Lëvizja e artistëve për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar po gjen mbështetjen e shoqërisë civile, e njerëzve të angazhuar për mbrojtjen e trashëgimisë.
Sazan Guri: "Qeveria nëse nuk merr dot një shuplakë nga opozita, nuk merr dot as nga klasa punëtore se nuk ka sindikata, nuk merr dot nga klasa fetare sepse ka problemet e veta. E vetmja shuplakë që ne mund ti japim qeverisë, rasti erdhi, momenti është."
Në takimin e të hënës në Teatrin Kombëtar u shpreh qëndrimi se teatri aktual është i kalbur, por ai duhet ribërë nga e para duke ruajtur identitetin dhe këtë duhet ta bëjë shteti jo Partneriteti Publik-Privat.
Robert Ndrenika: "Partneriteti privat është në interes të privatit nuk është në interes të teatrit, aktorëve. Është për të fituar privati, prandaj jam kundra absolutisht këtij të ashtuquajturit partneritet."
Sazan Guri: "Keni rastin, siç është Kuba, Vezenuela që kanë zbatuar me pikërisht tre P-të, që është të gjithë e dimë marrëdhënie Partneritet Privat, por P-ja e tretë nuk është publik por pastrim parash në Shqipëri."
Gjergj Bojaxhi u kërkoi të pranishmëve të mos dekurajohen nga presionet politike që qeveria aktuale mund t’i përdorë për ta përçarë këtë rezistencë që synon të mbrojë një histori kulturore por edhe zemrën e Tiranës.
Gjergj Bojaxhi: "Ne po ndërtojmë një sistem kanibalist ekonomik dge qendra e Tiranës është zemra jo vetëm e Shqipërisë por edhe e Kombit shqiptar në kuptimin e përgjithshëm. Dhe pikërisht për këtë simbolikë është edhe vendi që ka vlerën më të madhe ekonomike."
Arben Derhemi, kryetar i sindikatës së aktorëve të pavarur të Teatrit Kombëtar i fton njerëzit të protestojnë çdo të hënë në mjediset e teatrit dhe paralajmëron zgjerimin e formave të rezistencës.