Dr. Prof.Ismet Elezi mbi të Drejtën Zakonore Shqiptare (pjesa e parë)

Kultura

Dr. Prof.Ismet Elezi mbi të Drejtën Zakonore Shqiptare (pjesa e parë)

Nga: Paul Tedeschini Më: 19 shkurt 2018 Në ora: 19:22
Dr. Prof.Ismet Elezi

Jetshkrimi dhe aktiviteti shkencor

Juristi Dr. Prof. Ismet Elezi lindi ne vitin 1920 ne Fterrë 10 km larg Borshit dhe bregdetit Jon. Filloi shkollen ne Piqeras, mori liceun ne Tirane ne vitin 1942, filloi ne vitin 1943 studimet ne Firence, por per shkak lufte i nderpreu. Ne vitet 1946-1951 vazhdoi studimet universitare ne Leningrad (Peterburg) dhe po aty nga viti 1957 deri ne vitin 1960 mbaroi studimet pasuniversitare dhe ne vitin 1961 mori graden shkencore. Ne vitin 1972 mori titullin “Profesor”. Ka qene Sekretar Shkencor i lnstitutit të Shkencave, Sekretar Shkencor i Universitetit, Kryetar i Byrosë Juridike në Këshillin e Ministrave (1966-1985). Për rreth 50 vjet punon si pedagog dhe ka drejtuar katedrën penale në Fakultetin e Drejtësisë (1957-1990). Vepra shkencore: "E drejta zakonore penale e shqiptarëve" ka marrë çmimin e Republikës. Vepër me vlerë të vaçantë është dhe "E drejta zakonore e Labërisë”. Është autor i disa teksteve të së drejtës penale (Pjesa e Posaçme) si dhe bashkautor i teksteve të tjerë. Ka marrë pjesë në konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Në vitin 1998 Qendra Ndërkombëtare e Biografive në Kembrixh (Angli) e ka shpallur "Njeriu Ndërkombëtar" në shkencë.

Për lëndën e drejtësisë ka hartuar disa tekste, ka ndërtuar mbi 15 monografi dhe ka shkruar mbi 80 artikuj e referate shkencore brenda dhe jashtë Shqipërisë. E shquar është vepra: “E Drejta zakonore e Labërisë në planin krahësues”. Tani Profesor Ismet Elezi është në proces të veprës më të plotë: “E drejta zakonore Shqiptare”. Për 10 vjet pandërprerë ka hartuar veprën me titull “Mendimi Juridik Shqiptare” prej 326 faqesh të publikuem në Tirane ne vitin 1999, e cila është një paraqitje që hap rrugën për enciklopedinë juridike shqiptare. Ka kontrubuar ne perpilimin e Kodit Penal te vitit 1995.

Studimet e tij jane vlersuar nga rrethet shkencore në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup etj. Ka patur lidhje shkencore me Institutin Etnografik në Moskë, me Universitetin Graz në Austri, me Institutin e Studimeve për Europën Juglindore me qendër në Londër, me shkencëtarë në Çikago e Filadelfia të SHBA, në Bari të Italisë etj. Edhe sot në moshë të thyer ai vazhdon studimet e tij ne fushen juridike.
 
Kuptimi i së drejtës zakonore shqiptare, burimet dhe parimet e saj
 
Profesor Ismet Elezi ka ba nji punë të palodhshme per plot dhjet vjite të gjata per të pregatitë librin e tij studimor prej 326 faqesh me titull “Mendimi Juridik Shqiptare” të publikuem në Tirane ne vitin 1999.

Ne fillim të kapitullit “Mendimi juridik për të drejtën shqiptare” (faqe 89-111) profesor Ismet Elezi thotë se “E drejta zakonore kuptohet si tërësi e normave (rregullave të sjelljes), te pashkruara, të përcjella në traditën gojore nga një brez në tjetrin e që kanë sherbyer për rregullimin e marrëdhënjeve juridike sipas traditës, nga opinioni dhe autoriteti patriarkal i kuvendeve”.

Prà kanunet e krahinave të ndryshme apo permbledhja e zakoneve të krahinave të ndryshme shqiptare, nuk kan qenë të shkrueme asnjiherë ma perpara. Ato janë ruejte dhe transmetue brez mbas brezit simbas tradites, nga opinioni i shoqnise dhe autoriteti i kuvendeve te fisit. I pari kanun shqiptar si tansì normash që iu paraqit publikut shqiptar, studjuesve shqiptar si dhe studjuesve të huej nepër botë ka qenë publikimi në formen e nji libri në vitin 1933 nga fretnit françeskan në Shkodër “KANUNI I LEKE DUKAGJINIT” , që asht mbledhë me mund, me durim dhe me perkushtim të madh në formë dorëshkrimi nga patrioti françeskan At Shtjefen Gjeçovi (kosovari martir i vramë pabesisht nga serbet në vitin 1929 në moshen 46 vjeçare) tue pershkue në kambë malet e asajë zone të gjanë të veriut andej e kndej kufinit të sotem, shtëpi në shtepi dhe tue folë gju me gju me malsort. Po të mos i kishte mbledhë këto zakone në atë kohë Shtjefen Gjeçovi, atëhere do të kishte humbë nji trashigimì e madhe e parikuperueshme mijëvjeçare e tradites së popullit shqiptar.

Në këtë trashigimì të transmetueme gojarisht brez mbas brezi futen zakonet e mira shqiptare, per të cilat kanë të drejtë të mburren shqiptart. Në këtë trashigimì futen edhe zakonet shqiptare të trashigueme edhe këto gojarisht brez mbas brezi, por që sot janë të damshme, sepse nuk perputhen me ligjët e kohve të reja, të cilat edhe ato vetë ndryshojnë gjatë kohëve të ndryshme.

Studimi i ketyne zakoneve të damshme, që nuk perputhen me të drejten ligjore të kohve të sotme, ban të mundshem hetimin qyshë në rrajë të motiveve të shumë krimeve si dhe gjetjen e rrugve të evitimit të tyne jo vetem me rrugen gjyqësore, por edhe ne formen opinionit shoqnor dhe punes per pajtimin e palve në konflikt. Asht krejtë njisoj siç vepron mjeku, që fillimisht diagnostikon smundjen dhe mandej gjenë mjetet e sherimit të sajë. Pa studimin e këtyne motiveve, të cilat kan rrajë në zakonet e trashigueme të shqiptarve, nuk mund të arrihet shmangia e tyne, qoftë per arsye se këto zakone mbahen nga opinioni shoqnor, qoftë edhe per shkak të mosfunksionimit të ligjit të shtetit të sotem të korruptuem shqiptar, i cili duhet të kishte sigurue zbatimin e ligjve të reja.

Ma poshtë profesor Elezi shkruen: “ E drejta zakonore shqiptare përmban norma të rendit patriarkal fisnor (nga Iliria), patriarkal-feudal (të mesjetës).... si dhe norma të reja, ne përshtatje me zhvillimin e marrëdhënjeve ekonomiko-shoqërore në shekullin XIX e në filliet e shekullit XX). E drejta zakonore shqiptare, e trashëguar që nga ilirët dhe gjatë gjithë historisë së zhvillimit të shoqërisë shqiptare veçanërisht gjatë mesjetës kur Shqipëria ishte nën pushtimin osman (shek XV deri në fillim të shek XX) nuk ka qenë statike, por është ndryshuar duke lënë në harresë norma të vjetra dhe duke e pasuruar me norma të reja, po nuk u asimilua nga ligjet e pushtuesve të huaj”.

Nga kjo nxirren disa konkluzione: Këto zakone apo ligjë të pashkrueme kan pasë karakter fisnor dhe te dyfishtë, të detyrueshme qoftë per krenat e fisit, qoftë edhe per antart e thjeshte të fisit. Të dyja palët i kan zbatue këto zakone dhe i kan tranzmetue ato gojarisht brez mbas brezi.

Zakonet e shqiptarve e kanë zanafillen e tyne qyshë në kohët e lashta të ilirve, si nji nder popujt ma të vjeter të Europes dhe se gjatë shekujve ato nuk kan mbetë të pandryshueshme. Ato kan ndryshue në perputhje me rrethanat e reja tue futë elementët e rij kohë mbas kohe. Ato kanë mbajtë gjithmonë karakterin e tyne specifik të paster shqiptar të padeformuem nga dhuna e pushtuesve të huej. Me gjithë pushtimin e eger pesë shekullor aziatik turk-osman populli shqiptar i të gjitha trevave shqiptare, pa dallim besimi, nuk e asimiloi dhe as nuk e zbatoi sheriatin arab, por u administrue me zakonet e veta autentike shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat