Krijimtaria si akt moral dhe pozita e krijuesit

Kultura

Krijimtaria si akt moral dhe pozita e krijuesit

Nga: Sejdi Berisha Më: 28 mars 2018 Në ora: 18:19
Sejdi Berisha

Krahas nevojave për zhvillimin e përgjithshëm shoqëror, edhe sot e kësaj dite gjithnjë ka nevojë edhe për zhvillimin, vëllimin, cilësinë dhe kreativitetin në fushën krijuese letrare dhe artistike. Për t’i arritur të gjitha këto vlera, sot dhe tërë ditën, ende ka nevojë që ato të intensifikohen me të gjitha forcat dhe nga të gjitha anët  krijuese. Në këtë mënyrë, përveç se do të kontribuohej në ngritjen në shkallë më të lartë të vlerave të përgjithshme, gjithashtu do të bëhej më shumë në luftimin dhe eliminimin e defekteve në kulturë, të sëmurjeve të ndryshme që shpesh përngjajnë në ato kanceroze dhe virusale.

Mangësitë që janë prezent në këtë rrafsh, përveç të çarave që i kanë shkaktuar dhe mund t’i shkaktojnë ato në të gjitha segmentet e vlerave kulturore, në masë të madhe kanë penguar zhvillimin dhe afirmimin normal të krijimtarisë përgjithësisht. Po ashtu, kjo ngadalëson të gjitha ecjet cilësore, mund të përjashtojë dhe të nënçmojë numër jo të vogël krijuesish, artistësh, piktorësh, muzikantësh etj. që t’i japin dhe zhvillojnë dituritë, njohuritë dhe vlerat në fushat gjegjëse. Disa janë shtypur pa u hetuar që në shtegun e parë të kësaj “maratone”.

Kategoria tjetër, është ajo e talentëve dhe e krijuesve premtues, të cilëve, me marifetllëqe të ndryshme, ua kanë vënë saçin e përcëllimit  mbi kokë. Kështu, këta krijues kanë ngelur të djegur në dëshirën e madhe, në ndrydhjen e talentit, në sofrën dhe vatrën e muzave të tyre, zëri i të cilave ua shurdhon veshët, ua skuq sytë. Dhe, pandërprerë, vargu poetik, violina, zëri, kitara, brusha e ngjyra u nguliten kacavjerrë dhe të mbështjella me rrjetin e merimangave të harresës.

Pastaj, janë krijuesit tjerë, nëse mund të thuhet, edhe më tragjikë. Janë pra, ata të cilët sa kanë marrë krahë, kanë filluar të afirmohen dhe shpesh ua kanë rrahur supet për punën e bërë, për fillimin e kontributit në fushat e caktuara dhe për krijimin e identitetit krijues. Ata, posa kanë ardhur në këtë stad, gradualisht janë ndrydhur nga më të ndryshmet forma, duke filluar nga “jo vlerat”, smira, frika, paniku për konkurrencën e deri tek ato më banale: harresa, nënçmimi, mospërfillja etj. Kjo, ndodhë që nga opinioni i gjerë e deri tek individët dhe ata të cilët ushqehen dhe merren kinse me vlerat kulturo-historike dhe shpirtërore. Të gjitha këto, pra edhe përpara, kanë shkaktuar “ngulshim” e shkaktojnë edhe tani. Natyrisht, në vend se të jetë e kundërta, kjo tani ende është prezent dhe, mbase edhe infektive.

Vlerat e brishta kulturore dhe artistike

Pikërisht, për këtë arsye, gjithnjë kemi vlera ende të brishta edhe kulturore, edhe artistike. Po ashtu, kemi krijuar përgjithësisht edhe artistë me vlera gjithashtu të brishta. Andaj, është evidente përplasja përgjatë rrugëve të ecjes në lëmenjtë e të gjitha vlerave. Gjithsesi, fatmirësisht kemi figura dhe emra krijuesish me cilësi të larta, të dëshmuara dhe të dashura. Por, njëkohësisht, kemi edhe një numër të kategorisë së përmendur, me veti dhe të arritura zeniti, të cilët tani sikur kanë miopsi, apo shikim të dëmtuar, kur kemi të bëjmë me gjeneratat pak sa më të reja dhe me krijuesit e brezit krejtësisht të ri, që fatkeqësisht, mund të thuhet se zorshëm afirmohen dhe çmohen. Edhe në mesin e këtyre brezave mund të fabrikohen “krimba” që dëshmojnë për trupin ende jo të shëndosh të kulturës.

Për këtë, mund të dalin në shesh “krijues” që defektet e tilla i kanë në shpirt dhe vetveten e ngrehin në piedestal, duke penguar të tjerët. Po e zëmë, nga këtu çdo gjë bie në sprovë, mund të bie përtokë; fjala bie, përkundër të arriturave të pamohueshme, duke kaluar e depërtuar nëpër rrugë të mundimshme, në momentet, kohërat, pozitat dhe situatat edhe të rregullimit qeverisës, por edhe shtetëror, i jepet rasti një apo shumë të tillëve që me mundësinë e veprimit ta madhështojnë vetveten në kulturë. Dhe, përmes artit ose “artit”, me ose pa qëllim injorojnë refleksionin në kulturë, atë që është origjinale, mëvetësinë-sa do që të jetë ajo me apo pa vlera.

Pozita e krijuesit apo refuzimi i mendjes

Kudo dhe në të gjitha periudhat historike, në të gjitha situatat dhe në të gjitha rrjedhat e zhvillimit, është folur e do të flitet për rolin, punën dhe përgjegjësinë e intelektualëve në zhvillimin e të gjitha fushave dhe të rendit shoqëror. Andaj, normalisht, është folur dhe flitet edhe në Kosovë, në Shqipëri dhe në të gjitha trojet tjera shqiptare. Dhe, vërtetë cili është roli, por edhe pozita e tyre në shoqëri? Në situatat e vështira, është shprehi, përherë barra dhe përgjegjësia u bie dhe u vishet njerëzve të kësaj kategorie.

Mirëpo, shumë pak është folur e biseduar seriozisht për pozitën e intelektualëve, për peshën e rolit, pozitën sociale, për çmimin dhe nënçmimin e vlerave në shoqëri, të cilat vlera, lirisht mund të thuhet se shpesh e mos të them gjithnjë janë të diskriminuara.

Dhe gjithnjë, e posaçërisht tani, në këtë kohë dhe moment kur Kosovës i nevojitet truri dhe mendja e njeriut, ku janë kjo kategori e njerëzve, ç’janë duke vepruar, si janë të organizuar, a ka vlerë puna e tyre dhe a janë të pozicionuar aty ku duhet dhe ashtu si duhet. Vetvetiu, kur kemi parasysh pozitën e tyre plotësisht nënçmuese materiale (90% të tyre), përgjigjja është e qartë. Andaj, ata, shpesh veten e konsiderojnë edhe të anashkaluar, të përbuzur dhe të pavlerë në shoqëri. Atëherë, të imponohet edhe aforizma për demokracinë: tek disa popuj, demokracia është si rituali i indianëve për pritjen e shiut! Pa fije nënçmimi dhe përbuzje, njerëzit e profesioneve të tjera (jo të gjithë), punën intelektuale jo vetëm se nuk e çmojnë, por as nuk ia vejnë veshin vlerave të mendjes. I tërë ky problem përmbyllet dhe mund të harrohet duke theksuar vetëm rëndësinë dhe peshën e parasë dhe të pasurisë! Pra, e tërë kjo çështje gjithnjë aktuale dhe e rëndësishme, nëse nxirret në rrafshin e analizave shoqërore, atëherë del se tek ne mund të krijohet një problem, të cilin vështirë se do ta zgjidhnim mbase për shumë kohë.

Në rrjedhat shoqërore, por edhe në ato politike, intelektualët janë në numër të vogël apo fare pak. Për këtë dukuri nuk bisedohet atëherë kur kemi të bëjmë me forcimin cilësor të qeverisjes dhe të ecjes përpara profesionalisht, por vetëm atëherë kur duhet të kritikohet intelektuali, apo edhe në pat pozicionet e shoqërisë dhe në pozitat e tjera të vështira si akt i kryer. Kështu, në të gjitha vendet e punës, vlerat intelektuale shpërblehen marrëzisht ultë.

Përkundër vetëdijes, intelektuali gjithmonë ndihet i pasigurt si në punë ashtu edhe në jetë. Merrni me mend, vetëm për të mbijetuar, sot shumë intelektualëve dhe familjeve të tyre u duket njëfarë “luksi”?! Nga këtu rrjedh edhe përballja me gjithfarë sfidash, të cilat dashtë e pa dashtë, në përqindje të madhe reflektohen në punë, në krijimtari, në motivim dhe kreativitet. Në këtë situatë, mendja, apo nëse doni, edhe truri i kombit, në të shumtën e rasteve nëpërkëmbët, përbuzet, rrudhet e zbehet në atë masë dhe shkallë, sa që shumë intelektualë, mbase jo me dëshirën e tyre, detyrohen ta “zhbëjnë” profesionin e tyre dhe të merren me punë dhe me profesione të tjera. Thjeshtë, luftojnë për kafshatën e bukës.

Shpesh herë flitet e përflitet se ku janë dhe ç’bëjnë intelektualët. Fajin për shumë gjëra, jo rrallë thuhet se e ka inteligjencia! Ata janë tërhequr nga skena shoqërore dhe politike. Në të shumtën e rasteve thuhet se nuk është kohë e librit, nuk është kohë e vlerave intelektuale etj. A nuk është ky refuzim i vlerave mendore, anashkalim i rolit të inteligjencies në shoqëri?! Me siguri se po.

Dikush thotë po, e dikush jo, se inteligjencia është disi e përjashtuar nga proceset shoqërore. Nëse është kështu, atëherë kjo kategori më e çmuar (jo gjithherë tek ne), a nuk është e refuzuar dhe e lënë anash? Si do të jetë dhe si do të pasojë vegjetimi i vlerave të mendjes, apo, ato edhe më tej do ta marrin teposhtëzen? Në këtë tërkuzë, çfarë janë problemet dhe pesha e përbuzjeve të mendjes, të aftësive e të mençurisë krijuese. Si do të evitohen, apo si do të shërohen dhe a mund të shërohen ato?! Sa do të përqafohet krijimtaria dhe puna intelektuale? Sa do t’i lejohet hapësirë për shtrirjen e vlerave dhe të rolit të inteligjencies në rrethanat e reja?

Në këtë temë, gjithnjë, ashtu sikurse edhe në shumë çështje, inkorporohet edhe afirmimi i punës, i rezultateve dhe i përpjekjeve të inteligjencies. Për të nxjerrë prova në këtë specifikë, ndoshta duhet përmendur nevojën apo pyetjen se sa i jepet vend afirmimit të të arriturave dhe punës intelektuale edhe përmes mjeteve të informimit.

Në labirintin e krijuar, edhe në këtë fushë, jo rrallë thuhet se afirmohen jo vlerat e më pak vlerat e mirëfillta, gjë, kjo, e cila po ashtu bën trusni në rolin dhe në peshën e forcës së mendjes. Shpesh thuhet se për shkak të kohës së tranzicionit, ndoshta puna intelektuale ka ikur jashtë binarëve të interesit të përgjithshëm shoqëror. Por, kjo nuk ishte dashtë as të jetë dhe as të mendohet kurrë e kurrë se është ashtu, sepse, e tëra dihet se në çfarë do të reflektonte. Ndoshta, në këtë obstruksion “intelektual” ka kontribuar edhe një numër i vogël krijuesish dhe intelektualësh, të cilët ia kanë dalë që me kohë të marrin “hapin” në rrjedhat shoqërore dhe kështu të uzurpohen apo edhe të pengohen hapësirat, ku mund dhe duhet të kyçet i tërë potenciali i inteligjencies.

Në këtë kontekst, çfarë të thuhet për krijuesit dhe gjeneratat e reja që janë dhe ato që do të vijnë? Sa u kemi ofruar atyre kushte, vullnet, kuraje dhe hapësirë manovruese për të lëruar drejtë të arriturave krijuese dhe studiuese e hulumtuese? Edhe në këtë fushë, nuk është bërë diçka optimiste dhe as programore. Për këtë, përgjegjësi kanë të gjithë, pra edhe të gjitha kategoritë e inteligjencies. Kjo dukuri, gjithnjë e më shumë shton nevojën për ta shtruar dhe vlerësuar peshën e përgjegjësisë së këtyre kategorive, por edhe të intelektualëve përgjithësisht. Sepse, në të kundërtën, truri i shoqërisë në vend që të begatohet, mund të tkurret  apo edhe të stërkeqet.

Arti skenik dhe “mungesa” e dramës kombëtare

Dhe tani, një numri të krijuesve të artit, po e zëmë të atij skenik, u janë bërë “rregull” vlerat e huaja e jo ato origjinale vendore, dhe kështu gjithnjë duke i mposhtur apo ndrydhur edhe vlerat e popullit. Në këtë mënyrë, po ashtu, edhe ato pak vlera të këtyre krijuesve që i kanë bërë, e të cilat ashtu siç janë ua kanë imponuar artdashësve, janë të “shenjta” dhe dot nuk mund t’u afrohen të tjerët. Ja pra, çfarë mund të ndodhë dhe kah shkon dhe mund të shkojë arti skenik (jo gjithkund) dhe vlerat e përqafimi i tyre.

Kur, kjo dukuri të zë frymën dhe s’ta lë rehat mendjen, atëherë të imponohet pyetja që do analizë dhe vlerësim: cilat janë vlerat, mishërimi me artin dhe afria e tekstit me shikuesin,… Pse gjithmonë, ose në të shumtën e rasteve, synohen tekstet e autorëve të huaj dhe bile prore të atyre të mëdhenj. Padyshim se këtu, ndoshta reflekton frika e regjisorit për dështim në tekstin e dramës kombëtare, apo ndoshta nuk është ashtu, por diçka tjetër. Ku ta dimë. Por, a nuk ka sinjal më dëshpërues se, për të shikuar një shfaqje, hyrja të jetë gratis dhe, edhe atëherë salla nuk është përplot me shikues. Ku është faji që dashamirët e artit skenik janë “ftohur” kaq shumë nga teatri: tek ata që e financojnë kulturën, tek ata që e bëjnë artin skenik, tek regjisorët, mungesa e teksteve, megalomania etj. Si duket, në këtë ngatërrim lëmshi pothuaj se të gjithë janë nga pak shkaktar të ftohjes nga arti fisnik i skenës dhe i dramës.

Assesi dhe në asnjë moment nuk mund të arsyetohemi se s’kemi, apo kemi tekste jo të nivelit. Në mos asgjë, atëherë, bile duhet t’ua japim krahun dhe shtojmë guximin autorëve-krijuesve  për të bërë tekst të mirë. Është ky problem, i cili në shikim të parë duket i parëndësi, por është e kundërta. E tërë kjo ka rëndësi dhe domethënie të shumëfishtë për shoqërinë tonë. Ma thotë mendja se për qasje në këtë temë, jo vetëm që ka mangësi intelektuale, por ka edhe nebulozë.

Por, kush duhet të merret me vlerësimin e punës dhe të karakterit të kësaj kategorie shoqërore? Dikush që është i mllefosur nga kjo dukuri, do të thoshte se ndoshta as djalli nuk do të pranonte të merret as me vlerësimin e krijimtarisë dhe as të vlerave në këtë rrafsh. Dhe, koha e tranzicionit sikur na arsyeton për shumë lëshime dhe gabime. Kjo nuk mund të qëndrojë. E si do të ecim kështu drejtë vlerave reale dhe sukseseve të reja, të cilat na presin, apo, ato edhe mund të na ikin.

Ose, tjetra. Shpesh herë në orët letrare, poetët dhe shkrimtarët, poezitë e krijimet e tyre ia lexojnë njëri-tjetrit! Pastaj, në koncertin pianistik, edhe me ftesa nuk mbushen dy renda ulësesh. Është kjo varfëri shpirtërore, mungesë e kulturës, aversion ndaj të mirave krijuese, apo çfarë është? Përgjigjja, në këtë rast mund të jetë si biberi, janë të gjitha nga pak, por të cilat e krijojnë shtresën e trashë të një dregëzeje, e cila, po që se nuk shërohet, mund të evoluojë,… mund të pezmatojë. Andaj, tani, cila dukuri është prezent; kriza e moralit krijues, apo e krijimit të moralit?! Që të dyja. Kështu, ndoshta kishin për të thënë artdashësit, qytetarët. Kurse, në tërë këtë, padyshim se “mëlmesë e mirë” është barriera e komunikimit në relacionin krijues-krijues dhe krijues-opinion!

Tretja dhe katandisja e krijuesve

Të kthehemi tek puna dhe angazhimi i shtresës intelektuale. Cila është puna, gjuha e bollëkut dhe universalja në krijimtari, në veprimet shoqërore? Me siguri se nuk është e kënaqshme dhe as në shkallën e duhur. Për këtë gjë, gjithsesi janë dy shkaqe. Një. Ngase, ata tanimë janë të përbuzur si në aspektin material ashtu edhe në atë të vlerës dhe të punës etj. Dhe dy. Të gjitha të dhënat dëshmojnë se ata as nuk janë në “senduiç”, por as të hedhur plotësisht dhe aktualisht të harruar në skajet e skajeve të rrjedhave të shoqërisë.

Por, pse tani, anë e kënd botës janë tretur e katandisur shumë krijues e intelektualë të profileve të ndryshme? Ose, a jemi kujdesur ndonjëherë për fatin dhe punën e tyre atje? Pak, ose fare! Nëse është kështu, atëherë pse është kështu?

Njerëzit sot thonë: ç’të duhet libri, ç’vlerë ka arti, cila është pesha e punës intelektuale… Më mirë është ta qerasim dikë me një pije freskuese, birrë apo kafe se sa t’ia dhurojmë një libër! Janë këto fjalë, të cilat shpesh mund t’i dëgjojmë edhe atëherë kur bisedohet për vlerat shpirtërore dhe për punën intelektuale. Andaj, inteligjencia është e refuzuar, apo edhe është (sipas inercionit) mjet refuzues?!? E,… këtu dalin në shesh lëshimet, pse jo edhe të një peshe dhe të një rëndësie. Ç’duhet bërë dhe si të veprohet për gjetjen e fijes dhe për shthurjen e lëmshit. Gjithsesi se është vështirë, dhe do të nevojitet kohë e gjatë. Në këtë rast, a është me vend të preken Akademia e Shkencës dhe Arteve, Universiteti, asociacionet dhe institucionet tjera gjegjëse? Çfarë punojnë ato dhe në ç’shkallë kanë arritur ta bëjnë dhe ta avancojnë punën intelektuale, shkencore, historike dhe atë shoqërore? Sa e kanë shoqërorizuar këtë segment të rëndësishëm, dhe në të njëjtën kohë, sa e kanë bërë atë për t’u çmuar nga opinioni, nga shoqëria e gjerë dhe nga individi, edhe pse nuk dyshohet se ka rezultate individuale. Ose, pse “ikin” krijuesit dhe njerëzit e mendjes nga rrjedhat e tanishme, në këto momente? A mos është ikje në ekzilin e vetvetes, në ekzilin e refuzimit dhe të nënçmimit? Apo, këto janë dhembjet e kohës së tranzicionit.

Psikologu amerikan Scott Peck, ka thënë se çdo individ (pra, edhe çdo shoqëri), nëse është i shëndoshë dhe i vendosur, atëherë, ai plotësisht mund t’ia arrijë realizimit të të gjitha synimeve reale të tij. Në këtë kontekst, çfarë nevojitet tek ne. Vendosmëria po se po, por nevojitet për t’i harmonizuar edhe shumë gjëra, duke i mishëruar ato me vetëdijesimin. Populli nuk është ujëvare për t’ia krijuar vetes rrugën me ujin që krijon panoramë të mrekullueshme me lëshimin e tij teposhtë, por do angazhim këmbëngulës, së pari për ta kuptuar vlerën e mendjes, e pastaj angazhim në rrugën aspak të lehtë dhe as të shkurtër të zhvillimit.

Thonë, por edhe kam lexuar, se kometa udhëton duke e djegur vetveten. Ne, nuk jemi kometë, edhe pse kemi udhëtim të lashtë. Jemi duke udhëtuar drejt vlerave, të cilat edhe meritojmë t’i posedojmë si të gjithë të tjerët. Apo, jo?!...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat