Mësuesi i një akti heroik

Kultura

Mësuesi i një akti heroik

Nga: Fran Cara Më: 21 shkurt 2018 Në ora: 09:13
Nikollë Gjin Lleshi

Kohë më parë në komunën e Gjegjanit në rrethin e Pukës u organizua një ceremoni përkujtimore, ku mësuesi i ndjerë Nikollë Gjin Lleshi u nderua me titullin “Qytetar Nderi”. U kujtua me atë rast e gjithë jeta e tij e shkurtër, por e pasur në vlera. E fillonte shtatorin me urimin e mirëseardhjes së fëmijëve në shkollat ku punoi, nga Shkoza, Kimëza, Krrabi e deri në Berishën e largët. Ishte frymëzuar në udhën e këtij misioni të shenjtë nga prindërit e tij të fisëm, po dhe nga fjalët e të ngrohta të mësuesit të tij të parë Gjin Leka nga Gojani i Madh.

Mësuesi Naim Maliqi, i ardhur nga Elbasani, për të mësuar fëmijët e fshatit Shkozë të Pukës, në vitin 1958 i kishte thënë babait të tij: “Nikolla të bëhet mësues, që të më zëvendësojë mua”. Dhe i ati do t'i thoshte mësues Naimit: “Halle kam shumë, por porosinë tande do ta baj realitet”. Ishin vite të vështira për Gjinin (babai i dhjetë fëmijëve), si dhe për gkithw malësorët e atyre anëve, por drita e shpresës i ndriçonte mendjet e tyre të etura për dije e përparim. Shumë nga bijtë e kësaj zone iu dhanë me mish e me shpirt udhës së shkollimit. Ndër të spikaturit e atij brezi ishte edhe Nikollë Lleshi, që u pasua denjësisht dhe nga i vëllai, Gjergji, mësues i gjuhës dhe letërsisë, me specializim pasuniversitar për gjuhë shqipe, drejtor shkolle për shumë vite.

Datëlindja e Nikollës, 1 shtator 1947, përkonte me ditën fatsjellëse të fillimit të vitit shkollor si nxënës në shkollën 7-vjeçare “11 Janari” Shkodër, duke qenë konviktor në konviktin “Tom Kola”, kurse në shtator 1962 regjistrohet në Shkollën e Mesme Pedagogjike “Shejnaze Juka”, po në Shkodër, shkolla këto me emër në mbarë Shqipërinë. Nikollë Lleshi mbetet ndër shembujt e vlerave që përcilleshin ndër breza këto shkolla, duke shfaqur cilësitë më të mira të karakterit fillimisht si nxënës, në aksionet për hapjen e rrugëve të reja automobilistike Kukës-Krumë dhe Fushë-Arrëz-Tuç, në punë si mësues dhe në jetë si familjar. Për rezultatet e tij si nxënës, më shumë se gjithçka flasin vlerësimet e mësuesve të tij. Abdulla Miloti e karakterizonte: “Është djalë shumë i kujdesshëm dhe i këndshëm në komunikim”, teksa babit të tij i thoshte se duhet të jeni krenar si prindër për këtë djalë, se nuk ua ka humbur mundin.

...Dhe erdhi 29 qershori i vitit 1966. Nikolla ishte i pari mësues me diplomën e Pedagogjikes në fshatin e tij. Me padurim priste emërimin. Fati sikur i buzëqeshi. Me 8 gusht fillon punë në shkollën e fshatit të tij, Shkozë. Ishte koleg me mësuesin e mirë dhe punëtor Prend Frrok Zefi nga Gjegjani. Që në ditët e para të punës bie në sy pasioni, vullneti dhe përkushtimi i tij në procesin mësimor-edukativ. Në ato vite rrethi i Pukës kishte nevoja të mëdha për mësues të përgatitur me arsim pedagogjik për arsimin 8-vjeçar, pasi mësuesit me arsim të lartë ishin të paktë dhe vinin nga rrethet e tjera. Por vetëm pas 23 ditësh, me 1 shtator, pa iu gëzuar as rrogës së parë dhe fillimit të punës, një emërim tjetër i jep udhët e gjata larg vendlindjes, për t'u ndalur në lagjen Pap të Berishës së Vogël e, për ca muaj, në Berishë Qendër. Në thellësitë e maleve hijerënda të 7 Berishave, brigjeve dhe kreshtave të larta të Drinit, ai gjeti ngrohtësinë e njerëzve të mirë e bujarë të atyre anëve dhe përkrahjen e kolegut të tij, poetit pukjan Prend Ukaj, që do ta kujtonte gjithnjë me nderim e respekt.

Me 15 shtator 1967 e shohim përsëri në mes të nxënësve të vendlindjes me kolegun e përkushtuar Nikollë Prendi nga fshati Kushnen i zonës së Gjegjanit. Por mësues Nikolla , si duket, kishte lindur për të mos i zënë këmbët dhé. Me 1 tetor 1969 përsëri niset për në një tjetër shkollë malesh. Vrapin ia ndalin rrëzë malit madhështor të Krrabit, për t'u dhënë mësim pa shkëputje nga puna punëtorëve të sektorit të sharrave të NPD-së Fushë-Arrës për dy vite. Prej andej e largon kryerja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak prej tri vitesh të plota (30 nëntor 1970 - 24 nëntor 1973) në Levan të Fierit.

Pas kryerjes së ushtrisë, dhjetor 1973 - 1976, Nikolla punon përsëri në shkollën e fshatit të tij. Tri vite punë e një mësuesi të vlerësuar dhe të respektuar nga eprorët, kolegët e mbi të gjitha nga nxënësit e prindërit e tyre. Por ecejaket e tij në arsim s'kanë të sosur. Përsëri larg shtëpisë për hir të nevojave për mësues në zonat e thella. E transferojnë në shkollën 8-vjeçare Kimëz (janar 1977 - gusht 1978), ku i duheshin çdo ditë mbi katër orë udhëtim në këmbë vajtje-ardhje. Shumë prej nesh, shokë e kolegë të tij i quanim këto lëvizje jashtë logjikës. A thua se Nikolla i shenjtë prej natyre e buzagaz gjithmonë, “kishte gjuajtur me gurë kishë e xhami”, siç thotë një fjalë e urtë. Megjithëse asokohe qarkullimi i mësuesve çdo fillim viti shkollor, për të mbuluar shkollat me kuadër mësimor, ka qenë një praktikë e rëndomtë e Seksioneve të Arsimit të Komiteteve Ekzekutive të rretheve, rasti i Nikollës ka qenë i pashembullt, 7 lëvizje në 14 vite!

Vera e vitit 1978 sikur ia solli në derë fatin këtij njeriu të mrekullueshëm e mësuesi të dashuruar me profesionin, që e meritonte si rrallëkush tjetër, por fatkeqësisht disa herë ia kishin prerë udhën!?... Dy gëzime në një verë. Në korrik martohet me mësuesen Drane Prendi nga Gomsiqja dhe në shtator të dy, bashkëshortë dhe kolegë në të njëjtën shkollë, në Shkozë. Pas një viti fati u solli djalin e tyre, Marenglenin, shpërblimi më i madh për bashkëshorten dhe Nikollën, pas një rrugëtimi jo pak të mundimshëm të tij shkollave të malësive të Pukës.

Mësues Nikolla, çdo gjë në veprimtarinë mësimore-edukative, e bënte patjetër mirë. I qeshur dhe optimist për jetën. Nxënësit dhe prindërit e nderonin pa masë. Dhe ai ua kthente me punën dhe dashurinë njerëzore që ka një mësues për nxënësit e tij. Gjithmonë mes tyre, me ta e për ta. Përpiqej që 1 shtatori t'i gjente nxënësit e tij të pajisur me të gjitha tekstet e mjetet e nevojshme mësimore dhe kjo ditë të kthehej në një festë të përbashkët për fillimin mbarë të vitit shkollor. Por s'paska qenë shkruar kështu fati për vazhdimin e jetës dhe të udhës së diturisë për këtë mësues vullnetmadh. 1 shtatori, dita që e solli në jetë, për fat të keq mbyllet tragjikisht atë fillim vjeshte 1980. Me 3 shtator, pas mbarimit të mësimit, pa shkuar në shtëpi për të ngrënë drekë, pa i dhënë puthjen dhe përqafimin djalit 1-vjeçar që sapo kishte belbëzuar fjalët e para “babi” dhe “mami”, pa u përshëndetur me bashkëshorten dhe prindërit, niset për në qytezën e Fushë-Arrëzit për të marrë tekstet që sapo kishin mbërritur nga Ndërmarrja e Shpërndarjes së Librit Shkollor Pukë. Niset për të mos u kthyer më pranë nxënësve dhe familjes së tij të shtrenjtë. Në atë udhëtim të fundit pëson një aksident të rëndë automobilistik. Duke mos u mbijetuar plagëve ndërron jetë më 4 tetor 1980, në moshën 33-vjeçare, në spitalin e Pukës, duke lënë pas dhimbjen e madhe të prindërve, bashkëshortes me djalin vetëm 1 vjeç, si dhe nxënësve, kolegëve, shokëve dhe miqve.

Mësues Nikollë Lleshi ishte një jetë e vrullshme, e ndërprerë papritur në moshën e bardhë, ndonëse me shumë ëndrra për jetën. Ai eci në udhën e bashkëpedagogjikasit të tij, Ismet Sali Bruçaj, Mësuesit të Popullit Ndue Jak Pjetri e të tjerë dëshmorëve të arsimit shqiptar, për t'u gdhendur në kujtesën e brezave arsimdashës të Pukës, Mirditës etj. Nikolla, i përfshirë dhe librin “Udhërrëfyesit e dijes” për rrethin e Pukës, është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” i Komunës Gjegjan etj. Njerëz të tillë jetojnë pak, por kujtohen gjatë. Të gjithë ne mësuesit e kujtojmë çdo shtator e çdo 7 Mars - si kolegun gjithmonë të qeshur, nxënësit - si mësuesin e tyre të dashur, vëllezërit dhe motrat - si njeriun e tyre të paharruar.

Ndërsa bashkëshortja, Dranja, prej vitesh mësuese në Tiranë, së bashku me djalin (Marenglenin) mjek, dy mbesat vogëlushe Glevia dhe Emila dhe nipin Erni, nxënës në shkollën “Sabaudin Gabrani”, krenohen për njeriun e tyre të shtrenjtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat