Dr. Prof.Ismet Elezi mbi të Drejtën Zakonore Shqiptare (pjesa e dytë)

Kultura

Dr. Prof.Ismet Elezi mbi të Drejtën Zakonore Shqiptare (pjesa e dytë)

Nga: Paul Tedeschini Më: 20 shkurt 2018 Në ora: 09:31
Ilustrim

Në vijim të kapitullit “Mendimi juridik për të drejtën shqiptare” në faqen 90 të librit të tij “Mendimi Juridik Shqiptare” studjuesi Ismet Elezi shkruen:
- “Normat e së drejtës zakonore janë krijuar nga mençuria popullore, nga pleqtë anonimë (pleqësitë), kuvendet e burrave të zakonit dhe janë ruajtur në kujtesën e popullit. Në zbatimin e tyre ka vepruar forca e opinionit publik si dhe autoriteti i Kuvendeve, të cilët arritën të vendosnin sanksione penale kundër atyre që shkelnin normat e vendosura.”

Nga kjo na kuptojmë se normat e së drejtes zakonore shqiptare kanë pasë karakter popullor, sepse këto norma u krijuen nga populli, zbatoheshin nga populli dhe transmetoheshin brez mbas brezi nga vetë populli. Asht pikrisht kjo arsyja, që këto norma kishin forcen e nji ligji dhe sigurojshin zbatimin e rregullt të tij në atë shoqnì fisnore. Në nji shoqni e tillë të rregullt e të sigurtë, pa plasa, nuk mund të depertojshin ligjët e pushtuesve të huej.

Po në atë faqe profesor Elezi shkruen:
- “Veçorì e tretë e së drejtës zakonore ka qënë partikularizimi i saj, d.m.th. në ekzistencën e kanuneve të ndryshme krahinore, që, në analizë të fundit përcaktoheshin nga kushtet historike dhe ekonomike-shoqërore të këtyre krahinave”.

Me këtë pohim na kuptojmë atë që profesori do të theksojë ma vonë, se nuk ka pasë vetem nji kanun per të gjitha krahinat shqiptare, por seicila krahinë ka pasë zakonet apo kanunin e vet, tue pasë elementa të perbashkëta mbarshqiptare.

- Po aty: “Normat e së drejtës zakonore shqiptare, në tërësinë e tyre përbëjnë një sistem juridik nga më të vjetrit në Europë. Këtë fakt e ka vënë në dukje studjuesja dhe albanologia e njohur angleze Edith Durham, e cila ka njohur nga afër realitetin shqiptar. Ajo ka shkruar se: Ligjet dhe Kanunet që i atribuohen Lekës, duket qartë se janë më të hershme se shekulli XV-t, para kohes kur thuhet se ka jetuar. Ndoshta atyre ligjve u janë bindur luftëtarët e panjohur me armë brinxi, që dalin nga varrezet parahistorike”.
Nga kjo nxjerrim randësinë e madhe të njohjes së zakoneve shqiptare si nji nga elementet që vertetojnë lashtesinë e këtij populli në Europë, si nji nder popujt ma të vjeter të këtij kontinenti. Prandej populli shqiptar i perket këtij kontinenti, me gjithë se per nji periudhë historike iu mohue nga ana e pushtuesit aziatik komunikimi me Europen. Prà shqiptart nuk shkojnë në Europe, por janë në Europë në aksin qendror gjeografik të këtij kontinenti.

- Po aty “Në sistemin e së drejtës zakonore shqiptare përfshihen degët e ndryshme të saj, duke filluar nga norma me karakter statutor që rregullojnë organizmin e shoqërisë ku ajo vepron, normat e së drejtës familjare, civile, të pronësisë, penale, procedurale. Të gjitha këto dëshmojnë për arritjet e mendimit juridik shqiptar, që e kishte burimin në kulturën popullore shqiptare dhe pasqyrojnë botëkuptimin, mëndësitë dhe psikologjinë shoqrore të popullit shqiptar”.

Në faqen 91 profesor Ismet Elzi jep “Burimet kryesore të së drejtës zakonore shqiptare”
a) “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, i mbledhur nga Shtjefen K. Gjeçovi, i botuar pjesë pjesë në revistën “Hylli i Dritës” (1913-1929) dhe mbas vdkjes së tij u botua në një vepër të vetme në Shkoder në vitin 1933.

b) “Kanuni i Skenderbeut”, i mbledhur e i botuar nga Don Frano Ilia në vitin 1993.

c) “Kanuni i Mirditës”, i mbledhur e i botuar nga Pal Doçi (Vetqeverisja e Mirditës – Tiranë, 1966, dhe “Kanuni i Lekë Dukagjinit” sipas variantit te Pukës, mbledhur e botuar nga Xhemal Meçi në vitin1966.

ç) “Kanunet e tjerë lokalë të Lumes, të Bendes, të Çermenikës (Në Arkivin e Institutit të Kulturës Popullore, Tiranë).

Po në faqen 91 profesor Ismet Elezi jep “Parimet e së drejtës zakonore shqiptare”

“E drejta zakonore shqiptare (të gjitha kanunet shqiptare) është mbështetur në parime kryesore të përbashkët: barazia e njerëzve nga gjaku, nderi, besa, mikpritja, etj..... Sigurisht ekzistenca e parimeve kryesore të përbashkëta të kanuneve, nuk mohon normat me dallimet e veçorìtë lokale, ashtu siç janë dialektet në gjuhën shqipe, apo veshjet, kostumet, këngët, etj. Këto veçori lokale, të kushtëzuara nga zhvillimi ekonomiko-shoqëror e kulturor i banorve të krahinave, nuk prekin unitetin e sistemit të së drejtës zakonore shqiptare nga Labëria në Veri e deri në Kosovë, si pjesë përbërse e kulturës shqiptare. ”.
 
(Vazhdon me pjesën e tretë: “Mendimi juridik shqiptarë për të drejtën zakonore”)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat