Mjeku poet që lundron në lartësi ndjenjash

Kultura

Mjeku poet që lundron në lartësi ndjenjash

Më: 9 mars 2018 Në ora: 00:57
Vullnet Mato

Në këtë botim poetik të mjekut të nderuar Xhemil Bytyçi (i rikënduar në gjuhën rumune nga poeti dhe përkthyesi i shquar Baki Ymeri), kemi të bëjmë më një autor, i cili duke e vendosur veten si hero lirik i poezive të tij, ngrihet mbi krahët e simbolit atdhetar, shqiponjës dykrerëshe të maleve shqiptare, për të shprehur ndjesitë e veta artistike, me mall e dhimbje, për shkak se krahët e saj janë ndarë në dy vende, ku kanë mbetur puplat e derdhura mbi tokë.

Larg atdheut, poeti ndjehet brenda një horizonti të mbyllur, me imazhe të trishta  në heshtje të akullt. Por i lindur me një botë të madhe shpirtërore, ai bën çmos të ngrihet në qiejt e kësaj bote, për të mundësuar lundrimin e ndjenjave të çiltra në hapësirat e pakufishme të kaltërimit poetik. Fjala e poetit kosovar ka një tingëllim humanist të pastër dhe derdhet me mendime metaforike të zgjedhura me kujdes.

Për ta himnizuar dashurinë, autori e ngre mjedisin e promovimit të saj, në lartësi yjore, me këtë poezi brilante: E dashur.../ Ke mundësi/ Të veshësh/ Pëlhurë ylberi/ Të ndizesh.../ Të fluturosh/ Me krah engjëlli/ Lart atje/ Në mbretërinë e yllësish/ Dashuri të promovojmë.Një poezi ku autori shpreh ndjenjat e patriotizmit të tij për atdheun e të parëve, është kjo, ku simboli atdhetar bëhet shqiponja, e ndarë nga vendlindja: Shqiponja tek fluturonte/ Duke jetuar në dy vende/ Nga njëra u nda e thyer/ Vetëm puplat i mbetën të derdhura…/ Shqiponja krenare dykrerëshe/ Mbi qiell të atdheut fluturonte/ Kërkonte puplat e mbetura degëve/ Me shpirt jetonte ajo me ne!...

Një nga poezitë e ndërtuara mjaft mirë artistikisht është “Liqeni i Lotëve” ku autori i nderuar personifikohet si gjahtar, që zbret në thellësitë shpirtërore të të dashurës së tij, për të ndezur aty pishtarin e dritës, që ajo të mos trembet nga hija e dhimbjes së tij: Besomë,/ Sonte do jem/ Gjahtar i thellësive të panjohura/ Pishën ndez ta mbaj/ E të zbres thellë në Ty/ Ndër bebëzat e kësaj nate të vrazhdtë.../ T’ia puthja dhe sytë/ Hënës mbi Kala të Prizrenit/ Të mos trembesh/ Nga hija e dhembjes sime/ Para se të fundoset/ Në liqenin e lotëve.

Duke shkrirë elementet e natyrës me mjetet metaforike që perdor, autori ka arritur të krijoje një çast të ringjalljes së frymës së vet, për t’u betuar para imazhit të të dashurës: Para muzgut të ndjell/ Dhe hënës së sapolindur/ Pritja lindjen e fjalës/ Të betohesha në ty/ Pritja frymën e ringjalljes /   Të të dhuroja një ëndërr/  Të kapja imazhin tënd.

Një poezi tjetër e ngritur në piedestal, është kjo që autori ia kushton Prof. Dr. Sahadete Mekulit, për aktin e saj të lartë, të trimërisë në shërbim të popullit: Peripecitë i ndoqe në trishtim/ Kënga bletët i thirri në zgjoje/ Pas teje të gjithë në lojë.../ Kujtoje besën popullit/ Që ia dhe/Trimëreshë e denjë/ E pavdekshme... Dhe duke i uruar sukses në rrugën poetike, për ta mbyllur revistën analitike të poezive të autorit  Xhemil Bytyçi, më duhet të përmend edhe fjalët e dala nga shpirti i një poeti për poetin Ali Podrimja: Kalorës i erërave/ I fjalëve/ Farkëtar i urtësisë/ E përjetshme dritë/ E AtDheut... (Xhemil Bytyçi, Lotët e liqenit/ Lacrimile lacului, Amanda Edit, Bukuresht 2017).

______

*Vullnet Mato është shkrimtar i nderuar me titullin „Personalitet i shquar”)

 

SHËNIME PËR AUTORIN

 

Prof. dr. Xhemil Bytyçi është njëri ndër urologët më të njohur të Kosovës. Dr. Xhemili u lind në Billushë të Prizrenit më 5 janar të vitit 1941. Shkollimin fillor dhe të mesëm i kreu në Prizren. Pas kryerjes së gjimnazit regjistrohet në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Beogradit, të cilin e kreu më 1968. Paralel me këtë fakultet ndoqi mësimet edhe në stomatologji dhe arriti t’i kryejë provimet dhe të absolvojë. Si student ai ishte treguar aktiv në grupin letrar dhe muzikor të Shoqatës së njohur të studentëve shqiptarë të Universistetit të Beogradit me emrin “Përpjekja”. Menjëherë pas kryerjes së fakultetit të mjekësisë fillon punën e mjekut dhe të mësimdhënësit në shkollën e mesme të mjekësisë në Prizren. Pas një kohe fillon punën në Klinikën e Urologjisë të Spitalit të Përgjithshëm të Universitetit të Prishtinës. Në këtë klinikë punoi prej vitit 1973 e deri në pension. Si specialist i urologjisë arriti famë jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon e më gjerë. Ishte dhe është emër në urologji. Specializimin e urologjisë e kreu në Spitalin e njohur të Zagrebit, në Qendrën Klinike “Rebro”. Më 1986 mbron doktoratën në fushën e mjekësisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës. Titulli i doktoratës së tij ishte: “Kontributi në etiologjinë e nefrolitiazës – studim kliniko-epidemiologjik në rajonin e Kosovës”. Pas mbrojtjes së doktoratës avancohet në gradën e doktorit të shkencave të mjekësisë.

Prof. dr. Xhemil Bytyçi ishte pedagog i rregullt shumëvjeçar i Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës me gradën më të lartë – profesor ordinar. Studentët kanë kujtimet më të mira për të. Është shumë i frytshëm në punën e tij profesionale. Si i tillë, ka marrë pjesë në shumë kongrese e simpoziume shkencore me karakter kombëtar e ndërkombëtar. Në revistat e specializuara profesionale ka botuar mbi 95 artikuj e studime me peshë nga fusha e urologjisë dhe e kirurgjisë. Edhe pas pensionimit vazhdon të jetë aktiv, vazhdon ta ushtrojë profesionin e specialistit të urologjisë në ambulancën private “Uropriz” në Prizren. Doktor Xhemili shquhet edhe si humanist i vërtetë. Ai kishte edhe një prirje të veçantë. Qysh në shkollë të mesme kishte filluar të merrej me shkrime letrare. Si gjimnazist kishte filluar të shkruajë poezi dhe tregime. Deri më tani ka botuar në Prishtinë dhe Bruksel disa përmbledhje me poezi: “Dëgjoj shushurimën” (2007), “Zjarr i lënë në harresë” (Prishtinë, 2008), “Fijet e fjalëve” (2009), “Rreze yjesh” (2010), “Vallëzim yjesh” (2016), “Shkëndijat magjepse të shpirtit” (2016), “Farfurimë yllësie” (2017), Lotët e liqenit (Vëllim bilingv shqip-rumanisht, përktheu Baki Ymeri), Amanda Edit, Bukuresht 2017, Der See der Tränen/ Lotët e liqenit (Vëllim bilingv gjermanisht-shqip, përktheu Renate Muller), Amanda Edit Verlag, Bukuresht 2018. Zt. Xhemil Bytyçi ka edhe shumë vjersha në dorëshkrim dhe një dramë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat