :

Skënderbeg gjithmonë krenar

është një epokë

një histori

një atdhe një Shqipëri

Për heroin llapjan që dha jetën për Flamurin kombëtar, Shaban Shala, autori shkruan vargje në vjershën që e ka titulluar “Flamur në qiell ti dritë e diell”

Për flamur për shqiptari

Nuk durove dot robëri

Vepra jote lavdiplote

Nuk harrohesh kurrë ndër mote

Poezinë e titulluar “Për liri e për flamur” kushtuar Fazli Greiçevcit shprehet

Në ditët me re të zeza

Në ditët më të vështira të kombit

Ballë përball me gjakatar

Mësuesi Fazli ishte i parë

Ndërsa heroit nga Likova e Maqedonisë që ra heroikisht në luftën e fundit si komandant në radhët e UÇK-së, Ismet Jashari - Kumanova ndër tjera autori në vargjet e tij thotë :

Shqiponjë fushe shqiponjë mali

Kurrë s’u ndale në front i pari

Zog shqiptari Ismet Jashari

Autori me vargjet e tij na sjell një botë me shumë ngjyra dhe me plotë margaritar në një kopsht me lule që na kujton të kaluarën dhe lëshon aromë të së ardhmes plotë dashuri për fëmijë.

Në libër sjell edhe poezi kushtuar stinëve të vitit, bukurive natyrore, luleve, zogjve, shtazëve dhe shumë të tjera 

Pa dyshim se edhe për këtë autor stina e pranverës është më e dashura ngase ajo sjell gjallëri dhe në vargjet e vjershës “Aromë pranverore” autori ndër tjera thotë :

aromë pranverore

gjeth e mal rritë

fushë e male dielli puthit

e djali këngën me zë e ngrit

Por autori e dinë se ka shumë fëmijë që edhe stinën e dimrit e duan dhe ai në këtë rast në vjershën “Bora e parë” shkruan për borën që njëherë fillon të bie në fshatrat më të larta  dhe pastaj edhe në fshatin e tij dhe ai shprehet

Bora e parë ra në Bajgorë

nga fshati im nuk është larg

veç një orë

qetë e qetë bije borë

në fshatin tim edhe në Bajgorë

Po ashtu ai shkruan edhe për shumë bukuri të natyrës, për lulet, malet, fushat, qengjat, macen, qenin, lepurin, pulën, gjelin me të cilat kanë dëshirë të luajnë fëmijët.

Po ashtu në libër hasim edhe shumë vargje me shumë këshilla ku ai i këshillon fëmijët që të kenë sjellje të mirë në shtëpi shkollë e kudo që të ndodhen, por edhe të respektojnë shoqërinë dhe asnjëherë të mos grinden mes vete. Në vjershën “Kryeneçi” autori ju jep këshillë fëmijëve se çfarë i gjen po të jenë kryeneç Ndër tjera shprehet:

kryeneçësia të bënë pa shoq

të lë vetëm

e mbetesh bosh

Ka edhe shumë vjersha në këtë libër që ja vlen të përmenden dhe kanë pothuajse vlerë të  njëjtë apo të përafërt me këto që i përmendëm ngase Halimi nga brendësia e tij artikulon vlera origjinale dhe na i sjell ashtu si i ndjen. Lexuesit  e sidomos lexuesit e vegjël për të cilët  autori edhe i ka shkruar këto vargje  do të  gjejnë plotë mesazhe edukative që do të ju shërbejnë për një rrugëtim të drejtë në jetën e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat