Për parlamentarët hipokritë...

Kultura

Për parlamentarët hipokritë...

Nga: Sarë Gjergji Më: 23 shkurt 2018 Në ora: 21:05
Foto ilustrim

Hesht Shpirti im

kur velin gri mbi qytet pushtetarët shtrijnë

e turma shurdhmemece i këndon robërisë.

 

Hesht se revoltën e poetit nuk e duan

as atë mal simbolesh që ngreh Ai

për hënën nusërore dhe madhështinë e zjarrit.

 

E ç’rëndësi ka në ishte Fjala në fillim

nëse vargu yt sfidohet

nga kuaj të harlisur a nepërka me syze.

 

Shpirti im,

për verbimin e diellit dhe gjithçka rreth teje,

hesht po munde!

Sërish do ketë një të Premte të Madhe...

 

Mohimi i vetvetes

Te pritja zunë rrënjë shpresat e kalbura

ne ëndrrën për një shtet ideal në kullë funebre e kthejmë

zhveshim shpirtin nga qenia dhe brohorasim fuqishëm:

Poshtë Identiteti!

 

Tash dhimbjet e lindjes së shkretëtirës ndjen

dhe lavde-broçkulla i thur vetes

se dritën e tokës së parë mëri e ke;

botën dhe shtratin ku linde mallkon

i katandisur në leshnajë.

Populli im,

për ku je nisur?!

 

E helmuar është fjala

E helmuar është fjala jote

nëse e kafshon deri në përgjakje

dhe e varros nën dhëmbë.

 

Nëse nuk e vë dot gozhdë

në pushtetin shpërfillës të natës,

mos thuaj jam poet!

Kumt i frikshëm ky për të nesërmen..

 

Liri

Ç’ushton në memorie

heshta e dhembjeve

në net shtatzëna

pret ngjyrën e blertë në shteg

 

zemër pa aortë trashëgohesh

me ëndrrën e përditshme në sy

 

bota ka rënë në gjumë

mos e tundo, të lutem!

 

Këtej s’ka mbërrit liria

Në kullë të frikshme errësire të katandisin

në kampion ferri

enigmën e gjakut dhe gurit s’e njohin

as peshën e fjalës dhe pritjen e thinjur

në sfond kope ujqish

kafshojnë hemisferën veriore të trupit tënd.

Toka ime

copë e grimë të bëjnë

me iluzionin për dritën s’jetohet

digjemi nga humbja e kujtesës.

Ushtari im,

këtej ende s’ka mbërrit liria.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat