Koncert recital i kompozitorit Nestor Kraja

Kultura

Koncert recital i kompozitorit Nestor Kraja

Më: 8 mars 2018 Në ora: 16:42
ilustrim

Ditën e hënë, në datën 19 mars, në orën 19.00 në sallën e Universitetit të Arteve në Tiranë do të mbahet koncerti recital i kompozitorit Nestor Kraja. Koncerti titullohet “Poetika Muzikore”  dhe do të sjellë nën tinguj dhe poezi njeriun, kujtimet, mendimet, brengat e pasionet e tij, brenda një realiteti konkret dhe të prekshëm artistikisht. Këto nuk sillen si në një film me personazhe e ngjarje, duke vlerësuar forcën e tij për të luftuar dhe fituar mbi jetën, nuk sillen si në një opera me lejtmotive, recitative e arie, nuk sillen si në një ekspozitë me tablo të ndryshme, por si një kolanë emocionesh të lidhura nga fije idesh filozofike që realizohen përmes poezive të zgjedhura. Kompozitori Kraja ka përzgjedhur  10 poezi, që do ta bëjnë publikun të lundrojë lirisht drejt ideve, mendimeve e emocioneve të ndryshme por jetësore pa bujë por konkrete, pa klithma por reale. Kjo e bën koncertin kompakt, unik dhe të veçantë.

Përmes poezive të përzgjedhura, nga poetë si Petraq Risto, Xhevahir Spahiu,  Lazgush Poradeci, Betim Muço, Fatos Arapi, Ismail Kadare, Migjeni etj., ai do të përpiqet të udhëheqë publikun përmes imazheve tingëllore drejt kujtimit të dhimshëm njerëzor, drejt kontrastit të tij me makinën industriale që e ndërtoi vetë e që i kujton atij kurdoherë se ndryshimi qëndron tek memorja e ndjenjat njerëzore, drejt detyrave dhe të drejtave që ka në raport me shoqërinë, drejt dashurisë për artin, natyrën apo krijesën e zemrës, drejt ndjenjave të mospërkuljes ndaj çdo vështirësie,por dhe përmes filozofive që tentojnë ti tregojë një rrugë, një shteg, apo drejt luftës me të keqen e padukshme e deri tek vallja, hareja, fitorja, si emocione rigjeneruese të vetë qenies sonë.

Të gjitha këto ide do të paraqiten të rrjedhura gradualisht e artistikisht nga aktorja e njohur, pedagogia e UA Ema Andrea. Të dhjetë veprat janë  formatuar në një strukturë tripjesëshe ku në qendër qëndrojnë tri vepra vokale,  ndërsa pjesët anësore janë instrumentale solistike, si dhe vepra me ansamble të ndryshëm. Ndër to do të jenë dy vepra me shoqërim elektroakustik, tashme pjesë integrale e zhvillimeve muzikore të shekullit. Gjuha muzikore e përdorur ruan dhe paraqet një esencializim të  muzikës kombëtare folklorike por dhe mjaft elementë individualë që synojnë paraqitjen e zhvillimeve bashkohore harmonike, melodike, fakturore timbrike etj. Muzika është shkruar 6 muajt e fundit me kërkesën e unitetit dhe veçorive stilistike, bazuar mbi forma të gjinive të mëdha e të mesme të muzikës së dhomës, nga miniatura koncertale tek forma e sonatës. 

Dhjetë poezi të zgjedhura, do të ndihmojnë publikun të ndjejë apo imagjinojë i lirë gjatë dëgjimit, duke u mundur kështu të krijohet një lidhje efikase me emocionet e mendimet e tij. Një nga kënaqësitë e publikut do të jetë edhe loja e mrekullueshme e instrumentistëve tanë më të mirë dhe më të shquar të skenës koncertale muzikore ndër të cilët Merita Rexha, Astrit Selita, Fatos Qerimaj, Erinda Agolli, Alma Strazimiri, Lorenc Radovani, Etrita Ibraihimi,  Rudina Ciko etj. Sfida do të jetë niveli i komunikimit të publikut të thjeshtë me atë që quhet muzikë bashkohore, elitare dhe profesionale e cila edhe sot në gjithë botën konsiderohet  e vështirë e që ka krijuar një frakturë tashmë të pranuar me të. Kjo nuk  do të arrihet përmes ilustrimit as përmes semplicizmit muzikor por, përkundrazi përmes kërkimit të teknikave bashkëkohore por, që mbështeten fort në kulturën të traditës së madhe muzikore. 

Ky mendoj se është dhe drejtimi më efikas i penave më të njohura e më të suksesshme të muzikës së kohës, që nga Bartok, tek Satie, e deri tek Pärt, Gorecki, Shnitke, Auerbach, etj.  Koncerti në Tiranë i datës 19 mars do të organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Bashkisë së Tiranës. Media partnere e koncertit është revista e kritikës muzikore mbarëshqiptare Opusalb. Në datën 21 mars koncerti dë udhëtojë drejt Vlorës ku do të shfaqet në teatrin "Petro Marko" të qytetit, ndërsa në muajin maj po ky program do të shfaqet edhe në Ksamil.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat