Veprat e Vangjush Mios në Venecia. E bija: Babai i thoshte qyteti ëndërr, kam harxhuar shumë para…

Kultura

Veprat e Vangjush Mios në Venecia. E bija: Babai i thoshte qyteti ëndërr, kam harxhuar shumë para…

Më: 22 mars 2018 Në ora: 14:22
Vepra e Vangjush Mios

I ri, në të 20-at kur ishte student në Romë, fundjavave a në kohë pushimesh, Vangjushi merrte trenin për në Venecia, ku ulej përballë gondolave, në sheshin “San Marco”, përballë “Palazzo Ducale”, në urën e “Rialtos”, në urën e ‘Psherëtimave’, në “Grande Canale”, përballë “La Fenices” dhe vizatonte, pikturonte, bënte skica. Rrekej të fiksonte mbi letra a mbi beze, sa më shumë detaje të qytetit magjik. Ai vetë, e quante qytet ëndërr, ndaj ndonëse me mundësi të pakta ekonomike, i riu nga Korça, kursente që të udhëtonte drejt Venecias. Dashuronte rrugicat prej ku shihte qiellin të puthej me ujin, dyqanet e maskave, shitoret “Muranos”. Vangjush Mio dashuronte ndërtesat ngjyra-ngjyra, kishëzat e kapelat, rrugicat, kthinat, galeritë, kopshtet e Bienales e jo vetëm. Pikturoi kudo dhe kur u kthye në fund të studimeve, ai solli në Shqipëri, Venecian e penelit të tij.
Pothuaj 100 vite më pas, Vangjush Mio rikthehet atje. Është e Bija Rozeta Mio, që ka bërë të pamundurën prej muajit dhjetor që i ati, të rikthehej ne Venecia. Mio, nuk është më. Veprat që ka lënë, e morën udhën e kthimit për në qytetin ku lindën dhe u vunë përballë, Venecia e 100 viteve më parë, me Venecian e sotme.

Në 16 mars, u çel ekspozita “Omaggio a Vangjush Mio”, kuruar nga Vladimir Myrtezai dhe Migena Hajdari.

Ekspozita u parapri nga një Vendimi i Këshillit të Ministrave që lejonte “lëvizjen jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të 11 veprave të Piktorit të Popullit Vangjush Mio, me qëllim ekspozimin e tyre në Centro Culturale Don Orione Artigianelli, Sala Tiziano, Dorsoduro 909/a në Venecia, Itali”.

E BIJA PËR TË ATIN

Ekspozita e parë e Mios, qe hapur në shtëpinë e jetimores, me punimet e sjella nga Bukureshti. Mësuesi i vizatimit dhe mësuesi i historisë së artit në Liceun Francez, më 1921 do të hapte studion e tij si piktor. Deri më 1924-ën, kreu studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë dhe fitoi dy diploma për pikturë dhe restaurim. Dy vite më pas, do të ndiqte Bienalen e Venecias. Kur më shumë se 9 dekada më vonë, rikthehet në Venecia me veprat e realizuara në atë kohë, është e bija, Rozeta Mio që flet në emër të tij.

“Babai më thoshte se Venecia është një qytet ëndërr. E donte gjithë Italinë, donte muzikën e artin, por për Venecian, kishte një dobësi të veçantë”. Në anën tjetër të telefonit me një të folme prej Korçe, Rozeta Mio, më flet nga galeria ku ka çelur ekspozitën në Centro Culturale Don Orione Artigianelli, Sala Tiziano, Dorsoduro 909/a.

Një prej kuratoreve, Migena Hajdari thotë se galeria ndodhet në një zonë ku shumë piktorë italiane kanë pikturuar dhe ekspozuar. “Është një zonë shumë e mirë. Çelja e ekspozitës ka qenë një nismë e Rozeta Mios që nga muaji dhjetor. Donte të rikthente të atin në Venecia dhe meqë kam një galeri në Padova, kërkoi ndihmën time. Ekspozita u realizua me ndihmën e Vladimir Myrtezait. Ekspozita është pritur mirë nga media dhe nga publiku”,-tha Hajdari.

Vetë Rozeta, tërhequr siç është, tha për “GSH” se hapja e kësaj ekspozite këtu është shumë shumë e madhe. “Për mua është një gjë e madhe dhe shumë domethënëse. Jam shumë e lumtur që u hap më në fund.

E solla babain këtu, sepse kisha shumë dëshirë dhe me ndihmën e Migenës ia dola”. Kur e pyes, se çfarë i thoshte i ati për Venecian, Rozeta përgjigjet menjëherë: “E quante qytet ëndërr, thoshte është qytet i mrekullueshëm”.

Mandej flasim me Rozeta Mion, për kohën kur i ka realizuar. “Disa i ka realizuar kur ishte student. Të gjitha punimet që janë në Venecia, i ka punuar kur ka qenë në Institutin e Lartë të Arteve në Romë, në momentet kur kishte pushime, realizonte piktura. Atëkohë studentët nga ana ekonomike ishin shumë të varfër, se kishin kushte shumë të dobëta, por im atë kursente dhe vinte në Venecia e shkonte edhe në qytete të tjera e pikturonte. Më shumë piktura ka me Venecian, e jo vetëm vizatime me laps e karbon, por edhe shumë piktura me vlerë”.


Për Rozetën rikthimi i të atit në qytetin ëndërr, është pothuaj një ëndërr. Uron që ekspozita të ketë sukses, edhe pse në ditët e para kur është çelur, shikuesit kanë qenë të shumtë dhe po ashtu mediat e kanë ndjekur me shumë interes, duke vlerësuar artin e Mios.

E pyes Rozetën, nëse ekspozita “ju ka kushtuar shumë nga ana financiare?”. Ajo përgjigjet menjëherë: “Sigurisht edhe nuk i kam shlyer të gjitha. Të gjitha i kam bërë vetë me forcat e mia. Të shohim tani. Kam shpresë të shes ndonjë pikturë që të mund të plotësojmë shpenzimet. E bëra, sepse babai e vlerësonte shumë artin e muzikën italiane e këtë na e ka mësuar edhe ne fëmijëve në shpirt. Është një vend i mrekullueshëm thoshte, vend i artit e muzikës më thoshte gjithmonë. Pastaj për Venecian kishte një dobësi të veçantë. Qytet i mrekullueshëm. Është një ëndërr”.

MIO, NJERIU DHE PIKTORI

Mio Vangjush Mio (Korçë 1891-Tiranë 1957) filloi të vizatojë që fëmijë, por veprat e tij të ruajtura në koleksionin e familjes i përkasin vitit 1906. Ai vlerësohet si një nga piktorët e parë profesionistë në Shqipëri.

Fillimisht Mio priret të bëjë vizatime me laps dhe sepia, duke realizuar portrete, figura, kompozime, nudo dhe peizazhe. Më pas realizoi kompozime nga jeta e përditshme e njerëzve të thjeshtë, portrete familjare dhe portrete të ndryshëm, duke u dashuruar mbas peizazhit urban, baritor, liqeneve dhe detit. Ai vizatoi dhe pikturoi peizazhet e disa zonave të Shqipërisë, kala, site arkeologjike, pamje qytetesh në Romë, Venecia, Bolonjë, Piza, Firence, Durrës, Butrint, Ulqin, Tiranë, Shën Naum, Tiranë, Durrës, Vlorë, Sarandë, Pogradec, Shkodër, Përmet, Gjirokastër e Berat. Krijimtaria e gjerë e artistit Vangjush Mio në fushën e peizazhit dhe portretit realist, u bë shkollë e madhe për të gjithë artistët shqiptarë, pasi ai realizoi vepra me kualitet të lartë artistik, evidentoi dritën diellore mesdhetare të peizazhit shqiptar dhe u bë shembulli brilant i piktorit të natyrës. Mio krijoi imazhin e figurës së piktorit në Shqipëri, që i ofron publikut veprat e tij në ekspozita vetjake dhe në studio. Shumë piktorë të njohur që kaluan fëmijërinë në qytetin e Korçës, morën mësimet e para në pikturë nga mjeshtri Vangjush Mio.

Veprimtaria artistike e Vangjush Mios është shumë e gjerë. Ai ka lënë një koleksion të madh veprash në gjininë e portretit, peizazhit e më pak kompozime. Numërohen mbi 500 tablo të tij, 200 vizatime, si dhe 80 pllaka xhami fotografike, të cilat ruhen në studion Muze të piktorit (Korçë), në GKA, Tiranë, në GA, Korçë dhe në koleksionet e institucioneve të larta shtetërore dhe në koleksionet private.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat