“Ti, do të dalësh mësues, po do të bëhesh edhe drejtor…”, - më tha profesori im, Shefik Osmani

Kultura

“Ti, do të dalësh mësues, po do të bëhesh edhe drejtor…”, - më tha profesori im, Shefik Osmani

Nga: Ibrahim Hajdarmataj Më: 13 prill 2018 Në ora: 23:54
Shefik e Urti Osmani

Në shtatorin e vitit 1962, pasi ma kishin miratuar të drejtën për të vazhduar shkollën e mesme,  mora rrugën nga vendlindja ime, fshati Zogaj i Malësisë së Gjakovës (Tropojë), për në qytetin e Shkodrës. Nuk kisha qenë ndonjëherë atje dhe kërshëria ime ishte mjaft e madhe. Udhëtova i hipur në karrocerinë e një makine transporti. Me vete mbaja edhe një valixhe prej dërrase, ku kisha futur pak bukë e djathë e  rroba të thjeshta vetjake. Bashkë me mua ishin në atë karroceri makine edhe 20 veta të tjerë, nga të cilët asnjëri nuk do të vinte në shkollën, për ku isha drejtuar unë.

Rruga ishte prej kalldremi dhe vëreja se shpesh kalonim në vende të rrezikshme. Udhëtimi ynë zgjati 16 orë, sa një të riu si unë, në atë kohë, tani nuk i besohet. Isha shumë i gëzuar, se më kishte dalë bursa për të ndjekur mësimet në shkollën e pedagogjike 2-vjeçare “Tre Heronjtë”, në Shkodër. Pasi u paraqita aty dhe u regjistrova  rregullisht, fillova menjëherë mësimet. Përveç mësuesve të lëndëve të ndryshme,  më treguan se drejtor i shkollës ishte një shkodran, me emrin Shefik Osmani. Sapo e pashë atë, më tërhoqi vëmendjen veshja e tij estetike dhe fytyra, në dukje serioze, por që “fshihte” brenda saj vetëm mirësi. Sigurisht edhe kjo gjë më ngrohu shpirtërisht e ma shtoi kënaqësinë, që kisha shkuar në atë shkollë dhe nesër do të bëhesha mësues për malësorët e vegjël të vendlindjes sime.

Mësuesit tanë ose profesorët, siç i quanim ne, ishin disa. Ndër ta, kujtoj me nderim Manol Tasellarin, Terezina Gjeloshin, Fadil Krajën, Hamit Boriçin, Mikel Kokën e të tjerë. Më vonë, disa prej tyre dhanë leksione në Institutin e Lartë Pedagogjik “Luigj Gurakuqi” dhe në Universitetin e Tiranës.

Në atë kohë, kisha e murgeshave ishte kthyer në konvikt, ku flinim ne nxënësit pedagogjikas dhe drejtor kishim Musa Krajën.

Drejtori ynë, Shefik Osmaini, nga paraqitja dukej mjaft i rreptë, sikur “nuk di të qeshë”! Por, ama, në shpirt ishte shumë zemërgjerë, i dashur, fisnik e largpames. Pse i them  unë këto, tani pas kaq vitesh? Sepse i kam përjetuar e provuar vetë, në atë kohë. Ja, po rikujtoj një rast...

Pa i mbushur ende tri javë,  shkova për në zyrën e  drejtorit. Trokita lehtë në derë. Nga brenda dëgjova një zë të fortë, urdhërues, si i një komandanti ushtarak: “Hyr!” U futa në drejtori, paksa i ndrojtur. E përshëndeta atë me respekt dhe, menjëherë, drejtor Shefiku m’u drejtua me një zë dashamirës: “Urdhëro, koleg!...”. Kjo fjala “koleg”, m’u duk shumë e madhe. Megjithatë, nuk e zgjata dhe iu drejtova me një zë paksa lutës: “Shoku drejtor, unë dua të shkoj në Tropojë, në fshatin tim Zogaj…”. “Pse?”-më pyeti ai me një zë qortues dhe paksa i habitur, ndoshta, duke menduar që do ta ndërprisja shkollën! “Jam mërzitë për babën, nanën dhe motrat, se jam vëllai i vetëm i tyre dhe i kam shumë larg…”. Drejtori më kapi përdore, me afroi pranë vetes dhe, duke ma hedhur dorën e tij mbi supe, m’u drejtua me dashamirësi: “Sa herë që të dëshirosh, pra që të marrë malli për familjen tënde, ke leje nga unë…Ti, sot je nxënës, por nesër do të bëhesh vetë mësues dhe në të ardhmen drejtor…”.

Fjalët e tij aq të ëmbla e nxitëse për mua, ma ngrohën zemrën dhe sa e sa herë m’u kanë kujtuar gjatë jetës sime, kur u bëra jo vetëm mësues, por edhe drejtor gjimnazi, siç e parashikoi me largpamësi drejtori im i paharruar, prof. Shefik Osmani. I çliruar krejtësisht nga shqetësimi, që kisha në vetën time, dëgjova përseri zërin dashamirës, që më ftoi: “Eja të shkojmë bashkë, në veprimtarinë letrare, që po e organizon klasa e dytë-D…”.Ashtu, dora-doras, u nisëm për ta parë atë shfaqje.

…Pasi e mbarova, me nota shumë të mira, shkollën pedagogjike 2-vjeçare të Shkodrës, u ktheva në vendlindje dhe nisa detyrën e nderuar të mësuesit. Po nuk iu ndava shkollës. Dhashë provimet me korrespndencë dhe përfundova pedagogjiken 4-vjeçare. Përsëri aty e kisha prof.Shefikun drejtor. Por, tashmë, ishim edhe kolegë dhe ia kujtova atij ato fjalët, me të cilat më ishte drejtuar, kur isha nxënës, pra “koleg”. Me shaka, në atë kohë, ai më pyeste, përpara kolegëve të mi: “Hë, Ibrahim, a don përsëri leje, që të shkosh në Tropojë dhe të shohësh prindërit e motrat?”

Kur isha student  dhe ndoqa Fakultetin Gjuhe-Letërsi Shqipe, në Institutin e Lartë Pedagogjik, po në Shkodër, kisha profesor për lëndën e drejtshkrimit, prof.dr. Tomor Osmanin, vëllain e drejtor Shefikut. Gjithashtu, gjithnjë, për atë ruaj respekt të veçantë.

Bashkepunimin me profesorin e nderuar Shefik Osmani, i cili punonte në ato vite në Insitutin e Lartë Pedagogjik, e vazhdova edhe më tej. Ende e kam në kujtesë atë, në një sesion shkencor, organizuar në Krujë. Pas leximit të kumtesave, ditën e dytë ndoqëm orë mësimi shembullore, në grupin e dytë të një kopshti fëmijësh. Bëhej fjalë për pushtimin fashist të vendit tonë. Në analizën e mësimit, disa kolegë u shprehën se qëllimi u arrit, sepse fëmijët flisnin “me urrejtje” ndaj pushtuesve, duke thënë se ata duhen vrarë me armë…. Profesor Shefiku iu drejtua pjesëmarresve: ” Fjalën e ka ish-nxënësi im, në shkollën pedagogjike të Shkodrës. i cili, besoj, do të na bindë,  si ju dhe mua”. Më tej, ai vijoi: “Pra, na thuaj, Ibrahim, se ku ishte pjesa më kulmore e mësimit”?  “Po,-iu përgjigja unë.-Mendoj se pjesa më kulmore ishte, kur vajza 5-vjeçare, Drita, tha se “unë armikun do ta peshtyjë në fytyrë”. Pra, kaq fuqi ka fëmija, sepse armën nuk mundet ta mbajë dhe as ta përdorë”. Profesor Shefikut i shëndriti fytyra, sigurisht duke ndjerë kënaqësi nga përgjigja e një ish-nxënësi të tij.

Më vonë, unë isha një ndër bashkëspunëtorët e rregullt të gazetës “Mësuesi”, botim i Ministrisë së Arsimit e Kulturës, ku profesor Shefiku ishte disa vjet redaktor. Kështu, vërtet, atij i doli parashikimi, se unë u bëra mësues dhe disa vjet drejtor gjimnazi në vendlindje. Bshkëpounova me disa gazeta të kohës dhe drejtova botimin e dy gazetave lokale. Gjithshtu, lexova kumtesa në veprimtari të ndrysahme, brenda e jashtë vendit, me përmbajtje pedagogjike e psikologjike, por dhe disa nga ato u botuan nëpër libra të ndryshëm. E solli rasti që, bashkë me prof. Shefikun, prof. Nuri Abdiun, prof. M.Krajën etj., të isha dhe në veprimtari, që u organizuan në Prishtinë.

…Në kujtesën time kanë mbetur të pashlyera edhe vizitat e këndshme në shtëpinë e prof. Shefik Osmanit, ku kam gjetur bujari e respekt edhe nga bashkëshortja e tij, Uri Osmani,”Mësuese e Popullit”.

Siç dihet nga të gjithë, njeriu ikën fizikisht nga kjo jetë. Por ka rëndësi shumë të madhe, kur lë pas një veprimtari të gjerë dhe të nderuar, ashtu si prof. dr. Shefik Osmani (1923-21.07.2012), i cili ka mbetur gjithnjë shembull dhe  burim frymëzimi për brezat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat