Hapet ekspozita “Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit 1877/1878”

Kultura

Hapet ekspozita “Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit 1877/1878”

Më: 22 shkurt 2018 Në ora: 14:41
“Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit 1877/1878”

Me rastin e 140-vjetorit të dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit, sot në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” është hapur ekspozita “Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit 1877/1878”, e cila u mundësua nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës dhe Qendra Dokumentare Shkencore dhe Këshilli Kombëtar për Paqe.

Kryeshefi ekzekutiv i ASHAK-ut, Ramë  Manaj, tha se në këtë ekspozitë janë prezantuar gjithsej 120 fotografi, harta dhe dokumente që pasqyrojnë spastrimin etnik të shqiptarëve në vendbanimet e Nishit.

Ai tha se dokumentet e paraqitura në këtë ekspozitë dëshmojnë shtrirjen e popullit shqiptar deri në Nish e Pirot, si dhe numrin e shqiptarëve që janë jetuar në ato treva.

Manaj: Kjo ekspozitë dëshmon se shqiptarët kanë jetuar deri në Nish

“Dokumentet autentike arkivore të ekspozuara në ekspozitë dëshmojnë për shtrirjen kontinuive të popullatës shqiptare deri në Nish e Pirot dhe jetesën e tyre në këto qytete si Kralevë, Smederevë, Krushevc, Kurshumli e të tjera. Këtu janë paraqitur në mënyrë faktografike të dhëna për numrin e shqiptarëve në këto treva, emrat e 703 vendbanimeve të Sanxhakut të Nishit në të cilat ka jetuar popullata shqiptare me rreth 250 mijë banorë duke filluar nga Alabana, Arbanasi”, tha ai.

Ai po ashtu tha se hartat e ekspozuara dëshmojnë zgjerimin e Serbisë dhe shteteve tjera fqinje në dëm të territorit të Kosovës.

Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Burbuqe Bakija-Dema tha se ngjarjet e tilla duhet të shërbejnë për vetëdijësim për të mos lejuar dëbimin e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.

Bakija-Dema: Ngjarje të tilla duhet të shërbejnë  si thirrje për vetëdijësim

“Duhet shërbyer si thirrje për vetëdijësim  për të mos lejuar realizimin e doktrinave për shpopullimin edhe nga trevat tjera shqiptare siç është Presheva, Bujanoci dhe Medvegja. Këto aktivitete duhet të shërbejnë edhe si thirrje për ndërgjegjësimin që ngjarjet e tilla të mos përsëriten”, u shpreh ajo.

Udhëheqësi i Qendrës Dokumentare Shkencore, Jusuf Osmani tha se eksponatet e prezantuara në ekspozitën “Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit 1877/1878” dëshmon për spastrimin etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre autoktone në Sanxhak të Nishit.

Ai po ashtu tha se kjo ekspozitë përkujton pasojat e pasardhësve që u larguan me dhunë nga ushtria serbe në vitet 1877-1878.

Osmani: Shpalosin dëshmi për spastrim etnik

“Shpalosin dëshmitë e dokumentuara nga shumë burime për spastrimet etnike të shqiptarëve nga  trojet e tyre autoktone nga fshatrat dhe qytetet e Sanxhakut të Nishit duke përkujtuar edhe pasojat të cilat sot e kësaj dite në memorien e brezave të pasardhësve të larguar me dhunë nga ushtria serbe në vitet 1877-1878” ,tha ai.

Në hapjen e ekspozitës “Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit 1877/1878” është shfaqur edhe filmi dokumentar i gazetarit Marin Mema “Nga Nishi te Molla e Kuqe” dhe intervista e Sabit Ukës e realizuar nga Radio Televizioni i Kosovës, të cilat rrëfejnë për spastrimin etnik të shqiptarëve në Sanxhak të Nishit.

Po ashtu e gjithë ekspozita është realizuar e në formë katalogu, e cila ka për qëllim që të shërbej si udhërrëfyes informativ.

Gjatë ditës së nesërme në Institutin Albanologjik do të organizohet një konferencë shkencore lidhur me dëbimin e shqiptarëve nga Nishi në vitet 1877/1878.

Ekspozita “Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit 1877/1878” do të jetë e hapur deri më 2 mars në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat